LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A mund të përdoret Bitcoin si një monedhë kombëtare?

30 Qershor 2021, 05:59, Blog CNA
A mund të përdoret Bitcoin si një monedhë kombëtare?

Nga Paola Subacchi ?Project Syndicate?

Shumë njerëz e cilësojnë tregun e Bitcoin – kriptomonedhën kryesore të botës – si një lojë fituesish dhe humbësish, që luhen midis institucioneve financiare, investitorëve amatorë
dhe kriminelëve.

Rreziku i madh dhe i natyrshëm i një monedhe dixhitale anonime teje të paqëndrueshme sa i përket vlerës, u lihet më shumë atyre që e kuptojnë mirë lojën, apo që nuk u intereson vërtet rreziku, pasi mund të reduktojnë atë të kompensojnë çfarëdolloj humbjeje.

Por kohët e fundit, Bitcoin është bërë më tërheqës edhe për vendet dhe individët me qasje të kufizuar në sistemet konvencionale të pagesave. Pra për ata që kanë më pak mjete në dispozicion për të menaxhuar rrezikun themelor.

Në fillim të këtij muaji, El Salvadori u bë vendi i parë që miratoi Bitcoin si mjet të ligjshëm të pagesave, duke kaluar një ligj që do të hyjë në fuqi në muajin shtator. Kjo do të thotë që Bitcoin mund të përdoret për të paguar për mallra dhe shërbime në të gjithë vendin, dhe marrësit janë të detyruar ligjërisht që ta pranojnë kriptomonedhën.

Për salvadorianët nuk është hera e parë që i nënshtrohen këtij lloji eksperimenti monetar. Dollari amerikan u bë gati monedha kryesor e El Salvadorit në vitin 2001, dhe aktualisht është monedha kryesore e përdorur në transaksionet e brendshme.

Në atë kohë, qeveria e presidentit Francisko Flores, lejoi që dollari të qarkullonte lirshëm krahas monedhës kombëtare, kolon, me një kurs fiks këmbimi. Mbrojtësit e përdorimit në masë të dollarit, argumentuan se përfitimet e pritshme në stabilitetin makroekonomik, do t?i tejkalonin efektet negativ nga humbja e sovranitetit ekonomik të El Salvadorit, pavarësinë monetare dhe madje edhe senjorazhit, pra diferencës midis kostos së prodhimit të monedhave dhe kartëmonedhave dhe vlerës së tyre nominale.

Por fuqia blerëse ra papritmas, duke e lënë ekonominë vendase edhe më të varur nga remitancat, të cilat përbëjnë mesatarisht rreth 20 për qind të PBB-së vjetore gjatë 2 dekadave të fundit. Përdorimi i Bitcoin si një monedhë zyrtare, do të përkeqësojë kufizimet monetare që nxori në pah dollarizimi i ekonomisë.
Për më tepër, Bitcoin është shumë më i paqëndrueshëm se sa dollari amerikan. Midis 8-15 qershorit, vlera e tij u luhat midis 32.462 dhe 40.993 dollarëve. Ndërsa në periudhën 15 maj-15 qershor, varionte nga 34.259 në 49.304 dollarë.

Luhatje të tilla kaq të mëdha – dhe fakti që ato diktohen tërësisht nga tregu, pa asnjë hapësirë ku politikë-bërësit mund të menaxhonin luhatjet – e bëjnë Bitcoin një instrument të papërshtatshëm për stabilizimin makroekonomik.

Presidenti i El Salvadorit, Naxhib Bukele, shkroi në Tëitter se Bitcoin do të lehtësojë transferimet e dërgesave, dhe do të ulë ndjeshëm kostot e transaksioneve. Tarifat që duhet të paguajnë emigrantët për të dërguar paratë e tyre në shtëpi janë tepër të larta, pavarësisht shumë thirrjeve nga Kombet e Bashkuara dhe G20 për t?i ulur ato.

Sipas Bankës Botërore, kostoja mesatare globale e dërgimit të 200 dollarëve është afërsisht 13 dollarë, ose 6.5 për qind, shumë më lart sesa objektivi i Zhvillimit të Qëndrueshëm prej 3 për qind. Gjithsesi gjatë vitit të kaluar, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme morën remitanca në shumën 540 miliardë dollarë, vetëm pak më pak sesa totali i vitit 2019 prej 548 miliardë dollarësh, dhe shumë më i madh sesa flukset e investimeve të huaja direkte në këto vende (259 miliardë dollarë në vitin 2020), dhe ndihma për zhvillim (179 miliardë dollarë në vitin 2020).
Ulja e tarifës së dërgesave në 2 për qind, mund të rrisë me 16 miliard dollarë në vit dërgesat e parave. Biznesi i madh por i copëzuar globalisht i remitancave, mbështetet tek transfertat elektronike përmes sistemeve të pagesave të bankave tregtare.

Ndërsa bankat marrin tarifa të mëdha për përdorimin e kësaj infrastrukture dhe përfitojnë nga një rrjet ndërkombëtar i sigurt dhe i besueshëm. Por problem i vetëm nuk janë tarifat e larta. Shumë emigrantë nuk kanë një llogari bankare në vendin ku punojnë, ndërsa familjet e tyre në vendlindje mund të jenë në mesin e 1.7 miliardë njerëzve që nuk kanë akses në sistemin bankar në të gjithë botën.
Për më tepër, disa emigrantë mund të kenë nevojë të transferojnë para në vendet që ose nuk janë të integruara në sistemin ndërkombëtar të pagesave, ose janë të kufizuara në aftësinë e tyre për të kryer transferime ndërkufitare, për shembull Siria ose Kuba.

Bukele ka të drejtë për nevojën e sfidimit të këtij sistemi, përfshirë edhe ofrimin e alternativave me kosto dhe me rrezik të ulët. Por Bitcoin është mjeti i gabuar. Është e vërtete:Bitcoin u jep mundësi njerëzve të transferojnë vlerën direkt dhe globalisht, pa ndërmjetësimin e kushtueshëm të palëve të treta.
Por paqëndrueshmëria e bën atë në rastin më të mirë një aset- dhe një rezervë të rrezikshme – sesa një mjet shkëmbimi. Rreziku i një rënie të papritur të çmimit të Bitcoin, do të thotë që emigrantët dhe familjet e tyre nuk mund të jenë kurrë të sigurt mbi shumën e transferuar.

Në vend se ta refuzojmë aktin e El Salvadorit, si një shembull tjetër të krizës së kriptomonedhave, ne duhet të reflektojmë se pse shumë njerëz në të gjithë botën janë të gatshëm të përqafojnë kriptomonedha për synime jo spekulative.

Përgjigjja qëndron ndoshta në faktin se sistemi aktual financiar ndërkombëtar u shërben pak ose aspak atyre. Risitë tek paratë dixhitale, si shërbimi mobile M-Pesa në Afrikë, po garantojnë një qasje të konsiderueshme në sistemin e pagesave të qytetarëve në shumë vende në zhvillim.

Por duhet bërë më shumë për të siguruar infrastrukturën dhe kornizat rregullatore për të mbështetur paratë dixhitale. Tani për tani, ky terreni mbetet i copëtuar. Lipsen politikat ndërkufitare të koordinuara, për të garantuar që Bitcoin dhe variantet e tij, të mos bëjnë më shumë dëm sesa dobi në vendet në zhvillim.

Në qoftë se sektori publik dhe privat nuk i përqafojnë reformat jetike, dhe nuk i bëjnë të disponueshme për të gjithë dhe me kosto të ulët shërbimet themelore bankare, njerëzit dhe qeveritë do të tërhiqen gjithnjë e më shumë nga Bitcoin dhe alternativa të tjera me kosto të ulët, po me rrezik të lartë në krahasim me bankat tradicionale.

Shënim:Paola Subacchi, profesore e ekonomisë Ndërkombëtare në Institutin e Politikës Globale të Universitetit të Londrës./CNA.al

https://www.project-syndicate.org/commentary/risks-of-el-salvador-adopting-bitcoin-by-paola-subacchi-2021-06

Lajmet e fundit nga