Connect with Us

Takimi Bajden-Putin nuk do t’i zbusë marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë

Blog

Takimi Bajden-Putin nuk do t’i zbusë marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë

Publikuar

-

Nga Jennifer Mathers “The Conversation”

Askush nuk pret ndonjë përparim të madh nga takimi i parë i presidentit amerikan Xho Bajden që nga marrja e detyrës me presidentin rus Vladimir Putin. Zyrtarët e lartë të të dyja palëve, kanë qenë të kujdesshëm për t’i mbajtur të ulëta pritshmërinë nga samiti i Gjenevës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, administrata Bajden synon që ta përdorë samitin për të përcaktuar synimet dhe aftësitë e saj të politikës së jashtme, me synimin specifik përmirësimin e stabilitetit strategjik dhe forcimin e kontrollit të armëve bërthamore.

Edhe rusët kanë vendosur stabilitetin strategjik në axhendën e tyre, së bashku me pandeminë e Covid-19 dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale. Kjo sjellje e kujdesshme nga Uashingtoni dhe Moska, nuk përbën habi. Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë qenë shumë të tendosura që nga viti 2014, kur SHBA-ja udhëhoqi një fushatë ndërkombëtare për të vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimenë nga Moska, dhe ndërhyrjes së saj në konfliktin në Ukrainën lindore.

Moska e kundërshton vendosjen e sanksioneve, dhe është shumë dyshuese për mbështetjen që i jep Perëndimi figurave opozitare si Aleksei Navalni, që aktualisht po vuan një dënim me burg në Rusi. Deklarata e fundit i Bajden se Rusia po e trajton Navalnin “në mënyrë të padrejtë”, do të konsiderohet nga Putini si një provë e mëtejshme se Amerika po përpiqet të diktojë se si Rusia t’i trajtojë problemet e sajtë brendshme.

Uashingtoni e konsideron Rusinë si një ngatërrestare, që refuzon të veprojë sipas rregullave të diplomacisë, dhe që i përdor shërbimet e saj sekrete për të sabotuar SHBA-në dhe aleatët e saj, duke ndërhyrë në zgjedhjet amerikane ose duke helmuar ish-agjentët rusë që sot jetojnë në Perëndim.

Por nëse nuk ka gjasa të ketë rezultate të dukshme, atëherë pse takohen dy liderët? Një pjesë e përgjigjes mund të qëndrojë në domethënien simbolike të samitit për të dy palët. Për Bajden, takimi është një mundësi për të dërguar njëkohësisht sinjale tek disa audienca. Takimi me Putinin vjen pas pjesëmarrjes së tij në takime të nivelit të lartë përgjatë samitit të G7-ës (që e dëboi Rusinë pas aneksimit që ajo i bëri Krimesë) dhe të NATO-s,që riafirmojnë angazhimin e Amerikës ndaj multilateralizmit dhe aleatëve të saj transatlantikë.

Kjo është shumë e ndryshme nga qasja “Amerika e Para” dhe politika e jashtme kaotike e  administratës Trump. Bërja e një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë është e rëndësishme për administratën Bajden, por jo aq e rëndësishme sa të bërit biznes me partnerët e Amerikës.

Mbajtja e një samiti me Putinin kaq herët në fillim të presidencën e tij, nxit bërjen e krahasimeve midis qasjes së Bajden ndaj Rusisë dhe asaj të paraardhësit të tij. Donald Trump preferoi të takohej privatisht me Putinin, pa gazetarët amerikanë që mund të mbanin ndonjë shënim mbi diskutimet, dhe që për këtë arsye gjeneruan shumë spekulime rreth asaj mbi të cilën mund të kishte rënë dakord me kreun e Kremlinit.

LEXO EDHE:  Europa mund të jetë sërish një superfuqi

Në dallim nga Barak Obama, Trump shfaqi ndërkohë një qëndrim gati lavdërues ndaj Putinit. Edhe pse Bajden është një president i ri, karriera e tij e gjatë në Senatin Amerikan, dhe 8 vitet e tij si zëvendëspresidenti Obamës, nënkuptojnë se ai është veteran i shumë takimeve ndërkombëtare të nivelit të lartë.

Ai nuk ka gjasa që të thyejë protokollin apo të largohet nga skenari. Bajden do të ofrojë një rivendosje të re të raporteve me Rusinë, por në fund do të dështojë. As Putini nuk do të presë apo ofrojë ndonjë ndryshim dramatik në marrëdhëniet SHBA-Rusi.Gjithsesi edhe për të ky samit është i vlefshëm.

E para dhe më e rëndësishmja, samiti është dëshmi e qartë se Rusia vazhdon të jetë e rëndësishme në skenën ndërkombëtare. Putini i kushton një vlerë të madhe gjesteve të respektit ndaj Rusisë nga ana e udhëheqësve të vendeve të tjera, dhe sidomos nga SHBA-ja.

Një nga arsyet kryesore të popullaritetit të vazhdueshëm të Putinit midis shumë rusëve, është perceptimi se ai është autori i ringjalljes së prestigjit të Rusisë në arenën ndërkombëtare pas humbjes poshtëruese të pushtetit dhe statusit të Moskës gjatë viteve 1990.

Një takim kokë më kokë me presidentin amerikan, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës nga ky i fundit, është një miratim i nënkuptuar i qasjes së Putinit, se problemet vërtetë të rëndësishme me të cilat përballet sot bota, nuk mund të zgjidhen nëse në tryezë mungon Rusia.

Kur të dy udhëheqësit biseduan në telefon menjëherë pas inaugurimit të Bajden në detyrë, Putini vuri në dukje se SHBA-ja dhe Rusia kanë përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit global. Dhe kontrolli i armëve bërthamore, është çështje e mirë për t’ia filluar.

Të dy udhëheqësit mund të bazohen tek marrëveshja e tyre e arritur në janar për të zgjatur traktatin New Start, që e kufizon numrin e armëve strategjike bërthamore që mund të vendosë në gjendje lufte secili vend. Lufta kundër Covid-19 është një fushë tjetër e mundshme për bashkëpunim.

Edhe pse si SHBA-ja ashtu edhe Rusia e kanë pasur shumë të vështira ta kontrollojnë pandeminë, padurimi i Rusisë për të eksportuar vaksinën e saj Sputnik, mund të përputhet me qasjen e administratës Bajden mbi rëndësinë e pasjes së një qasje globale për të luftuar virusin.

Duke marrë parasysh listën e gjatë të çështjeve për të cilat nuk bien dakord Bajden dhe Putin, është ndoshta një qasje e mençur që të mbajmë pritshmëri të ulëta për samitin. Gjithsesi, ka zona ku të dy udhëheqësit kanë shumë të përbashkëta për të justifikuar një optimizëm shumë të kujdesshëm në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Rusi./CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Si do ta përballojë Angela Merkel daljen në pension?

Publikuar

-

Nga

Merkel thirrje gjermanëve/ Vaksinohuni për të pasur më shumë liri

Nga Katja Hoyer “The Spectator”

Pensioni tingëllon në dukje si një periudhë shumë e bukur e jetës. Zyra e Statistikave Kombëtare të Britanisë, thotë se pensionistët kalojnë mesatarisht 7 orë dhe 10 minuta në ditë në aktivitete të kohës së lirë. Pra mbi 7 orë. Një kohë shumë e gjatë për të bërë gjëra të këndshme.

E megjithatë, perspektiva e daljes në pension, mund të sjellë me vete një frikë të caktuar. Sipas një sondazhi të YouGov, vetëm rreth gjysma e njerëzve që do të dalin në pension, e presin me padurim atë. Realiteti i të mos pasurit asgjë për të bërë, është po aq tmerrues sa edhe drithërues.

Po atëherë, si do të ndiheshit po të mos kishit pasur së fundmi një punë dosido, por një të tillë që ju mbante të zënë 24 orë të ditës në 7 ditët e javës, që ju lejonte të takonit qindra njerëz çdo ditë, dhe që ju jepte një sens të jashtëzakonshëm të qëllimit?

Angela Merkel përballet me një perspektivë të tillë. Ajo ka qenë kancelare e Gjermanisë për 16 vjet. Në këtë periudhë të gjatë, ajo nuk ka pasur kohë të merret me pasionet e saj, as kohë për mendime boshe, dhe as kohë për veten e saj.

Është e vërtetë që Merkel ka shkuar çdo vit me pushime me bashkëshortin e saj Joakim Sauer. Por “pushimi” për kancelaren nënkuptonte vetëm mungesën e takimeve zyrtare për 3 javë. Ajo nuk mund ta fikte dot telefonin e saj dhe të relaksohej plotësisht.

Kur shkoi të pushonte në destinacionet e saj të preferuara të pushimeve, si për shembull në Tirolin e Jugut, telefoni i saj celular mund të binte të çdo moment dhe t’i prishte pushimet. Por Merkel kishte një jetë edhe para kancelarisë së saj, një fakt shpeshherë i harruar, duke pasur parasysh gjithë-praninë e saj shumë të dukshme.

Gjatë studimeve të saj si kimiste kuantike, ajo njohu burrin e saj të ardhshëm. Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, Merkel u zgjodh deputete në Bundestag në vitin 1990, dhe ministre vetëm një vit më vonë kur Helmut Kol e cilësoi atë si krahun e tij të djathtë.

Promovimet në karrierën nuk reshtën asnjëherë, duke arritur kulmin me ngjitjen e saj në postin e kancelares në vitin 2005. Edhe kritikët e saj do të pajtoheshin se kjo është një punë së cilës ajo i është përkushtuar plotësisht, me mish e me shpirt.

Po çfarë do të bëjë Merkel kur të dalë në pension? Si do të përballet ajo me boshllëkun? Çfarë do të bëjë ajo për t’u ‘argëtuar’ për 7 orë dhe 10 minuta çdo ditë? As vetë Merkel duket se nuk e di këtë gjë.

E pyetur mbi këtë çështje pikërisht gjatë vizitës së saj të fundit në SHBA, ajo heshti për një moment, dhe pastaj tha se nuk do të “pranonte ftesën e parë që do t’i vinte”, për shkak se nuk ka “asgjë për të bërë … dhe ku askush nuk më dëshiron më”.

LEXO EDHE:  Jeta e fshehtë e Xho Bajdenit

LEXO EDHE:  Plani Marshall/ Si e rimëkëmbi Amerika Evropën, pas Luftës së Dytë Botërore

Përkundrazi ajo do të marrë ca kohë për të punuar “mbi atë që më interesojnë vërtet”. “Në atë moment ndoshta do të përpiqem të lexoj. Pastaj do të dremit paksa, pasi të jem lodhur”- tha ajo. Ky tingëllon si një plan i qëndrueshëm për disa orë, por pastaj çfarë?

A i japin një frymëzim më të mirë bashkatdhetarët e saj? Duke lënë mënjanë paraardhësin e saj të vetëm të gjallë Gerhard Shrëder dhe lidhjen me tij me kompaninë ruse të gazit “Gazprom”, disa nga ish-kancelarët e tjerë e kanë kaluar pensionin në mënyra shumë dinjitoze.

Pas daljes në pension, Konrad Adenauer, kancelari i parë i Gjermanisë Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, u pasionua shumë pas kultivimit të trëndafilave, duke e përshkruar atë si “lulen më mirënjohëse dhe më të bukur që ekziston në botë”.

Kopshti plot me trëndafila, në të cilin ai kaloi aq shumë kohë pasi u largua nga detyra në vitin 1963, është ende sot në lulëzim të plotë. Por nëse Merkel dëshiron të ndjekë këtë shembull, asaj mund t’i duhet të zhvendoset diku tjetër, pasi apartamenti i saj në Berlin nuk është aspak mikpritës për t’u marrë me kopshtari.

Por ajo mund të frymëzohet nga kancelarët e tjerë po me karriera të gjata. Kancelari i parë i Gjermanisë, Oto von Bismark, është i vetmi që ka qenë në detyrë më shumë kohë sesa Merkel. Pas 19 vjetësh në krye të shtetit-komb që themeloi vetë, ai u detyrua të jepte dorëheqjen nga Kajzeri Vilhelmi II.

Bismarku jetoi dhe vdiq si një njeri i hidhët. Ai i kaloi vitet e fundit të jetës duke shkruar komente inatçore mbi politikën pas mbretërimit të tij. Tek Merkeli mund të fshihet ende një publiciste, por nëse kjo është e vërtetë, aludimet për të kanë qenë deri tani të pakta.

Media gjermane ka spekuluar se Merkel mund të dëshirojë të kalojë ca kohë duke “kaluar një provojë” në Gjermaninë Perëndimore, për shkak se ajo u rrit në anën tjetër të Perdessë Hekurt. Ndërsa ky sugjerim është i çuditshëm, nuk mbaj mend që Helmut Kol apo Gerhard Shrëder të jenë ftuar ndonjëherë të “përjetonin” Gjermaninë Lindore, si një hobi në moshën e pensionit.

Çfarëdolloj gjëje që mund të zgjedhë për të mbushur kohën e saj, qasja e saj aktuale është e shëndetshme. Ajo pranoi se do të jetë e vështirë të heqë dorë nga zakoni i shqetësimit mbi detyrat që ka për të bërë. Por pastaj shton:”Do të kujtohem shpejt, se nga tani e tutje punët e shtetit do të kryhen nga të tjerët tani. Mendoj se kjo gjë do të më pëlqejë”. Mirë për të./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

A mund ta ndalim ngrohjen e Tokës?

Publikuar

-

Nga

Nga Andrew May,  “Livescience”

Këtë vit, Toka ka hyrë në një epokë të zymtë. Sipas “Met Office”në Britaninë e Madhe, përqendrimi i dioksidit të karbonit (CO2) në atmosferë arriti në nivelin 150 për qind të sasisë që kishte në epokën para-industriale.

Për të parandaluar efektet më të këqija të ndryshimit të klimës, bota duhet të çojë në zero emetimet neto të dioksidit të karbonit deri në vitin 2050. Por edhe nëse do ta arrinim këtë synim, kjo gjë nuk do të frenonte menjëherë ngritjen e temperaturës globale, pasi do të duhet të kalojë disa kohë për të parë efektet e zvogëlimit të CO2.

Ndikimet negative të ngrohjes globale do të vazhdojnë për dekada. Por a ka ndonjë gjë tjetër që mund të bëjmë për të ulur më shpejt temperaturën globale?Një grup studiuesish në Universitetin e Harvardit, mendon se mund të jetë e mundur të arrihet një ulje e përkohshme e temperaturave globale duke rregulluar përbërjen e atmosferës së sipërme të Tokës. Studiuesit shpresonin që të testonin një pjesë të kësaj teknologjie – dhe qëndrueshmërinë e teorisë së tyre –që këtë verë, në atë që ata e quajnë Eksperimenti i Kontrollit të Turbullimit të Stratosferës (SCoPEx). Edhe pse testimi është pezulluar, ekipi shpreson ende që eksperimenti të vazhdojë në një të ardhme jo shumë të largët.

Burimi përfundimtar i nxehtësisë së Tokës është Dielli, që emeton drejt planetit tonë një fluks të vazhdueshëm rrezatimi me rreze infra të kuqe. Rreth 30 për qind e tyre reflektohet sërish në hapësirë ​​nga atmosfera, ndërsa pjesa tjetër e ngroh planetin gjatë ditës, dhe rrezatohet sërish në hapësirë gjatë ​​natës.

Në ekuilibrin delikat që ekzistonte në kohërat para-industriale, nxehtësia që hynte në Tokë kompensohej saktësisht nga sasia e humbur e saj në hapësirë, duke siguruar qëndrimin konstant të temperaturës mesatare globale.

Sot problemi është se emetimet e CO2 e prishin këtë ekuilibër, duke thithur një pjesë të nxehtësisë që duhet të rrezatohet përsëri në hapësirë, përmes bllokimit të saj brenda atmosferës. Sa më shumë dioksid karboni të ketë në atmosferë, aq më shumë rritet temperatura e planetit.

Në planin afatgjatë, njerëzit duhet të zvogëlojnë sasinë e dioksidit të karbonit në atmosferë, për të parandaluar efektet më të këqija të ndryshimit të klimës. Por proceset e tjera mund të prodhojnë rënie afatshkurtra të temperaturës globale.

Për shembull, shpërthimet vullkanike shpërndajnë retë e grimcave të pluhurit lart në stratosferë, një shtresë e sipërme e atmosferës, duke formuar një mburojë mbrojtëse që e parandalon një pjesë të nxehtësisë së Diellit të arrijë në sipërfaqen e Tokës.

LEXO EDHE:  Plani Marshall/ Si e rimëkëmbi Amerika Evropën, pas Luftës së Dytë Botërore

LEXO EDHE:  Europa mund të jetë sërish një superfuqi

Për shembull, shpërthimi i malit vullkanik Pinatubo në Filipine në vitin 1991, bëri që temperatura mesatare në Hemisferën Veriore të binte me rreth 0.5 gradë Celsius gjatë 15 muajve në vijim. Ekipi SCoPEx dëshiron të ndjekë të njëjtin shembull duke injektuar grimca në atmosferën e sipërme në mënyrë që të ulë temperaturën globale.

Ideja themelore – e quajtur injeksioni aerosolik stratosferik, ose SAI – është e thjeshtë.

Një avion i lartësive të mëdha ose një balonë me helium do të shpërndajë tufa grimcash mikroskopike të quajtura aerosole në stratosferë në lartësinë 20 kilometra ose më shumë, pra  shumë më lart sesa fluturojnë zakonisht avionët.

Aerosolet do të qëndrojnë pezull në ajër. Ato janë shumë të vegjël për t’u parë si retë nga toka, por mjaftueshëm të errëta për të reflektuar sërish në hapësirë një pjesë të energjisë së diellit përsëri në hapësirë. Në simulimet teorike, SAI duket të jetë një koncept i zbatueshëm.

Raporti i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimës (IPÇ) i vitit 2018, zbuloi se një flotë avionësh të lartësive të mëdha mund të depozitojë aerosole të mjaftueshme për të kompensuar nivelet aktuale të ngrohjes globale.

Por aerosolet duhet të plotësohen çdo disa vjet, dhe kjo metodë trajton vetëm një nga simptomat e ndryshimit të klimës, në vend që të adresojë shkakun e saj rrënjësor, efektin serë. Në rastin më të mirë, ajo është një masë parandaluese e përkohshme, që kundërshton rritjen e temperaturave ndërsa vendet ulin në të njëjtën kohë emetimet e tyre të dioksidit të karbonit.

Deri më tani, kërkimi mbi SAI ka qenë teorik, i plotësuar nga një sasi e kufizuar e të dhënave në botën reale nga shpërthimet vullkanike. SCoPEx dëshiron të bëjë matje në botën reale në kushte të kontrolluara me kujdes, duke mundësuar një kalibrim më të mirë të modeleve kompjuterike.

“Nëse duam t’u sigurojmë vendimmarrësve informacione të dobishëm se kjo skemë mund të funksionojë, ne duhet të vërtetojmë modelet tona”-thotë drejtuesit i projektit, Frenk Keutsh, nga Departamenti i Kimisë dhe Biologjisë Kimike në Universitetin e Harvardit.

Vullkanet nxjerrin kryesisht përbërje të bazuara tek squfuri. Ato jo vetëm që e ftohin atmosferën, por gjithashtu e dëmtojnë shtresën mbrojtëse të ozonit të Tokës, e cila na mbron nga rrezatimi i dëmshëm i rrezeve ultravjollcë, UV.

Prandaj ekipi i SCoPEx është duke u përqendruar tek një aerosol më pak i dëmshëm, karbonati i kalciumit, ose siç njihet në përditshmëri pluhuri i shkumësit, për të cilin studiuesit shpresojnë se do të prodhojë efektin e dëshiruar të ftohjes globale pa e dëmtuar shtresën e ozonit. / bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

NATO përballë Kinës dhe Rusisë:Çfarë fshihet pas luftës informative në Ballkan

Publikuar

-

Nga

Nga Federico Berger “Formiche.net”

Ballkani Perëndimor është një rajon historikisht kompleks për t’u lexuar dhe interpretuar,

një çështje që i ka rrënjët pjesërisht edhe tek ndikimet e shumta që kanë prekur rajonin.

Duke filluar nga Perandoria Bizantine, duke kaluar përmes dominimit osman dhe hegjemonisë Austro-Hungareze (vetëm sa për të përmendur disa) deri në ditët e sotme,ky rajon ka qenë për shekuj me radhë një kaleidoskop jo vetëm i traditave dhe kulturave, por edhe i mosmarrëveshjeve rajonale dhe i mpleksjes së interesave të huaja.

Por cilët janë lojtarët kryesorë në skenën ndërkombëtare, që po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor përmes mjeteve ekonomike, diplomatike dhe luftës informative?Së pari, është e pamundur të mos përmendësh Kinën.

Pasi ka fituar statusin e një fuqie të madhe botërore, vitet e fundit “Dragoi” ka lëvizur me vendosmëri në skenën ndërkombëtare, duke ndjekur interesat e veta ekonomikë dhe njëkohësisht, aktivitetet e diplomacisë publike edhe në gadishullin ballkanik.

Nuk është rastësi investimi prej mbi 15 miliardë dollarë investime në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve 2005-2019, apo ndërhyrjet e Pekinit në peizazhin mediatik të rajonit,që janë intensifikuar në disa mënyra.

Kështu, agjencitë e saj të lajmeve (si Xinhua apo China Radio International), kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe për shpërndarjen e përmbajtjeve pro-kineze në vende të ndryshme të rajonit, duke dërguar gazetarët e tyre për një qëndrim afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Siç u pa edhe nga veprimtaria e Kinës në fillim të pandemisë, objektivi kryesor mbetet ai i të vepruarit si një aktore dashamirëse dhe bashkë-biseduese e privilegjuar në rajon, kryesisht në dëm të demokracive të mëdha perëndimore dhe institucioneve euro-atlantike.

Dhe ai që përfiton më shumë nga kjo retorike anti-perëndimore është sigurisht Kremlini. Gjatë viteve të fundit, Rusia e ka treguar vazhdimisht gatishmërinë dhe aftësinë e saj për të ndërhyrë në hapësirën informative të këtij rajoni.

Prania e agjencisë qeveritare “Sputnik News” (në variantin e saj Sputnik Serbia) dhe e mediave të tjera të financuara nga Moska (si Russia Beyond dhe NewsFront), e kombinuar me veçoritë kulturore dhe gjuhësore të zonës, përfaqësojnë pjesën kryesore të aktiviteteve pro-ruse të dezinformimit.

Duke filluar nga Serbia dhe e ndihmuar nga kanalet dixhitale, informacioni me origjinë në gjuhën serbe nga mediat pro-Kremlinit shtrihet midis Beogradit, Malit të Zi dhe Republikës Serbe të Bosnje Hercegovinës.

LEXO EDHE:  Dështon takimi Rama-Basha/ Kryeministri: Do ecim me votimin, ka ende shpresë

LEXO EDHE:  Është një botë e çmendur!/ Këta mendimtarë, mund t’ju ndihmojnë që ta kuptoni atë

Pra një rrjedhë narrativash (potencialisht keq-informuese) që nuk njohin kufij, dhe në një zonë të banuar nga gati 9 milionë njerëz. Retorika, e harmonizuar me interesat strategjikë të Moskës, u forcua akoma më tej gjatë pandemisë.

Reagimi i vonuar i Bashkimit Evropian ndaj krizës shëndetësore, u ka dhënë një frymëmarrje të re narrativave kundër procesit të zgjerimit të BE-së, që është fajtore për dobësimin për shkak të ndarjeve të saj të brendshme të pretenduara.

NATO dhe Shtetet e Bashkuara, tregohen si aktorë armiqësorë për Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka pasur një fushatë propagandistike të madhe për të promovuar epërsinë e vaksinës ruse mbi atë perëndimore. Njëkohësisht, media pro-ruse u përpoq të rindizte tensionet etnike, mosmarrëveshjet e pazgjidhura dhe ato rajonale që nuk janë qetësuar asnjëherë.

Është pikërisht Covid-19 dhe menaxhimi i krizës shëndetësore, që mund të shërbejë si një pikënisje ku institucionet euro-atlantike mund të zhvillojnë një qasje më pro-aktive në trajtimin e retorikës anti-perëndimore.

Prej më se 20 vjetësh, NATO me misionin e KFOR-it ka kontribuar në mënyrë aktive në sigurinë e Ballkanit Perëndimor, ku mund të mbështetet tek 3 vende aleate. Në terma ekonomikë, Bashkimi Evropian është aktualisht huadhënësi dhe donatori më i madh në rajon.

Që nga fillimi i pandemisë, BE-ja ka dhënë 3.3 miliardë euro për rajonin. Por kjo paketë e madhe ndihme ka pasur një mbulim shumë të kufizuar të medias lokale. Për të parandaluar që aktorët e jashtëm t’i shfrytëzojnë këto boshllëqe komunikimi, nevojiten fushata të forta, të vazhdueshme dhe të përhapura të informacionit mbi iniciativat dhe aspektet konkrete të pranisë së BE-së dhe NATO-s në Ballkan, duke e diferencuar mesazhin në lidhje me kontekstin dhe audiencën e synuar.

Për më tepër, promovimi dhe bashkëpunimi me agjencitë e pavarura të lajmeve dhe mediat në zonë do të siguronin një dukshmëri më të madhe për të dyja institucionet, duke siguruar zhvillimin e një ekosistemi mediatik pluralist dhe të ekuilibruar në shkallë lokale./CNA.al

LEXO TE PLOTE