Connect with Us

A ekzistojnë vërtet alienët?/ Ja çfarë thotë raporti i marinës amerikane

Blog

A ekzistojnë vërtet alienët?/ Ja çfarë thotë raporti i marinës amerikane

Publikuar

-

Nuk ka asnjë provë të objekteve aliene që enden në planetin tonë. Të paktën kjo është ajo që pretendohet nga zyrtarët e inteligjencës amerikane, të cilët nuk kanë gjetur prova se të paktën 120 fenomene ajrore të paidentifikuara të para nga pilotët e ushtrisë gjatë 20 viteve të fundit kanë origjinë jashtëtokësore.

Megjithatë nga ana tjetër ata nuk janë ende në gjendje të shpjegojnë trajektoret, shpejtësinë e pabesueshme apo dinamikat e tjera të fluturimit. Kjo është përmbledhja e një raporti ende të klasifikuar, që do të bëhet publik më datën 25 qershor, i paraqitur pak ditë më parë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara nga shërbimet sekrete.

Ai cilësohet si raporti më i detajuar i hartuar ndonjëherë mbi ashtuquajturat Fenomene Ajrore të Paidentifikuara (UAP), një mënyrë më neutrale e atyre që në të kaluarën janë quajtur Objekte Fluturuese të Paidentifikuara (UFO). Po çfarë do të thotë kjo?

Raporti i kërkuar dhjetorin e kaluar nga senatori i Floridës Marko Rubio, përmban një analizë e detajuar të të dhënave mbi fenomenet ajrore të paidentifikuara, të mbledhura nga Zyra e Inteligjencës Detare, FBI dhe Task Forca e Dukurive Ajrore të Paidentifikuara, dhe një deklaratë e ish-presidentit Barak Obama në emisionin “Late Late Show” të Xhejms Korben, kanë ndezur fantazitë e atyre që besojnë se alienët ekzistojnë.

A thua se “UAP” të ishte sinonim i “jashtëtokësorëve”,dhe jo një përkufizim për të treguar ndonjë objekt që ushtria nuk po mundet ta identifikojë, ndoshta një dron apo një avion civil që ka hyrë në hapësirën ajrore ku stërviten pilotët e ushtrisë amerikane.

Në fakt nuk ka asgjë nga këto. Megjithëse me disa paqartësi, raporti i kërkuar nga Rubio tregon se ekspertët e dinin se çfarëdo të synonte ai:të paralajmëronte opinionin publik, si në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë, mbi veprimtarinë e mbikëqyrjes nga fuqitë e huaja, sidomos nga Kina dhe Rusia, duke qenë se dihen investimet e këtyre të fundit në avionë hipersonikë.

Pra me pak fjalë, nuk ka asnjë zbarkim të Marsianëve ose të vizitorëve të tjerë jashtëtokësorë, të paktën duke gjykuar nga provat e mbledhura deri më tani,numri i të cilave, ç`është e vërteta është rritur vitet e fundit.

Në vitin 2019, marina amerikane kishte konfirmuar vërtetësinë e disa videove ku shfaqen objekte që lëvizin në mënyrë të çuditshme. Ajo shtoi detaje të mëtejshme në zbulimet e bëra nga një program gjurmimi mbi UFO-t nga ana e Pentagonit, i udhëhequr në vitin 2007 nga ish-udhëheqësi i Senatit nga radhët e demokratëve Herry Reid.

Në gushtin e vitit të kaluar 2020, themelohet Task Forca për Fenomenet UAP për të “marrë informacione të detajuara” mbi “natyrën dhe origjinën” e objekteve të paidentifikuara fluturuese. Në fakt, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kishte de-klasifikuar 3 video të realizuara nga pilotët e marinës amerikane – një nga nëntori 2004 dhe dy nga janari 2015 -që tregonin objekte misterioze, të cilat lëviznin me shpejtësi shumë të madhe.

LEXO EDHE:  Objekt fluturues misterioz pranë vullkanit në Kili

Videot ishin bërë publike në media vite më parë, por zyrtarët e Pentagonit, që konfirmuan vërtetësinë e tyre i klasifikuan ato si sekrete për të “sqaruar çdo keqkuptim publik nëse imazhet ishin reale ose jo, apo nëse kishte më shumë se një video të tillë”.

Pra videot nuk janë të rreme,dhe siç pritej ato nuk tregojnë avionët amerikanë, madje as programet tepër sekrete. Siç konfirmoi raporti i prezantuar në Kongres Më 3 qershor dhe për mediat më 25 qershor, kjo nuk do të thotë se kemi të bëjmë doemos me objekte aliene që kanë zbarkuar në Tokë.

E njëjta gjë vlen edhe për një video tjetër të marinës amerikane, që daton në korrikun e vitit 2019, dhe në të cilën një objekt sferik i panjohur fluturon mbi det afër San Diegos. Video e marrë nga një regjisor dokumentarësh dhe e transmetuar në televizionin Nbc News, tregon objektin e padeshifrueshëm që fundoset në ujë pas një fluturimi prej disa minutash.

Në realitet, qëndrimi i autoriteteve amerikane është gjithçka veçse jo i qartë. Ata autorizojnë shpërndarjen e pamjeve dhe ndërkohë konfirmojnë vërtetësinë e tyre, pra faktin që imazhet dhe fotot nuk janë artificiale.

“Përshtypja ime është se Departamenti amerikan i Mbrojtjes, është lodhur duke toleruar fuqi të tjera që ta vëzhgojnë atë dhe po kërkon mënyrën më të zgjuar për ta bërë të njohur këtë fakt”- thotë Paolo Ativisimo, një nga ekspertët më të njohur në Italinë Komitetin Italian për kontrollin e pretendimeve mbi Pseudoshkencat.

“Nga pikëpamja ushtarake, situata është delikate. Për amerikanët do të ishte një shenjë dobësie, pranimi se nuk janë në gjendje që të reagojnë kur dronët e fuqive të tjera survejojnë anijet e tyre ose shkelin hapësirën ​​ajrore të stërvitjes së avionëve luftarakë.

Edhe rrëzimi i këtyre dronëve do të shkaktonte një incident diplomatik. Kjo është arsyeja se pse ka qenë gjithmonë më e përshtatshme të besojmë se ekzistojnë UFO-t. Nga incidenti i Rozuell e tutje, ekziston një traditë e pasur në këtë drejtim. Incidentet ushtarake shpesh mbulohen duke sugjeruar se ishte ndonjë ndërhyrje jashtëtokësore, në mënyrë që të parandalohen hetime më të thelluara mbi një operacion sekret?”- thekson ai./CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pse po dështon Haga në Ballkan, dhe pse pati sukses Nurembergu me Gjermaninë

Publikuar

-

Nga

Nga Igor Pellicciari “Formiche.net”

Më 8 qershor, një muaj përpara datës së përvjetorit të saj në korrik, Masakra e Srebrenicës është rikthyer në qendër të vëmendjes. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe, ndërkohë që ish-gjeneralit serbo-boshnjak Ratko Mlladiç,mori dënimin e shkallës së dytë me burgim të përjetshëm,i akuzuar si autor i asaj që ishte faqja më e errët dhe më tragjike në historinë evropiane të pas Luftës së Dytë Botërore.

Ishte kjo që e tronditi thellë botën në atëkohë, dhe e bindi SHBA-në e administratës së Bill Klinton të ndërhynte drejtpërdrejt për t’i dhënë fund konfliktit në Bosnje Hercegovinë. Për ata që i kanë provuar ato ngjarje si dëshmitarë okularë, rezultati i procesit gjyqësor ishte i dukshëm,e megjithatë ai pritej me padurim me shpresën se do të shkëpuste marrëdhëniet me një të kaluar tragjike, tek e cila asnjë njeri normal nuk do të donte të rikthehej qoftë edhe pjesërisht.

Por ai vendim jo vetëm që nuk e ka mbyllur kapitullin e përgjegjësisë individuale për atë që ka ndodhur në luftë, por madje duket se i ka përkeqësuar ndarjet etniko-politike në zonë. Mjafton të kujtojmë udhëheqësin serb të Bosnjes, njëherazi anëtar të presidencës kolegjiale në Sarajevë, Milorad Dodik (që në kohën e ngjarjeve në Srebrenicë ishte kundërshtar politik i Radovan Karaxhiç), i cili deklaroi se vendimi ishte i padrejtë, si dhe një dënimin kolektiv dhe paragjykues kundër popullit serb.

Në raste të tjera, deklarata të tilla do të kishin sjellë protesta të mëdha në sheshet e qyteteve. Por ato janë thjeshtë një tregues i trishtë i një vendi që është i bllokuar prej dekadash në paqartësinë e pasluftës. Një ndër arsyet e këtij operacioni gjyqësor jo të plotë (ta quash njëështim do të ishte e padrejtë duke qenë se disa rezultate janë parë) është roli i Gjykatës Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, struktura e diskutueshme dhe organizimi kontradiktor i punës që ka ndodhur në këto vjet

Ajo ka arritur shumë pak nga objektivat që bashkësia ndërkombëtare i vuri vetes. E themeluar në vitin 1993, në mesin e konfliktit boshnjak, kjo gjykatë supozohej të vepronte në radhë të parë si një parandaluese e përsëritjes së krimeve të luftës që kishin ndodhur tashmë në Bijelina, Brcko, Zvornik, Doboj etj.

Ndërkohë, Masakra e Srebrenicës ndodhi dy vjet më vonë, në vitin 1995, madje e shpallur

në mënyrë provokative dhe në dritën e diellit, ashtu si episodet e tjera që do të pasonin në fillim në Bosnjë dhe më pas në Kosovë, duke qenë akte kriminale kundër civilëve të paarmatosur, të kryera shpesh nga grupimet paraushtarake.

Sapo përfunduan konfliktet ballkanike, periudha e pasluftës përfaqësoi fiziologjikisht një kontekst që e shtoi volumin e punës së kësaj gjykate, teksa nënvizoi në të njëjtën kohë edhe dobësitë e saj kryesore. Që të gjitha këto të fundit kishin të bënin me aspektet gjyqësore, politike dhe institucionale, shpesh të lidhura bashkë në një formë osmotike.

LEXO EDHE:  7 korrik 1947/ Çfarë ndodhi realisht në Rozuell, u rrëzua një UFO apo një balon meteorologjik?
LEXO EDHE:  NASA i merr seriozisht UFO-t, fillon hetimi

Kjo është më e dukshme kur krahasohet me Gjykatën Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut, precedenti historik dhe referencë për të gjitha procedurat penale kundër krimeve të luftës.

Krahasuar me Nurembergun, që u ngrit pas disfatës së qartë të nazizmit, sfida kryesore e Hagës, është të veprojë në një kontekst boshnjak, ku fundi i armiqësive i shënuar nga Marrëveshjet e paqes së Dejtonit (nënshkruar vetëm 5 muaj pas Srebrenicës),nuk arritën të përcaktojë qartë një kornizë politiko-institucionale se kush ishin fituesit dhe kush humbësit.

Jo aq në nivelin ushtarak se sa në vlerat kushtetuese të shtetit të ri, që në fakt sanksionoi ndarjen mbi një bazë etniko-fetare, i përndjekur nga të njëjtat nacionalizma që kishin shkaktuar konfliktin.

Por delegimi i përcaktimit të një të vërtete historike të pasluftës, e ndarë jo në një nivel politik-institucional (një hap brutal, por i domosdoshëm në çdo periudhë të pasluftës) por në një rrugë gjyqësore ndërkombëtare, e cila gjykon më shumë sesa aktet kriminale idetë që i frymëzuan, ka çuar në politizimin e drejtësisë.

Për më tepër, leximi politik i ngjarjeve gjyqësore dhe efektet e tyre negative, janë edhe më shkatërruese nëse drejtësia shprehet me vite vonesë. Ndërsa Nurembergu pati sukses edhe sepse mbaroi punë brenda 1 viti, dënimi i Mlladiç vjen 26 vjet pas Masakrës së Srebrenicës.

Pra ai ka humbur shumë nga kuptimi i tij origjinal, duke krijuar boshllëqe të interpretueshme, të cilat mund të plotësohen nga aktorët politikë të momentit. Dhe kjo gjë çon në një vlerësim përfundimtar të një natyre institucionale. Nuk është rastësi që Haga dhe Nurembergu shoqërohen zakonisht në formë gjinore me dy emra të ndryshëm:i pari te “Gjykata”, i dyti “Gjyqi”.

Gjykata e Hagës është institucionalizuar në dekadat e fundit si një Organizatë Ndërkombëtare e pavarur, si për kostot e konsiderueshme të menaxhimit të saj, ashtu edhe për personelin e përhershëm administrativ që punon atje.

Ky proces i burokratizimit ka sjellë me vete dukurinë klasike të transpozimit të qëllimeve, me organizatën që është e interesuar të ndjekë, përveç objektivave për të cilat është themeluar, edhe masat për mirëqenien e saj.

Nga ky këndvështrim, gjyqet e Gjykatës së Hagës u krijuan dhe u menaxhuan si projekte reale të asistencës teknike, të cilat e justifikuan mbijetesën e tyre dhe zhvillimin organizativ. Me dëmin anësor që në këtë mënyrë kontribuon në ngarkimin e tepruar të procedurës gjyqësore, duke shumëzuar hapat e ndërmjetëm të nevojshëm për të arritur një dënim përfundimtar në procedurat e ndryshme.

Nga ana tjetër,Gjyqi i Nurembergut nuk shkoi përtej gjykimit të hierarkëve nazistë (dhe nuk u kthye në një gjykatë të përhershme). Ndoshta pikërisht këtu qëndron suksesi në rilindjen e shoqërisë gjermane të pasluftës./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Edhe një vonesë tjetër në procesin e integrimit do të destabilizonte të gjithë Ballkanin

Publikuar

-

Nga

“The Straits Times”

Me mefshtësinë e tij në procesin e zgjerimit, Bashkimi Evropian rrezikon që ta humbasë Ballkanin tek Rusia dhe Kina, duke u lënë shumë hapësirë këtyre të fundit,dhe duke rritur tensionet në rajonin më të paqëndrueshëm të kontinentit.

Përpjekjet për të mbrojtur stabilitetin në Ballkan po sabotohen nga bisedimet e bllokuara të anëtarësimit në BE për Maqedoninë e Veriut. Gjatë 16 viteve të kaluara, ish-Republika Jugosllave bëri të gjithë sa iu kërkuan për ta provuar veten të denjë për fillimin e negociatave, por sërish është lënë në pritje.

Së bashku me Maqedoninë e Veriut, 5 kombe të tjera të Ballkanit janë kandidate për t’u anëtarësuar në union:Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Por me BE-në që bie nga kriza në krizë, ritmi i zgjerimit është ngadalësuar që nga koha kur u anëtarësua Kroacia në vitin 2013.

Kjo ka krijuar një mundësi të artë për forcat rivale, duke përfshirë Rusinë, Kinën, Turqinë dhe Arabinë Saudite, që të forcojnë ndikimin e tyre. Gadishulli i trazuar, që ka qenë prej kohësh një fushëbeteje gjeopolitike, është sërish i mbushur me tensione.

Janë ringjallur pretendimet territoriale, ndarjet etnike po thellohen, dhe disa politikanë po diskutojnë hapur nevojën për ndryshimin e kufijve. Ashtu si në pjesën tjetër të Evropës Lindore, plani i BE-së ka synuar forcimin e stabilitetit në rajon, duke ruajtur perspektivën e anëtarësimit për vendet që ndërtojnë institucione demokratike, luftojnë korrupsionin dhe hapin ekonominë.

“BE-ja ka humbur shumë nga besueshmëria e saj në Maqedoninë e Veriut”- thotë Valentin Inzko, diplomat austriak që sapo përfundoi mandatin e tij 12-vjeçar si Përfaqësues i Lartë për Bosnje Hercegovinën, një post kyç për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së paqes së vitit 1995.

“Më e keqja është lejimi i një vakuumi, pasi të tjerët do të nxitojnë që ta mbushin atë”-thekson ai. Edhe një vonesë tjetër në procesin e integrimit do të destabilizonte të gjithë Ballkanin, rajon ku ngritja e udhëheqësve nacionalistë ka shkaktuar tensionet në nivelin më të lartë që nga fundi i luftërave të përgjakshme që përfunduan më pak se një brez më parë.

Me Slloveninë që merr presidencën e radhës së BE-së më 1 korrik, diplomatët evropianë mund të kenë një shans për të shënuar një farë progresi. “Çështja maqedonase është një provë serioze për besueshmërinë e BE-së, jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë rajonin”- thotë Dushko Arsovski, zëdhënës i qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev në Maqedoninë e Veriut.

Problemet janë në rritje. Me mbështetjen e heshtur të Rusisë, ka një lëvizje në rritje nga serbët e Bosnjës për t’u shkëputur nga federata e Bosnje e Hercegovinës. Mali i Zi u përball me një përpjekje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016, e cila synonte të parandalonte anëtarësimin e saj në NATO.

Në Maqedoninë e Veriut marrëveshja për të ndryshuar emrin e vendit, u prit me shumë kundërshtime, për të cilat Shtetet e Bashkuara bënë fajtore Rusinë.“Ka shumë gjëra mbi të cilat duhet shqetësuar”-shprehet Peter Galbreit, ambasadori i parë i SHBA-së në Kroacinë e sapo-pavarur, që luajti një rol kryesor në dhënien fund të luftërave në Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë.

LEXO EDHE:  74-vjeçari që ka humbur virgjërinë me alienët

LEXO EDHE:  Alienë, porta për në botën e nëndheshme/ Kush janë teoritë kryesore konspirative rreth Antarktidës

Në vitet 1990, kur rajoni u zhyt me shpejtësi në luftë, SHBA-ja ndërhyri. Por tani “ky është një problem evropian dhe kërkon një udhëheqje evropiane” shprehet Gelbreit. Aleati më i madh i Rusisë në rajon, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, po e promovon veten si bashkues të të gjithë serbëve, duke i bërë jehonë retorikës së ish-shefit të tij Sllobodan Millosheviç.

Ndërsa Vuçiç është zotuar që të respektojë kufijtë aktuale, një nga njerëzit e tij deklaroi muajin e kaluar se vizioni i të gjithë serbëve për të jetuar në një shtet “tani është i pandalshëm”.

Në negociatat e saj me Beogradin, synimi kryesor i BE-së ka qenë që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Por ky hap cilësohet si i tepruar nga kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, që muajin e kaluar e cilësoi si hipokrizi këmbënguljen mbi shenjtërinë e kufijve nga ata që e njohën Kosovën si shtet.“Ata kanë hapur Kutinë e Pandorës, e cila është shumë e vështirë që të mbyllet”- tha ajo.

Qasja e BE-së ka qenë shumë dritëshkurtër, mendon dr.Eidën Hehir, profesor në Universitetin Uestminster në Angli.“Ekziston përshtypja se Serbia mund ta destabilizojë Ballkanin. Por nëse i injoroni vendet e tjera dhe fokusoheni tek Serbia, bëni një gabim të madh, pasi të gjitha vendet e tij mund të gjenerojnë destabilitet”- thotë Hehir.

Si shenjë e tensioneve që po vlojnë, rajoni u trondit nga zërat rreth një dokumenti jozyrtar të BE-së mbi rishikimin e kufijve përgjatë vijave etnike, kryesisht në Bosnje. Dokumenti përmendte gjithashtu një bashkim të mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës.

Brukseli nuk pranoi të komentonte mbi këtë çështje. Përparimi i Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit po mbahet peng nga fqinja e saj Bullgaria që është anëtare e BE-së, për një mosmarrëveshje mbi emrin dhe origjinën e gjuhës dhe historinë e përbashkët të dy kombeve.

Kundërshtimi i Sofies është emblemë e një procesi të ndërlikuar të vendimmarrjes në BE, dhe i një morie rregullash mbi zgjerimin, të cilat u japin anëtarëve aktualë të drejtën e vetos mbi procedurat. Disa vende, sidomos ato perëndimore, ngurrojnë që të ecin përpara për të pranuar vende të reja, pas probleme me raundet e fundit të zgjerimit, nga shqetësimet e korrupsionit, tek skandalet e pastrimit të parave dhe sfidat ndaj shtetit ligjor.

Vendet aspirante kanë bërë pak përparim në zbutjen e këtyre shqetësimeve. Edhe pse Maqedonia e Veriut ishte e vetmja republikë që i shpëtoi luftimeve të përgjakshme gjatë rënies së Jugosllavisë, ajo kishte pjesën e saj të tensioneve etnike.

Përplasjet midis shqiptarëve, të cilët përbëjnë më shumë se një të katërtën e popullsisë prej 2 milionë banorësh dhe maqedonasve, arritën kulmin me një kryengritje 9-mujore në vitin 2001. Që atëherë është arritur një marrëveshje për ndarjen e pushtetit,dhe në vitin 2019 u zgjidh një mosmarrëveshje e vjetër me Greqinë mbi emrin e saj, gjë që i garantoi anëtarësimin në NATO.

“Mbetja jashtë familjes evropiane, do të çonte në izolim dhe rritje të intolerancës etnike”-thotë gazetarja Majda Atanasovska nga Shkupi. Por elementët që nxisin destabilitet janë

edhe vonesat e BE-së që po kërcënojnë të dëmtojnë qeverinë aktuale, e cila e ka bazuar besueshmërinë e saj në përparimin e vendit drejt anëtarësimit në union./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Sealand, “shteti”më i vogël dhe më i çuditshëm në botë

Publikuar

-

Nga

Ai quhet ndonjëherë si shteti më i vogël në botë, por nuk është i njohur kurrë zyrtarisht si i tillë. Me një sipërfaqe rreth 4.000 metra katrorë, pra më pak se sa madhësia e një fushe futbolli – Sealand pretendon të jetë shteti më i vogël në botë.

Një fortesë detare në brigjet e Anglisë, Sealand u përdor dikur nga Flota Mbretërore gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por në vitin 1967, britaniku Padi Bejts vendosi qëta pronësonte për vete dhe ta shpallte atë një shtet sovran. Gjatë 50 viteve të fundit, familja e tij e ka drejtuar si të ishte një vend i vërtetë, edhe pse nuk është njohur kurrë zyrtarisht si i tillë.

Sot, Sealand ka kushtetutën, flamurin e vet, madje edhe moton e vet zyrtare “E Mare, Libertas”, që do të thotë “Deti është liri!”.Në 5 dekadat e ekzistencës së tij, ky mikro-shtet ka parë vdekje mbretërore, pengmarrje, mosmarrëveshje territoriale dhe madje edhe beteja midis helikopterëve.

Në vitin 1965, ish-majori i ushtrisë britanike Padi Bejts ngriti “Radio Essex”, një stacion radiofonik i palicencuar që transmetonte nga një fortesë e braktisur e Luftës së Dytë Botërore e quajtur “Knock John”.Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Britania kishte ndërtuar një numër fortesash të tilla për të zmbrapsur çdo sulm të papritur gjerman.

Por pasi mbaroi lufta, këto fortesa dolën jashtë përdorimit. Dhe në këto kushte u bënë vendi i radiove pirate si ajo që kishte krijuar Bejts, që ishte ndër ata që e përbuznin monotoninë e BBC. Kur qeveria britanike u përpoq që ta mbyllte radion e palicencuar, Bejts e zhvendosi atë nga “Knock John” në “Fort Roughs Tower”, që ndodhej jashtë ujërave territoriale Britanike.

Në prag të Krishtlindjes së vitit 1966, Bejts i lindi ideja ta quajë fortesën“Sealand”, dhe t’ia dhuronte gruas së tij Xhoan.

Kur autoritetet britanike ia bënë edhe më të vështirë aktivitetin,Bejts hoqi dorë nga karriera e tij si radiofonist. Por ai nuk u largua nga“Fort Roughs Tower”. Më 2 shtator 1967, me rastin e ditëlindjes së gruas, a ie quajti fortesën “Principata e Sealand”.

Dhe shumë shpejt, ajo dhe dy fëmijët e tyre u bënë bashkë në “vendin” më të vogël në botë. Krijimi i një territori të pavarur pranë Anglisë, i bezdisi në fillim autoritetet. Ato e përshkruan Selandin me errësirë si “Kuba në brigjet lindore të Anglisë”.

Në vitin 1968, ushtria britanike dërgoi helikopterë dhe anije për të shkatërruar disa kulla

të vjetra ushtarake që ndodheshin pranë Sealand. Familja Bejts e pa këtë aktivitet si një kërcënim për mënyrën e tyre të re të jetës në fortesë. Djali i Padit, Princi Majkëll Bejts,

qëlloi disa herë në ajër në formë paralajmërimi.

Flota britanike u largua, por Padi dhe i biri u thirrën në Angli për t’u përgjigjur për veprimet e tyre. Por meqë Sealand ndodhej jashtë ujërave territoriale Britanike, burrat u lanë të lirë. Familja Bejtes e konsideroi atë akt si njohje de fakto të Sealand si një vend i pavarur. Por qeveria britanike nuk ishte dakord. Në vitet 1970, rreth 50 njerëz shkuan të jetonin në të ashtuquajturin vendi më i vogël në botë. Ata ishin kryesisht miq të familjes Bejts.

LEXO EDHE:  Videoja që po shokon botën, filmohet UFO-ja në mes të ditës

LEXO EDHE:  Objekt fluturues misterioz pranë vullkanit në Kili

Në atë kohë familja Bejts ndërmori disa hapa për ta bërë fortesën sa më mikpritëse për qytetarët e saj. Për shembull, ata instaluan një gjenerator me erë në majën e platformës, që siguronte energji elektrike për ngrohëset në 10 dhomat brenda Sealand.

Në 10 dhomat përfshihej një kuzhinë, një dhomë ndenje dhe një kishëz. Sa i përket dhomave të gjumit, shumica e qytetarëve flinin brenda këmbëve cilindrike por pa dritare të fortesës – kryesisht nën nivelin e detit.

Një varkë do t’u çonte ushqim, pije, gazeta dhe produkte të tjera. Sidoqoftë, qytetarët ishin gjithnjë të kujdesshëm, pasi orari i anijes mund të ishte pak i paparashikueshëm.“Ndonjëherë prisnim për muaj më radhe që anija të sillte furnizime”- thotë Majkëll.

Në vitet 1970, në Sealand pati një “grusht shteti” nga një gjerman që pretendonte se ishte “kryeministri”.Në vitin 1978, Aleksandër Ashenbah shkoi në Sealand me helikopter me një grup mercenarësh në kohën kur Padi Bejts nuk ndodhej aty.

Ata morën peng Princin Majkëll. “Ata ishin në thelb terroristë, më mbyllën në një

dhomë më më mbajtën aty për 4 ditë pa ushqim dhe ujë”- kujton Princi Majkëll. Në kundërpërgjigje, babai i tij ndërmori një kundërsulm, që solli largimin e shumicës së gjermanëve.

Por qytetarët e Sealand vendosën të mbajnë peng njërin prej tyre. Në ato kushte ambasadori gjerman në Britani, u detyrua të shkonte me helikopter në Sealand, në mënyrë që të negocionte lirimin e bashkëkombasit. Sealand e cilësoi atë si një tjetër shenjë se shteti i tyre po merrej më në fund seriozisht nga të tjerët.

“Duke negociuar me ne, ata na njohën de fakto si shtet”- thotë Princi Majkëll. Por ekzistenca e Sealand nuk ishte ende tërësisht e sigurt. Në vitet 1980, Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, i zgjeroi ujërat territoriale britanike duke përfshirë fortesën prej çeliku. Londra e mohoi prerë legjitimitetin Sealand.

Familja themeluese e Sealand është ende aktive. Princi Majkëll e drejton Sealand nga shtëpia e tij kontinentale në Essex. Ai ati vdiq në vitin 2012, ndërsa e ëma në vitin 2016. Vitet e fundit, Sealand ka hasur disa telashe. Në vitet 1990, familjes Bejts iu desh të anulonte pasaportat e Sealand, pasi ato ishin duke u përdorur për mashtrime.

Ndërsa në vitin 2006, një zjarr në Sealand shkatërroi plotësisht gjeneratorin kryesor të energjisë. Në vitin 2007, Sealand u nxor për pak kohë në shitje. Por qytetarët e Sealand, kanë shpikur disa mënyra kreative për të mbështetur ekzistencën e mikro-shtetit.

Për shembull, kushdo që dëshiron të bëhet një aristokrat i Sealand mund ta bëjë këtë në këmbim të një pagese. Sot aty banojnë pak njerëz me kohë të plotë. Përveç punonjësve, gazetarëve dhe miqve të ngushtë të familjes Bejts, shumë pak njerëz do të kenë ndonjëherë mundësinë të vizitojnë Sealand. Por të gjithë ata që e kanë vizituar thonë se është vendi më i veçantë në botë./CNA.al

LEXO TE PLOTE