LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

SHBA, BE marrëveshje për pezullim masash për prodhuesit e avionëve

15 Qershor 2021, 14:16, Kosova & Bota CNA
SHBA, BE marrëveshje për pezullim masash për prodhuesit e

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord të pezullojnë për pesë vjet mosmarrëveshjen 17 vjeçare mbi subvencionet për prodhuesit e avionëve.

Njoftimi erdhi të martën ndërsa Presidenti amerikan Joe Biden ishte në Bruksel për një takim të nivelit të lartë me udhëheqësit e BE-së.

Boeing me bazë në SHBA dhe Airbus me bazë në BE janë në qendër të pretendimeve se subvencionet që ndihmojnë njërin nga prodhuesit, dëmtojë tjetrin në tregun global. Mosmarrëveshja solli si rezultat një sërë tarifash të ndërsjellta gjatë administratës së mëparshme amerikane të Presidentit Donald Trump. Këto tarifa u pezulluan në mars.

“Kjo marrëveshje do të sigurojë që punëtorët dhe kompanitë tona në këtë sektor kyç të mund të konkurrojnë në kushte të barabarta?, u tha gazetarëve Përfaqësuesja amerikane e Tregtisë, Katherine Tai të martën. “Dhe marrëveshja na lejon të fillojmë ta lëmë pas këtë mosmarrëveshje të gjatë, për të punuar së bashku që të zgjidhim shqetësimet tona të përbashkëta si praktikat e padrejta dhe shtrënguese ekonomike dhe për të siguruar standarde për konkurrencë të ndershme.”

Tema të tjera qendrore të bisedimeve të së martës janë përpjekjet për të luftuar pandeminë e koronavirusit dhe ndryshimin e klimës, si dhe bashkëpunimi në tregti dhe punët e jashtme.

Një zyrtar i lartë i administratës së zotit Biden duke folur para gazetarëve të hënën theksoi krijimin e një këshilli mbi tregtinë dhe teknologjinë si një nismë kryesore në takimet e së martës.

“Këshilli i Tregtisë dhe Teknologjisë do të mbulojë një numër fushash të rëndësishme përparësore si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Bashkimin Evropian, nga koordinimi për standardet e teknologjive të reja si inteligjenca artificiale, informatika kuantike, bioteknologjia; deri te koordinimi mbi qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit ; koordinimi për kontrollet e importit dhe eksportit; dhe për reformimin e Organizatës Botërore të Tregëtisë “, tha zyrtari.

Në deklaratat e lëshuara përpara bisedimeve, të dyja palët thanë gjithashtu se do të rikonfirmojnë mbështetjen për COVAX-in për të siguruar qasje të barabartë në vaksinat kundër COVID-19 dhe për të punuar së bashku për të nxitur një rimëkëmbje globale nga pasojat ekonomike të pandemisë. Ata gjithashtu planifikonin të diskutonin për përpjekjet për të reformuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Edhe Rusia dhe Kina, që ishin tema kryesore në takimet e G-7 dhe NATO-s këtë javë, do të jenë përsëri në rend të ditës të martën.

Si Shtëpia e Bardhë edhe Bashkimi Evropian thanë se udhëheqësit do të shprehnin gjithashtu një angazhim për të mbështetur demokracinë dhe për të luftuar korrupsionin dhe për të mbështetur të drejtat e njeriut në të gjithë botën. Ata gjithashtu po zotohen të bashkëpunojnë për çështje si siguria kibernetike dhe imigracioni.

Pala e BE-së po përfaqësohet në takim nga Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Për ndryshimin e klimës, Shtetet e Bashkuara dhe BE thanë se do të rikonfirmojnë angazhimet për të mbështetur marrëveshjen e Parisit për klimën të vitit 2015 dhe për t’u bërë ekonomi neutrale përsa i takon klimës deri në vitin 2050. Ata gjithashtu thanë se planifikojnë të nxisin “aktorë të tjerë” që të ndërmarrin masa ambicioze për klimën. Miratuar nga gati 200 vende kur u nënshkrua fillimisht, qëllimi i marrëveshjes së Parisit për klimën është të ngadalësojë ngrohjen globale./voa

Lajmet e fundit nga