Connect with Us

Nga Miron Çako/ Ku gaboi Evgjenia?

Opinione

Nga Miron Çako/ Ku gaboi Evgjenia?

Publikuar

-

Historia tragjike e Evgjenisë, e vajzës studente 23 vjeçare nga Delvina, e cila u gjend e vdekur në apartamentin ku rrinte me qera në Tiranë, nuk është një fund i hidhur, por mund të themi një hidhërim pa fund, sepse nqs ajo ishte e futur vet me dëshirën e saj në labirintet okulte dhe ritualet magjike, shpirti i saj nuk mund të jetë i qetë atje ku ka shkuar pas asaj vdekje tragjike misterioze, gjithashtu se ajo la pas tek familjarët e saj një hidhërim të madh dhe pa ngushëllim, sikurse edhe një opinioni publik të trazuar, të frikësuar për situatën horror ku u gjend trupi i saj i pajetë dhe i vizatuar me simbole magjike.

Kuptimi i këtyre simbolikave okulte ( të fshehta) është një punë ekspertësh në organet e policisë dhe mjeksisë ligjore , po ashtu ngjarja e pazakontë ka bërë që njerëzit të shtyrë nga frika ose nga kurioziteti po i referohen inernetit mbi domethënien e këtyre simboleve dhe çdo ditë po lexojnë dhe po dëgjojnë opinione nga më të ndryshmet.

Pavarësisht se kjo punë investiguese e opinionit publik dhe mediave duket si pruduktive për të kuptuar misterin e vdekjes të vajzës, fokusimi dhe interesimi vetëm për leximit të domethënies së simbolikës, që janë pa fund, mendoj se po na largon nga thelbi i situatës.

Askush nuk duhet të dyshojë se ato simbole janë të këqija, sepse janë simbole okulte (të fshehta), që përdoren në rituale shtrigërie që nga lashtësia. Shumica mendon se ato janë simbole Rune, që vijnë nga lashtësia e popujve të vjetër gjermanik të përdorura edhe nga nazistët okultist, gjithashtu edhe sot nga magjistarët modernë ose satanistë.

Mendohet gjithashtu se ky bashkim simbolesh që u gjend në trupin e të ndjerës është një ezoterizëm, dmth një proces i tillë okult që e dinë vetëm ata si individ ose grup që lën nga pas iniciale dhe simbole të tilla, prandaj edhe leximi i tyre bëhet i vështirë.

Gjithashtu, Evgjenia ishte viktimë e pavullnetshme apo e viktimizuar vullnetarisht as këtë nuk e themi dot, sepse këtë duhet ta thonë ekspertët, por një gjë duhet ta pranojnë edhe ta themi të gjithë, se mbi trupin e të ndjerës është kryer një ritual magjik satanist.

Kjo do të thotë se për vdekjen e saj ka gisht jo vetëm dora e njeriut, por edhe dora e padukshme e djalli dhe demonëve, të cilët pavarësisht se janë të padukshëm dhe për shumicën e njerëzve ateist nuk ekzistojnë, ja ku bëhen të dukshëm nëpërmjet veprave të liga dhe viktimave të tyre fatkeqe: “për ata që kanë sy për të parë edhe veshë për të dëgjuar “(Matheu 11-15)

Prandaj ata që merren vetëm me simbolet për të gjetur domethënien e krimit, por anashkalojnë ekzistencën djallit, si autorin kryesor të këtij krimi makabër, sespe nuk duan ta pranojnë se ai ekziston e vepron fuqishëm kur gjen territor, të kujton shprehjen: “Unë të them ja ujku ti më thua ku janë gjurmët.”

Ujku i mendshëm është djalli, kurse gjurmët janë shenjat dhe viktima që la nga pas.

Emri Evgjenia tregon se vjen ajo vjen nga familje me tradit  të krishterë. Nuk e dimë ka qënë e pagëzuar në Kishën Orthodhokse, por për atë thuhet se ka qënë ndjekëse e një grupi ungjillorësh protestantësh, që si grup fetar lexojnë vetëm Ungjillin dhe besojnë dhe i luten Jisu Krishtit si Zot edhe Shpëtimtar të njerëzve.

Në Ungjill Zoti Jisu Krishti e krahason veten me Bariun e mirë, që jep jetën për delet ( Joani 10-11), kurse besimtarët që besojnë tek ai i krahason me dele, që ai i njeh me emër( Joani 10 14-15) dhe ato i shkojnë pas dhe askush nuk i prek ato deri sa ato qëndrojnë pranë Bariut të madh të deleve.( Joani 10 27-18)

Kurse djallin e krahason me ujkun që i rrëmben dhe i shpërndan delet. (Joani 10-13)

Po ashtu Krishti për t’i mbrojtur delet nga ujku i mbledh delet e tij në vathë. ( Joani 10-16). Vatha është ikona e Kishës Katholike Apostolike Orthodhokse që është një , sepse: “Është një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm.”(Efesianëve 4:5-6)

Ku gaboi Evgjenia, delja e perëndisë, që e hëngri ujku i mendshëm, djalli?

Shumë e thjesht ajo u largua nga Bariu (Zoti Jisu Krisht) dhe u shkoi pas ujkut, djallit. U largua nga vatha e sigurt, Kisha Orthodhokse dhe u lidh me grupe eterodokse (jo orthodhokse), u largua nga rruga e drejtë e besimit orthodhoks i familjes së saj dhe u fut në mësime heretike, pastaj në skuta të errta të diturisë mashtruese, okulte, satanike dhe në fund pati një fund tragjik, ashtu siç patën edhe dy pjesëtarë të familjes Josifi, që pavarësisht se çështja u mbyll, përsëri qëndron dyshimi për ndikimin e grupeve heretike dhe okulte në vendimarrjen e tyre të gabuar dhe tragjike në lidhje me ringjalljen e të vdekurve.

Fatkeqësisht, ajo që po vihet sot është se fëmijë, adoleshent, të rinj pa përvojë edhe pse janë nga familje të krishtera orthodhokse, po i largohen Kishës dhe po bëhen pjestarë të sekteve edhe nga kërshëria për të mësuar gjëra të fsheta hyjnë në labirinte okulte, sespe mendojnë se kështu do fitojnë dije shpirtërore më shumë se ju ka mësuar Kisha në katekizmin orthodhoks, gjithashtu të shijojnë kënaqësi që morali i krishterë orthodhoks nuk ua lejon, sepse bien ndesh me porositë  e Zotit Jisu Krish, ose pretendojnë se mund të marin fuqi mbinatyrore që të tjerët nuk e kanë dhe mund të bëjnë shumë shpejt karier,  që sipas okultistëve dhe satanistëve këto mund ti japi vetëm djalli  nqs adhuron, i shërben dhe bën punët e atij.

Sot nëpërmjet internetit informacioni okult është shumë lehtë, i aksesueshëm për të gjithë. Mos çuditemi për këtë komoditet që ka sot djalli për të mësuar mësimet demoniake brenda në shtëpive tona. Shën Kozma Kolokonsndasi (1714 -1779) e profetizoi shumë kohë përpara këtë gjë anormale, ai thoshte të krishterëve që  çuditeshin kur dëgjonin: “Do të vijë koha që djalli do flasi në shtëpitë tuaja nga një kuti ( televizori ,interneti) dhe brirët (antenat) do t’i ketë në çati.”Tani kjo profetësi është e përmbushur.

Kështu duke lundruar pa kujdes vetë, ose të orjentur nga dikush, mësues i njohur ose virtual, apo shok, mik, i dashur, e dashur, këta hyjnë nëpër faqe inernetit që janë në zona të errta të informacioni, në një sistem të organizuar online, që quhet Dark web ose internet i errët.

Uebi i errët (Dark web) i referohet përmbajtjes së koduar në internet, që nuk indeksohet nga motorët e kërkimit konvencional. Rrjeti i errët është një pjesë i rrjetit të thellë (Deep web), i cili thjesht u referohet faqeve të internetit që nuk shfaqen në motorët e kërkimit. Pothuajse të gjitha faqet në të ashtuquajturën Dark web fshehin identitetin e tyre duke përdorur mjetin e kriptimit Tor. Kështu, faqet në Dark web mund të vizitohen nga çdokush, por është shumë e vështirë të gjesh se kush qëndron prapa faqeve. Dhe mund të jetë i rrezikshëm nëse identiteti juaj zbulohet. Kështu edhe ata që marrin pjesë dhe marrin informacion janë të fshetë, aq më shumë ata që i krijojnë këto faqe. Duhet të dimë edhe këtë se rrjeti sipërfaqësor si Google, Yahoo, Facebook, Wikipedia i aksesueshëm për të gjithë, është vetëm maja e ajzbergut dhe ka vetëm 5% informacion, kurse rrjeti i thellë, ku futet edhe rrjeti i errët, Dark web ka 95 % të informacionit.

Në këto faqe mësohen edhe shumë ritule satanike të vjetra pagane por që po rishfaqen si moderne dhe jo vetëm si informacion filozofik, por edhe promovohen edhe me veprime live, si adhurim satanik bashkë me veprime magjike, që shoqërohen edhe me akte seksuale përdhunimi, perversioni deri në flijime, sakrifa, kafshësh dhe njerëzish kushtuar djallit.

Prandaj keqpërdorimi i Tv dhe veçanërisht i internetit që tani me laptop, celular që është shumë personal po sjell shumë viktima në shumë drejtimi si ato morale por sidomos në okultizëm.

Një gjë është shumë e vërtet se në këto faqe të errta ka miliona ndjekës, të cilët hyjnë jo vetëm të shikojnë, por edhe të prodhojnë vetë inskenime për t’i parë të tjerët live edhe skenat dhe ritualet  satanike ashtu si janë bërë me të ndjerën.

Çfarë është satanizmi?

Satanizmi është një kult që ka si bazë adhurimin e djallit apo të demonëve si fuqi mbinatyrore të liga kundër Zotit . Për satanistët jeta duhet jetuar duke i shërbyer djallit.E keqja është se shumë veta që hynë në këtë rrymë spirituale, nuk e dinë ose nuk e kanë  idenë se kush është satanai, djalli.

Të vërtetën për satanain na i jep vetëm Shkrimi i Shenjtë dhe sipas Biblës, satanai ishte një kryeëngjëll i krijuar nga Perëndia si i pari i ëngjëjve, por që u rrëzua nga qiejt e Perëndis për shkak të krenarisë dhe zilisë për lavdinë e Zotit.

Në Bibël na thuhet qartë për marrëzinë e tij krenare dhe për rënien e tij të tmerrshme, nga vendi i lavdishëm, ku e kishte vendosur Perëndia, profeti Isaia thotë: “Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet? Ti thoshe në zemrën tënde: “Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut;do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin”.Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës”.( Isaia 14 12-15)

Nga Eusfor ose Luçifer (dritëprurës ) u quajt Satana (armik i Perëndisë) dhe djall (shpifës). Ai edhe engjëjt rebel, që e dëgjuan u rrëzuan sëbashku në kaos dhe u quajtën demonë (ose të ndarët). “Ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës,” ( Joani 8-44), sepse gënjeu dy njerëzit e parë Adamin dhe Evën në kopshtin e Edenit dhe i vrau shpirtrat dhe jetët e tyre (Zanafilla 3-1-5), prandaj quhet nga Zoti Jisu Krisht “njerivrasës që nga fillimi”(Joani. 8:44).

Ai është princi i kësaj bote mëkatare të fituar me dredhi dhe quhet “zotëria” i errësirës dhe i Ferrit. Ai ka përjetësisht mallkimin e Perëndisë që i tha: “Qofsh i mallkuar!” (Zanafilla: 3:13)

Fatkeqësisht gjthmonë ka pasur  njerëz që e pranojnë djallin si zotërinë e tyre të errësirës dhe i shërbejnë, këta janë adhuruesit e djallit: si, magjistarët, okultistët, spiritistët, apokrifistët, satanistët. Të tillët janë që nga lashtësia, këta nga padija se kush ishte Zoti edhe djalli, por dhe nga egoizmi dhe ligësia u gënjyen nga shfaqje demoniake dhe i besuan ata si zotat. Djalli , demonët që shfaqen  edhe: “ si engjëll drite” ( 2Korintasve 11:12 ) iu kërkuan njerëzve që t’i adhuronin si zota  nëpër tempuj, t’u bënin sakrifica, me bimë, kafshë dhe njerëz deri tek fëmijët e tyre. Po ashtu demonët i`u mësuan formula magjike, që i dinin edhe kryenin vetëm një grup i vogël njerëzish si priftërijnë, ose shamanët, magjistarët.Kështu u shfaqën këto rituale pagane, praktika okulte të fsheta si shkronja, simbole, statuja, etj. Këto u trashëguan nga brezi në brez ndër popujt e ndryshëm deri më sot

Këto mashtrime demonësh u denoncuan nga Zoti Perëndi në fillim tek populli i Izraelit. Në mënyrë kategorike ky popull, ndryshe nga të të tjerët, u ndalua për përdorimin e këtyre simboleve, ritualeve dhe formulave magjike.

 

Në ligjin e Moisiut, në tri kodet e mëdha Levitiku, Eksodi dhe Ligji i Përtërirë, magjia ndalohej dhe dënohej me dënim me vdekje: “Mos iu drejtoni mediumeve dhe magjistarëve; mos u konsultoni për të mos u ndotur me anë të tyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj” (Lev. 19:31 ); “Të mos gjendet midis teje ndonjë që e kalon birin ose bijën e vet nëpër zjarr, as ndonjë që praktikon shortarinë, bën parashikime, interpreton shenjat dhe merret me magji, as ai që përdor yshtje, as mediume që konsultojnë frymët, as magjistarë, as ai që ndjell të vdekurit, sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti”(Ligji i Përtërirë 18:10-14).

“Nuk do ta lësh të jetojë shtrigën” (Eksodi 22:18).

Edhe profetët e Dhiatës së vjetër të frymëzuar nga Shpirti i Perëndisë ishin kategori në lidhje me magjinë dhe me idhujt, që ishin kushtuar demonëve. Tek profeti Isaia na thuhet: “Ata që prodhojnë shëmbëlltyra të gdhendura janë krejt kotësi; gjërat e tyre më të çmuara nuk hyjnë fare në punë; dëshmitarët e tyre nuk shohin dhe as nuk kuptojnë gjë, prandaj do të mbulohen me turp”.(Isaia 44:9) Profeti Jeremia dhe Jezekel dënon me fjalët e Zotit shortarët, fallxhorët dhe ata që mbajnë shenja, simbole që të flasin me shpirtra: “Kështu thotë Zoti: “Mjerë gratë që qepin rripa në të gjitha kyçet e dorës dhe bëjnë vela për kokat e çdo lartësie për të gjuajtur shpirtërat.(Ezekieli 13-18)”Prandaj mos dëgjoni profetët tuaj, as shortarët tuaj, as ata që shikojnë ëndrra, as magjistarët tuaj” (Jeremia 27-9)

LEXO EDHE:  Video/ Si humbi jetën babai dhe vajza e tij në Korçë

Po ashtu tek populli i Izraelit ishin të ndaluara simbolet fatsjellëse, që paganët i vizatonin në trup si tatuazhe, që të kishin mbrojtjen e “zotave” që nuk ishin gjë tjetër vetëm praktika okulte shumë të përhapura si shenja magjike. “Nuk do të bëni prerje të mishit tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj” (Levitiku. 19:28).

Edhe kur tek populli i Izraelit u shfaq Mesia i shumëpritur, Jisu Krishti, Ai si Biri i Perëndisë erdhi në botë: “për të shkatërruar veprat e djallit” (1 Joani: 3-8 ). Krishti kudo që shkonte shëronte sëmundje dhe largonte demon në popull. Gjithashtu apostujt e Krishtit e morën këtë fuqi prej tij, kur Ai i dërgoi të përhapin ungjillin: “Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t’ju dëmtojë”(Luka 10:19).

Apostujt e Krishtit luftuan ballë-përballë me djallin dhe shërbëtorët e tyre, si psh apostull Petro luftoi me Simon magjistarin (Veprat e Apostujve 8-20-23). Po ashtu apostull Pavli përball magjistarit Elimas (Veprat e Apostujve 13 8-11)

Apostujt e Krishtit, që u përhapën në të gjithë botën, i mësuan kombet të hiqnin dorë nga “idhujtaria, magjia” (Gal. 5:19-20) sepse: “them se gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët.” (1 Korintasve 10:20). Madje ata ishin shumë kategorik dhe aspak tolerant me librat, statujat dhe simbolet magjike: “Shumë nga ata që ishin marrë me magji i sollën librat dhe i dogjën përpara të gjithëve dhe pasi e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se ishin pesëdhjetë mijë pjesë”(Veprave të Apostujve 19-19)

Krishtërimi bëri një luftë shekullore me këto ritet okulte, mësimet e demonëve, veprimet magjike, magjistarët u ndaluan, u dënuan, madje në kishën Romano-Katolike edhe me veprime ekstreme siç ishte inkuizicioni, ku dënoheshin jo vetëm heretikët, por edhe magjistarët.

Por kjo dije okulte dhe praktikë magjie  asnjeherë nuk u zhduk plotësisht, sepse egjra edhe gruri do jenë bashkë deri në fund (Mateu 13:30) dhe u rishfaq përsëri në sipërfaqe, sidoemos në fillim të shekullit 20-të në “ New age” (koha e re) u rishfaq  me termin satanizëm, ku futetet okultizmi, magjia, idhujtaria. Aty futen sëbashku ritet e lashta pagane, solomogjia ,kabala hebraike.

Themelet e para të satanizmit  i ka vendosur satanisti britanik, që njihet me nofkën “Bishë” (The Beast 666), Aleister Croëley në fillim të vitit 1900. Filozofia e tij ishte ‘bën çka do’. Ai thotë thotë se në shkrimin e librit “The Book of Law” (Libri i Ligjeve) kjo filozofi ishte inspiruar nga djalli.

Mund të themi se satanizmi sot ndahet në tre forma: Satanizmi sadist, dhe këtu është fjala për akte të dhunshme shtazarake dhe praktikimi i magjisë së zezë me gjymtim të kafshëve, vrasje njerëzish (fëmijësh). Këta satanist janë përgjegjës për grabitjen dhe flijimin e shumë fëmijëve, të cilët rrëmbehen dhe trafikohen nga pjestarët e këtyre grupeve. Në këtë grup satanistësh futen njerëzit e demonizuar si maniakët, sadistët, skizofrenët, të cilët po ashtu merren me trafikimin e qenieve njerëzore.

Forma tjetër është teorik, filozofik, kur satanai shfaqet “si ëngjëll drite”.(2 Korintasve 11-12). Këtu magjia e bardhë ka qëllimin parësor”. Në këtë grup futen magjistarët, fallxhorët, spiritistët, hipnotizuesit, mediumët, alkimistët, astrologët, ata që ushtrojnë joga-n, artet marciale etj. Magjinë e bardhë sot konsiderojnë gjoja si “Shkencën e komunikimit dhe sundimit mbi forcat e natyrshme, një njohuri praktike e mistereve të fshehta të natyrës.”

Forma tjetër quhet satanizmi i përmbajtur. Ky grup ka dhe kishat e tij, e para u themelua në 1966-ën në San Francisko nga Anton Lavej.Në vitin 1966, Lavej shpall veten themelues të ‘kishës së djallit’. Edhe ky, si mësuesi i tij Aleister Crowley, misionin kryesor e konsideronte shkatërrimin e religjioneve monoteiste si besime në një Zot dhe veçanërisht besimin e krishterë.

Ky lloj satanizmi është një lloj feje, që përmban antivlera dhe shkon drejt përmbysjes dhe shtrembërimit të vlerave morale, duke paraqitur si të natyrshme prirjen të kënaqësive trupore, seksualizmin me të gjitha devijimet dhe perversionet, abortin dhe gjithë shtrëmbërimet morale duke nxitur dhe lartësuar paturpësinë dhe veprimet anarkiste.

Tek satanizmi hynë edhe idhujtaria pagane ose neopaganizmi i sotëm sic është edhe horoskopi, ku njerëzit po adhurojnë dhe besojnë krijesën në vend të krijuesit që bie ndesh me urdhëresat e Perëndisë: “Të mos adhurojnë Diellin, Hënën dhe yjet.”Tek psalmet lexojmë: “Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë”.(Psalmi 96-5)

Pavarësisht se horoskopi quhet si shkencë moderne është mashtrim i vjetër që i bëhet njerëzve nga djalli, të cilët edhe pse kanë mendje bien në marrëzi kolektive, prandaj apostull Pavli, në letrën drejtuar Romakëve: “Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë… që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amin” (Rom. 1:22-23)

Fatkeqësisht numri i satanistëve në këtë brez po rritet gjithnjë e më shumë; po ashtu dhe i magjisitarëve, të cilët po kryejnë hapur ritualet e magjisë së zezë ose të bardhë pa asnjë pengesë.

Në vitin 1968 u krijua në Amerikë bashkësia ndërkombëtare e magjistarve të Eusforit “Wicca”. Ekzistojnë mbi 700 mijë faqe interneti për Wicces që ndiqen nga miliona pasues. Wicci thotë se ka 1179 libra me shtrigan, që qarkullojnë për të gjithë moshat.

Sot në Europë ka 12 shkolla magjie të çertifikuara me filialet e tyre, të cilët i kanë fillesat e tyre që nga mesjeta e vazhdojnë edhe sot të njëjtin proçes mësimor, por të hapur, magjinë.

Në këto shkolla mësohet magjia e zezë, ritet pagane, mjekësia alternative, hipnoza, etj. Në këto kolegje marrin pjesë fëmijë nga mosha 8-12 dhe deri të rritur 35-45 vjeç. Pothuajse në të gjithë Evropën ka magjistarë të çertifikuar, që ushtrojnë magji pa pengesë. Statistikat tregojnë se nga viti në vit ata rriten me mijëra, duke u bërë një ushtri magjistarësh në shërbim të demonëve, si mashtrues të mashtruar.

Tek satanizmi futen edhe muzika Roken-Roll. Kjo muzikë e lavdëron satanin hapur jo vetëm me tingujt agresiv, por edhe me fjalët dhe mesazhet e këngëve, që këndohen nga këngëtar okultist, satanist. Psh: këngëtari i rrokut Led Zeppelin këndon: “Unë dua të jetoj për djallin”. Sot argëtimi i të rinjve rebel nis me alkoolin, drogërat, seksin dhe më pas hyrja në një sekt satanik.

Po ashtu fëmijët nëpërmjet filmave të animuar bombardohen nga mëngjesi në darkë me personazhe diabolikë, që nuk janë gjë tjetër veçse fytyra të ndryshme të djallit nga mitologjia: si dragonj, pitter pan, gogu, zanat,(winxat), shreku, etj.

Një joshje tjetër e djallit për fëmijët është libri “Harry Potter” me autore J.K.Ruling. Ky libër që doli për herë të parë në 30 qershor 1997 është përkthyer në 73 gjuhë dhe deri në qershor të vitit 2013 janë shitur rreth 550 milion kopje. Sipas autores, e cila është një okultiste (që njeh dhe praktikon ritet magjike), tema qëndrore e librit është vdekja dhe rituale magjike me anën e të së cilave mund të arrihet fitorja dhe suksesi i fëmijëve.

Kisha Orthodhokse i ndalon kategorikisht të krishterët të merren me magji ose të shkojnë për ndihmë te një magjistar.

Kisha cakton dënime (epitimia) për raste të tilla. P.sh. Sinodi VI Ekumenik (Kanoni 61) kanonizon me largim 6- vjeçar nga Kungimi Hyjnor ata që shkojnë për ndihmë te magjistarët, tek ata “që thonë fatin” dhe gjithë ata që bëjnë gjëra të kësaj natyre. Nëse ata qëndrojnë në veprat e tyre dinake, përfundimisht kisha i ç’kishëron me anatema.

Vasili i Madh (Kanoni 65) i vendos fallxhorët dhe mediumet në të njëjtin fat me vrasësit, dhe i dënon me 20 vjet largim nga Kungimi Hyjnor.

Sinodi lokal i Ankarasë (Kanoni 34) kanonizon me 5 vjet privim nga Kungimi Hyjnor sa futin (sjellin) magjistarë në shtëpitë e tyre, që të gjejnë magjitë që i bënë të tjerët.

Satanistët janë mashtrues të mashtruar, sepse ata besojnë se do mbretërojnë me djallin në ferr, por kjo është një tjetër gënjeshtër e djallit, sespe Zoti Jisu Krisht tha për djallin: “Tani është gjyqi i kësaj bote; tani prijësi i kësaj bote do të hidhet jashtë.” (Jn. 12:31) “Edhe djalli që i mashtronte ata, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku ishte bisha dhe profeti gënjeshtar; edhe do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve.”(Zbulesa. 20:10).

Po të njëjtin vënd do të kenë edhe ata që i shërbejnë ashtu si na thuhet përsëri: “Edhe frikacakët dhe të pabesët dhe të ndyrët dhe vrasësit dhe kurvëruesit dhe magjistarët dhe idhujtarët e të gjithë gënjeshtarët do të kenë pjesën e tyre në liqenin që digjet me zjarr e me squfur. Kjo është vdekja e dytë.”(Zbulesa. 21:8)

Në Bibël thuhet :se ne kohën e fundit disa do ta mohojnë besimin duke u vënë veshin frymërave gënjeshtare, doktrinave të demonëve.” (1 Timotheu. 4:1).

Këtu ka gabuar Evgjeni dhe këtu gabojnë sa e sa të tjerë, fëmijë të rinj të rritur, të cilët me dije ose pa dije duke u marrë me okultizëm, magji, spiritizëm, mediume, nekromaci, fall, joga, etj. Ata  kanë ngecur në rrjetën e merimangës të djallit për të pritur thumbin fatal, që i vdes jo vetëm shpirtin por edhe trupin.

Por përgjesia nuk është vetëm për të ndjerën Evgjeni, që hyri dhe ngeci në këto sekte sataniste, por edhe indiferenca e famijes që ndoshta nuk i mësoi besimin e krishterë orthodhoks, që të mos gabonte dhe të ishte në mbrojtje të Zotit e të engjëjve.

Përgjegjësia është edhe organeve shtetërore, të cilët bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh për këto grupe, sekte okulte, madje edhe kur hetojnë ngjarjet me viktima i mbyllin kartat shpejt, sepse çudia më e madhe zgjat tri ditë.

Gjithashtu përgjegjësia bie edhe mbi ata klerikë, teologë, mësues fetar, që nuk  bëjnë detyrën që Zoti ju ka caktuar për besimtarët, nuk sqarojnë njerëzit për luftën e padukshme me djallin, demonët dhe si t’i çlirojnë ata, por janë indiferent, sespe janë thjesht rrogëtar, që nuk besojnë se ka djall që duhet të luftojmë me atë ose janë frikacakë që shohin ujkun dhe i braktisin delet dhe ujku pastaj i rrëmben ato ( Joani 10 -12)

Prandaj, kushdo që si e ndjera Evgjeni ose familja Josifi ka hyrë në rrethin vicioz të sektarizmit, okultizmit, satanizmin të ndalojë menjëherë dhe të mos vazhdojë, por aty ku jeni kërkoni ndihmën e Zotit Jisu Krisht, sepse: “ prandaj u duk Jisu Krishti, që të prishi punët e djallit”.(1 Joani 3-8)

Askush nga njerëzit e familjes apo psikolog, yshtës, fallxhor, magjistar nuk mund t’ju shpëtojë nga mashtrimi dhe posedimi i djallit, sespe ai nuk i frikësohet askujt , vetëm emrit të Zotin Jisu Krisht, që si i  gjithë pushteshëm e urdhëron djallin:”dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai” ( Marku 9-25)

Këtë pushtet të Zotit Jisu Krisht e ka kisha Orthodhokse trupi i vetëm i Krishtit që në emër të Krishtit e urdhëron djallin me anën e priftërijnve, që thonë këtë ekzorcizëm para katikumenëve: “Të qorton ty o djall, Zoti që erdhi në botë  dhe ndenji midis njerëzve, që të rrëzojë tiraninë tënde dhe të shpëtoj njerëzit; I cili mbi dru (Kryq) triunfoi mbi fuqimë tënde kundërshtare…Se edhe tani ai të urdhëron  me anën tonë ; dridhu, dil dhe largohu prej kësaj krijesë dhe të mos kthehesh më, as të fshihesh në këtë, as të piqesh me të ose të veprosh, as natën as ditën, as në mëngjes, as në mesditë, po shko në tartarin tënd, gjer në ditën e madhe që është përgatitur për gjykuar.” ( Aforizmi i parë)

Në të kundërt nqs ju nuk doni të ktheheni përsëri në vathën e Zotit (Kishën Orthodhokse ) dhe vazhdoni të merreni me heretikë, sektarë, magjistarë, spiristë, fallxhorë, medium, satanistë, të jeni të sigurtë se sot a nesër do të jeni viktima e radhës, sepse apostull Petro e ikonoizon djallin, jo me ujkun, por me një luan të uritur: “Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.”( 1 Petros 5-8)./CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Spastrimi politik në Shqipëri dhe “kalenda greke” e Lulzim Bashës

Publikuar

-

Nga

Spastrimi politik në shqipëri dhe “kalenda greke” e Lulzim Bashës

Nga Valbona Mezini

Ka një kohë për gjithçka!

Kjo shprehje duket se po zë vend duke iu adaptuar situatës politike që po kalon “Shqipëria e lodhur” nga tranzicioni i stërzgjatur.

Pati një kohë për zullmqarët.

Po, sigurisht pati një kohë kur u përmbys bursa e vlerave dhe nga kurrikulat shkollore u hoqën tekstet e mirëfillta të specialistëve, për tu zëvendësuar me rrumpallhane që u mësojnë nxënësve asgjë tjetër veç tallavasë.

Pati një kohë kur prona private u masakrua. Kur pronarët më kot shpresuan tek demokracia dhe vlerat e saj, tek konkurrenca dhe ekonomia funksionale, tek drejtësia dhe kapitali njerëzor.

Jo, jo, asgjë nga këto.

Demokracia – një flluskë sapuni që nuk ndreqi asgjë me vlerë, që të krijonte qëndrueshmërinë për një shtresë të mesme elitare, themelet e së cilës nuk u hapën kurrë!

Më kot u prit “deri në kalendat greke”.

Kjo shprehje romake që nënkupton vonimin e diçkaje që nuk duhet të ndodhë, personifikoi vullnetin politik në këto dekada, në përpjestim të zhdrejtë me dëshirën dhe aspiratën e shqiptarëve për të standartizuar jetesën përmes një ekonomie funksionale.

Kishte një kohë kur “ligjin e bënte maliqi”. Kur afarist bëheshe kur hiqje qafe rivalët, e kur tenderimet i përfitonin “bossat” e lidhur me pushtetin.

Kishte një kohë kur pushteti drejtohej nga oligarkët në shërbim të pasurimit të tyre.

Por ka një kohë për gjithçka!

Kjo nuk është thjesht ngushëlluese, por edhe determinuese.

Çfarë po ndodh sot?

Të paprekshmit e përjetshëm të politikës po dorëhiqen në kulmin e “shkëlqimt”, ndërsa të lavdishmit e pushtetshëm, po konvertohen në armiq të aleatëve strategjik.

Kush vallë e kish menduar apo përfytyruar se “Odoni politik” do të shndërrohej një ditë si asnjëherë më parë, në “mazoleum”?

Të paktën në 30 vite tranzicion askujt nuk ia priti mendja.

Por a ka një kohë për gjithçka, apo se Karma nuk harron!?

Spastrimi politik ka nisur, e mes këtij proçesi që u përfytyrua i vështirë, po dëshmohet se asgjë nuk ka të pamundur përpos qëllimit dhe vullnetit.

LEXO EDHE:  Aksident i rëndë në portin e Durrësit/ Trajleri shtyp për vdekje punonjësen

LEXO EDHE:  Nga Miron Çako/ Homoseksualiteti i ligjëruar një nga shenjat e kohës apokaliptike

Teksa me të mirë a me të keq po diktohet “spastrim” në kampet politike, e djathta gjendet mes një cikloni pa bosht që nëse nuk kontrollohet përmes principeve, do të marrë para çfarë të gjejë, drejt shkatërrimit ekonomiko-social.

Mungesa e rregullave minimale demokratike në radhët e saj, dëshmon se entiteti politik nuk e ka një dekalog as një manifest, apo thjesht një qarkore që lidh palët drejt kompromisit përkundrajt qëllimit. Duket se qëllimet janë të ndryshme dhe për rrjedhojë edhe standartet e normuara po të tilla.

Shfaqur larg syve të optimizmit për të besuar në një alternativë adeguate që përvijon nevojën e themelimit të së djathtës reale dhe të qëndrueshme, Partia Demokratike, jo më larg se dje dëshmoi sërisht mungesën e standarteve dhe kohezionit.

Pjesëmarrje e ulët për votimin e kryetarit të ri, dhe parregullsi të shumta shoqëruan proçesin që do të duhej në fakt, të ishte shembulli më i mirë për atë që presupozohet të sjellë kjo parti, të paktën në opozitë.

“Deri në kalendat greke”, ajo që u mohua të ndodhë, synon të përsëritë edhe po të vijë në pushtet, këtë lloj standardi, aspak të denjë për një forcë të djathtë.

Populli voton, rëndësi ka kush numëron.

Disa nga parregullsitë e raportuara si anëtarësia e fshehur, pezullimi të drejtës së votës për shumë funksionarë të partisë, largimi dhe intimidimi përfaqësuesve zgjedhorë të rivalëve të kryetarit në detyrë, shfaqën mungesën e vullnetit për të aplikuar standardet.

Rizgjedhja nga një proçes i deformuar, për herë të tretë në mënyrë të sforcuar për ta shpall me maksimum të votave kryetarin e vjetër, është një reminishencë totalitare.

Por në të tilla kushte, pak rëndësi ka kush fiton, e vërteta e hidhur është se asnjëherë nuk do mundet të krijojë zgjerim, besueshmëri e alternativë, një nomeklaturë e tillë totalitariste, që personifikon të djathtën shqiptare deri më tani./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Zgjedhjet që shpallën një gënjeshtar të çertefikuar

Publikuar

-

Nga

Nga Ilir Yzeiri

Lulëzim Basha fitoi dje sepse ai e kishte më të qartë alternativën e tij dhe ishte më bindës në përpjekjet për t’i mbajtur të trullosur, të goditur dhe të shpartalluar mbështetësit e tij. Ai kishte si motiv, si ide dhe si alternativë gënjeshtrën.

Kandidatët e tjerë që u futën në garë me Lulëzim Bashën, megjithëse pa mbështetje, nuk mund të krijonin dot frymë në atë parti sepse ajo forcë politike, në anën e saj të dukshme, është e kënaqur dhe ka gjetur strehë në godinën e madhe të RRENËS që Lulëzim Basha ka ngritur që prej ditës kur hyri në atë parti si kollovar.

Ai është i vetmi politikan që nuk ka asnjë lidhje me jetën reale në Shqipëri. Gjithçka që ai flet apo artikulon dhe tani në fund edhe ajo që shkruan mbështetet mbi parimin e thjeshtë që, për të bindur fanatikët në PD, duhet të gënjesh. Duhet të shfaqesh luftëtar dhe të denoncosh pa fund nga mëngjesi në darkë duke përdorur tri ose katër fjalë.

Ky njeri që ka shpallur si aksion të tijin psikik luftën imagjinare me armiq që i numëron me emër e mbiemër kur nxjerr nga goja fjali të shkurtra si copëra kamzhikësh që godasin vithet e kuajve, ia ka dalë që të bindë një pjesë të madhe të PD-së se në këtë vend është bërë masakër zgjedhore, se disa ditë para 25 prillit hordhitë e shpirtrave të zinj të shqiptarëve kriminelë futeshin në shtëpitë e shqiptarëve të ndershëm dhe u merrnin atyre votën e u deformonin vullnetin.

Xhelal Mziu, krahu i djathtë i Lulit, ky kalorës kreshnik i Nëntë Maleve të Dibrës i rri në krah Lulëzim Bashës dhe i bind demokratët se heroi i tyre është një azgan që nuk e mposht asnjë armik.

LEXO EDHE:  Video/ Si humbi jetën babai dhe vajza e tij në Korçë

LEXO EDHE:  Aksident i rëndë në portin e Durrësit/ Trajleri shtyp për vdekje punonjësen

Lulëzimi i ka bindur demokratët se ata nuk kanë humbur. Ata kanë fituar dhe fitorja e tyre është një ortek që ka nisur të rrokulliset mbi trupin e shqiptarëve dhe ata shumë shpejt do ta ndiejnë kur ky ortek t’i mbulojë me trashësinë e bardhë të dëborës së thinjave që do t’i dalin Lulit duke pritur te dera e kryeministrisë që të marrë çelësat.

Lulëzim Basha ka aftësinë magjike që ta kthejë jo ujin në verë, por vilat e tij t’i kthejë në garsoniere. Demokratët nuk mërziten pse Luli ka blerë katër vila në opozitë, por mërziten pse Rama nuk po ia jep çelësat. Demokratët nuk duan pushtet, nuk duan as Parlament, as bashki e komuna. Ata duan vetëm që Luli të vazhdojë të fitojë betejat e tij. Ata duan që ta shohin Lulin Kalorës që lufton korrupsionin, krimin dhe mafien.

Për ta bërë Lulin hero demokratët ia bëjnë jetën Lulit pranverë. Masakra e Edi Ramës më 25 prill ishte një gërvishje e vogël. Për Lulëzim Bashën demokratët janë gati të vdesin e të vriten, t’i bëjnë procesverbalet ashtu si i ka bërë nëna, të bardha fare dhe Luli t’i mbushë me dorën e tij të pafajshme.

Kështu që sot demokratët duhet të ndjehen të qetë dhe të lumtur sepse Lulëzim Basha e konsolidoi portretin e tij dhe aletranativën. Sot demokratët vërtet nuk janë në qeveri, por ata kanë fituar zgjedhjet, kanë fituar Lulëzim Bashën./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Sot, rikonfirmimi tinzar i Bashës por legjitimimi humbjes së PD edhe në 2025!

Publikuar

-

Nga

Nga Gjeneral Piro Ahmetaj/ "Sot, rikonfirmimi tinzar i Bashës por legjitimimi humbjes së PD edhe në 2025”

Nga Gjeneral Piro Ahmetaj

Në përgjigje të mijëra mesazheve që shprehin konsiderata por edhe zemërime për qëndrimet “e ashpra” ndaj humbjes diskredituese të opozitës në 25 Prill, më duhet të qartësoj sa vijon:

Së pari, ndihem në paqe, pasi përgjatë më shumë se 1 viti (përfshi qëndrimet e 3 muajve të fundit) kam dhënë gjithçka që kam mundur, për ta çliruar PD nga alternativa humbëse e Lulezim Bashës si dhe garda e sekserëve që kanë pushtuar PD dhe përdhosur besimin publik opozita !

ASNJË lidhje me listat e Vlorës, Tiranës, Elbasanit, etj. Përkundrazi, sa më larg 25 Prillit, edhe më shumë i nderuar për mungesën në listat e tenderuara natën por që shitën ditën në diell zgjedhjet e radhës!

ZERO problem me qytetarin L.B, si djalë, prind, bashkëshort, shofer, kuzhinier, përkthyes, me balluket, kostumet, veset apo virtytet njerëzore që si çdo njeri tokësor edhe ai mbart.

Sinqerisht keqardhje për sa kohë harxhova me një “ delinkuent  në tentative për Kryeministër », por «shtetar i pa këllqe, mashtrues i stërvitur, i pabesë për tu përballur dhe cinik njëherësh”!

Së dyti, asnjë sekondë për tu marrë më tej me oshilacionet e humbësit, i cili ndërsa në mbrëmjen e 25 Prillit fjeti me kurorën e Kryeministrit (në vend të dorëheqjes së parevokushme!), u zgjua me instiktet perverse të të mbyturit që kapet edhe pas …, karriges në këtë rast!

Si edhe në 2017 ku mori demek qeverinë me 7 Ministra (u thënçin) dhe fitoi 43 mavro-deputet, por paturpësisht mbajti pa meritë dhe pa nder karrigen e Kryetarit të PD!

Ndërsa në 26 Prill, befas u trimërua me “arkat me masakrën zgjedhore, të  gjitha të rrëzuara nga gjykatat e RSh dhe faktorët ndërkombëtare”, mbledhjet e Kryesisë dhe KK, (paska patur dhe forume PD-ja !!), natën cakton me urgjencë datë zgjedhjesh, rregullat e lojës dhe emëron kush do kandidojë, kush jo, ndërsa ditën përdhos vasalët-vartës, shpërdoron strukturat si arbitër dhe me paturpësi cinike ka dalë si Ali komiku Bagdadit për të drejtuar: «fitoret që presin PD nën udhëheqjen e tij në mos në 2025 mbas 2029»! Hall i madh ka gjet PD!

Për edhe më keq, si një çilimi i përkëdhelur kryetari në detyrë, bën qurramanin ndaj akuzave publike dhe u tregon me ligësi oponentëve serioz: ««o me Lulin o me armikun .., kufirin e mllefit etj », ndërsa gjithfarë mjeranësh zvarriten nëpër salla duke brohoritur: «deri në vdekje me udhëheqësin e lavdishëm», edhe pse PD s’ka asnjë fitore të vetme nën drejtimin e tij.

Së treti, NEVERI për «figurat dhe faktorët» e diskredituar nga mungesa e kurajos si dhe gardën e kamikazëve të lidhur pas karriges së kryetarit humbës që si të ardhur nga Galaktika, bëjnë sikur ka «garë vlerash» dhe vërsulen kundër armiqëve që ju shajnë kryetarin e madh ! Turp !

LEXO EDHE:  Masakra në Zelandën e Re/ Merkel: Racizmi mori jetën e njerëzve që faleshin paqësisht në xhami
LEXO EDHE:  Aksident i rëndë në aksin Tapizë-Thumanë/ Humb jetën 60-vjeçari

PËRBUZJE për listat e borderosë në mediat e kaptereve dhe ushtrinë e punësuar me byrek në portalet e kunetërve që qelbën dynjanë me diarenë e prapagandës: “edhe humbës i përsëritur edhe krenar, edhe trim i tërbuar, edhe i pazëvendësueshëm ….”!  Marrëzi !

KEQARDHJE për 10-ra mijëra demokratët, që pa ju tharë lotët e dëshpërimit për humbjen mëkatare, zvarriten në llogoret e betejës se radhës: «për karrigen e mavro-Kryetarit humbës» !

MËSHIRË, për frymën tinzare se: «fajin për humbjen e radhës së opozitës dhe tranzicionin rraskapitës në RSh, e kanë :«USA, OSBE, NATO dhe ambasadorët perëndimore» !? Për ta nuk mjafton veç: “fali o zot se nuk dinë se çfarë bëjnë” nga paniku … !

Së katërti, Marrëzia për karrige s’njeh limite. Kështu, FATKEQËSISHT, 13 Qershori do të inventarizohet në memorien e pluralizmit si funerali poshtërues i vlerave dhe besimit te PD!

Nga ana tjetër, 13 Qershori demonstron frikshëm jo vetëm papërgjegjshmërinë perverse të Kryetarit humbës, por edhe mungesën dëshpëruese të kurajos në partinë që ka lindur dhe ka për mision Lirinë dhe Demokracinë!

Prandaj besoj edhe më fort se jo «gara cinike», kush do marrë karrigen e humbësit por refuzimi i angazhimeve që legjitimojnë 13 Qershorin, si ngjarje poshtëruese për besimin te PD do ishte minimumi i përgjegjshmërisë fisnike të demokratëve.

Në të kundërt,  ngritja, e një Bordi Tranzitor Mirebesimi, mbetet domosdoshmëri kritike për rinisur një proces gjithëpërfshirës dhe të gjithanshëm transformimi, me qëllim rikthimin e PD-së në shinat e të djathtës moderne si dhe të besimit te demokracia funksionale si gjithë Europa.

Sigurisht është një sfidë shumë e vështirë, por kurrësesi mision i pamundur për njërzit e lirë që besojnë se fuqia e demokracisë fillon dhe mbaron te shenjtimi i votës brënda PD-së.

Në shtesë, me qëllim sjell një shprehje Angleze: “Don’t beat the dead horse », ose e Shqipëruar: «mos e godit kalin e ngordhur», pasi sa më shumë goditet aq më shumë kutërbon era … !

Kështu për këdo të respektuar apo të mërzitur, siguroj se ky mbetet shkrimi i fundit me këtë subjekt (13 Qershorin) dhe për më tepër, kundër Kryetarit humbës!

Ndaj, duke ju falënderuar me mirënjohje për disa dhjetra mijëra mesazhet mbështetëse që më keni shoqëruar përgjatë më shumë se 1 viti, garantoj se do të vijoj të kontribuoj me përkushtim përunjësi dhe përgjegjshmëri shtesë për mbrojtjen e interesave kombëtare si dhe forcimin e partneritetit strategjik me USA, NATO-n, etj.

LEXO TE PLOTE