LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Gra që theren, gra që hidhen nga ballkoni”/ Aktivistja ngre zërin: Në djall vaftë kjo kohë e mbrapshtë!

7 Korrik 2021, 07:39, Aktualitet CNA

Aktivistja Elona Caslli ka reaguar me tone të forta në lidhje me ngjarjet e fundit kriminale në vend, ku një grua u vra me thikë nga bashkëshorti, ndërsa një tjetër 24-vjeçare u hodh nga ballkoni, pas një debati me bashkëshortin.

Në një postim në rrjetet sociale, Caslli ngre disa pyetje, në lidhje me ngjarjen e fundit, ndërsa thekson se ?Ç’mund ta shtyjë një grua 24 vjeç të hidhet nga ballkoni?! Ç’mund t’i ketë thënë i shoqi që e ka shtyrë të hidhet drejt vdekjes?!?.

?Kronikë mëngjesi

E heshtur përballë filxhanit të kafesë përballë titrave të lajmeve që përplasen nga një ngjarje tek tjetra.

Teksa pi kafen, më përplaset para syve lajmi- Një grua hidhet nga ballkoni pas një debati me të shoqin.

Para katër ditësh, një grua u vra me thikë nga bashkëshorti i saj brenda në makinë. Më vonë ai tentoi të vriste veten.

Në kësi rastesh gjithmonë më shkon ndërmend pyetja ; Pse nuk vrau veten në fillim ai burrë?! Le të vriste veten dhe historia mbaronte këtu. Pse edhe të vdekur i duan gratë me vete?!

Pse kanë kaq frikë të vdesin vetëm këta burra?!

Gra që vriten. Gra që hidhen nga ballkoni.

Lajmi rishfaqet përsëri. Mosha e gruas që është hedhur nga ballkoni është 24 vjeç. E mendoj dhe e rimendoj.

Ç’mund ta shtyjë një grua 24 vjeç të hidhet nga ballkoni?! Ç’mund t’i ketë thënë i shoqi që e ka shtyrë të hidhet drejt vdekjes?!

Pse i është dukur kaq e pamundur jeta?! Pse ka mbledhur aq shumë pikëllim sa instikti i vdekjes e ka mposhtur instiktin e jetës?!

Askush nuk e di. Ajo çka dihet është që jeta e një gruaje u shua në fluturim.

Titrat vazhdojnë dhe rrëfejnë se burri i saj u arrestua dhe historia mbyllet këtu.

Gra që theren, gra që hidhen nga ballkoni dhe burra që arrestohen.

Post Scriptum- Në djall vaftë kjo kohë e mbrapshtë!?-shkruan Elona Caslli./CNA.al

Lajmet e fundit nga