Connect with Us

Presidenti Biden me paralajmërim të fortë para takimit me udhëheqësin rus

Bota

Presidenti Biden me paralajmërim të fortë para takimit me udhëheqësin rus

Publikuar

-

Presidenti Joe Biden e shfrytëzoi pjesëmarrjen e tij të parë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s për t’i bërë thirrje Presidentit rus Vladimir Putin të heqë dorë nga aktet provokuese ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve. Udhëheqësit e NATO-s bashkuan zërat me Shtetet e Bashkuara duke e akuzuar zyrtarisht Moskën dhe Pekinin për veprime keqdashëse.

Zoti Biden, me një stemë të NATO-s në jakën e xhaketës, tha se në bisedimet e tij me aleatët para takimit të tij të mërkurën me udhëheqësin rus të mërkurën, të gjithë u shprehën në mbështetje të planeve të tij për t’i bërë presion udhëheqësit rus të ndalë sulmet kibernetike që e kanë origjinën në Rusi dhe vënë në shenjestër objekte dhe sisteme jetike për Perëndimin, si dhe të ndalë shtypjen e kundërshtarëve politikë dhe ndërhyrjet në zgjedhjet e vendeve të tjera.

“Do t’ia bëj të qartë Presidentit Putin se ka fusha ku mund të bashkëpunojmë, nëse ai është i gatshëm. Nëse ai preferon të mos bashkëpunojë, nëse vepron në të njëjtat forma si më parë lidhur me sulmet kibernetike dhe veprime të tjera, do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë,” tha presidenti.

Zoti Biden është në vazhdën e një vizite tetë ditëshe në Evropë në përpjekje për t’u siguruar se Perëndimi flet me një zë të vetëm përballë Rusisë dhe Kinës.

Udhëheqësit e NATO-s u përgjigjën duke dalë me një deklaratë që e cilëson Kinën një sfidë të vazhdueshme për sigurinë, e cila përpiqet të minojë rendin ndërkombëtar që bazohet tek rregullat.

Ata shprehën shqetësim lidhur me ato që i cilësuan si “politika presioni” nga ana e Kinës si dhe praktika jo transparente në përpjekjet për të modernizuar forcat e saj të armatosura si dhe në përhapjen e dezinformimit.

Aleatët gjithashtu dënuan aktivitetin provokues ushtarak të Rusisë dhe manovrat destabilizuese pranë kufijve të vendeve anëtare të NATO-s.

“Deri kur Rusia të dëshmojë se po respekton ligjin ndërkombëtar dhe përgjegjësitë e tij, nuk do të ketë kthim në marrëdhënie normale,” thanë ata.

Ndërkaq, komunikata e re e Brukselit deklaron se vendet e NATO-s “do të angazhohen me Kinën të nisur nga parimi për mbrojtjen e interesave të Aleancës”.

Para samitit të NATO-s, Presidenti Biden mori pjesë në takimin e G-7, ku arriti të bindë pjesëmarrësit të dalin me një komunikatë që denoncon punën e detyruar dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut nga Kina, përfshirë edhe persekutimin e ujgurëve dhe pakicave të tjera etnike.

Megjithatë, duket se aleatët nuk janë aq të gatshëm të dalin me deklarata të forta denoncuese ndaj Kinës.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se vendimi i NATO-s për ta veçuar Kinën si kërcënim “nuk duhet tepruar” pasi Pekini, ashtu si Rusia, mbetet vend partner në një numër fushash. Kina është partnerja më e madhe tregtare e Gjermanisë, prandaj tha zonja Merkel “duhet gjetur balanca e duhur”.

Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje Aleancës të mos lejojë që Kina të bëhet temë shpërqëndruese nga probleme më kritike për NATO-n, ndër to lufta kundër terrorizmit dhe sfidat e sigurisë me Rusinë.

“Mendoj se ka shumë rëndësi të mos hapemi më shumë se duhet në përpjekjet tona dhe të mos tregojmë paragjykime në adresë të Kinës,” tha zoti Macron.

Të hënën, ambasada kineze në Britani nxori një deklaratë ku e cilëson komunikatën e G-7 “një ofezë e qëllimtë njollosëse ndaj Kinës, e cila në mënyrë arbitrare ndërhyn në punët e brendshme të Pekinit”.

Ndërkaq, aleatët e Shteteve të Bashkuara si në takimin e G-7, ashtu edhe në samitin e NATO-s kanë shprehur çlirim dhe entuziazëm për pozicionimin e Presidentit Joe Biden ndaj partneritetit transatlantik, një qëndrim që dallon dukshëm nga politika “Amerika e Para” që ndoqi pararendësi i tij, Donald Trump. VOA

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

SHBA do të kërkojë nga Kina t’u përmbahet “rregullave të lojës”

Publikuar

-

Nga

SHBA do të kërkojë nga Kina t'u përmbahet "rregullave të lojës"

Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit Wendy Sherman pritet t’i bëjë të qartë Kinës në bisedimet e ardhshme, se Uashingtoni e mirëpret konkurrencën me Pekinin, por me rregulla të barabarta loje, që synojnë parandalimin e konflikteve, thanë zyrtarë të lartë amerikanë.

Në njoftimin për shtyp, që i paraprin bisedimeve të zonjës Sherman me Këshilltarin e Shtetit kinez dhe Ministrin e Jashtëm Wang Yi, në Tianjin, thuhej se dy ekonomive më të mëdha në botë u duhet të gjejnë mënyra të përgjegjshme për të menaxhuar konkurrencën.

Ajo do të nënvizojë se ne nuk duam që një konkurrencë e ashpër dhe e vazhdueshme të shndërrohet në konflikt“, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane, përpara që atij që do të jetë takimi i parë i rangut të lartë ballë për ballë mes Uashingtonit dhe Pekinit, pas disa muajsh. Kjo është pjesë e përpjekjeve që të dyja palët po bëjnë për të qetësuar marrëdhëniet e acaruara.

Kjo është arsyeja pse SHBA-ja dëshiron të sigurojë parametra për të menaxhuar me përgjegjësi marrëdhëniet“, tha zyrtari amerikan. “Ajo (zonja Sherman) do të bëjë të qartë se ndërsa ne e mirëpresim konkurrencën e fortë e të qëndrueshme me Kinën, të gjithë duhet të luajnë me rregulla të barabarta loje“.

Zonja Sherman pritet të mbërrijë të dielën në Tianjin, një qytet në juglindje të Pekinit dhe do të qëndrojë deri të hënën.

Ndërkohë javën tjetër Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin do të udhëtojë drejt Singaporit, Vietnamit e Filipineve ndërsa Sekretari i Shtetit Antony Blinken do të vizitojë Indinë, shenja të një përpjekjeve të SHBA-së për të intensifikuar angazhimin në këtë rajon ndërsa Kina po sfidon ndikimin e Uashingtonit në Azi./voa

LEXO TE PLOTE

Bota

Afganët kërkojnë më shumë mbështetje për forcat e sigurisë

Publikuar

-

Nga

Afganët kërkojnë më shumë mbështetje për forcat e sigurisë

Mes dhunës së vazhdueshme në Afganistan, duke përfshirë dhe raketat që ranë këtë javë pranë pallatit presidencial gjatë lutjeve me rastin e Bajramit, talibanët po bëjnë thirrje që Presidenti Ashraf Ghani të tërhiqet si kusht për të negociuar me pas një zgjidhje politike.

Të premten, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Presidenti Biden mbështet udhëheqësit e popullit afgan, duke përfshirë Ashraf Ghanin. Ajo tha se po zhvillohen negociata të vazhdueshme mes udhëheqësve afganë dhe talebanëve.

Ne besojmë se një zgjidhje politike është rezultati i vetëm për paqen e qëndrueshme në Afganistan, por ne do të vazhdojmë të sigurojmë mbështetje për qeverinë në disa forma: si ndihma humanitare, mbështetje dhe trajnime për forcat e sigurisë dhe gjithashtu do të vazhdojmë t’i inkurajojmë ata të marrin një rol udhëheqës në mbrojtjen e popullatës”, tha ajo.

Në fillim të kësaj jave në Pentagon, gjenerali i Ushtrisë Mark Milley bëri një vlerësim të situatës dhe të asaj që mund të ndodh në Afganistan.

“Ekziston një mundësi për të negociuar ende. Ekziston një mundësi që talibanët të marrin kontrollin e plotë, janë disa skenarë në lojë. Ne jemi duke monitoruar nga afër. Përfundimi ende nuk dihet”, tha Gjeneral Mark Milley, Kreu i Shtatëmadhorisë amerikane.

Në një takim virtual me gazetarët amerikanë të premten, disa anëtarë kryesorë të parlamentit afgan kërkuan që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të ndihmojnë me fonde e të mbështesin forcat e sigurisë.

Ata gjithashtu kërkuan më shumë dronë amerikanë për të sulmuar artilerinë talibane. Ligjvënësit afganë thanë se situata do të përkeqësohet me tej me largimin e forcat amerikane në shtator./voa

LEXO TE PLOTE

Bota

Indi, mbi 100 të vdekur, mijëra të evakuuar nga përmbytjet

Publikuar

-

Nga

Indi, mbi 100 të vdekur, mijëra të evakuuar nga përmbytjet

Zyrtarët indianë njoftuan se më shumë se 100 vetë kanë humbur jeten e me dhjetëra mijëra janë evakuuar, në shtetit Maharashtra të Indisë i cili po përballet me shira të furishëm, që kanë shkaktuar përmbytje të mëdha e rrëshqitje dheu.

Kryeministri Narendra Modi shrehu dhimbjen e tij mbi jetët e humbura.

Autoritetet njoftuna se ushtria po ndihmon ekipet e shpëtimit në përpjekjet e tyre për të gjetur të mbijetuar.

Parashikuesit e motit thonë se reshjet e shiut do të vazhdojnë edhe për disa ditë./voa

LEXO TE PLOTE