Connect with Us

Tendencat e konsumit pas izolimit/ Shqiptarët i “rikthehen” alkoolit

Ekonomi

Tendencat e konsumit pas izolimit/ Shqiptarët i “rikthehen” alkoolit

Publikuar

-

Pas karantinës së vitit të kaluar dhe pasojave që solli pandemia në konsum dhe investime, ekonomia vendase po i rikthehet gradualisht normalitetit.

Konsumi i vajit dhe miellit në periudhën janar-prill të këtij viti është me rënie, pas rritjes së lartë në periudhën e karantinës. Për produktet e tjera, u prekën më shumë nga ndryshimi i sjelljes konsumatorë, tendenca është në rritje. Distributorët kryesorë të shitjeve me shumicë të mallrave të konsumit pohojnë rritjen më të lartë të shitjeve për pijet alkoolike dhe drithërave të shëndetshme, ndërsa shitja e detergjenteve është në të njëjtin nivel, si në karantinë. Parashikimet janë optimiste nëse me nisjen e sezonit do të ketë turistë të huaj dhe emigrantë.

Në bare dhe restorante, frekuentimi vazhdon të jetë me rënie. Drejtues të Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve pohojnë se orari i kufizimit të lëvizjeve, është faktori kryesor i rënies së xhiros. Sektori i transportit nuk po rikuperon ende numrin e frekuentimit të pasagjerëve që pas rinisjes nga puna më 6 korrik 2020.

Operatorët thonë se faktorët kryesorë të rënies janë emigracioni dhe përdorimi i lartë i mjeteve praktike të lëvizjes, siç janë skuterët elektrikë. Efekti i pandemisë është zbehur edhe te pasagjerët e autobusëve në Tiranë, pasi shumë prej tyre nuk përdorin më maskën mbrojtëse dhe nuk respektojnë distancimin social.

U rritën ndjeshëm gjatë karantinës, bie importi i vajit dhe drithërave

Sipas të dhënave të INSTAT, importi për grupin e mallrave “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” në muajt janar-prill 2021 është 9,8% më i ulët se në 2020-n. Në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s, importet janë 20% më shumë. Edhe importi i drithërave këtë vit është me rënie 30% krahasuar me 2020.

Në muajt janar-prill 2020, drithërat u rritën 24% në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s, pas karantinës, që orientoi konsumatorët drejt produkteve bazë të shportës. Importi i sheqerit për grupin “Sheqernat dhe ëmbëlsirat prej tij” është rritur 6% krahasuar me vjet, ndonëse është më i ulët se në 2019.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Erbiron sh.p.k”, e cila ka ekskluzivitetin e importit të vajit të botiluar hungarez “Floriol”, Tedi Maraj, tha për “Monitor” se shitjet e vajit për periudhën janar – prill janë reduktuar 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Konsumi i vajit është më i ulët në këtë periudhë krahasuar me vjet, pasi shumë individë blenë më shumë sesa ju nevojitej në karantinë, nga frika se sa do të zgjaste izolimi. Kjo vihet re edhe te produktet e misrit, bizeles dhe fasules së konservuar që patën shitje të larta në periudhën mars-maj. Aktualisht, krahasuar me 2020, shitjet për këto produkte janë 20% më pak.

Arsye tjetër e tkurrjes së konsumit të vajit dhe konservave është rënia e fuqisë blerëse të konsumatorëve për shkak të krizës nga Covid-19. Nëse këtë vit do të ketë prurje të emigrantëve dhe turistëve të huaj parashikojmë që konsumi për këto produkte të jetë më i lartë se sezonin e kaluar”, thekson z. Maraj nga kompania “Erbiron”.

Konsumi është në rënie edhe për produktet miell, sheqer, oriz, fasule sipas të dhënave të shitjeve për 4-mujorin e 2021 të kompanisë “Teuta” krahasuar me janar-prill të 2020-s. Drejtoresha e Financës, Junis Uruçi, thotë se shitja e këtyre produkteve “u fry” për shkak të izolimit.

“Njerëzit po blinin më shumë sesa konsumonin, duke qenë të prirë të krijonin rezerva për shkak të pasigurisë nga pandemia. Për muajt janar-prill 2021 shitjet e miellit kanë rënë 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020. Rënia më e lartë është ndier te fasulet 63%, vaji 43%, sheqeri 29% dhe orizi 24%”. Ndryshe është konsumi te drithërat e shëndetshme. Në 2021, shitjet e tyre janë më të larta se në periudhën e karantinës.

Sipas përfaqësueses të kompanisë “Teuta”, arsyeja kryesore është hedhja në treg e disa llojeve të reja të drithërave, por edhe vazhdimi i rutinës së krijuar në karantinë për të konsumuar sa më shumë produkte të shëndetshme. “Shitjet e majasë janë 105% më të larta se në periudhën e karantinës, kjo pasi shumë familje vazhdojnë të bëjnë bukën në shtëpi. Rritje të lartë ka pasur edhe shitja e makaronave 93% krahasuar me vjet, për shkak të hapjes të restoranteve dhe hoteleve. Shitja e drithërave, si: kuinoa, kus-kus, bullgur, tërshërë është rritur 38% më shumë se 2020”.

Shitjet e pijeve alkoolike, më të larta se në karantinë

LEXO EDHE:  Tre pije alkolike në ditë rritin rrezikun e kancerit në mëlçi

Karantina dhe mbyllja e më pas kufizimi në orar i bareve e restoranteve solli dhe rënien e ndjeshme të konsumit të pijeve alkoolike vitin e kaluar. Këtë vit, situata është krejt ndryshe.

Në 2021, importet e pijeve alkoolike u rritën rreth 26% më shumë se në 2020, sipas INSTAT. Në raport me 2019, importet janë rreth 12,5% më të larta. Rritja e lartë e konsumit të pijeve alkoolike konfirmohet edhe nga kompania më e madhe e shitjeve me shumicë në vend, “Agna Group”. Përfaqësues të kompanisë thanë për revistën “Monitor” se shitjet e pijeve alkoolike në periudhën janar-prill janë 20 deri 30% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-s.

“Konsumi i alkoolit këtë vit është rritur për shkak të hapjes së bareve, restoranteve dhe hoteleve, të cilat qëndruan mbyllur në periudhën e izolimit. Në shërbimet HoReCa (Hotele-Restorante-Kafene) është shënuar rritje e shitjeve edhe të pijeve freskuese, ndërsa ka pasur rënie të tyre në rrjetet e supermarketeve. Me hapjen e ekonomisë dhe fillimin e shkollave, shitjet kanë qenë më të larta se vjet edhe për produktet si çokollatat, kroasant dhe patatinat. Preparatet larëse të enëve dhe detergjentët janë në të njëjtat nivele si në karantinë”, nënvizuan drejtuesit e kompanisë “Agna Group”.

E njëjta ecuri për konsumin e këtyre produkteve reflektohet edhe për kompaninë “Marketing & Distribution”. Drejtori i shitjeve në terren të distributorit më të madh të artikujve ushqimorë, Genti Çela, tha se rritja e shitjeve për birrën, alkoolin dhe kafenë ka ardhur për shkak të hapjes së ekonomisë. “Përdorimi i detergjentëve është rritur 2-3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vjet në karantinë, për shkak të frikës nga infektimi, individët shtuan kujdesin ndaj pastërtisë dhe higjienës, duke rritur përdorimin e produkteve dhe preparateve larëse. Efekti është më tepër sezonal, pasi gjithmonë në stinën e pranverës dhe verës, shitjet e detergjentëve shënojnë rritje. Arsye tjetër është se konsumatori vazhdon të ruajë rutinën e muajve të karantinës për kujdesin e higjienës. Rritje në të njëjtat nivele është shënuar edhe për kafenë, birrën dhe alkoolin edhe në kushtet kur dasmat nuk po lejohet të mbahen dhe klubet e natës vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe longe-t”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, importet e cigareve në muajt janar-mars 2020 patën rritje të lehtë krahasuar me 2019. Për 2021, importi i cigareve ka rënë 3%. Për sa i përket konsumit të cigareve, sipas të dhënave të kompanisë “Agna Group”, shitjet e 4-mujorit të 2021 ishin 4 deri 5% më të larta se në 2020. Rritja sipas kompanisë vjen për shkak të hapjes të ekonomisë.

Baret dhe restorantet

Për muajin maj, xhiroja në bare dhe restorante është 20% më pak krahasuar me muajin mars dhe prill të këtij viti, kur frekuentimi ishte më i lartë. Xhiroja e bareve dhe restoranteve është më e ulët se njëjta periudhë që pas 18 majit kur u hap ekonomia në 2020. “Menduam se shkak i rënies së frekuentimit ishte muaji i Ramazanit, por pas përfundimit të tij u vu re se gjendja nuk u përmirësua.

Arsye tjetër është që shumë njerëz janë familjarizuar me jetën e karantinës, ku tashmë edhe kafenë apo vaktet e ngrënies i konsumojnë në shtëpi apo në zyrë. Në anën tjetër, shumë familje priren të kursejnë për të mbledhur të ardhurat për pushimet. Problem është edhe orari i lejimit të lëvizjes, deri në orën 23:00. Pas përfundimit të orarit, njerëzit po shkojnë më tepër në kazino, të cilat janë kthyer edhe në diskoteka në këtë periudhë pandemie”, thotë Henri Jahaj nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve.

Duke filluar nga 1 qershori, masat kufizuese kundër Covid-19 në Shqipëri u lehtësuan. Situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme. Për këtë arsye, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që orari i lejimit të lëvizjes të shtyhej deri në 23:00. Klubet e natës, diskot, vazhdojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do lejohet deri në orën 22:00. Nga 1 korriku, orari i lejimit të lëvizjeve do të jetë deri në orën 24:00, ndërsa orari i lejimit të muzikës do të mbetet i pandryshuar.

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve parashikon që ndryshimi i orarit të lejuar të lëvizjeve do të përmirësojë xhiron te këto shërbime. “Ndryshimi i orarit do të sjellë, hap pas hapi, rikthimin në normalitet, pasi shumë njerëz që dalin nga puna kanë dëshirë të frekuentojnë baret apo restorantet deri në orën 11:00 apo 12:00 të darkës”./Monitor

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Euro nuk ndal rënien/ Në treg ka shumë valutë nga turistët dhe hyrjet informale

Publikuar

-

Nga

Monedha e përbashkët ka shënuar rënie të vazhdueshme në tregun e brendshëm gjatë ditëve të fundit.

Të premten, një euro u këmbye me 122.19 lekë, duke shënuar një tjetër rekord që nga shkurti i vitit 2020, përpara se të fillonte kriza pandemike.

Gjatë javës së fundit euro ka humbur 0.3 lekë.

Sipas aktorëve të tregut rënia e euros lidhet me tre arsye:

-Së pari nga hyrjet e larta informale të valutës, që kanë krijuar shumë ofertë në treg, ndërkohë që euro nuk po tërhiqet. Edhe raportimet e policisë vazhdimisht flasin për persona që kapen me valutë të padeklaruar gjatë hyrjes në kufi.

-Së dyti, kjo tendencë është përforcuar dhe nga efektet sezonale, si rrjedhojë e shtimit të turistëve. INSTAT raportoi se në qershor, hyrjet e shtetasve të huaj po i afroheshin niveleve të pandemisë. Në qershor në vend hynë 604 mijë shtetas të huaj. Në krahasim me të njëjtin muaj të 2020-s, kur vendi ishte në pandemi, shifra është 3.4 herë më e lartë. Ndërsa në raport me 2019-n, hyrjet e shtetasve janë vetëm 4% më të ulëta.

LEXO EDHE:  Ja çfarë shkakton izolimi social

-Së treti, edhe në bursat ndërkombëtare monedha e përbashkët ka qenë e dobët. Sot në bursa, euro këmbehej me 1.17 dollarë, niveli më i ulët që nga muaji prill. Dollari është forcuar ditët e fundit ndaj euros pas sinjaleve për një ecuri pozitive të punësimit në SHBA, që tregojnë se ekonomia më e madhe në botë po vijon rikuperimin pavarësisht pandemisë.

LEXO EDHE:  41-vjeçarja: E tmerrshme ajo çka po më bën burri çdo natë

Gjatë gushtit sezonalisht euro është e dobët në tregun e brendshëm, pasi efektet sezonale përforcohen me ardhjen e emigrantëve.

Gjatë këtij viti (deri në 23 korrik), euro është këmbyer mesatarisht me 123.1 lekë. Për të njëjtën periudhë të një viti më parë, mesatarja e monedhës së përbashkët ishte 123.7 lekë, për shkak të rritjes së fortë të monedhës së përbashkët ne fillim të pandemisë, ku euro arriti deri në 130 lekë për disa ditë në fund të marsit, pas bllokimit të përkohshëm të fluturimeve.

Më pas euro ka qenë e qëndrueshme në nivelet e rreth 123 lekëve./Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Efekti sezonal/ Euro prek nivelin më të ulët që nga shkurti 2020  

Publikuar

-

Nga

Euro pësoi një rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me lekun ditën e mërkurë.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit nga Banka e Shqipërisë, euro u këmbye me 122.39 lekë. Ky nivel i kursit mes euros dhe lekut është më i ulëti i regjistruar që nga fundi i muajit shkurt të vitit të kaluar, para se Shqipëria të prekej nga efektet e pandemisë.

Tashmë që sezoni veror po i afrohet pikut, leku po jep sinjale të mëtejshme mbiçmimi, një tendencë e zakonshme sezonale, e lidhur me rritjen e ofertës së valutës së huaj gjatë muajve të verës. Deri tani, Banka e Shqipërisë e vlerëson ecurinë e kursit të këmbimit në linjë me këto tendenca. Pas mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës, më datë 7 korrik, Guvernatori Gent Sejko e vlerësoi kursin e këmbimit si relativisht të qëndrueshëm, në pasqyrim të balancës së kërkesës dhe ofertës për valutë.

Këtë vit Shqipëria ka hequr të gjitha kufizimet për udhëtarët e huaj, me qëllim nxitjen e turizmit hyrës. Ky faktor mund të ketë filluar të japë një ndikim në flukset valutore hyrëse, që këtë vit duket se do të jetë më i fortë krahasuar me vitin e kaluar. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, euro këmbehej në nivelin e 123.7 lekëve, rreth 1.2 pikë më shumë krahasuar me këtë vit.

Vitin e kaluar, efekti i pandemisë dhe i kufizimeve në në lëvizjet e shtetasve ishte më i lartë, çka bëri që edhe ndikimi i sezonit veror në kursin e këmbimit të ishte disi më i kufizuar. Këtë vit, gjërat duket se po kthehen drejt normalitetit. Zakonisht, kulmi i mbiçmimit të lekut në sezonin veror ndodh në muajin gusht, ndaj sipas operatorëve të tregut është e pritshme që kjo tendencë të vazhdojë edhe gjatë javëve të ardhshme.

LEXO EDHE:  Covid-19/ BE propozon zgjatjen e izolimit deri më 15 Maj

Edhe para nisjes së efektit të sezonit veror, raportet në kursin e këmbimit gjatë pjesës së parë të këtij viti kanë qenë në favor të lekut, me një tendencë të lehtë mbiçmimi të monedhës vendase që ka nisur që në fundin e tremujorit të parë. Oferta e lartë e euros dëshmohet, mes të tjerash, edhe nga përshpejtimi i rritjes së depozitave në euro.

LEXO EDHE:  Sfidat e vështira të izolmit/ Rama kryefamiljari dhe Luli fëmija kapricoz që kërkon “edhe karamele edhe çokollatë”

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të majit depozitat bankare në euro ishin në rritje vjetore me 8%, nga 6.1% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Megjithatë, depozitat japin një tablo të pjesshme të ofertës së euros në treg, sepse një peshë të konsiderueshme vlerësohet të ketë edhe euroja që qarkullon në kanalet informale dhe që nuk është e mundur të matet me saktësi.

Nga ana tjetër, oferta totale e lekut, e matur sipas agregatit M2, ka vazhduar të rritet, por ritme disi më të ngadalësuara krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2020.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente arriti në 309 milionë euro. Kjo shifër është rreth 30% më e lartë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, por 12% më e ulët krahasuar me tremujorin e fundit 2020./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Veprimet me Thesarin/ Zbulohet se cila Ministri ka abuzuar

Publikuar

-

Nga

Auditi i brendshëm i qeverisë, nëpërmjet 18 treguesve të performancës së veprimeve me Thesarin e shtetit, e renditi Ministrinë e Brendshme si me korrekten gjatë vitit 2020, ndërsa Ministrinë e Jashtme e renditi më dobët.

Vlerësimet u bënë duke marrë në konsideratë realizimin e shpenzimeve buxhetore, dërgimin e faturave në kohë në Thesar, hartimin e planeve të veprimit, dërgimin në thesar të faturave të detyrimeve të prapambetura, dërgimi në kohë i kontratave në Thesar, numri i urdhër prokurimeve të paautorizuara etj.

Nga 72 pikë të mundshme, Ministria e Brendshme mori 63 pikë, sipas vlerësimit të auditit të qeverisë. Ministra e Financave u rendit e dyta për pikët më të larta, me 61 nga 72 të mundshme. E treta për pikët më larta ishte Ministria e Infrastrukturës me 57 pikë nga 72 që duhet të merrte gjithsej për një vlerësim të lartë.

Në anën tjetër, Ministria e Jashtme mori vlerësimin më të dobët me vetëm 39.5 pikë nga 72 gjithsej. Ministria e Shëndetësisë u rendit e dyta për vlerësimin më të keq me vetëm 49 pikë dhe Ministria e Kulturës me vetëm 53 pikë.

Nga 11 njësitë shpenzuese që kanë buxhet të madh, Garda e Republikës mori vlerësimin më të lartë për veprimet me Thesarin në vitin 2020 me 63 pikë nga 72 gjithsej, e ndjekur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me 57 pikë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve me 55 pikë.

Në anën tjetër të renditjes, Autoriteti Rrugor Shqiptar mori renditjen më të ulët për veprimet me Thesarin në vitin 2020 me 39 pikë gjithsej nga 72 të tilla dhe më pas Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me vetëm 45 pikë dhe Agjencia e Kombëtare e Ujësjellësve me 57.5 pikë.

LEXO EDHE:  41-vjeçarja: E tmerrshme ajo çka po më bën burri çdo natë

LEXO EDHE:  Ja çfarë shkakton izolimi social

Drejtoria e Përgjithshme e Kontrollit Financiar në Ministrinë e Financave ka lëshuar disa rekomandime ndaj ministrive me të cilat kërkon përmirësimin e sistemeve që lidhen me hartimin e regjistrit të aseteve, hartimin e regjistrit të rreziqeve, hartimin dhe miratimin e gjurmëve të auditimit për proceset e punës, rritjen e cilësisë së planifikimit dhe zbatimit të buxhetit të shtetit, ruajtjen e aseteve, etj.

Për institucionet me buxhet të madh, numri më i madh i rekomandimeve u dha për QSUT, DPT, DPD, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Spitalin Universitar të Traumës, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.

Gjatë vitit 2020 u kryen vetëm 926 auditime kundrejt 1070 të planifikuara ose 87% të planit vjetor si rrjedhojë e kufizimeve që krijoi pandemia. Nga auditimet u identifikuan 9238 shkelje, devijime dhe dobësi në sistemet e prokurimit publik, menaxhimit të aseteve, sistemi i tatim-taksave, regjimin doganor, administrimi i pronës publike, legalizimet dhe privatizimet e pronës shtetërore, koncesionet dhe Partneriteti Publik Privat si dhe sisteme te menaxhimit të burimeve njerëzore me një vlerë dëmi rreth 10 mln euro.

Në auditimet e ushtruara gjatë vitit 2020 janë dhënë 7940 rekomandime për përmirësim sistemi, ndryshime të kuadrit rregullator dhe masa organizative dhe të qeverisjes dhe janë pranuar 7889 rekomandime, nga të cilat 4137 janë zbatuar plotësisht dhe 2957 janë në proces zbatimi./Monitor

LEXO TE PLOTE