Connect with Us

REPORTAZH- Kalaja e Rozafës/ Atraksioni i turistëve në legjendën e përjetshme të Shkodrës

Në QYTETIN tim

REPORTAZH- Kalaja e Rozafës/ Atraksioni i turistëve në legjendën e përjetshme të Shkodrës

Publikuar

-

Shkodra këtë sezon turistik është gati për të pritur turistët e shumtë për të shijuar këtë qytet. Krahas detit apo malit, vizitorët kanë një sërë atraksionesh edhe në qytet.

Për të gjithë të apasionuarit pas historisë dhe legjendave, në hyrje të kryeqendrës së veriut, qëndron hijerëndë kalaja “Rozafa”.

Falë legjendës së saj të paharrueshme, e cila në mënyrë alegorike tregon historinë e Shqipërisë e popullit shqiptar sipas sakrificës së një nëne për fëmijën e saj, kalaja e Rozafës mbetet një monumentet-simbol tepër i rëndësishëm i vendit.

Që prej mureve të lashta Ilire e deri tek rrënojat mesjetare të Balshajve apo kullave të Bushatllinjve, ky vend dëshmon bukurinë e pamposhtur të një kalaje e cila është ndërtuar gjatë antikitetit dhe ka mbijetuar gjatë perandorive romake e osmane deri në ditët e sotme.

                                                                                                            Kalaja Rozafa

Brenda mureve të kalasë gjenden tre oborre kryesore, të cilat e bëjnë më të thjeshtë orientimin e turistëve.  Pasi të hyni në barbakan, hyrja kryesore e fortifikuar e shekullit të XV-të, do të gjendeni në oborrin e parë, ku ndodhet trakti i murit ilir të shek. të IV-ërt para Krishtit, dëshmia më e vjetër e kalasë.

                                                                                                    Kalaja Rozafa

Kalaja përfundon në oborrin e tretë, ku spikat një godinë trekatëshe e kohës veneciane, e njohur si “Kapitaneria”, e cila shërbente si rezidencë e sundimtarit venedikas.

Në këtë godinë gjendet sot Muzeu i Kalasë së Shkodrës, ku flitet për të shkuarën 4000 vjeçare të kalasë si edhe etapat dhe familjet më të rëndësishme mesjetare të qytetit. Aty shfaqen disa objekte të zbuluara përreth dhe objekte të tjera të kulturës së Komanit dhe Drishtit.

Informacionet jepen në gjuhën shqipe, anglisht si edhe në alfabetin Braj, për ata që kanë probleme me shikimin.

                                                                                   Muzeu në Kalanë Rozafa

Por çfarë ofron për vizitorët muzeu në kalanë “Rozafa”?

Përgjegjësi Shkëlqim Mlika thotë për CNA.al se ky muze vitet e fundit është kthyer në një atraksion pasi aty gjenden elemente të së shkuarës.

“Pjesa e brendshme është restauruar në fund të viteve ’80 dhe me objektet e gjetura u kthye në muze. Objektet e gjetura i përkasin kalasë së Shkodrës dhe territorit rreth saj që ishte qyteti antik.

Ka objekte që nisin nga epoka e bronzit dhe vazhdojnë në mënyrë kronologjike deri në vitin 1914 ku është vendosur edhe objekti më i vonshëm i këtij muzeu”, shprehet përgjegjësi Mlika.

                                         Ndriçim Mlika, Përgjegjës i Kalasë “Rozafa”

Përgjatë gjithë kalasë, do të mund të shijoni pamje panoramike të liqenit të Shkodrës, të lumenjve të qytetit si dhe të maleve të shumta që lartohen ngado. Në jugperëndim të kalasë, në oborrin e tretë, shikohet lehtësisht pika e takimit të lumenjve Drin, Kir dhe Buna, që teksa gërshetohen së bashku, dhurojnë pamje mahnitëse.

                                                                                               Kalaja Rozafa

Turistët duken të shumtë në këtë fillim sezoni në mjediset e kalasë “Rozafa”. Në oborret e kalasë grupet e para turistike janë nga Ballkani por edhe Rusia, Ukraina, Italia e të tjerë shtete të cilët kanë mbërritur në Shkodër.

LEXO EDHE:  Armatosja e shqiptarëve/ Arqipeshkvi Massafra zbulon të vërtetën në sy të Tahirit
                                                                                              Turistët në Kalanë “Rozafa”

Dy prej tyre zgjodhen që të japin përshtypjet që u ka lënë vizita në kalanë “Rozafa” dhe muzeun historik të saj.

Nuk është hera e parë që vij në Shkodër, por është hera e parë që vizitoj kalanë. Është një ndërthurje fantastike mes perandorisë romake, perandorisë bizantine dhe periudhën ilirike, është impresionuese. Është një nga kështjellat më të mira në Ballkan. Unë vij nga Rumania dhe kam shoqëruar disa grupe turistësh dhe shpresoj që të sjellë edhe më shumë në të ardhmen”, tha një turist i huaj.

                                                            Pamje e Liqenit nga Kalaja “Rozafa”, në foto turist i huaj  

Quhem Francesca dhe jam nga Italia, zona e Toskanës. Është hera e parë që unë vij në Shqipëri, në Shkodër. Vajza ime ka punuar këtu. Më duket bukur, shumë bukur. Magjepsëse do të thoja. Nga do që kthen kokën, gjen të shkuarën dhe imagjinoj periudha të historisë së kaluar. Është shumë bukur”, u shpreh një tjetër turiste e huaj.

                                                                                            Turistja Franceska, në Kalanë Rozafa 

Deri më tani më shumë se 15 mijë  turistë kanë vizituar kalanë “Rozafa”, një shifër tejet pozitive krahasuar me periudhën e pandemisë.

Kalaja e Shkodrës që mban emrin Rozafa është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në jug-lindje të tij. Qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh. Kalaja përbën një simbol të qytetit, e pranishme ndër piktura, gdhendje e të tjera vepra arti.

                                                                       Kalaja Rozafa në pikturë

Gruaja që ishte murosur e kishe emrin Fati pastaj emri ndeshet Rozafa në biografinë e Nemanjit nga Stefani i Parëkurorëzuar, më 1215. Te Marin Barleti haset në trajtën Rozapha, rreth viti 1480. Emri mendohet se vjen prej qytetit Rusafa në Sirinë e sotme, jo larg Palmirës, që është qyteti i përmendur në legjendën e shenjtorëve Sergius dhe Bacchus.

Kjo ndërlidhet me kuvendin e famshëm të këtyre shenjtorëve në rrjedhën e lumit Buna, dhe populli e kaloi vendlindjen e këtyre martirëve sirianë te rrethinat më të afërta. Hahn quan “kodrat e Rozafës” krejt kodrat që ndajnë ultësirën e liqenit me atë të lumit Drin.

Populli i Shkodrës nuk e njihte me këtë emër, shkruan Hamdi Bushati. Barleti te Rrethimi i Shkodrës kumton se ka një rrëfenjë vernakulare mbi ndërtimin, sipas të cilit i kishin rënë në dorë disa shkrime ku flitej për njëfarë Roze dhe të motrën, quajtur Fa, që ishin themelueset e para të Shkodrës dhe prandaj fortesa u quajt Rozafa.

Shekuj më vonë konsujt francez Hecquard dhe Degrand dhanë variante tjera të kësaj balade, në të cilën gjendet edhe motivi i murosjes. Kanga e kalasë së Shkodrës siç e këndonte populli, u mblodh gjithashtu nga Kasem Taipi.

                                                                                                   Kalaja Rozafa nga Jashtë

Prej pozicionit të vet, kodra ka qenë e banuar që nga antikiteti. Ka qenë qendër e fortifikuar ilire dhe u pushtua nga romakët më 168 para Krishtit. Historiani Tit Livi e quante “vendi më i fortë i labeatëve”. Në veprën De Aedificis të Prokopit të  Çezaresë përmendet Skydreonopolis në grupin e fortesave të rindërtuara në kohën e Justinianit.

Sipas kronikave, kalaja iu pushtua njëherë Balshajve nga osmanllinjtë më 1392. Osmanët ia dhanë dhuratë Balshës, i falënderuar nga Sulltan Murati II sepse i kishte dërguar për harem një vajzë shumë të bukur.

Balsha hoqi dorë nga qyteti dhe ia kaloi Republikës së Venedikut, kohë në të cilën zhvillohen punime fortifikuese dhe ndërtohet Barbakania në vitet 1407-1414. I gjithë kompleksi i hyrjes përfundoi së ndërtuari më 1468. Hyrjen kryesore kalaja e ka nga veri-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre.

                                                                                                    Hyrja e Kalasë Rozafa

Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dalura drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura. Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria.

Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty është depoja, burgu si dhe Xhamia e Fatihut që më përpara ka shërbyer edhe si kishë, e njohur si kisha e Shën Stefanit.

                                                                                         Kish-Xhamia në kalanë Rozafa

Oborri komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë. Oborri përbëhet nga një kullë katërkëndëshe me gjerësi 10 metra dhe gjatësi 20 metra, kati i poshtëm i së cilës është i mbuluar me një qemer cilindrik përshkues që nga hyrja.

Në dy anët e kësaj galerie ndodhen nga katër nike të mbuluara me qemer cilindrik. Barleti përmend edhe territorin rreth kështjellës se Rozafatit: Kazenë (kodra matanë Bunës ku ndodhet kisha e Sh. Mari Magdalenës), Maldunus ose Valdunus (kodra mbi të cilën ngrihet kalaja) dhe Zarufe (kodra e Pashës). Për të shkuar në kala duhet ndjekur Rruga e Pazarit të vjetër, e cila çonte për te mullri i Danes ku në një pikë bashkohet me mbetjet e asaj që qe rruga e asqerëve.

Më 1936 Bashkia e Shkodrës e shtroi me zall, më vonë u rregullua me parmakë dhe bazament të mirë. Fortesa në faqen e saj nga jugu ka një rrugë të vjetër, e cila tani është jashtë përdorimi, në periudhën osmane quhej Rruga e varrit – Mezar Jolli, sepse nga ajo rrugë ulnin poshtë të vdekurit. Duke u ngjitur për në kala ka patur një varr të rrethuar me hekura kafazli, me një gur mermeri me shkrim osmanisht të gdhendur. Ky ka qenë Varri i Kaja Hanmit, i cili sipas një dokumenti vakëfnor të Mustafa Pashës, pandehet se ka qenë varri i të ëmës.

Pa mbërritur te porta e madhe e kalasë, në kthesën e rrugës bërryl në të djathtë, janë ende rrënojat e Tyrbes së Mujo Babës – sipas gojëdhënës, me origjinë turke. Tyrbe e cila e përmendur prej Çelebiut, ekzistonte deri më 1914, kur e prishën disa ushtarë italianë të nxitur./CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Shkodër/ Xhamia e Plumbit ndër 50 më të bukurat në botë

Publikuar

-

Nga

cna news, cna lajme, lajme cna, lajme flash cna, cna.al, cna lajme politike, cna kronike, cna lajme bote, cna show

Xhamia e Plumbit në Shkodër është e vetmja xhami shqiptare, e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë.

Ajo renditet në vendin e 37 para xhamisë Vahsiz Khan në Lahore të Pakistanit dhe pas xhamisë Jami Ul Alfar në Sri Lanka. Në vendin e 31 renditet Xhamia Blu në Stamboll të Turqisë, ndërsa dhjetë vende pas xhamisë shqiptare është Xhamia e Madhe në Paris.

Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot.

Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të ish pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafat, në një livadh në rrafshinën e lumenjve Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamitë e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjëra, para se të hysh në sallën e faljes. Ndërtimi i kësaj xhamie, në këtë formë, ka të bëjë me atë që pashallëku i Shkodrës është në gjendje që edhe në ndërtimin e objekteve të kultit të thyejë të drejtën perandorake për të pasur një element të tillë, vetëm ata.

Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur oktogonal shumë i lartë, në majë të të cilit qëndron kubeja, gjysmë rrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht kjo dhomë është zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në majë të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, që janë shumë rezistent ndaj veprimeve erozive.



Nga dëmtimet e ndryshme që pati kjo xhami, qoftë nga mbulesa, ashtu edhe përbrenda, si dhe nga vërshimet e herëpashershme të lumit Kir, për disa kohë mbeti e papërdorshme, ndërsa në vitin 1978, periudhë që në Shqipëri ishin shkatërruar ndërtesat e bukura dhe të vjetra që tregonin kulturën e shqiptarit, shërbimet e monumenteve të kulturës, u kujtuan t’i vinin një mbulesë me çimento për ta shpëtuar këtë thesar jo si objekt kulti, por si objekt ndërtimor. Me ndërtimin e kësaj xhamie të madhe të Shkodrës, shohim se në Shqipëri po shfaqej një arkitekturë me stil të zhdërvjellët e me shije, që nuk munguan në shekullin XVIII. Ky stil haset edhe në ndërtimin e xhamive të tjera në Bullgari, Anatolinë qendrore, etj.

Në këtë xhami gjendet një shkrim që na jep një informacion historik, ku shkruhet: Madhëria i veprave bamirëse dhe bujare, Mehmet Pasha e ndërtoi këtë xhami madhështore në vitin 1773 Administratori i kësaj xhamie, Haxhi Mahmut Berberi, data e rinovimit 1863. Riparimi i saj është bërë para vitit 1865, periudhë kur në Shkodër ndodhi përmbytja e madhe që shkatërroi një pjesë të mirë të Shkodrës së vjetër. Mbas këtij, kujdestarinë e kësaj xhamie e mori familja e njohur shkodrane e Myftijve të Tabakëve, në fillim nga Hafiz Isuf Tabaku dhe vazhdoi brez pas brezi deri në ditët e sotme. Brezi i ri i këtij trungu amanetin e të parëve e ka mbajtur edhe kur xhamia është lënë pas dore nga pushteti i kuq. Ndërsa po ndërtohej xhamia, vetë Mehmet Pasha mori pjesë në punimet; ky gjest shpjegohet me përkushtimin e tij fetar dhe me qëllimin për ti treguar popullit se puna është e madhërishme, aq më tepër në vepra publike. Në lidhje me pjesëmarrjen e Mehmet Pashës në këto punime ka një anekdotë: Një fshatar donte t’i paraqiste një ankesë personale Pashës; mori vesh se ndodhej mes punëtorëve, mpor nuk e dallonte, sepse ai ishte i veshur thjeshtë. Rastisi që vetë personi ta pyeste vetë (vetë Pashën) se ku gjendej Pasha dhe mori përgjigje që të priste pak. Pas përfundimit të punës, Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli para hallexhiut që mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij.

LEXO EDHE:  Kriza politike/ Apeli i fortë i Kishës Orthodhokse Autoqefale

LEXO EDHE:  24 ore pa uje e temperatura te larta, veshtiresi per turistet ne Ulqin

Xhamia e Plumbit është bërë e njohur edhe për faktin se më 16 nëntor të vitit 1990 mbi 50 mijë besimtarë të të gjitha besimeve morën pjesë në rikthimin e fesë islame atë ditë të premte të 31 viteve më parë në faljen e kremtuar nga i ndjeri Hafiz Sabri Koçi duke mposhtur frikën dhe duke thyer kështu regjimin e egër monist që ndaloi besimin tek qytetarët e tij. Shumë familje me traditë shkodrane por edhe individë të ndryshëm i bënë ballë të gjitha presioneve të regjimit monist dhe arritën që të mbajnë të fshehtë hoxhën e nderuar Hafiz Sabri Koçi si dhe të organizojnë ceremoninë e faljes të premten e 16 nëntorit 1990 me pjesëmarrjen e mbi 50 mijë besimtarëve. Pa dallim feje, edhe shumë të krishterë dhanë ndihmesën e tyre për vëllezërit myslimanë duke kontribuar në rihapjen e xhamisë së plumbit dhe rikthimin të lirisë së besimit që i dha udhë më pas edhe lirisë dhe demokracisë për të gjithë popullin shqiptar.

Kështu 16  nëntori në xhaminë e Plumbi është një ditë e shënuar për të gjithë besimtarët myslimanë në Shqipëri por në veçanti për familjen Myftia e cila banon në një kodër përballë xhamisë, rrëzë kalasë Rozafa. Komuniteti Mysliman dhe Myftinia Shkodër e kanë  nderuar  këtë shtëpi e  cila cilësohet si monument kulture me pllakatën e mirënjohjes si vendi kyç  për rihapjen e xhamisë së Plumbit. Familja Myftia, pesë djemtë dhe babai i tyre, 31 vite më parë mbajtën në shtëpinë e tyre të fshehur hoxhën Hafiz Sabri Koçi po ashtu aty u bë organizimi kryesor për rihapjen e xhamisë së Plumbit ndërsa në atë familje qëndruan edhe organizatorë të tjerë deri në mëngjesin e 16 nëntorit 1990 kur në publik i shoqëruar nga djem të rinj doli hoxha Hafiz Sabri Koçi duke kremtuar faljen e asaj dite.

Kishte ardhur koha për të kapërcyer ateizmin e gjatë në kohën e komunizmit dhe xhamia e Plumbit mikëpriti 50 mijë besimtarë, ngjarje e cila mori jehonë edhe në mediat ndërkombëtare ndërsa ka shënjuar edhe një pjesë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Në këtë mënyrë xhamia e Plumbit përveç vlerave si monument kulture ka edhe një vlerë teje të rëndësishme të shtuar për historinë e vendit, si pikënisja e rikthimit të besim islam në Shqipëri duke i dhënë udhë pastaj të gjitha zhvillimeve të mëvonshme politike që sollën pluralizmin në Shqipëri dhe rënien e regjimit të diktatorit Enver Hoxha. /CNA.al

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Magjia e Alpeve Shqiptare/ Thethi, dashuria e përjetshme e turistëve

Publikuar

-

Nga

cna lajme sociale

Thethi padyshim ka qenë kryefjalë e turizmit gjatë viteve të fundit, e veçanërisht në këtë sezon.

Rreth 70 km larg Shkodrës, i cilësuar si një magji turistike dhe një fshat që duket sikur ka dalë nga përrallat po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

Magjia nis që me rrugën e cila ka mbetur vetëm pak kilometër pa përfunduar. Ballkoni i Qafë Thorës është ndalesa e parë e turistëve për t’u fotografuar

Ndër turistët e huaj që kanë ardhur këtë periudhë në Theth janë francezë, çekë, polakë, ndërsa të shumtë janë edhe qytetarët nga Kosova, të cilët gjithnjë e më shumë përveç detit preferojnë edhe Alpet.

Ndër pikat më të vizituara nga turistët janë Shtegu Theth- Valbonë, Theth –Pejë, Ujëvara,  Kanioni, Syri i Kaltër, Shpella e Arapit, Shtegu i Bjeshkëve të Namuna Specialistët e administratës së zonave të mbrojtura kanë vetëm një merak,mbipopullimin dhe keq shfrytëzimin e pronarëve të bujtinave, ku në jo pak rastë ka patur edhe abuzime me çmimet.

Thethi vijon të jetë në top listën e preferuar. Rruga është një faktor pozitiv, por shpresojmë shumë që të mos kthehet në precedent për të ndërtuar pa leje, apo për të abuzuar me cmimet nga ana e pronarëve të bujtinave. Kemi patur disa ankesa, ndaj apelojme drejt bizneseve atje që të jenë në vijë te drejtë cmimi me atë çfarë ofrohet si shërbime”, thotë Age Martini, specialist e ADZM-së.

Thethi gjendet në mes të Alpeve në veri të Shqipërisë, i mbrojtur nga tre malet, Radohima, Sheniku, Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit.

Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Thethi është i vizitueshëm në katër stinët, ku në pranverë dhe verë për gjelbërimin e rrallë, në dimër për bardhësinë e dëborës dhe për lojërat aventureske me të, ndërsa vjeshta për ngjyrat mahnitëse dhe begatinë në frutikulturë.

Bukuritë e papërsëritshme të Thethit malor, në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Ai rrethohet nga male të larta dhe qafa mahnitëse, ku aplikohen sportet malore dhe shëtitjet në natyrë.



Pylli është mjaft i pasur edhe me shpendë e kafshë të ndryshme. Resurset natyrore i dallon çdo vizitor, sa lë grykën e Ndërlysës dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit.Ujvara e Grunasit është një tjetër destinacion i preferuar.

Rruga drejt Ujvarës së Grunasit mban një orë më këmbë nga qendra e Thethit. Veshja e malit është e domosdoshme. Pavarësisht se ky që po bëjmë ne është një hiking i nivelit fillestar, shtigjet mes maleve nuk përshkohen me çdo lloj atletesh a këpucësh.

LEXO EDHE:  Zjarri në Shkodër/ Përfshihen nga flakët 3 banesa

LEXO EDHE:  24 ore pa uje e temperatura te larta, veshtiresi per turistet ne Ulqin

I gjithë udhëtimi shoqërohet nga gurgullima e ujit, fëshfërima e gjetheve dhe aroma e freskët e gjithçkaje që të rrethon. Befas të shfaqet madhështore ujëvara e Grunasit në lartësinë 900 metra mbi nivelin e detit, e lartë rreth 30 metra. Pamja është mahnitëse.

Në vitin 2002, Ujëvara e Grunasit është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. Së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më tërheqëse për turistët e huaj dhe vendës. Karakteristikë e ujëvarës është se uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore.

Shtegu për tek syri i kaltër ka patur numrin më të lartë të vizitorëve. Vendndodhja e kësaj bukurie është në Kaprre të poshtme, afersisht 7 km larg nga qendra e luginës së Thethit.

Për të arritur në këtë destinacion mund ta llogarisesh krejtësisht me ecje në këmbë (3.5 ore vajtje) ose të kombinuar me një transfertë dhe ecje në këmb, 20 min transferte dhe 40 min ecje e moderuar. 5 km e para nga Thethi në Nderlysa janë rrugë makine rurale që gjarpëron bri lumit të Shalës.

Nga Nderlysa tek Syri i Kaltër në Kaprren e poshtme jane 40 min ecje ndër të cilat vetem gjysma e pare është më e veshtire në ngjitje nderkohë që pjesë e dyte është mes pyllit të ahut për të t’u shfaqur surprizues syri i kaltër.

Shtegu është i shënuar me shenja edhe pse ato janë amortizuar por shtegu i ecjes nga Nderlysa është aq i shkelur e i qartë sa nuk ke mundësi të humbesh. Syri i kaltër është një nga bukuritë më të rralla në të gjithë Shqipërinë. Ai formohet nga Lumi i Zi, i cili buron në Majen e zezë.

Aty ndeshesh me dhjetra turistë rë cilët te gjithë këtë rrugë e bëjnë për të shijuar pamjën magjepsëse që ofron syri.Uji është i ftohtë, por sërish disa prej tyre e sfidojnë atë duke u larë, apo hedhur nga lartësitë.

Në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj, janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës.

Këto janë disa prej arsyeve që shumë vizitorë të huaj dhe vendas vijnë në Theth në çdo stinë. Në vitet që lamë pas në Thethi është vizituar nga të paktën 500 mijë turistë në vit. Thethi është aty për të pritur turistë në të 4 stinët e vitit./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Festivali i Komedisë në Korçë/ Koko-Fest evenimenti, që dhuron të qeshura

Publikuar

-

Nga

KOKO Fest po organizohet për herë të 8 në qytetin juglindor.

Një eveniment mjaft i rëndësishëm, që bën bashkë një sërë aktorësh e personazhesh të artit që do të performojnë për publikun në disa shfaqje radhazi për disa ditë.

Shfaqja “Vdis duke qeshur” nga autori Paul Eliot dhe me rregji të Ilir Bokshit ka startuar edicionin e radhës në Korçë.
Një komendi mjaft interesante që ka bërë bashkë aktorët e njohur shqiptarë si Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, si edhe dy aktorë të rinj Paola Kodra dhe Silvio Goskova.

Me një interpretim mbresëlënës, kjo komedi shkaktoi të qeshura pa fund për publikun në sallën e teatrit Andon Zako Çajupi.
Mesazhe jete, në një situatë të vështirë pandemie, duke u dhënë shpresë njerëzve për të ecur para e për të realizuar të gjitha dëshirat dhe ëndrrat.
Në fjalën e tij, regjisori Ilir Bokshi shprehet mjaft i kënaqur nga reagimi i publikut, duke thënë se kjo komedi lidhet me situatën aktuale në të cilën pandemia ka ndikuar ndjeshëm tek të gjithë.

“Nuk është hera e parë që jam pjesë e Koko Fest, po ashtu edhe në qytetin e Korçës. Ndjehem shumë mirë kur rikthehem këtu. Kemi ardhur me shumë shfaqje edhe në qytete të tjera dhe jam shumë i nderuar që jam pjesë e këtij festivali.
Duhet vetëm të qeshim dhe të vazhdojmë jetën të lumtur, sepse është një kohë që për shkak të pandemisë po na ikin njerëz”, – shprehet Bokshi.

Drejtoresha e teatrit Andon Zako Çajupi, aktorja Zamira Kita, ka treguar se ky edicion i Koko fest do të jetë ndër edicionet më të veçantë që janë organizuar gjatë këtyre viteve.

Sipas saj, Koko Fest i ka munguar publikut korçar, ndërsa ka theksuar mesazhin e të qëndruarit afër njerëzve në një situatë pandemie.

“Koko Fest është një eveniment teatror, për publikun e Korçës dhe për shumë të tjerë që do të marrin pjesë në të shtata shfaqjet që do vihen në skenë.

Besoj që e kemi filluar këtë edicion me sukses, dhe emocioni ishte shumë i madh nga duartrokitjet e publikut.
Nesër do të kemi teatrin e Ferizajt, më pas Teatri i Vlorës, ai i Tiranës, Durrësit dhe mbyllja do të jetë nga ai i Metropolit që ka qenë fitues i disa çmimeve vitin e shkuar.



LEXO EDHE:  Kriza politike/ Apeli i fortë i Kishës Orthodhokse Autoqefale

LEXO EDHE:  Komunitetet fetare në Shqipëri kundër ISIS: Të ndalet dhuna ndaj të krishterëve e myslimanëve

Jemi munduar të marrim masa distancimi për të parandaluar përhapjen e Covid, duke lënë vende bosh në sallë, si edhe me publikun që u kemi kërkuar të mbajnë maska.
Aktorët janë ndjerë të emocionuar, aq më tepër nga publiku që ka treguar interes të madh për të ndjekur shfaqjet.
Nuk ka shfaqje që trajtojnë problemin e pandemisë por sekuenca të saj dhe përmendja e Covid është tek të gjitha shfaqjet”, tregon Kita.

Aktorja Paola Kodra, në rolin e Rachel në këtë komedi, ndonëse nuk ka qenë për herë të parë në role, ka fituar zemrat e publikut.

Ajo ka dhënë një mesazh të fortë për jetën duke thënë se duhet jetuar në maksimum, pa menduar të shkuarën por vetëm të tashmen dhe me sytë nga e ardhmja.

Ishte një mbrëmje shumë e veçantë dhe na kishte munguar publiku brenda në një sallë të mbyllur, por duke respektuar rregullat u munduam që ta realizojmë edhe këtë vit këtë festival.
Për ne ishte një natë speciale dhe uroj që ta ketë pëlqyer publiku shfaqjen. Mesazhi është që duhet ta jetojmë jetën në maksimumin e saj, të mos humbim asnjë sekondë dhe minutë sepse jeta është shumë e shtrenjtë.

Duhet të vlerësojmë momentet e vogla dhe miqësitë. Në kohë pandemie të gjitha temat përshtaten pasi njerëzit janë bërë shumë herë më të ndjeshëm se çkanë qënë dhe besoj se i vlerësojnë ato gjërat e vogla që përmenda më parë”, – shprehet Paola.

Dashuria për jetën, realizimet e dëshirave dhe dalja nga guacka e ndrydhjes për të shijuar realitetin ishin mesazhet e kësaj komedie e cila shkaktoi të qeshura pa fund në publik.

Nata e parë ka mbushur plot sallën e teatrit, ndërsa shumë shfaqje të tjera do të vihen në dispozicion të qytetarëve edhe për disa ditë të tjera./CNA.al

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: