LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Këshilli i Sigurimit të OKB-së zgjedh sot 5 anëtarë jo të përhershëm/ Në garë edhe Shqipëria

11 Qershor 2021, 07:14, Aktualitet CNA
Këshilli i Sigurimit të OKB-së zgjedh sot 5 anëtarë jo

Edhe pak orë dhe Shqipëria mund të bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, që do të ishte një prej arritjeve më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare nga ana e shtetit tonë. Në New York, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, pritet të votojë për 5 shtetet e reja të cilat do të jenë anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ndodhet në New York. Ditën e djeshme Xhaçka është pritur nga përfaqësuesit e përhershëm të 5 vendeve anëtare me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, me përfaqësuesit e përhershëm të atyre vendeve që për dy vitet e ardhshme do shërbejnë në Këshill së bashku me Shqipërinë, si dhe me një numër përfaqësuesish të përhershëm të vendeve të tjera.

Ministrja Xhaçka ka njoftuar bashkëbiseduesit se Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të drejtat e njeriut, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm, ndryshimet e klimës dhe ndikimi negativ në çështjet e sigurisë, si dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit do jenë prioritetet kryesore të punës së Shqipërisë, që reflektojnë dhe prioritetet e OKB-së.

Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 65 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë. Vendi ynë paraqitet në këto zgjedhje si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore dhe e mbështet këtë kandidaturë në 5 prioritetet kryesore:

? Respektimi i të drejtave të gruas, si kontribut për paqe dhe siguri të qëndrueshme;

-Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i ligjit ndërkombëtar;

-Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm  dhe terrorizmit;

-Ndryshimet e klimës dhe lidhjet e tyre me rreziqet ndaj sigurisë globale;

-Metodat e punës të Këshillit të Sigurimit

Duke qenë kandidaturë e vetme Shqipëria ecën e sigurt drejt zgjedhjes dhe marrjes së konfirmimit, kur i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare.

Ambicien për të qenë pjesë e Këshillit të Sigurimit Shqipëria e ka shfaqur që në shtator të vitit 2018. Pas Presidencës së OSBE-së, kjo do të ishte një arritje edhe më e madhe. Nëse konfirmohet më 11 qershor, Shqipëria e merr mandatin në janar të vitit 2022.

Lajmet e fundit nga