LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si po rikthehet varfëria

26 Qershor 2021, 07:14, Ekonomi CNA
Si po rikthehet varfëria

Rritja ekonomike e ka humbur produktivitetin vitet e fundit, për shkak se ajo po kontribuon më pak në uljen e varfërisë. Ekonomistja e Lartë në Bankën Botërore për çështjet e varfërisë, Ana Maria Oviedo, përllogariti se midis vitit 2002 dhe 2008, në Shqipëri, rritja ekonomike prej 1% të PBB-së e uli varfërinë me 1.2%.
Pas vitit 2014, elasticiteti i rritjes së varfërisë ra. Rritja prej 1% e PBB-së rezultoi vetëm me 0.8% në uljen e varfërisë. Varfëria monetare dhe privimi material u rrit në 7 komuna në 2019 dhe varfëria e përgjithshme iu rikthye rritjes në vitin 2020.
Ekspertët e ekonomisë mendojnë se shkak janë politikat që kanë stimuluar paga të ulëta dhe punësimin pa produktivitet. Ndërhyrjet që rekomandohen për uljen e fenomenit.

Blerina Hoxha

Rritja ekonomike në dekadën e fundit nuk po ndikon në shtimin e mirëqenies së popullatës në vend. Të ardhurat shtesë që kanë gjeneruar të gjitha burimet janë përqendruar në pak përfitues, duke e thelluar pabarazinë e duke ndikuar për më keq shtresat e varfra në vend, të cilat rrezikojnë të rriten në numër.

Midis vitit 2002 dhe 2008, në vendin tonë, një rritje ekonomike prej 1% të PBB-së u shoqërua me ulje të varfërisë me 1.2%, sipas bankës Botërore. Pas vitit 2014, elasticiteti i rritjes në efektin që sjell në tkurrjen e varfërisë ra. Një rritje prej 1% e PBB-së rezultoi vetëm në një ulje të varfërisë prej 0.8%, tha për ?Monitor?, Ana Maria Oviedo, Ekonomiste e Lartë në Bankën Botërore.

Ngurtësia e shpërndarjes së rritjes ekonomike u vu re qartë gjatë vitit pandemik ku Shqipëria kishte rënien më të ulët të ekonomisë me (-3.4%), pas Serbisë, por, nga ana tjetër, numri i personave të varfër u rrit më shumë se në çdo vend tjetër.

Sipas përllogaritjeve të skenarit konservator të Bankës Botërore, në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor pandemia gjeneroi 336 mijë të varfër, ku një e treta, rreth 112 mijë, ishin në Shqipëri. Në të kundërt, në tre vende të rajonit së bashku, Serbi, Bosnjë dhe Malin i Zi u gjeneruan 42 mijë të varfër të rinj. Edhe pse Bosnja ka një popullsi më të madhe se Shqipëria dhe kishte rënie ekonomike më të madhe se vendi ynë, gjeneroi shumë më pak të varfër të rinj se sa Shqipëria.

Ekonomistja e lartë e Bankës Botërorë, zonja Oviedo, thotë se arsyeja kryesore se pse kriza e pandemisë ka prodhuar me shumë të varfër në Shqipëri lidhet me faktin se, një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare jeton me të ardhura për frymë, afër kufirit të varfërisë prej 5.5 dollarë në ditë. Për këtë arsye, ndryshime të vogla në të ardhura mund të gjenerojnë efekte të mëdha në varfëri, tha ekspertja, se sa në vendet e tjera të rajonit.

Burimi: Banka Botërore

Të varfër të rinj nga kriza pandemike

Në përfundime të ngjashme kanë arritur edhe ekspertët vendas të ekonomisë. Selami Xhepa tha se, procesi i krijimit të pasurisë gjatë tranzicionit ka sjellë formimin e grupeve të polarizuara shoqërore për sa i përket përqendrimit të pasurisë. Indeksi i koeficientit Gini, që mat pabarazinë në të ardhura, ka një vlerë të lartë, në rreth 33%.

Xhepa thotë se, 10% e popullsisë merr rreth një të katërtën e së ardhurës kombëtare të krijuar dhe 20% e saj marrin rreth 41% të gjithë të ardhurave të ekonomisë. Ndërsa 10% e popullsisë që ndodhen në fundin e piramidës së shpërndarjes së të ardhurave marrin vetëm rreth 3% të të ardhurave, ose rreth 8 herë më pak se 10% që janë në majë të piramidës. Rreth një e pesta e popullsisë në shtresën e fundit të piramidës së shpërndarjes së të ardhurave marrin vetëm 7.5% të së ardhurës kombëtare të krijuar gjatë vitit.

Profesorët Selami Xhepa dhe Adrian Civici, në një anketë që zhvilluan me rreth 1300 qytetarë për qëllim të studimit ?Sistemi Ekonomik dhe Roli i Shtetit në Ekonomi?, i cili u publikua së fundmi, gjetën se prej 66% e të qytetarëve (2 në 3 banorë), mendojnë se shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë problem. Po ashtu, 39% e tyre mendojnë se pasuria e krijuar nga të pasurit nuk është vënë me anë të punës së ndershme. Gjithashtu, opinioni publik (43.50%) beson se, politikat e derisotme u kushtojnë më shumë vëmendje interesave të sektorit privat dhe pak vëmendje interesave të popullatës. Sistemi është i disbalancuar në favor të kapitalit.

Ekonomistja e Lartë e Bankës Botërore, zonja Oviedo, tha se fenomeni i varfërisë do të zbutet nëse aplikohen ndërhyrje në elementet që shkaktojnë këtë fenomen. Sipas saj, varfëria në Shqipëri është e lidhur ngushtë me nivelin e arsimit të kryefamiljarit, numrin e anëtarëve të familjes, punësimin midis të rriturve dhe kushtet e strehimit. Në këtë drejtim, politikat që ulin boshllëqet në këto drejtime ka të ngjarë të kenë ndikim pozitiv në uljen e varfërisë.

Ndërsa zoti Xhepa, i cili ka bërë së fundmi hulumtime mbi sjelljen e varfërisë në Shqipëri, tha se, fillimisht është e domosdoshme të përcaktohet niveli real i varfërisë dhe minimumit jetik në vend, me qëllim që të vlerësohet drejt kontributi në reduktimin e varfërisë dhe të ruhet transparenca mbi shpenzimin e fondeve publike për reduktimin e saj.

Burimi: INSTAT

 

Burimi: INSTAT

Varfëria po rritej, Covid-19 e përkeqësoi

Shifrat më të fundit zyrtare të varfërisë për Shqipërinë datojnë në 2012, kur numri i varfërisë ishte 39.1% (matur si 5.5 dollarë për person në ditë, sipas Paritetit të Fuqisë Blerëse më 2011). Matje të sakta nuk janë bërë që nga ajo kohë, por Banka Botërore ka zhvilluar disa parashikime mbi ecurinë e varfërisë, bazuar në ecurinë e PBB-së, rritjen e konsumit dhe burime të tjera të të dhënave të cilat sugjerojnë se ka pasur një rënie të ngadaltë të varfërisë, në rreth 37% në vitin 2020.

Ngjarjet e fundit, përfshirë tërmetin me shkallë 6.3 Rihter që goditi vendin në fund të vitit 2019, duke shkaktuar 51 të vdekur dhe pandemia e koronavirusit kanë ndikuar negativisht në uljen e varfërisë. Varfëria monetare dhe privimi material u rrit në 7 komunat më të prekura në 2019 dhe varfëria e përgjithshme prishi tendencën rënëse në vitin 2020.

Rritja e varfërisë do të shkaktohet nga tkurrja e sektorëve të turizmit dhe shërbimeve të lidhura me të, të cilat vitet e fundit ishin gjeneruesi kryesor i punësimit në vend. Pjesëmarrja në forcën e punës të grave nën 25 vjeç vazhdon të jetë e ulët, në 31%. Pagat reale për gratë janë rritur relativisht më shpejt sesa për burrat në transport dhe shërbime administrative, duke zvogëluar hendekun gjinor në pagë në ata sektorë, megjithëse hendeku i përgjithshëm ka mbetur konstant në rreth 11% që nga viti 2014.

Pagat, si mjeti kryesor për daljen nga varfëria

Selami Xhepa thotë se duhet hetuar më tej në shkaqet e varfërisë, pasi përveç problemeve që lidhen me rritjen përgjithësisht të dobët ekonomike dhe në rënie nga njëra dekadë në tjetrën, ajo është ngushtësisht e lidhur me nivelin e pagave.

Në një studim të FMN-së, i vitit 2016, në vendet e Ballkanit vë në dukje, se niveli i të ardhurave ka efekt domethënës si në varfëri, dhe në pabarazi. Varfëria dhe mungesa e të ardhurave nuk vijnë vetëm si pasojë e papunësisë, por dhe për arsye të cilësisë së punësimit.

Burimi më i madh i të ardhurave familjare janë pagat dhe pensionet, ndaj nëpërmjet rritjes së tyre, mundësitë për të ulur varfërinë janë më të mëdha se me mjetet e tjera. Zonja Ovideo nga Banka Botërore tha se, në periudhën para krizës, 2008 të varfrit përfituan nga rritja e fortë e pagave, veçanërisht për punë me aftësi të ulëta, por që nga viti 2014, varfëria u ul kryesisht për shkak se më shumë njerëz të varfër ishin të punësuar, por jo se të punësuarit po merrnin fitime më të larta.

Nga viti 2000 deri në vitin 2009, paga mesatare në sektorin shtetëror u rrit mesatarisht me 10% në vit. Pas krizës ekonomike të vitit 2008 rritja PBB-së u frenua, borxhi publik u rrit dhe qeveritë ulën stimulin fiskal, duke hequr dorë nga rritja e pagave. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se, rritja reale e pagës mesatare ishte vetëm 2.2% në vit. Pak a shumë të njëjtën ecuri patën edhe pagat në sektorin privat, të cilat ndoqën të njëjtën kurbë me sektorin shtetëror, por me një përqindje më të vogël. Paga mesatare në sektorin privat shënoi 48,459 lekë në vitin 2020, duke mbetur pothuajse në vendnumëro në 6 vitet e fundit. Nga viti 2014 deri më 2020, paga u rrit me 14% ose mesatarisht me 2.2%, rritje kjo që është konsumuar nga inflacioni.

Por që ekonomia të gjenerojë paga më të larta, duhet të rrisë produktivitetin dhe vlera e shtuar duhet të synojë sektorë që ofrojnë punë me paga të larta. Zhvillimet nuk po shkojnë drejt këtij ndryshimi, pasi struktura e ekonomisë dhe pesha e sektorëve mbetet gati e njëjtë, të paktën në dy dekadat e fundit. Përpjekjet për të ndryshuar modelin ekonomik nga ndërtimi dhe konsumi drejt shërbimeve me vlerë të lartë kanë dështuar. Por, gjithsesi, në dekadën e fundit, rritja ekonomike ka qenë më e fortë se sa rritja e pagave.

Gjatë periudhës 2010-2018, produktiviteti në ekonomi u rrit me 7%, ndërsa paga reale mesatare u rrit me vetëm 3%. Pothuajse të gjithë sektorët i kanë rritur fitimet, por kanë hezituar t?i ndajnë në mënyrë të drejtë me punonjësit. Shqipëria ishte ndër të paktat vende në Europë dhe në Azinë Qendrore që, në dekadën e fundit, e rriti produktivitetin më shumë se pagat, ndërsa në vende të tjera në zhvillim, ndodhi e kundërta.
Ekspertja e çështjeve të varfërisë në Bankën Botërore, zonja Oviedo, tha se ulja e qëndrueshme e varfërisë arrihet duke investuar në aftësitë e të rinjve (nëpërmjet arsimit) dhe të rriturve (nëpërmjet programeve të tregut të punës).

Të tjera mjete janë rritja e ndihmës sociale për fëmijët dhe të rriturit e moshuar në varfëri, lehtësimi i gjenerimit të punësimit, sidomos në qytetet e vogla dhe zonat rurale dhe përmirësimi i strehimit dhe shërbimeve sociale, që do të krijonin përmirësime të drejtpërdrejta në cilësinë e jetës për të varfrit dhe do të siguronin ulje të qëndrueshme të varfërisë me kalimin e kohës, duke rritur të ardhurat nga puna të njerëzve.

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT

38% e punonjësve paga në kufirin e varfërisë

Në fund të vitit 2020, gati 38% e punonjësve ishin paguar me pagë minimale, poshtë kufirit të varfërisë relative me 5.5 USD në ditë. Sipas të dhënave të INSTAT, që u referohen listë-pagesave në tatime, në tremujorin e fundit të vitit 2020, nga totali i të punësuarve që paguanin sigurime, 25.6% e tyre kishin paga mujore deri në pagën minimale, 26 mijë lekë, ndërsa 12% e totalit të të punësuarve merrnin pagë minimale në nivelin 30 mijë lekë. Pjesa tjetër e të punësuarve, rreth 52% e totalit, paguhen me paga mbi 30 mijë lekë në muaj.

Të dhënat mbi pagat tregojnë modelin në të cilin po zhvillohet ekonomia shqiptare, ku gati 38% e të punësuarve marrin nivelin më të ulët të pagës, më pak se 30 mijë lekë në muaj. Përqendrimi i punonjësve në pagat afër kufirit të varfërisë relative i ekspozon ata ndaj varfërisë. Ndërsa një anketë e Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare të familjeve në rreth 1200 familje ka gjetur se në gjysmën e parë të vitit 2020, rreth 22% e familjeve të anketuara kishin shpenzuar deri në 20 mijë lekë në muaj, për shkak se, edhe të ardhurat i kishin në këto nivele.

Familjet e anketuara përfshijnë edhe pensionistë dhe të punësuar. Në disa njësi të shërbimeve dhe të tregtisë, paga mujore është poshtë nivelit 30 mijë lekë. Fenomeni është më i përhapur në rrethe. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, Shqipëria ka nivelin më të ulët në rajon, si në sektorin shtetëror dhe në atë privat.

Paga mesatare në Shqipëri, në vitin 2019, ishte 420 euro, që është të paktën 30% më e ulët se gjithë vendet e tjera të rajonit. Pas Shqipërisë, renditet Kosova (602 euro), Maqedonia (617 euro), Serbia dhe Bosnja e kanë pagën mesatare rreth 700 euro.

Ndërsa më shumë paguhen punonjësit në Mal të Zi, mesatarisht me 770 euro. Ky nivel pagash është në linjë dhe me të dhënat e Eurostat për të ardhurat për frymë, ku Shqipëria i ka ndër më të ulëtat në Europë, me 31% të mesatares europiane. Ndonëse ndikim në këtë nivel të ulët mund të ketë dhe informaliteti i lartë në tregun e punës në vend, pagat janë më të ulëta dhe në shtet, përfshirë arsimin dhe mjekësinë, apo dhe në aktivitete ku nuk ka informalitet, si në sektorin financiar apo telekomunikacionet.

Tranzicioni demografik nxit varfërinë në moshën e tretë

Mosha e tretë, që shumë shpejt do të përbëjë 30% të popullsisë, jeton në varfëri dhe me mungesë perspektive për përmirësimin e kushteve financiare në të ardhmen. Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Paga mesatare në vitin 2020 ishte 54,951 lekë, ndërsa pensioni mesatar në qytet ishte 15,732 lekë. Pensioni mesatar është aktualisht 57% e gjysmës së pagës mesatare, duke e klasifikuar pjesën dërrmuese të pensionistëve në normën e varfërisë.

E ardhmja nuk është optimiste, për shkak se numri i të moshuarve do të rritet me shpejtësi, kurse të ardhurat do të jenë në presion dhe me gjasë, në rënie. Në janar të vitit 2021, INSTAT raportoi se numri i personave mbi 60 vjeç arriti në 619 mijë. Brenda një viti, numri i tyre u rrit me 14,600 persona. Në krahasim me vitin 2016, numri i tyre është rritur me 95 mijë, ose 18%.

Deri më 2051, grupmosha mbi 60 vjeç do të përbëjë rreth 35% të popullsisë. Nga ana tjetër, pensioni mesatar urban shënoi rënie në vitin 2020, duke regjistruar uljen e parë që nga viti 2000, duke arritur vlerën e 15,732 lekë vitin e kaluar, nga 16,2543 lekë në vitin 2019, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore./Monitor

Lajmet e fundit nga