LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH-Korça në festë/ Nisin Karnavalet, qyteti vishet nga parada me ngjyra

12 Qershor 2021, 13:56, Kulturë CNA
REPORTAZH-Korça në festë/ Nisin Karnavalet, qyteti vishet nga

Korça ka çelur zyrtarisht sezonin turistik 2021, dhe aktiviteti i kësaj dite ishin pikërisht Karnavalet Tradicionale të qytetit.

Prej vitesh në Korçë organizohen karnavalet si një festë tradicionale që sjell një atmosferë të ngrohtë për qytetarët korçarë dhe turistët.

Rreth 25 grupe janë bërë pjesë e marshimit në rrugët e qytetit, me një shumëllojshmëri kostumesh e fabulash që pjesëmarrësit kanë dashur të përcjellin drejt spektatorëve.

Pjesëmarrja e grupeve respektive kishte në fokus 400 lloje të ndryshme kostumesh festive dhe maskat që mbuluan fytyrat e tyre duke përcjellë një bukuri të veçantë, me personazhe të filmave vizatimorë, telenovelave turke dhe kafshëve të ndryshme.

Fëmijët kanë qenë ata që kanë festuar të gëzuar këtë ditë, që prej orës 11 të paradites e që do të kulmojë në një paradë në qytet pasditen e sotme.

Spektatorëve u është dhënë mundësia të bëjnë fotografi me personazhet e po ashtu të shijojnë me entuziazëm festën e mrekullueshme të karnavaleve.

Kemi lënë pas një vit të vështirë për shkak të pandemisë e këtë vit organizimi ka qënë ndryshe nga viti i kaluar ku ka patur grupe të vogla pjesëmarrësish e që nuk kanë mundur ta përcjellin mjaftueshëm atmosferën festive.

Ky vit ka kulmuar pikërisht ditën e sotme me qindra qytetarë korçarë por edhe turistë të huaj që zgjodhën Korçën për të kaluar fundjavën e për t’u bërë pjesë e aktiviteteve në qytet.

Gjatë qëndrimit të grupeve të karnavaleve në pedonalen e qytetit, patëm mundësinë të flasim me disa prej grupeve pjesëmarrëse të cilët me shumë kënaqësi kanë treguar fabulën që lidhet me kostumet shumëngjyrëshe.

Gloria Hoxha është njëra prej vajzave të grupit të “bletëve punëtore”. Të gjitha të veshura me kostume me ngjyrë të zezë e të verdhë e duke mbajtur në dorë hojet e bletëve.

Ajo tregon me shumë gëzim arsyen e pjesëmarrjes së tyre në këtë sezon karnavalesh.

Ne sot simbolizojmë bletët punëtore, të cilat janë sezoni i pranverës. Na pëlqejnë shumë bletët, sepse shkojnë lule më lule dhe nxjerrin mjaltin.

Mjalti është shumë i preferuar nga të gjithë dhe për këtë arsye u bëmë sot pjesë e karnavaleve. Nuk është hera e parë që ne jemi pjesëmarrëse, dëshirojmë të jemi çdo vit në këtë organizim.

Fatmirësisht pandemia kaloi dhe ndihemi shumë të lumtura që po shijojmë së bashku me qytetarët e Korccës këtë aktivitet.” – tregon Gloria.

Mark Stoscher është një shtetas amerikan, pjesë e karnavaleve i cili bashkë me grupin e tij ka vendosur të sjellë një tjetër fabul për publikun.

Jemi të gjithë nga Kolonja, po kënaqemi shumë. Sot është një ditë shumë e bukur, dielli shkëlqen dhe na jep një kënaqësi fantastike. Ne kemi ardhur me një mëndim në këto karnavale, të gëzoheni gjithmonë në zoti. Njerëzit falin njëri tjetrin, që është shumë e vështirë, por duhet të ndodhë tek çdokush, që fytyrat e të gjithëve të jenë më pas të gëzuara. Ja, kështu si jemi ne të gëzuar e me buzëqeshjen në fytyrë.” – shprehet Mark.

Turistët e huaj nuk kanë munguar këtë ditë të veçantë për qytetin, dhe kanë zgjedhur pikërisht Korçën e bukur për të kaluar fundjavën. E ku më mirë do të festohej fundjava përvecse në Korçë me Karnavalet?

Një çift të huajsh kanë ardhur posaçërisht në qytetin juglindor për të parë Karnavalet.

Ne jemi nga Polonia dhe Ukraina. Vendosëm të vinim në Korçë sot për të parë festën e karnavaleve dhe për të shijuar atmosferën e tyre. Jemi shumë kuriozë të shohim se çfarë do të ndodhë sot, me gjithë kostumet e mrekullueshme dhe plot ngjyra. Gjithçka duket kaq bukur, njerëzit e qeshur, janë bërë shumë të veçantë me këto veshjet dhe mezi presim të shohim pasditen. Jemi të sigurt se do të jetë një ditë fantastike.” – tregon çifti i turistëve.

Edhe një turist gjerman është bërë pjesë e publikut, duke qëndruar prej disa orësh në pedonale e duke shijuar çdo grup pjesëmarrësish. Adelbert Ringwald, tepër i lumtur, ka treguar ndjesitë që i përcjell festa që organizohet edhe në shtetin e tij.

Unë jam nga Gjermania, kam disa muaj që jetoj në Shqipëri, në Elbasan. Më pëlqen shumë Korça dhe sapo mora vesh që sot ishin Karnavalet erdha menjëherë këtu. Nuk mund ta humbisja festën e bukur sepse më kujton qytetin tim ku organizohet çdo vit ashtu si në Korçë. Nuk e prisja të kishte kaq shumë grupe pjesëmarrëse. Me të vërtet një organizim shumë i mirë me përmbajtje të veçanta. Është e mrekullueshme mënyra sesi ju festoni. Dhe unë sot do festoj së bashku me ju, edhe me birrën që e keni shumë të mirë.” – shprehet Adelbert.

Karnavalet e Korçës do të vijojnë deri mbrëmjen e sotme marshimin në rrugët kryesore të qytetit, që prej orës 18:00 të pasdites.

Të gjithë do të kenë mundësinë të përjetojnë një ditë ndryshe, me street party në bulevard Republika e më pas me përfundimin e saj tek Pazari i Vjetër i qytetit.

E ne s?na mbetet gjë tjetër veçse t’u urojmë që këto karnavale t?i kaloni sa më bukur nën shoqërinë e familjes dhe të miqve./CNA.al

 

Lajmet e fundit nga