Connect with Us

Problemet në mushkëri pas COVID-19

Shëndeti

Problemet në mushkëri pas COVID-19

Publikuar

-

Sanije Abdullahu 68-vjeçare, në muajin tetor të vitit të kaluar kishte rezultuar pozitive me sëmundjen COVID -19, të cilin e ka përfunduar pa simptoma. Problemet shëndetësore Sanijes iu paraqiten pas shërimit nga koronavirusi, saktësisht dy javë pasi një testim tjetër kishte treguar se tashmë ajo e kishte kaluar virusin.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ajo tregon se filloi të ndihej e lodhur, të kishte koll dhe vështirësi në frymëmarrje.

“Pas përfundimit të koronavirusit filluan problemet shëndetësore. Bëra analizat dhe e kuptova se më ka prekur shumë në mushkëri. Që tetë muaj, pa ndërprerje marr medikamente të ndryshme dhe vitamina. Ende jam e lodhur. Tani trajtohem në shtëpi, pasi djali është doktor dhe kujdeset për mua”, tregon Sanije Abdullahu.

Në Klinikën e Pulmologjisë nuk ka pacientë me COVID-19

Paraqitjen e rasteve me probleme shëndetësore pas COVID -19, e konfirmon edhe Musa Hoxha, ushtruesi detyre i Klinikës se Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ai thotë se ka rritje të kërkesave për trajtim nga pacientët, të cilët kanë qenë të hospitalizuar nga COVID-19, sidomos rastet më të rënda me pneumoni masive të dyanshme.

“Në Klinikën e Pulmologjisë më nuk ka pacientë COVID-19 pozitivë, por vetëm pacientë post-COVID dhe pacientë me patologji të sistemit respirator. Normal, një përqindje e pacientëve që kanë qenë të hospitalizuar me probleme të mëdha, edhe pas daljes nga spitali po kanë probleme shëndetësore. Ka pacientë që kanë nevojë për hospitalizim dhe për oksigjen, por numri nuk është i madh”, thotë Musa.

Edhe Rukije Mehmeti, pulmologe në QKUK, njëherësh edhe punonjëse shëndetësore në sektorin privat, thotë se disa qytetarë vazhdojnë të kenë simptoma pas shërimit nga sëmundja COVID-19 dhe rikthehen për trajtim të mëtutjeshëm të problemeve, sidomos të atyre në mushkëri.

“Shumë pacientë i lëshojmë nga spitali në gjendje të mirë. Mirëpo, ka raste, kur pas një jave vijnë me probleme në mushkëri, që janë si pasojë e COVID-19, të cilin e kanë kaluar”, thekson Mehmeti.

Në të shumtën e rasteve, ata që vuajnë nga problemet në mushkëri pasi kanë mposhtur COVID-19, janë pacientët që kanë pasur edhe më herët sëmundje dhe duhanpirësit.

LEXO EDHE:  Vaksinat kundër Covid-19/ BE kërcënon me ndalim të rreptë të eksporteve

“Prandaj, kjo është shumë relative. Krejt është individuale dhe varet prej organizimit se në çfarë gjendje është dhe se si do të reagojë”, thotë Mehmeti.

Ajo rekomandon që pacientët të vijojnë trajtimin për një periudhë edhe pasi ta kenë kaluar koronavirusin dhe kujdes të veçantë t’i kushtojnë forcimit të imunitetit.

Sikurse shumë sëmundje tjera të rrugëve të frymëmarrjes, COVID-19 mund të shkaktojë dëme afatgjate në mushkëri.

Panagiz Galiatsatos, ekspert për sëmundje të mushkërive në Qendrën Mjekësore Johns Hopkins, ka përmendur komplikimet si pneumonia dhe çrregullimet akute në rrugët e frymëmarrjes.

Sepsa (infeksion i gjakut) është një tjetër komplikim që vjen nga COVID-19, që mund të ndikojë më pas në dëme afatgjate në mushkëri dhe organe tjera.

A mund të shërohet plotësisht dëmtimi i mushkërive?

Edhe te rastet e infektimit të rëndë me koronavirus, mushkëritë e një pacienti mund të shërohen, mirëpo jo brenda natës.

“Shërimi nga dëmtimi i mushkërive merr kohë”, ka thënë Galiatsatos.

“Fillimisht ndodh plaga fillestare në mushkëri, e përcjellë me dregëz. Pas një kohe, plaga fillohet të shërohet, mirëpo mund të marrë tre muaj apo një vit e më shumë që funksioni një mushkërie të rikthehet në gjendjen para koronavirusit”.

“Shërimi i mushkërisë ka simptomat e veta. Është e ngjashme me thyerjen e këmbës, që fillimisht duhet të vendoset në allçi, dhe më pas të hiqet. Askush nuk pret që të nisë të vrapojë pasi të shërohet këmba. Kur këmba forcohet dhe muskujt rriten sërish, pacientët mund të mos ndihen rehat gjatë shërimit. Kështu ndodh edhe me mushkëritë”, ka thënë mes tjerash Galiatsatos.

Ai përmend edhe se doktorët dhe mjekët duhet të jenë të përgatitur për trajtim dhe terapi të vazhdueshme.

“Kur të përfundojë pandemia, do të ekzistojë një grup i pacientëve me nevoja të reja shëndetësore, të mbijetuarit. Mjekët, terapeutët e rrugëve të frymëmarrjes dhe ofruesit tjerë të kujdesit shëndetësor do të duhet t’iu ndihmojnë këtyre pacientëve që të rikthejnë funksionin e mushkërive sa më shumë që është e mundur”, ka thënë Galiatsatos. REL

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shëndeti

MSH bën bilancin/ Sërish asnjë viktimë nga Covid-19, ja sa raste të reja janë regjistruar

Publikuar

-

Nga

MSH bën bilancin/ Sërish asnjë viktimë nga Covid-19, ja sa raste të reja janë regjistruar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka publikuar të dhënat e 24 orëve të fundit sa i përket situatës së pandemisë në vendin tonë.

Sipas të dhënave mësohet se në 24 orët e fundit janë kryer 4,063 testime nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid19, 25 qytetarë në këto bashki:9 raste në Tiranë, 6 raste në Has, 3 raste në Shkodër dhe Lezhë, 2 raste në Elbasan, 1 rast në Kurbin, Mirditë.

Aktualisht janë 272 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin.
Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 8 pacientë.
Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv.
Janë shëruar 7 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,125 që nga fillimi i epidemisë.

LEXO EDHE:  Rritet sërish numri i viktimave në Greqi/ Mbi 1400 të infektuar

LEXO EDHE:  Tre viktima në 24 orë/ Regjistrohen shifra shqetësuese të rasteve të reja me Covid

Statistika (24 Korrik 2021)

Raste të reja ditore      25
Të shëruar në 24 orë     7
Të shtruar në spitale      8
Humbje jete në 24 orë   0
Testime ditore                4063

Testime totale             875,262
Raste pozitive             132,853
Raste të shëruara       130,125
Raste Aktive                       272
Humbje jete                   2,456

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë              103
Vlorë                26
Elbasan            26
Kukës                25
Durrës              22
Lezhë               21
Shkodër           17
Fier                   14
Berat               11
Korçë                6
Gjirokastër        1

LEXO TE PLOTE

Shëndeti

Nga Erion Dasho/ Një muaj pa humbje jete, a përfundoi pandemia?

Publikuar

-

Nga

Nga Erion Dasho/ Një muaj pa humbje jete, a përfundoi pandemia?

Për të gjetur humbjen e fundit të jetës nga COVID, duhet “udhëtuar” pas në kohë në 26 qershor. Madje dhe në katër javët që paraprinë 26 qershorin, numri i vdekjeve nga COVID ishte 9 të tilla, ku asnjë ditë nuk kishte patur më shumë se 1 humbje jete dhe ditë të tëra e kishin zero këtë parametër tragjik.

Sidoqoftë, situata nuk është pa zile alarmi. Numri i rasteve ditore është rritur ndjeshëm. Gjatë dy javëshit të fundit, numri i rasteve të diagnostikuar ka qenë 248, më shumë se trefishi i dy javëshit paraardhës (74) dhe i atij përpara (69).

Në këto kushte, dy pyetjet më të rëndësishme janë:

》Sa rrezikon Shqipëria?

》Çfarë masash duhen marrë?

Së pari, nuk ka dyshim se në vend qarkullon varianti delta. Fakti që ai nuk po përhapet për të shkaktuar valën e radhës (sikundër po ndodh në pothuajse çdo vend europian) lidhet me imunitetin natyral të grupit që shqiptarët tashmë e kanë arritur. Janë rreth 2 milion shqiptarë që kanë kaluar COVID-in dhe janë imunë kundër tij dhe kjo shifër përbën rreth 72% të krejt popullatës shqiptare. Për paralelizëm vetëm 22% e popullatës kanë marrë dy doza vaksine, ku dihet se pjesa dërrmuese kanë marrë vaksinën CoronaVac, me efektivitet të dyshimtë.

PRA, KEMI 72% TË POPULLSISË TË IMUNIZUAR NË RRUGË NATYRORE DHE 22% TË IMUNIZUAR NËPËRMJET VAKSINËS.

Për të kuptuar rolin e vaksinës kineze në parandalimin e COVID, mjafton të shohim Kilin. Ky vend ka vaksinuar mbi 73% të popullatës me dy doza (mbi 90% e vaksinave të përdorura janë ato kineze, CoronaVac). Rezultati është një epidemi që nuk ka të ndalur dhe një numër ditor prej dhjetëra vdekjesh, të cilat herë pas here i kalojnë 150 apo 200 humbje jete ditore!

Pra është e qartë se imunizimi i 22% të popullatës me vaksinën kineze nuk ka rol, përderisa nuk ka patur rol as në Kili ku mbulesa vaksinale është disa fish më e lartë se në Shqipëri.

Në se Shqipëria e ka arritur imunitetin e grupit, si shpjegohet rritja e rasteve në dy javët e fundit?

Rritja e rasteve lidhet me rastet e importuara të COVID-it dhe penetrimin e infeksionit midis popullatës prej 20 deri 30% që ende nuk është e imunizuar në mënyrë natyrore. Personat e infektuar që vijnë prej vendeve me përhapje shumë më të lartë të infeksionit se Shqipëria bien në kontakt me personat në “xhepat” e paimunizuar dhe shkaktojnë vatra të infeksionit, si ato që janë shfaqur ditët e fundit.

LEXO EDHE:  Rritet sërish numri i viktimave në Greqi/ Mbi 1400 të infektuar

Sa rrezikojnë këto raste të kthehen në një “valë” të re të sëmundjes?

LEXO EDHE:  Një anëtar i stafit të Varhelyit pozitiv me koronavirus/ Vetëizolohet Komisioneri për Zgjerimin

Kësaj pyetjeje nuk mund t’i jepet një përgjigje përfundimtare, pasi në botë nuk ka asnjë rast të ngjashëm me Shqipërinë që ta ketë arritur imunitetin e grupit në mënyrë natyrore. Për këtë arsye, mund të hidhen vetëm hipoteza.

Fakti që që deri tani virusi delta nuk ka arritur të shkaktojë valë, numri i rasteve ditore shkon në maksimumi në 30-40 dhe përqindja e testeve pozitive luhatet rreth 1%, është shumë pozitiv.

Një shpjegim i mundshëm (madje më i besueshmi për mendimin tim) është se imuniteti natyror i grupit mbron nga përhapja e infeksionit më tepër se imuniteti artificial (nëpërmjet vaksinimit). Ndryshe nuk ka si shpjegohet që vendet europiane janë të gjitha duke përjetuar valë të reja të epidemisë, megjithëse janë të imunizuar nëpërmjet vaksinave, kurse Shqipëria jo.

Sidoqoftë, interpretimi i mësipërm mbetet ende një hipotezë. Derisa kjo hipotezë të vërtetohet ose nga të dhënat epidemiologjike, ose nga ato eksperimentale duhet kujdes në këto drejtime:

》Së pari, disiplinimi i hyrjeve në kufi. Çdo personi që hyn në Shqipëri duhet t’i kërkohet rezultat testi negativ, certifikatë vaksinimi ose certifikatë mjeksore si person që ka kaluar COVID-in.

》Së dyti, menaxhimi i kujdesshëm i rasteve aktive duke garantuar izolimin e pacientëve dhe gjurmimin e kontakteve. Kjo duhet bërë për sa kohë numri i rasteve është akoma i menaxhueshëm (raste aktive janë rreth 250 dhe rastet ditore luhaten midis 30 dhe 40).

》Së treti, garantimi i të paktën një doze të një vaksine të sigurt për të gjithë qytetarët para stinës së virozave 2021-22. Qytetarët nuk i besojnë vaksinës CoronaVac dhe e vetmja mënyrë për të garantuar mbulesë të kënaqshme vaksinale është t’u ofrohen atyre vaksina cilësore si Pfizer, Moderna apo Astra Zeneca.

Shqiptarët sot kanë imunitet natyror ndaj SARS-CoV-2, të fituar me çmimin e dhimbshëm të mbi 15 mijë vdekjeve të shkaktuara nga COVID. Derisa të garantohemi se ky imunitet është afatgjatë dhe ofron mbrojtje ndaj varianteve të virusit, kujdesi duhet të jetë maksimal.

Sidomos disiplinimi i hyrjeve në kufi dhe vaksinimi me vaksina të sigurta para vjeshtës duhet të jenë objektivat madhorë të ministrisë dhe komitetit të ekspertëve.

Koha për veprim është tani!

LEXO TE PLOTE

Shëndeti

Rritja e rasteve me Covid, tregues që ‘Delta” është në Shqipëri/ Brataj: Njerëzit e ngatërrojnë me ftohjen

Publikuar

-

Nga

Rritja e rasteve me Covid, tregues që ‘Delta” është në Shqipëri/ Brataj: Njerëzit e ngatërrojnë me ftohjen

Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, teksa ka folur për rritjen e rasteve me Covid ditë e fundit në vendin tonë, është shprehur se shifrat janë më të larta se ato që raportohen zyrtarisht.

Në një prononcim për ABC news, ai shtoi se të prekurit  ngatërrojnë shenjat me ato ftohjes nga kondicioneri dhe neglizhojnë kryerjen e testit për Covid.

Ndërkohë  të konfirmuarit pozitiv sipas mjekut Skënder Brataj po shfaqin simptoma të variantit “Delta”.

“Shenjat kryesore ngatërrohen më shumë me ftohjen, sidomos që tashmë njerëzit mendojnë se ajri i kondicionuar jep ato shenja që janë dhe tipike për variantin delta. Një gjë tipike është edhe diarreja. Për fatin e mirë nuk ka forma të rënda.

LEXO EDHE:  Rritet sërish numri i viktimave në Greqi/ Mbi 1400 të infektuar

LEXO EDHE:  Një anëtar i stafit të Varhelyit pozitiv me koronavirus/ Vetëizolohet Komisioneri për Zgjerimin

Shpejtësia e përhapjes së tij është më e madhe dhe ka një % shumë të lartë si virus krahasuar me variantet e tjera duke e bërë dhe më të rrezikshëm në përhapje. Mund të jetë prezent në Shqipëri këtë e tregon dhe numri i rasteve të reja në vendin tonë”, është shprehur ndër të tjera Brataj./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE