LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH- Muzeu i Diktaturës në Shkodër/ Një dëshmi për viktimat e komunizmit

14 Qershor 2021, 17:55, Kulturë CNA
REPORTAZH- Muzeu i Diktaturës në Shkodër/ Një dëshmi

?Popujt që harrojnë të kaluarën e tyre janë të destinuar që ta përsërisin atë?.

Në një ndërtesë të zakonshme në qendër të Shkodrës, në një muze të vogël janë kujtimet e viktimave të një prej regjimeve më brutale të Europës Lindore të cilat vijnë të gjalla. Që nga viti 2013 këto kujtime janë të stamposura në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Në afërsi te ish degës, aty ku kujtesa e së shkuarës nuk mund të harrohet.

Muzeu u ndërtua mbi gërmadhat e objektit ku në vitin 1945 u ngrit një nga burgjet më të egra të regjimit komunist, ish dega e Punëve të Brendshme. Arkitektët dhe kuratorët kanë studiuar edhe muze të ngjashëm të ndërtuar kryesisht në vendet e Europës Lindore. Sipas bashkëkohësve, është ruajtur me përpikmëri e gjithë struktura e mëparshme.

Komunistët në një kohë drejtonin jo më pak se 23 burgje në Shkodër, ku komunistët u përpoqën shumë për të marrë kontrollin e tij gjatë dhe pas viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Dhjetëra mijëra shqiptarë u dërguan në kampe pune për arsye politike nën regjimin komunist dhe të paktën 6,000 njerëz u ekzekutuan, besojnë shumica e ekspertëve.

Përgjegjësi i muzeut të diktaturës në Shkodër Pjerin Mirdita na njeh më shumë me atë çfarë ofron ky muze i dëshmisë dhe kujtesës.

?Gjatë këtyre viteve, kundërshtimi ndaj komunistëve ishte ende i lartë në Shkodër, mbase jo direkt kundër shtetit, por ai mbeti gjallë brenda zemrave dhe mendjeve të njerëzve. Ish-shkolla katolike funksiononte si një qendër torturimi dhe marrje në pyetje. Fillimisht, të burgosurit qëndronin këtu për periudhën e marrjes në pyetje, periudhë gjatë së cilës i nënshtroheshin torturës fizike dhe psikologjike. Pasi dënoheshin, ata dërgoheshin në burgje të tjera në të gjithë vendin?.

Në muze gjetëm edhe një grup të ardhur nga Gjermania. Kanë dëgjuar shumë për vendin tonë dhe tortuart çnjerëzore të kryera ne përiudhën e komunizmit.

?Kanë kaluar dekada, por teksa dëgjoj Pjerinin që na tregon për vuajtjet dhe historitë e trishta, nuk mund të mos ndjej dhimbje shpirtërore. Në fakt tani që po flas me ju më duket sikur kam edhe dhimbje fizike?, thotë  Lucas Schëarz nga Gjermania

Pjesa e brendshme e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës është e ndarë në dy pjesë, të ndara nga një korridor i lyer me të kuqe, i cili simbolizon vuajtjet shpesh të përgjakshme të atyre që dërgoheshin në dhomën e marrjes në pyetje, dhoma më e errët e ndërtesës.

Megjithatë ajo e cila rrënqeth mbeten dhomat e qelisë. Një hije trishtimi nis që në koridoret e tyre të errëta. Në të dy anët e koridorit, përballë njëra-tjetrës ndodhen 23 qeli. Në këto qeli të vogla, secila më pak se katër metra katrorë dhe që në atë kohë quheshin biruca, të burgosurit mbaheshin para dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje.

Në qelinë nr 3 vuajti dënimin At Zef Pllumbi. Ishte 22 vjeç kur me 14 dhjetor të vitit 1946 arrestohet dhe dënohët me tri vite burgim. Pas vuajtjes së denimit ai u rikthye sërish në kuvendin Françeskan ku shërbeu për 12 vite si meshtar. Në vitin 1967 arrestohet dhe dënohet me 23 vite burg. Dënimin e vuajti ne burgje dhe kampe të ndryshme nga Spaçi deri në Tiranë. Pasi doli nga burgu në fillim të viteve ?90, at Zef Pllumbi ishte dëshmitari i gjallë i vuajtjeve dhe torturave ku solli edhe botimin ?Rrno për me tregue?.

Në qelinë numër 13, ishte Marie Tuci. Maria ishte një vajze e re nga Mirdita, e cila sfidoi xhelatët e periudhës komuniste, në emer të Zotit për të mbrojtur besimin katolik. Shefi i sigurimit të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili u magjeps nga bukuria e 22 vjeçares mendoi se mund të abuzonte me të sipas dëshirës, por kur hasi në rezistencën e saj, ai vendosi ta torturonte në mënyrën më çnjerëzore. E mbyllën në një thes së bashku me një mace të tërbuar dhe e goditën Marien me mjete të forta. Kur e nxorën nga thesi, Maria ishte transformuar sa nuk njihej.

U dërgua në spitalin e të burgosurve në gjendje të mjerueshme, ku nga plagët e marra nuk njihej. Maria Tuci vdiq në spitalin e Shkodrës, më 20 shtator të vitit 1950, në moshën 22 vjeçare, dhe ishte e vetmja grua që renditet mes 40 martirëve të parë të kishës katolike shqiptare të shpallur nga Vatikani.

Në fund të hapësirës së qelive ndodhet edhe dhoma e torturave ku shpesh të burgosurit ishin të detyruar të asistonin në tortura fizike e morale që ushtroheshin mbi njërin prej tyre. ?Fillimisht, të burgosurit qëndronin këtu për periudhën e marrjes në pyetje, periudhë gjatë së cilës i nënshtroheshin torturës fizike dhe psikologjike. Pasi dënoheshin, ata dërgoheshin në burgje të tjera në të gjithë vendin,? shpjegon drejtori i këtij muzeu. Disa prej paisjeve që përdoreshin në dhomën e torturës janë ende të vendosura aty ndërsa për brezat e sotëm kur njihen me këtë histori duket gati e pabesueshme.

Këto janë vetëm përshkrime, por për t?u njohur nga afër me emocionet, drithërimat dhe për t?u njohur me historinë e tyre, muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, i ndodhur në qendër te qytetit të Shkodrës ka hapur dyert e tij, me shpresën se do të jetë një sezon ndryshe nga ai që lamë pas për shkak të pandemisë COVID-19.

Mbi të gjitha, për të kujtuar, e për të njohur atë të vërtetë të dhimbshme e cila ende ruhet e gjallë./CNA.al

 

Lajmet e fundit nga