LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Qindra palestinezë në rrezik dëbimi nga banesat në Jeruzalem

16 Qershor 2021, 18:26, Kosova & Bota CNA
Qindra palestinezë në rrezik dëbimi nga banesat në Jeruzalem

Dy lagje palestineze në Jeruzalemin Lindor kanë qenë pika tensioni të nxitura nga planet për të dëbuar qindra palestinezë nga shtëpitë ku ata kanë jetuar prej dekadash. Këto plane renditen ndër arsyet e luftimeve të fundit midis Izraelit dhe lëvizjes islamike Hamas në Gazë që la qindra të vdekur. Qeveria izraelite e konsideron atë thjesht një mosmarrëveshje pronësie, ndërsa palestinezët thonë se kjo është një përpjekje për t’i detyruar ata si popull të largohen nga Jeruzalemi Lindor. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein njofton nga Jeruzalemi:

Palestinezi Saleh Diab, banor i Jeruzalemit, shikon shtëpinë që ndodhet përballë banesës së tij në lagjen Sheik Xharrah, ku më shumë se dhjetë vjet më parë u futën shtatë familje hebraike izraelite. Zoti Diab shqetësohet se edhe ai vetë bashkë me fëmijët do të duhet të largohen nga shtëpia që iu dha familjes së tij nga Jordania në 1948. Përplasjet mes banorëve palestinezë dhe kolonëve hebrenj presin prej vitesh një zgjidhje përfundimtare nga gjykatat.

?Kolonët hebrenj thonë se këto shtëpi u përkasin atyre, por gënjejnë. Nëse mund të paraqesin qoftë edhe një dokument të vetëm që provon se është me të vërtetë pronë e tyre, që nesër do të largohem nga shtëpia. Por nuk kanë asnjë dokument,? thotë zoti Diab.

Në Gjykatën e Qarkut të Jeruzalemit, familjet palestineze nga një lagje tjetër e Jeruzalemit Lindor, Silvan, kanë paraqitur ankesën e tyre ndaj planeve për t’i dëbuar nga shtëpitë në favor të familjeve hebraike. Ata kanë mbështetjen e grupeve të të drejtave të njeriut dhe ligjvënësve arabë në parlamentin izraelit, Kneset.

?A ka gjë më të natyrshme se të mbrosh shtëpinë tënde? Po vihen në zbatim plane për të dëbuar palestinezët që të vendosen në këto banesa kolonë hebrenj,? thotë Ahmed Tibi, ligjvënës arab në parlamentin izraelit.

Anëtari i ekstremit të djathtë në parlament, Itamar Ben Gvir ngriti një zyrë provizore në Sheik Xharrah për të treguar solidaritet me familjet hebraike. Ai thotë se gjykata izraelite ka vendosur kundër palestinezëve, pasi hebrenjtë zotëronin prona në këto lagje para se të krijohej shteti i Izraelit në 1948.

?Gjykata e ka dhënë vendimin, por për fat të keq qeveria e Izraelit nuk po e zbaton sepse ka frikë nga trazirat,? thotë zoti Ben Gvir.

Por grupe izraelite për të drejtat e njeriut thonë se situata nuk ka të bëjë thjesht me mosmarrëveshje pronësie, duke e paraqitur problemin si një ligj që diskriminon palestinezët.

?Nuk është aspak çështje ligjore. Ky është një akt me synime politike nga një grup kolonësh me bindje ideologjike, të cilët mbështeten nga qeveria. E gjithë kjo bazohet tek ligje diskriminuese në ekzistencë, të cilat thonë se hebrenjtë mund të rimarrin pronat që i humbën në 1948, por palestinezët nuk e kanë këtë të drejtë,? thotë aktivistja Hagit Ofran.

Gjykata e Lartë e Izraelit pritet të marrë brenda pak javësh një vendim përfundimtar për dëbimet nga Jeruzalemi Lindor.

Shumë shqetësohen se vendimi mund të pasohet me trazira të reja nga palestinezët dhe përkrahësit e tyre, siç ndodhi një muaj më parë./ VOA

Lajmet e fundit nga