Connect with Us

Politika ruse po e vendos Bajdenin nën presionin e Evropës

Blog

Politika ruse po e vendos Bajdenin nën presionin e Evropës

Publikuar

-

Nga Robbie Gramer & Jack Detsch “Foreign Policy”

Pas 4 vitesh qëndrimi të butë të presidentit të SHBA-së Donald Trump ndaj Rusisë, administrata Bajden po përballet me një presion të madh nga Capitol Hill dhe aleatët e Evropës Lindore për të ashpërsuar qëndrimin e saj ndaj Moskës, pas një takimi midis presidentit amerikan Xho Bajden dhe atij rus Vladimir Putin në mesin këtij muaji në

Gjenevë, dhe përpjekjeve të Francës dhe Gjermanisë për të rifilluar dialogun me Putinin.

Por për Bajden problemi është se ai po përpiqet të pastrojë dy rrëmujat e trashëguara:Duhet të riparojë marrëdhëniet me Gjermaninë, aleatin kryesor të Amerikës në Evropën kontinentale, dhe të ketë një qasje më të ashpër për të frenuar sjelljen dashakeqe të Rusisë.

Ukraina – vendi i mbërthyer në mes – po përpiqet të kuptojë se ku anojnë Shtetet e Bashkuara. Problemi i parë ka qenë qasja e fundit ndaj projektit të diskutueshëm të gazsjellësit që lidh Rusinë dhe Gjermaninë, Nord Stream 2.

Bajden është kritikuar për ndalimin e disa sanksioneve në lidhje me këtë projekt, teksa ai po tenton të riparojë marrëdhëniet me Berlinin në epokën post-Trump. Por kjo lëvizje vjen në një kohë kur zyrtarët dhe analistët perëndimorë të Evropës Lindore, po i bien kambanave të alarmit për refuzimin e Rusisë për të zhvendosur forcat ushtarake pranë kufirit të saj me Ukrainën, të grumbulluara aty që në prill.

Kjo çështje pritet të jetë objekt debati në muajin korrik. Bajden e ka ftuar për një vizitë në Uashington presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, dhe zyrtarët evropianë dhe shumë kongresmenë presin që presidenti amerikan t’i nënshtrohet presionit mbi një angazhim më të madh në luftën e Ukrainës kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia, dhe të ndryshojë politikën e tij ndaj “Nord Stream 2”.

Disa analistë druhen se para takimin Bajden-Zelenski, Rusia mund të shtojë sërish presionin ushtarak mbi Ukrainën, duke e shtuar praninë e saj ushtarake në zonat afër Gadishullit të Krimesë, gjë që mund të sigurojë një pikë mbështetje për një inkursion më të madh ushtarak, duke u dhënë mundësi rusëve që ta përshkallëzojnë shumë shpejt situatën.

“Rusët nuk i kanë tërhequr trupat e tyre. Ato janë zhvendosur më afër kufirit ukrainas në Krime. Vetëm një pjesë e vogël është tërhequr pas. Pra ata po na mashtrojnë sërish. Në terren ndihet ende një tension i çuditshëm se diçka e rëndë mund të ndodhë”- thotë ambasadori estonez në Ukrainë, Kaimo Kusk.

Që nga muaji mars, Bajden ka firmosur lëvrimin e 275 milionë dollarëve ndihmë ushtarake për Ukrainën. Por administrata u tërhoq nga plani për të dërguar deri në 100 milionë dollarë pajisje mbrojtëse shtesë në Ukrainë, kur tensionet në kufirin Rusi-Ukrainë u dukën shumë të larta.

Bazuar në pamjet satelitore të siguruara për “Foreign Policy” nga “Maxar Technologies”, forcat ruse kanë lënë në kufirin Rusi-Ukrainë një prani të madhe automjetesh dhe pajisjesh ushtarake. Këtu përfshihen elementët kryesorë të një divizioni të motorizuar, si tanket, transportuesit e blinduar dhe artileria në një zonë stërvitjeje afër Voronezhit, dhe një grumbullim më të vogël trupash përgjatë Detit të Zi me pajisje të ngjashme dhe dhjetëra çadra për strehimin e trupave.

LEXO EDHE:  Aleanca ballkanase-amerikanolatine e krimit po kërcënon të ardhmen e rajonit

Zyrtarët e administratës Bajden thanë se grumbullimi i mëtejshëm i forcave nga ana e Rusisë në kufi me Ukrainën, mund të zbehë përparimin e ndjeshëm që arritën Bajden dhe Putin në zbutjen e tensioneve midis dy vendeve gjatë samitit të tyre në Gjenevë.

“Administrata e ka theksuar se ne dëshirojmë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme. Por që të ndodhë kjo, Rusia duhet të përmbahet nga veprimet e mëtejshme agresive. Ne e përsërisim thirrjen tonë që Rusia të zbatojë plotësisht angazhimet e saj në Minsk, dhe t’ia kthejë Krimenë Ukrainës”-tha Anton Semelrot, një zëdhënës i Pentagonit për “Foreign Policy”.

Por ndërkohë ka shenja që tensionet ushtarake në rajon po vazhdojnë të rriten. Në fillim të javës së kaluar, një destrojer britanik për të cilin zyrtarët thanë se po kryente një udhëtim rutinor nga Odesa drejt Gjeorgjisë, u kërcënua nga luftanijet ruse që kryenin stërvitje aty afër.

Zyrtarët rusë thanë se qëlluan në formë paralajmëruese ndaj anijes“HMS Defender”, një pretendim që u hodh poshtë nga zyrtarët britanikë. Diplomatët evropianë u ankuan se rusët u kanë mohuar anijeve ukrainase hyrjen në Detin Azov, në mënyrë që të krijojnë një liqen të brendshëm në kufi me gadishullin e pushtuar të Krimesë dhe Rusinë perëndimore.

Disa zyrtarë të Evropës Lindore, janë ndërkohë shumë të zemëruar me qasjen e administratës Bajden ndaj gazsjellësit “Nord Stream 2” që çon gazin rus drejt Gjermanisë. Qeveria gjermane e mbështet projektin, që ishte gati i përfunduar kur Bajden mori detyrën.

Kompania këmbëngul se projekti është një sipërmarrje thjeshtë tregtare, dhe nuk do të kërcënojë sigurinë energjetike të Evropës.

Por vendet e Evropës Lindore dhe Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë ashpër gazsjellësin,duke pretenduar se e shmang Ukrainën si një qendër tranziti për gazin që shkon në Evropë -që përbën një burim kryesor të të ardhurave për Kievin-dhe që do t’i jepte Rusisë një fuqi të tepërt mbi tregjet energjitike në Evropë.

Ndërsa administrata Bajden e kundërshton projektin, dhe ka zgjeruar sanksionet ndaj subjekteve ruse të përfshira në të, vendimi për të pezulluar sanksionimin e kompanisë gjermane që zbaton projektin i ka zemëruar ligjvënësit amerikanë në të dyja kampet.

“A beson dikush vërtet se pasi të përfundojë “Nord Stream”, Putini nuk do ta ndërpresë rrjedhën e gazit përmes Ukrainës?”- tha senatori demokrat Bob Menendez, kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit, në fillim të këtij muaji përpara takimit të Bajden me Putin.

Debati nënvizon faktin se si “Nord Stream 2”, është bërë një problemi më i madh në marrëdhëniet e SHBA-së me Evropën, pasi “dega e ullirit” e Bajdenit ndaj Gjermanisë, e ka vendosur atë në një pozitë shumë të vështirë./CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Blog

Bajden pati një samit me Xi, por nuk ka asnjë strategji përballë Kinës

Publikuar

-

Nga

Nga John Bolton “The Wall Street Journal”

Kur kanë kaluar mbi 10 muaj që nga inaugurimi i Xho Bajden në detyrën e presidentit, Amerika ende nuk ka asnjë strategji përballë Kinës. Takimi virtual i së hënës përmes platformës“Zoom” midis zotit Bajden dhe presidentit kinez Xi Jinping, vetëm sa e nxori akoma më në pah këtë problem.

Tonet e buta dhe retorika presidenciale e Bajden, nuk mund të jenë kurrsesi zëvendësuese të politikave të qarta. Pekini mund ta perceptojë theksin që po vendos Shtëpia së Bardhë tek “ulja e tensioneve”, si një dritë jeshile për të vazhduar sjelljen e tij agresive.

Po si mund të shpjegohet mungesa e kësaj strategjie nga ana e SHBA-së? Një angazhim presidencial i pamjaftueshëm? Këshilla kontradiktore? Pavendosmëri?

Cilado qoftë arsyeja, sot ekziston një nevojë emergjente për të pasur një politikë të qartë dhe konkrete përballe Kinës. Kjo jo vetëm sepse Shtëpia e Bardhë ka për detyrë të udhëheqë një burokraci amerikane të madhe, por edhe sepse vendi përballet me zgjedhje të rëndësishme, të cilat kërkojnë një debat publik të mirë-informuar.

Për një kohë të gjatë, politika e jashtme dhe ajo e mbrojtjes e SHBA-së, kanë pasur një vëmendje të pamjaftueshme. Kryesisht për shkak të Kinës, por edhe për shkak të kërcënimeve nga Rusia, shteteve më të vogla autoritare si dhe grupimeve terroriste, ne nuk kemi më luksin që t’i minimizojmë këto çështje.

Dhe Kina është arena mbi të cilën do të rikthehen në mënyrë të pashmangshme debatet mbi sigurinë kombëtare të Amerikës. Përqendrimi i zotit Bajden mbi çështjen e ndryshimit të klimës, mund të shpjegojë vetëm pjesërisht lënien pas dore të strategjive në lidhje me sigurinë kombëtare.

I dërguari për çështjen e ndryshimeve klimatike, Xhon Kerri, ka të ngjarë që të ketë kaluar më shumë kohë duke u marrë me liderët kryesorë kinezë, sesa me zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit, Pentagonit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare të marrë së bashku.

Që në fillim, administrata Bajden ka këmbëngulur që çështjet e ndryshimeve klimatike do të “ndaheshin” nga problemet e tjera. Kjo qasje nuk ka qenë në asnjë rast realiste, dhe frika e humbjes nga marrëveshjet mbi ngrohjen globale përballë Pekinit, ka lënë në hije çështjet reale të sigurisë kombëtare.

Nëse zoti Bajden priste përparime reale në samitin e klimës në Gllasgou, atëherë aspirata e tij rezultoi e gabuar. Rezultati, duke përfshirë edhe deklaratën dypalëshe Kinë-SHBA, ishte mbresëlënës, pra pak më shumë se një rikonfirmim i marrëveshjes së prillit të arritur nga zoti Kerri.

Por strategjia e SHBA-së në raport me Kinën, nuk kërkon menjëherë një dokument voluminoz prej 1000 faqesh. Ajo kërkon adresimin e çështjeve dypalëshe thelbësore.

Dhe këtu vëmendja duhet të fokusohet në 2 aspekte.

Së pari në mbrojtjen e Tajvanit, një aleat de fakto i Amerikës dhe një partner i rëndësishëm tregtar, një vend tejet i rëndësishëm për Japoninë, dhe një hallkë kyçe në linjën mbrojtëse midis pjesës kontinentale të Kinës dhe Oqeanit Paqësor.

Por sot shumë amerikanë nuk dinë të bëjnë dallimin midis Tajvanit nga Tajlandës. Për të mbrojtur Tajvanin, për të mos përmendur Azinë Lindore dhe Juglindore në përgjithësi, ne kemi nevojë për një mbështetje të qëndrueshme publike të SHBA-së. Zoti Bajden nuk e bëri këtë në samitin virtual të së hënës.



Ai thjesht ripërtypi retorikën e vjetër të mbushur me lavde të ndërsjellta personale midis 2 udhëheqësve. Dëmi i madh i shkaktuar nga tërheqja kaotike nga Afganistani do të shumëfishohet, në rast se Uashingtoni do ta linte Taipein në mëshirën e Pekinit.

LEXO EDHE:  Studimi/ Gjysma e pacientëve me Covid-19 bëjnë këtë gabim të madh

LEXO EDHE:  Presidenti Biden thotë se do të ushtrojë trysni ndaj presidentit Putin për të drejtat e njeriut

Nëse Xi do të bindet se pavendosmëria dhe dobësia e SHBA-së, tregojnë se Uashingtoni do të dorëzohej, ai do të inkurajohej që të provokonte një krizë, duke shpresuar që ta nënshtrojë Tajvanin pa luftë.

Në vend se të rrezikojë me një president më pak të pakujdesshëm pas zotit Bajden, Xi mund të gjykojë se ka vetëm 3 vjet për të vepruar. Dhe si ta pengojmë gjatë kësaj periudhe? Pyetja është e ndërlikuar dhe e rrezikshme, dhe kërkon shumë kreativitet, të cilin Bajden ka treguar se e ka në sasi të kufizuara.

Së dyti, grumbullimi i armëve strategjike të kushtueshme nga Kina, kërcënon në mënyrë ekzistenciale si Amerikën po ashtu edhe aleatët. Ai mund të përcaktojë nëse “ombrella” jonë globale bërthamore 75-vjeçare dhe stabiliteti ndërkombëtar që ofron, do të mbijetojnë apo do të shkërmoqen, pasuar nga përhapja shumë më e gjerë armëve bërthamore.

Presionet mbi Indinë për të rritur asetet e saj bërthamore, dhe Japoninë për t’u pajisur me armë bërthamore do të jenë shumë të mëdha dhe me pasoja për Azinë dhe mbarë botën. Planifikimi i sjelljeve të Pentagonit në një botë me dy kundërshtarë të mëdhenj bërthamorë, do të jetë i ngjashëm me “shahun” shumëdimensional.

Nuk dihet nëse Kina mësoi ndonjë gjë nga Lufta e Ftohtë në lidhje me menaxhimin e kujdesshëm politik të një arsenali të madh strategjik, por aktualisht shenjat janë shqetësuese. Një lëvizje domethënëse:Pekini refuzon që të angazhohet në negociata serioze mbi armët, ndërsa po grumbullon me shpejtësi asete të tilla.

Bajden nuk ka qenë deri më sot i gatshëm të këmbëngulë si me Vladimir Putin ashtu edhe me Xi, se marrëveshjet dypalëshe ruso-amerikane bërthamore janë në fakt relike të Luftës

së Ftohtë. Asnjë strateg amerikan, nuk duhet që të marrë në konsideratë kufizimin e kapaciteteve bërthamore të SHBA-së në një marrëveshje me Rusinë, duke i lejuar nga ana tjetër Kinës një shtim të pakufizuar të tyre.

Edhe marrëveshjet trepalëshe mbi armët strategjike, mund të jenë të pamjaftueshme,kjo pasi negociatat më të gjera shumëpalëshe mbi armët bërthamore, kanë një rekord dështimesh. As Tajvani dhe as armët strategjike, nuk janë një temë e nxehtë, dhe Kina nuk është ende në krye të vetëdijes publike në SHBA.

Megjithatë, çështjet që të kujtojnë sulmet e Kinës të vitit 1958 ndaj “Quemoy dhe Matsu” dhe alarmin që dha Xhon Kenedi në vitin 1960 për një “hendek raketor” të SHBA-së ndaj Bashkimit Sovjetik, mund të ri-evokohen shumë shpejt.

Që të jetë e zbatueshme një strategjie mundshme e Amerikës përballë Kinës, udhëheqësit politikë duhet të debatojnë mbi sfidat që kanë përpara në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të vlerësojnë pasojat e zgjedhjeve që do të duhet të bëjnë. Në rast se Bajden nuk e shfrytëzon pozitën e tij të lartë për ta nisur këtë debat, atëherë këtë duhet ta bëjnë kundërshtarët e tij të mundshëm

Shënim:John Bolton, ka qenë këshilltar i presidentit Trump për sigurinë kombëtare në vitet 2018-2019, dhe ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara në vitet 2005-2006.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

https://www.wsj.com/articles/biden-summit-xi-but-no-strategy-for-china-taiwan-taipei-invasion-climate-kerry-cop26-11637165706?mod=opinion_lead_pos7

LEXO TE PLOTE

Blog

Perëndimi duhet ta frenojë Rusinë në Ukrainë

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Ben Hodges “Politico.eu”

Gjatë javëve të fundit, Perëndimi ka vërejtur gjithnjë e më shumë aspekte të fuqisë së plotë

të mundshme të agresionit nga ana e Rusisë. Këtu përfshihet një grumbullim kërcënues i trupave ruse në kufirin me Ukrainën, përdorimi i tregut të energjisë si një armë kundër Moldavisë, dhe mbështetja e Moskës ndaj luftës hibride të Bjellorusisë, duke përdorur emigrantët përgjatë kufirit të saj me Bashkimin Evropian.

Mungesa e qartësisë në qëllimet e Moskës, dhe mosgatishmëria e Kremlinit për të respektuar ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare, vetëm sa po e përkeqësojnë situatën. Një zgjerim i konfliktit në Ukrainë, mund të mos jetë ende në plan, por Rusia i ka tashmë gati shumicën e  forcave të saj në rast se vendos që ta bëjë këtë.

Duke pasur parasysh kërcënimin gjithnjë e më të dukshëm, Bashkimi Evropian është nxitur më në fund të hidhet në veprim. Por deklaratat e forta të solidaritetit me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë, do të kenë pak peshë nëse ato nuk do të mbështeten nga hapa të prekshëm, që të ndihmojnë në mbrojtjen e kombeve më lindore të Evropës.

Ne kemi nevojë për një përpjekje të përbashkët evropiane, që ta pengojmë agresionin rus në të gjitha format e tij. Fushata e egër e Rusisë për ta minuar qeverinë ukrainase, ka kombinuar agresionin tradicional ushtarak me luftën hibride në formën e sulmeve kibernetike ndaj uebsajteve të qeverisë ukrainase, keq-informimin politik dhe taktikat shantazhuese në aspektet e tregtisë në përgjithësi dhe të energjisë në veçanti.

Që nga pushtimi ushtarak i Rusisë në Krime dhe Ukrainën Lindore në vitin 2014, janë vrarë më shumë se 14.000 ukrainas. Deri më sot, forcat ruse – përfshirë separatistët që ata drejtojnë dhe mbështesin – vazhdojnë që të shkelin armëpushimin, duke vrarë dhe plagosur ushtarë ukrainas, dhe duke e penguar OSBE-në të kryejë misionin e saj monitorues brenda dhe përreth rajonit ukrainas të Donbasit.

Ndërsa nuk është e qartë nëse Rusia synon që ta pushtojë apo jo të gjithë Ukrainën, është më se e qartë se Kremlini është i përgatitur të përdorë të gjitha aftësitë e tij për të mbrojtur “vijat e kuqe”, të cilat presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar deri më tani që t’i përcaktojë.

Rusia ka treguar vazhdimisht gatishmërinë e saj për të shpërfillur ligjet ndërkombëtare, dhe për të kryer sulme në territoret perëndimore. Pushtimi i vazhdueshëm i 20 për qind të territorit të Gjeorgjisë, prania e ‘paqeruajtësve’ të saj në Transnistria, dhe aktet e saj të sabotimit në Republikën Çeke, Gjermani, Malin e Zi dhe Mbretërinë e Bashkuar, tregojnë që të gjitha të njëjtën shpërfillje flagrante, e cila po vazhdon të shfaqet edhe në Ukrainë.

Paralelisht me përpjekjet e saj ushtarake, Rusia ka zhvilluar një luftë ekonomike kundër Ukrainës. Përpara pushtimit, Moska ndaloi eksportet kryesore të Kievit, dhe e përdori sigurinë energjetike si një armë kundër fqinjit të saj, duke devijuar furnizimin e saj me gaz nga linjat ukrainase të tranzitit.

Kremlini i udhëzoi bankat ruse të reduktojnë financimin e industrive të Ukrainës, në mënyrë që të shkaktojnë mbylljen e fabrikave dhe anulimin e projekteve më të rëndësishme në infrastrukturë. E gjendur nën këtë presion, Ukraina u detyrua gjithashtu të pranonte në vitin 2013 një kredi eurobond nga Rusia.

LEXO EDHE:  Harold Shipman, historia e tmerrshme e mjekut britanik që vrau për kënaqësi 250 nga pacientët e tij

LEXO EDHE:  Presidenti Biden thotë se do të ushtrojë trysni ndaj presidentit Putin për të drejtat e njeriut



Tani Rusia e ka paditur Ukrainën në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar, duke u përpjekur të marrë përfitimet nga kredia 3 miliardë dollarëshe. Agresioni ushtarak, ekonomik dhe kibernetik i Rusisë, i ka kushtuar tashmë shumë më tepër ekonomisë ukrainase.

Për më tepër marrëveshja e 8 viteve më parë u nënshkrua nga ish-presidenti Viktor Janukoviç, një aleat i Kremlinit, që u arratis në Rusi pas demonstratave të Maidanit në vitin 2014. Në rast se sistemet tona gjyqësore nuk mund ta mbrojnë dot Ukrainën dhe të tjerët kundër “ligjit” të Kremlinit, ne mund të presim një rritje të përdorimit të këtyre lloj taktikave në të ardhmen.

Kjo është një sjellje klasike ruse, duke përdorur të gjitha llojet e mjeteve, kërcënimeve, gjuhës, interpretimeve ligjore dhe keq-informimeve që ka në dispozicion, për të na mbajtur të ç’ekuilibruar, për të trazuar dhe destabilizuar kufijtë e BE-së, dhe për ta paraqitur Ukrainën në Perëndim si një “shtet të dështuar”.

Kjo ka gjasa të vazhdojë, sidomos tani që Gjermania udhëhiqet nga një qeveri e përkohshme derisa të krijohet koalicioni i ri. Udhëheqësit e BE-së, duhet të jenë shumë të njohur me këtë strategji, pasi shumë nga këto mjete po përdoren gjithashtu në marrëdhëniet e Rusisë me BE-në.

Nga fushatat e keq-informimit të kryera në Spanjë dhe Itali dhe sulmet kibernetike ndaj Polonisë dhe Gjermanisë, deri tek vala e keq-informimeve ruse, e raportuar gjerësisht, rreth fushatave të vaksinimit ndaj Covid-19. Dhe në fakt, disa nga mbështetësit e Ukrainës e njohin tashmë natyrën dhe potencialin e kërcënimit që paraqet aktualisht Rusia.

Këtë na e kujton marrëveshja e mundshme mbi blerjen e armëve Britani-Ukrainë, që synon të ndihmojë në modernizimin e forcave të armatosura të Ukrainës. Dhe kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm. Por ndërkohë që takimet e nivelit të lartë, si samiti BE-Ukrainë i muajve të fundit, mund të krijojnë një përshtypje pozitive, shumë shpesh atyre u mungon ngrinta, dhe nuk arrijnë të ofrojnë mbështetje reale për Ukrainën kundër agresionit rus.

Kjo gjë duhet të ndryshojë së shpejti, para se të jetë tepër vonë. Bashkimi Evropian ka çdo lloj arsye për ta mbështetur Kievin në këtë moment kritik të historisë. Ukraina, një komb evropian që ka treguar vazhdimisht dëshirën e tij për t’u integruar më tej me Perëndimin, po dhunohet çdo ditë në sovranitetit e saj nga Kremlini.

Nëse fuqia e kombinuar diplomatike dhe ekonomike e BE-së, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, janë të pamjaftueshme për të penguar Rusinë të sillet siç po bën tani, atëherë ne do të përballemi me një dimër të gjatë dhe të ftohtë.

Shënim:Ben Hodges, drejtues i studimeve strategjike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, ish-gjeneral i ushtrisë amerikane në Evropë në vitet 2014-2017.

Përkthyer dhe përshatur nga CNA.al

https://www.politico.eu/article/russia-ukraine-conflict-military-european-union/

LEXO TE PLOTE

Blog

Pazari vdekjeprurës i Evropës me autokratët

Publikuar

-

Nga

cna lajme blog

Nga Charlotte McDonald-Gibson “The New York Times”

Imazhet janë tronditëse. Fëmijë të grumbulluar rreth zjarreve, prindër që i shtërngojnë foshnjat në gjoks, ndërsa ushtarët pas gardhimit me tela me gjemba që vëzhgojnë gjithçka me një ndjenjë të dukshme padurimi. Por sado të tmerrshme që mund të jenë pamjet që na vijnë nga kufiri Bjellorusi-Poloni, nuk janë aspak befasuese.

Ato janë në fakt fytyra e politikës së emigracionit që ka Bashkimi Evropian. Nuk ka asnjë dyshim se pjesa më e madhe e fajit për këtë katastrofë humanitare – në të cilën mijëra emigrantë, shumica nga Iraku dhe Siria, po qëndrojnë nën acar ne mesin e një pylli prej  javësh – është e udhëheqësit të Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko.

Në një hakmarrje të hapur ndaj BE-së për sanksionet e vendosura kundër regjimit të tij, qeveria bjelloruse i çoi emigrantët në kufirin e fortifikuar polak, ku këta të fundit do të përballeshin vetëm me vështirësi dhe vuajtje. Ndonëse qeveria e shkatërroi kampin të enjten, dëmi është bërë.

Megjithatë, hakmarrja e Lukashenkos ishte e mirë-llogaritur:ai shfrytëzoi një problem që Bashkimi Evropiani ka krijuar vetes. Gjatë 6 viteve të fundit, BE është përpjekur që t’i ndalë emigrantët që vijnë nga vendet e varfra dhe që janë të përfshira në konflikte përmes mureve kufitare, një policimi të ashpër të kufijve, si dhe marrëveshjeve të dyshimta me vendet jashtë unionit, nga frika e efekteve politike të emigrimit në shkallë të gjerë.

Por ky pazar ka qenë vetë-mashtrues. Duke shfaqur panik dhe kaos të tillë përkundrejt perspektivës së emigrantëve në territorin e tij, Bashkimi Evropian u ka dhënë shteteve autoritare një manual sesi mund ta shantazhojnë unionin.

Në rast se blloku nuk gjen një përgjigje të përbashkët, të bazuar tek vlerat e tij themeltare të tolerancës dhe solidaritetit, Lukashenko nuk do të jetë autokrati i fundit, që do të shfrytëzojë ëndrrat e njerëzve për një jetë më të mirë.

Problemet nisën seriozisht që në vitin 2015, kur ardhja kaotike e më shumë se 1 milionë njerëzve, shumica për shkak të luftës dhe persekutimit në Siri, e katapultoi çështjen e emigracionit në krye të axhendës politike të kontinentit.

Mikpritja fillestare e kancelares së Gjermanisë Angela Merkel,i la shumë shpejt vendin deklaratave të ashpra dhe kufijve të sapo-fortifikuar. Mijëra emigrantë humbën jetën në përpjekje për të kaluar Detin Mesdhe, ndërsa u reduktuan në numër operacionet e kërkim-shpëtimit.

Të tjerët u grumbulluan në qendrat e zymta të paraburgimit përgjatë periferive të bllokut. Dhe vendet autoritare e vëzhguan me vëmendje atë që ndodhi. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, ndjeu shansin për ta përdorur këtë problem si një lloj mjeti për të shantazhuar fqinjët e tij, dhe ofroi ndihmë me një kosto të lartë.

Në vitin 2016, Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje:6 miliardë euro, në këmbim që Turqia të ndalonte afro 3 milionë refugjatët sirianë në tokën e saj,të cilët po tentonin të kalonin në Greqi. Edhe para krizës, Bashkimi Evropian e kishte zakon që të kapitullonte ndaj kërkesave të autokratëve, duke i ofruar kolonelit libian Muamar Gadafi 60 milionë euro në vitin 2010, pasi ai kërcënoi Evropën me një “fluks afrikanësh të uritur dhe injorantë”.

Sot, BE-ja vazhdon që të financojë Rojet Bregdetare Libiane, pavarësisht raporteve se shumica e parave përfundojnë tek milicët dhe trafikantët e qenieve njerëzore. Për emigrantët e paligjshëm, pasojat janë shpesh tragjike. Roja Bregdetare Libiane i mbyll njerëzit në qendrat e paraburgimit ku janë dokumentuar gjerësisht përdhunimet, torturat dhe vrasjet sistematike.

Sipas marrëveshjes me Turqinë, njerëzit që mbërrijnë në Greqi duhet të rikthehen në Turqi. Por në vend të kësaj, ata lëngojnë për vite në kampe të mbipopulluara në ishujt grekë.

Me një autoritet moral të dobësuar, Bashkimi Evropian është bërë më i prekshëm ndaj kërcënimeve nga qeveritë e paskrupullta.



LEXO EDHE:  Studimi/ Gjysma e pacientëve me Covid-19 bëjnë këtë gabim të madh

LEXO EDHE:  Si e ndryshoi historinë e luftërave, shpikja e mitralozit nga Hiram Maksim

Për shembull, kur blloku përpiqet që ta ndëshkojë Turqinë për shkeljen e të drejtavetë njeriut, sundimin e ligjit ose represionin politik, zyrtarët turq kërcënojnë shpesh Brukselin me anulimin e marrëveshjes. Në shenjë hakmarrje ndaj Spanjës që i ofroi trajtim mjekësor një lideri të pavarësisë së Saharasë Perëndimore, Maroku – shërbimet e sigurisë të së cilit financon edhe Bashkimi Evropian – e ndalën përkohësisht në maj policimin e kufirit me enklavën spanjolle të Ceutës.

BE varet tashmë nga vullneti i mirë i regjimeve autokratike për ruajtjen e kufijve të tij. Mjerimi njerëzor, është shndërruar në një mjet të pranueshëm për pazar: Burrat, gratë dhe fëmijët në kufirin polak, ishin vetëm të fundit në radhë që ranë pre e tyre.

Të bllokuar midis rojeve kufitare polake dhe atyre bjelloruse të armatosura rëndë, gati duke ngrirë nga i ftohti dhe me pak ushqime në dispozicion, ata u përballën me një situatë të rrezikshme. Të paktën 11 persona kanë humbur jetën deri tani.

Bashkimi Evropian u fokusua tek  Lukashenko, duke denoncuar veprimet e tij “çnjerëzore”. Por këto fjalë tingëllojnë të zbrazëta kur Polonia, një shtet anëtar i BE-së, i detyroi emigrantët të riktheheshin në kufi dhe hodhi gaz lotsjellës dhe topa uji ndaj tyre.

Po ashtu, Varshava i pengoi gazetarët, punonjësit e ndihmës humanitare dhe vëzhguesit ndërkombëtarë që të depërtonin në zonën kufitare. E megjithatë, çuditërisht Polonia nuk u vu nën presionin e unionit për të hapur kufirin e saj për emigrantët më në rrezik për jetën. Përkundrazi, ajo gëzonte mbështetjen e plotë të bllokut.

Zyrtarët evropianë përdorin gjuhën e epërsisë morale dhe humanitarizmit, pa politika për ta mbështetur atë, duke e dobësuar kësisoj autoritetin e tyre në raport me vende të tilla si Bjellorusia dhe Rusia. Ata duhet që të fillojnë menjëherë t’i korrigjojnë këto standarde të dyfishta.

Së pari, Komisioni Evropian duhet t’i bëjë presion Polonisë – duke përdorur kërcënimin apo edhe sanksionet – që të lejojë qasjen e organizatave humanitare në zonën kufitare aty ku është e nevojshme, dhe të përpunojë kërkesat për azil të njerëzve në territorin e saj.

Ky duhet të jetë hapi i parë në një qasje të re ndaj problemit të emigracionit, duke krijuar më shumë shtigje ligjore për dhënien e vizave të punës dhe zhvendosjen e refugjatëve, dhe duke zhvilluar një sistem funksional azili, në të cilin barra ndahet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut.

Asgjë nga këto nuk do të jetë e lehtë – ndjenja kundër emigrantëve e ekstremit të djathtë, është e rrënjosur gjerësisht në të gjithë kontinentin – por përfitimet do të ishin të gjera. Kjo lëvizje do të forconte pozitën morale të bllokut, dhe do t`i hapte shoqëritë ndaj përfitimeve që mund të sjellë emigrimi i mirë-kontrolluar.

Por në thelb, ky ndryshim në qasje ka një domethënie strategjike. Skenat kaotike në kufij, nuk janë një pamje e mirë. Duke i trajtuar azilkërkuesit në territorin e tij jo si skenarin më të keq të mundshëm, por si një situatë të menaxhueshme, e cila duhet përballuar me dhembshuri dhe solidaritet, Brukseli do t’i dërgonte një mesazh të fuqishëm botës.

Kundërshtarët e tij do ta mësonin se s’do të kishte kuptim që të përpiqeshin ta shantazhonin atë në të ardhmen. Por në rast se blloku lejon që vdekja dhe vuajtjet të bëhen të zakonshme për emigrantët, kufiri midis regjimeve autoritare dhe Bashkimit Evropian do të mjegullohet edhe më shumë. Kjo do të ishte panorama me e mirë për të gjithë ata që duan të minojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE