Connect with Us

Vënë në shënjestër kritikët në mërgim/ Bjellorusia i bashkohet listës së gjatë të regjimeve

Bota

Vënë në shënjestër kritikët në mërgim/ Bjellorusia i bashkohet listës së gjatë të regjimeve

Publikuar

-

Me qëllim arrestimin e një kritiku në mërgim, Bjellorusia bëri diçka që asnjë qeveri tjetër nuk e kishte bërë më parë, trilloi një situatë kërcënimi me bombë, si dhe përdori një avion ushtarak, për të detyruar një aeroplan civil që po fluturonte mbi hapësirën e saj ajrore, të ulej në kryeqytetin e vendit Minsk.

Në bordin e avionit, që ishte nisur nga Greqia për në Lituani ishte 26-vjeçari Raman Pratasevich, një aktivist dhe bloger. Me uljen e aeroplanit, gazetari u ndalua nga autoritetet.

Zoti Pratasevich ishte kryeredaktori i një kanali popullor të Telegramit, “Nexta”, i cili shërben si një medium i fuqishëm për zërat opozitarë në Bjellorusi. Zoti Pratasevich ishte në kërkim në Bjellorusi. Ai ishte pjesë e një liste të dyshuarish për terrorizëm dhe akuzohej për nxitje të trazirave gjatë protestave të vitit të kaluar mbi zgjedhjet e debatueshme presidenciale.

Pas arrestimit të tij zoti Pratasevich u shfaq në televizionin shtetëror duke bërë komente të cilat sikurse u tha gjerësisht, ishin bërë nën presion. Familja e tij dhe grupet e të drejtave të njeriut treguan shenja e mavijosje të dukshme në pamjet filmike të transmetuara, dëshmi sipas tyre se ndaj gazetarit ishte ushtruar dhunë.

Incidenti ka shkaktuar një protestë globale. Qeveritë perëndimore kanë kërcënuar se do të vendosin sanksione ndaj sektorëve kryesorë të ekonomisë bjelloruse dhe Bashkimi Evropian ka ndaluar avionët e këtij vendi që të fluturojnë mbi hapësirën ajrore evropiane.

Edhe pse një rast ekstrem, incidenti i Bjellorusisë nuk është i izoluar. Qeveritë autoritare vazhdojnë të gjejnë mënyra për të rrëmbyer apo edhe vrarë kritikë, gazetarë, aktivistë dhe figura të opozitës që jetojnë në mërgim.

Ngjarja më e tmerrshme ishte vrasja në vitit 2018 e gazetarit të “Washington Post-it”, Jamal Khashoggi, në një konsullatë saudite në Stamboll. Në fillim të këtij viti administrata e Presidentit Joe Biden deklasifikoi një raport të zbulimit që dilte në përfundimin se Princi i Kurorës Mohammed Bin Salman kishte miratuar operacionin në Turqi “për kapjen ose vrasjen e gazetarit saudit”.

Nate Schenkkan, drejtor mbi Strategjinë Kërkimore dhe bashkëautor i një raporti të Freedom House, që trajton rreziqet me të cilat përballen disidentët, thotë se qeveritë që ndjekin kritikët përtej juridiksioneve të tyre shkelin qartë ligjin ndërkombëtar.

Vrasja e dikujt jashtë territorit të vendit pa gjyq është padyshim e paligjshme. Rrëmbimi i dikujt është tërësisht i paligjshëm, zhdukja e dikujt është e paligjshme dhe gjithashtu devijimi i një avioni komercial duke përdorur një avion luftarak, nuk ka asnjë diskutim se është një operacion krejtësisht i paligjshëm”, thotë ai për “Zërin e Amerikës”.

“Rrëmbimi” ndërkufitar

Ankaraja ishte mjaft e zëshme lidhur me vrasjen e gazetarit Khashoggi në Stamboll. Në nëntor të vitit të kaluar zhvilloi një proces gjyqësor në mungesë ndaj rreth njëzet agjentëve sauditë, të cilët sipas autoriteteve turke dyshoheshin të ishin përfshirë në vrasjen e tij.

Por Turqia bashkohet me Bjellorusinë, Vietnamin, Taxhikistanin dhe Iranin me përpjekjet e saj për të risjellë me detyrim në vend individë të larguar nga frika e përndjekjes.

Në mars të 2018, zbulimi turk rrëmbeu gjashtë shtetas turq që jetonin në Kosovë. Ata u dërguan në vendin e tyre për t’u përballur me akuzat për terrorizm për shkak lidhjeve të dyshuara me një lëvizje të udhëhequr nga kleriku turk Fethullah Gulen i cili jeton në SHBA dhe që është shpallur si terrorist nga Turqia. Zoti Gulen akuzohet nga Ankaraja për organizimin e përpjekjeve të dështuara për grush shteti në vitin 2016, akuzë që ai e ka hedhur poshtë.

Kudo që ata mund të shkojnë ne do t’i kapim dhe do t’i sjellim këtu“, tha Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan rreth operacionit.

Zoti Schenkkan, i organizatës “Freedom House”, thotë se Kosova bashkëpunoi me Turqinë duke u revokuar lejet e qëndrimit “për arsye të lidhura me sigurinë kombëtare”.

Ekziston një lloj procesi juridik i trilluar. Them i trilluar, sepse këtyre njerëzve nuk u dha asnjë mundësi për të parë bazën mbi të cilën po u hiqej e leja e qëndrimit në atë vend. Atyre nuk iu dha asnjë mundësi për këshillim apo avokatë që mund t’i ndihmonin në kundërshtimin e këtij vendimi”, shton ai.

LEXO EDHE:  Mjeku kritikon Top Channel/ "Edhe në humor folën për COVID-19, duhet të qetësonin qytetarët"

Më vonë kryeministri i Kosovës shkarkoi ministrin e brendshëm të vendit dhe kreun e shërbimit sekret për mosinformim të tij në lidhje me arrestimet, sikurse raportoi agjencia e lajmeve “Reuters” në vitin 2018.

Kohët e fundit, media shtetërore turke publikoi foto ku shfaqej me pranga nipi i Fethullah Gylenit, Selahaddin Gulen. Ai u riatdhesua me forcë nga një vend i huaj emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

Ata që detyrohen të kthehen shpesh përballen me burgim ose dënim me vdekje.

Për të siguruar ekstradimin e një personi, në disa raste, autoritetet e paraqesin atë si kërcënim për sigurinë kombëtare.

Gazetari disident Ruhollah Zam kishte fituar azil politik në Francë, ku drejtonte “Amad News”, në kanalin e njohur “Telegram”. Irani tha se faqja e internetit kishte nxitur protesta të përhapura në 2017 dhe 2018.

Në vitin 2019, zoti Zam u josh që të shkonte në Irak me premtimin se do bënte një intervistë me një zyrtar të nivelit të lartë. Por agjentët iranianë e rrëmbyen dhe autoritetet ngritën akuza të shumta kundër gazetarit, përfshirë bashkëpunimin me zbulimet e huaja dhe përhapjen e lajmeve të rreme. Ai u ekzekutua në muajin dhjetor.

Rasti i zotit Zam u citua në një rezolutë dypalëshe të miratuar nga ligjvënësit amerikanë muajin e kaluar ku thuhej se gazetari u akuzua për “përhapje të korrupsionit në tokë” për shkak të raportimeve të tij.

Në disa raste, gazetarë, blogerë dhe aktivistë janë rrëmbyer në rrugë dhe janë kthyer me forcë në vend.

Truong Duy Nha, i cili ka shkruar blogje për shërbimin në gjuhën vietnameze të “Radios Evropa e Lirë”, një organizatë simotër e “Zërit të Amerikës”, u largua nga Vietnami në dhjetor 2018 për në Tajlandë, ku kishte kërkuar azil nëpërmjet programit për refugjatët të OKB-së.

Disa javë më vonë ai u rrëmbye pranë një qendre tregtare në kryeqytetin e Bangkokut dhe u dërgua përsëri në Vietnam, sipas vajzës së tij Doan Truong, e cila ndodhet në Kanada.

Në mars të vitit 2020, ndaj Truong Duy Nha-t u zhvillua një proces gjyqësor në Hanoi dhe ai u dënua me 10 vjet burg për mashtrim të publikut ndërsa punonte për një media që drejtohej nga shteti.

Vajza e gazetarit i tha “Zërit të Amerikës” se ai po bën punë të detyruar dhe se për shkak të kufizimeve të COVID-19, autoritetet nuk i kanë lënë anëtarët e familjes dhe miqtë e tij ta vizitojnë për muaj me radhë.

Babait tim i kërkohet të punojë nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 5 pasdite, me një orë pushim dreke, pesë ditë në javë. Puna e tij përfshin thurje shportash”, thotë zonja Truong.

Të tjerë persona në mërgim janë joshur nga autoritetet e vendit të tyre me stimuj të ndryshëm, sikurse Sharofiddin Gadoev, një aktivist politik nga Taxhikistani, i cili kishte fituar azil politik në Holandë.

Zoti Gadoev tha se në vitin 2019 ishte ftuar në Moskë për të takuar një zyrtar të nivelit të lartë. Por ai kishte qenë një kurth.

Në vend të takimit unë u rrëmbeva, u rraha dhe u dërgova me forcë në Taxhikistan“, tha ai. “Kur u arrestova në territorin e Federatës Ruse, nuk u zhvillua asnjë procedurë mbi ekstradimin tim. Ishte rrëmbim“, shprehej ai në një email drejtuar “Zërit të Amerikës”.

Ai ia atribuon lirimin e tij përpjekjeve të qeverive evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Duke patur parasysh kërcënimet në rritje ndaj lirisë së shtypit në të gjithë botën, rezoluta paraqitur nga senatori republikan Marco Rubio dhe ai demokrat Bob Menendez, thekson “rëndësinë e një shtypi të pavarur për shëndetin e demokracisë dhe riafirmon lirinë e shtypit si përparësi të Shteteve të Bashkuara në mbështje të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes“./ VOA

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

Liderët e BE-së Hungarisë: Respektoje LGBT-në ose dil nga blloku

Publikuar

-

Nga

Liderët e Bashkimit Evropian i kanë thënë Hungarisë që të respektojë të drejtat e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) ose ta dalë nga blloku. Parlamenti hungarez e ka miratuar një ligj i cili ndalon diskutimet dhe shpërndarjen në shkolla të informacioneve, që mendohet se promovojnë homoseksualitetin dhe ndërrimin e gjinisë.

Ligji, më saktësisht, u ndalon fëmijëve dhe të rinjve librat, filmat dhe përmbajtjet që flasin për seksualitet tjetër, përveç heteroseksualitetit. Ndryshimet ligjore të propozuara, duhet të miratohen nga presidenti i Hungarisë.

BE-ja është e zemëruar me kryeministrin konservator të Hungarisë, Viktor Orban për miratimin e këtij ligji. Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, u tha gazetarëve më 25 qershor se gjatë samitit dy-ditor të bllokut, disa nga homologët e tij u përplasën personalisht me Orbanin në lidhje me këtë ligj.

Një ditë më parë ai tha se Hungaria “nuk ka më punë në Bashkimin Evropian”.

Kjo çështje ka kthyer në qendër të vëmendjes edhe diskutimet në lidhje me pamundësinë e BE-së për të frenuar “demokracitë joliberale” midis vendeve anëtare si Hungaria dhe Polonia.

Qeveritë e këtyre vendeve janë thellësisht konservatore, nacionaliste dhe mbajnë një qëndrim kundër migrantëve. Ato kanë shpërfillur standardet dhe vlerat demokratike të bllokut për vite me rradhë.

LEXO EDHE:  Foto/ Gratë që gjenden në listën e më të kërkuarve të FBI

LEXO EDHE:  Renditet në listën e modeleve më të bukura në botë, kjo është shqiptarja që po i “tërbon” të gjithë

Sipas raporteve, vetëm Polonia dhe Sllovenia kanë mbështetur Orbanin për këtë ligj. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, duke komentuar përplasjet me Hungarinë, e quajti situatën si një betejë me civilizimin dhe kulturën.

“Unë thashë: Ju duhet të tërhiqni ligjin dhe, nëse nuk ju pëlqen kjo dhe me të vërtetë thoni se vlerat evropiane nuk janë vlerat tuaja, atëherë duhet të mendoni nëse do të qëndroni në Bashkimin Evropian”, tha Macron. Por, më vonë ai u tërhoq paksa nga qëndrimi i tij duke thënë se nuk e mbështet dëbimin e Hungarisë nga blloku.

Përpara samitit, udhëheqësit e 17 nga 27 vendet anëtare të bllokut nënshkruan një letër që dënonte çdo formë diskriminimi bazuar në orientimin seksual, duke thënë se “respekti dhe toleranca janë në thelbin e projektit evropian”.

Letra nuk e përmendi në mënyrë të qartë Hungarinë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se ligji është “i turpshëm” duke shtuar se ekzekutivi i BE-së po shqyrton edhe marrjen e veprimeve ligjore. Në anën tjetër, Orban ka thënë se ligji nuk është kundër homoseksualëve, por vetëm ka të bëjë me lejimin e prindërve të vendosin ekskluzivisht se si dëshirojnë të edukojnë fëmijët e tyre. REL

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Situata nga Covid-19 në Kosovë/ Në 24 orë shtatë raste të reja

Publikuar

-

Nga

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë tha të premten (25 qershor) se janë regjistruar edhe shtatë raste të reja të të infektuarve me koronavirus dhe shifra bazohet në 1.224 mostra të testuara.

Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes. Nga sëmundja COVID-19 janë shëruar edhe 12 pacientë ndërsa raste aktive janë 166.

Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive në Kosovë arrin në 107.714, i viktimave në 2.256 dhe i të shëruarve në 105,292. Deri të premten, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, janë dhënë 152.643 doza të vaksinës kundër koronavirusit, ndërsa 26.794 qytetarë tashmë janë vaksinuar me dozën e dytë.

LEXO EDHE:  Zvicra heq Kosovën nga lista e karantinës/ Shton rajonet me rrezik të lartë nga Covid-19

LEXO EDHE:  Mjeku kritikon Top Channel/ "Edhe në humor folën për COVID-19, duhet të qetësonin qytetarët"

Vaksinimi po bëhet me doza të dhuruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga Bashkimi Evropian dhe shtete individuale.

Procesi i vaksinimit në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars. REL

LEXO TE PLOTE

Bota

Samiti i BE/ Shumica kundër Viktor Orbanit

Publikuar

-

Nga

Kryeministri hungarez, Viktor Orban u kritikua ashpër për shkak të ligjit që diskriminon homoseksualët në Hungari, por ai vazhdoi të qëndrojë kokëfortë. Grindja në BE la në hije samitin e fundit të Merkelit si kancelare.

Disa krerë shtetesh e qeverish në samitin e BE në Bruksel mbanin simbolin e ylberit, si kryeministri belg, Alaxander de Croo për të protestuar kundër ligjit hungarez që diskriminon homoseksualët në Hungari. KRerë të 17 vendeve anëtare të BE nënshkruan një letër, nismën e së cilës e kishte marrë kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel. Kryeministri hungarez, Mark Rutte e humbi durimin me provokimet e vazhdueshme nga Budapesti. “Për mua ju nuk keni ç’kërkoni më Bashkimin Europian”, tha Rutte.

Xavier Bettel shikon kalimin e vijës së kuqe

Në letrën e 17 vendeve anëtare për kreun e Këshillit të BE, Charles Michel thuhet se “ne duhet të luftojmë më tej kundër diskriminimit të komunitetit LGBTQ dhe theksojmë sërish, se ne mbrojmë kështu të drejtat e tyre bazë.” Kryeministri i Luksemburgut, Bettel, i cili është i martuar me një burrë, u shpreh, se nëse dikush beson si ligjvënësi hungarez, se reklama i bën të rinjtë homoseksualë “ai nuk e kupton jetën”. Bettel tha se me ligjin që ndalon homoseksualitetin në reklama dhe media është kaluar vija e kuqe.

Kryeministri belg, Alexander de Croo në shenjë proteste kundër ligjit hungarez mban simbolin e ylberit, 24.06.2021

Më parë presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e kishte kritikuar ligjin “thellësisht diskriminues” dhe kishte kërcënuar me masa kundër Hungarisë. Kancelarja Merkel në largim e cilësoi “të gabuar” ligjin. Vetëm përfaqësuesit e vendeve lindore të BE si Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria nuk ngritën akuza.

Viktor Orban nuk ndryshon qëndrim

Kryeministrit hungarez, Viktor Orban duket se nuk i bënë përshtypje këto kritika; “Ligji është vendosur, i bërë publik dhe do të mbetet kështu”, tha ai, duke theksuar se ai vetë ka qenë që në kohët e komunizmit “një luftëtar për lirinë e të drejtat e homoseksualëve”. Nuk bëhet fjalë për homoseksualitetin, por për të drejtën e prindërve, që të vendosin, se ç përmbajtje duhet të ketë edukimi seksual i fëmijëve të tyre. Nën kryeministrin konservator Orban, u fut në kushtetutë norma e familjes e përcaktuar nga burri, gruaja dhe fëmijët. Çifteve homoseksuale i është ndaluar adpotimi i fëmijëve. Edhe gjinia e shënuar në lindje nuk mund të ndryshohet më tek transseksualët. Deri në vitin 2010, kur Orban erdhi sërish në pushtet, Hungaria ishte një nga vendet më liberale të ish-bllokut lindor. Partneriteti i së njëjtën gjini u njoh ligjërisht që në vitin 1996. Ndërkohë qeveria aktuale hungareze ndodhet nën kritika të forta në BE edhe për shkak se cënon rregullisht lirinë e mediave, të shkencës dhe pavarësinë e drejtësisë.

Orban gati të flasë para mediave para samitit, 24.06.2021

LEXO EDHE:  Foto/ Gratë që gjenden në listën e më të kërkuarve të FBI
LEXO EDHE:  Foto/ Gratë që gjenden në listën e më të kërkuarve të FBI

Koordinim më i mirë rregullash në kohë pandemie

Përballja e ashpër me Hungarinë errësoi konsultimet e samitit të BE që duhej të zhvilloheshin për pandeminë e Coronës, Rusinë dhe Turqinë. Për shkak të shtimit të infektimeve me variantin e ri Delta të virusit, 27 vendet anëtare nuk do të lejojnë aq shpejt, siç ishte planifikuar, hyrjen nga shtete të treta, si psh. Britania e Madhe. Kancelarja Merkel kishte kritikuar, që Portugalia lejon turistë britanikë në vend, megjithëse ishujt britanikë janë “zonë varianti e virusit”.

“Ne duhet të jemi shumë vigjilentë”, tha presidenti francez, Emmanuel Macron. Samiti i BE ishte në ujdi, se shtetet e BE duhet të koordinohen më mirë dhe se BE ka nevojë për institucione të forta për kujdesin shëndetësor, të paktën për pandemi të ardhshme, që shpresohet të mos ketë.

Xavier Bettel, kryeministri i Luksemburgut, vetë homoseksual kritikon ligjin e Orbanit

Rusia dhe Turqia – kërkohet dialog, sanksionet kundër Rusisë mbeten

Debati për mënyrën e veprimit me regjimet autokratike u zhvillua në darkën e samitit dhe nuk rezultoi me vendime të ashpra. BE ra dakord që të mbetet në dialog me presidentin Putin për tema të rëndësishme me interesa të përbashkëta. Në të njëjtën kohë do të mbeten në fuqi sanksionet për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, shtypjes së opozitës, të përfshirjeve në konfliktet në Ukrainë dhe Bjellorusi. Kancelarja Merkel në fjalën e saj në Bundestag më parë kishte thënë. “Sipas mendimit tim, ne si Bashkim Europian duhet të kërkojmë kontaktin e drejtpërdrejtë me Rusinë dhe presidentin rus. Nuk mjafton, kur vetëm presidenti, Joe Biden flet me presidentin rus.”

Presidenti francez, Macron e mbështeti idenë e një samiti të mundshëm me presidentin rus. Vende të tjera anëtare, si ato lindore dhe Holanda nuk duan bisedime të drejtpërdrejta.

BE kërkon të përmirësojë marrëdhëniet me Turqinë, thuhet në përfundimet e samitit. Por nga ana tjetër, presidenti turk, Erdogan duhet të punojë për çtensionimin e konflikteve me Qipron dhe konfliktin për gazin në Mesdheun lindor. Përveç kësaj, me Turqinë do të punohet për vazhdimin e “Marrëveshjes për refugjatët” të vitit 2016. Për trajtimin e refugjatëve sirianë në vend, Turqisë i premtohen edhe 3,5 miliardë euro të tjera. Rreth katër milionë sirianë jetojnë ndërkohë në Turqi.

Merkel kërkon kontaktin e drejtpërdrejtë me Putinin/DW

LEXO TE PLOTE