Connect with Us

Dobësia evropiane dhe forcimi i liderve autoritarëve

Blog

Dobësia evropiane dhe forcimi i liderve autoritarëve

Publikuar

-

Nga Justin Urquhart Stewart “New Europe”

Një aeroplan që devijon nga itinerari i tij, nuk është ndonjë lajm i ri. Edhe kërcënimet me bomba mund të jenë të rralla, por nuk janë më një risi. Por një avion luftarak që “shoqëron” një avion nga destinacioni i pritshëm në një vend tjetër, është diçka krejtësisht tjetër.

Devijimi i udhëtimit të avionit të linjës “Ryanair 4978”, që po udhëtonte nga Athina në Vilnius më 23 maj, dhe që u detyrua të ulej në Bjellorusi, ishte një akt i motivuar politikisht, që synonte arrestimin e një opozitari bjellorus që e kishte acaruar regjimin.

Ajo që duhet të bëjmë, është ta vëmë këtë ngjarje në perspektivë në lidhje me atë që po ndryshon rreth kontinentit tonë, veçanërisht duke përfshirë politikën, por edhe ekonominë më të madhe të rajonit, si dhe atë të kombeve individuale.

Në nivelin global, autoritarizmi duket se ka qenë i suksesshëm në aspektin e përdorimit të pushtetit, dhe pranimi i tij nga popullatat e prekura ka qenë në pjesën më të madhe i jashtëzakonshëm. Një përjashtim i dukshëm ka qenë prania e vazhdueshme e demonstruesve në Minsk dhe zonat kryesore të Bjellorusisë, të cilët janë ngritur me shumë guxim kundër policisë së mirë-armatosur dhe KGB-së bjelloruse.

Padyshim, pushteti i udhëheqësit rus ka pasur një ndikim të rëndësishëm. Paranoja që kanë pasur udhëheqësit rusë përgjatë shekujve në lidhje me ndërhyrjet e huaja, është ende e ngulitur thellë tek klasa politike dhe shërbimet ruse të inteligjencës.

Kjo është në një farë mase e kuptueshme duke pasur parasysh historikun e pushtimeve dhe ndërhyrjeve të huaja në Rusi, nga mongolo-tartarët tek polakët, tek Napoleon Bonaparti dhe ndërhyrjet ushtarake pas Revolucionit të Tetorit, dhe natyrisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rusët nxjerrin me të drejtë në pah dhimbjen, përpjekjet dhe humbjet e tyre në ato luftëra. Por sot po shohim që Rusia të përfitojë nga një udhëheqje evropiane e dobët, e lëkundur dhe e pashpresë për të shtrirë ndikimin e saj, jo vetëm në Evropë, por në një shkallë më ndërkombëtare, dhe veçanërisht në Lindjen e Mesme.

Tani le të shkojmë në Ukrainë, ku Putini po teston sërish Evropën me aneksimin e  Krimesë dhe mbështetjen për separatistët në dy rajone të Ukrainës Lindore. Thirrjet e ukrainase për mbështetje kanë sjellë pak veprime apo mbështetje direkte, dhe vetëm denoncime dhe disa sanksione që nuk e kanë dëmtuar rëndë regjimin.

Dhe me ndërtimin e afërt të gazsjellësit “Nord Stream-2”, Rusia luan një kartë tjetër duke i siguruar direkt Gjermanisë furnizimin me gazin e saj. Gjermania ka qenë e bekuar duke pasur udhëheqësen më të fortë dhe më të suksesshme demokratike që mund të ketë në formën e Angela Merkel, por ndërsa mandati i saj i fundit po mbaron, duket se nuk ka asnjë politikan me një staturë të ngjashme që ta zërë vendin e saj.

Pastaj kemi një fuqi tjetër të BE-së, Francën. Marin Lë Pen duket se ka ri-forcuar aq shumë pozitën e saj, sa që është gati i sigurt një tjetër sulm demokratik ndaj Elizesë. Dhe kjo jo sepse drejtuesja e ekstremit të djathtë është shumë e aftë, por sepse udhëheqësit demokratikë shihen nga publiku francez si të dobët dhe joefektivë.

LEXO EDHE:  A po rrëshkasin në një luftë midis tyre Rusia dhe Ukraina?

Një histori e ngjashme mund të tregohet për Poloninë dhe Hungarinë, ku nuk janë të rralla frazat të tipit “E kemi ndërruar dominimin nga Moska dhe Partia Komuniste Sovjetike, me kontrollin dhe diktatin e burokratëve të Brukselit”.

Një element tjetër i kësaj narrative ishte Brexit, i zgjedhur nga pak më shumë sesa gjysma e popullsisë britanike. Edhe ai referendum ishte një bast i fituar nga populistët dhe siç mund të parashikohej krijoi jo pak shqetësime në të dyja anët e Kanalit.

Kjo ka krijuar jo pak probleme për buxhetin e BE-së, pasi është tërhequr një nga kontribuesit më të mëdhenj. Por britanikët kanë nisur ta pranojnë dalëngadalë se ekonomia e tyre kombëtare do të jetë më e varfër, të paktën në një periudhë afatshkurtër.

Problemet në tregti për shkak të vonesave, sistemeve të reja dhe burokracisë, kanë pasur që tani një ndikim negativ, ndërsa tani po ndihet direkt mungesa e fuqisë punëtore, nga prodhimet bujqësore që nuk po korren kur duhet, deri tek industria e mikpritjes.

Kjo e fundit u ndikua padyshim nga bllokimet e pandemisë, por fakt është se ka një rënie të konsiderueshme të fuqisë punëtore nga vendet kontinentale të Evropës, gjë që ka një efekt dramatik në kafenetë dhe restorantet të cilat po rihapen plotësisht.

Duke hedhur sytë mbi Evropë, ne mund të shohim efektin më të gjerë që kanë këto ndryshime politike. Unë mendoj se problemi kryesor është ai e besimit, pasi ai është faktori kryesor për investime dhe zgjerim. Destabilizimi i viteve të fundit, i shkaktuar nga liderët autoritarë mbi demokracitë e paqëndrueshme do të ketë efektin e tyre.

Evropa duhet të ketë një plan të qartë post-pandemik për të riaktivizuar ekonomitë e saj brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian. Kjo gjë kërkon një udhëheqje e qartë dhe efektive nga demokracitë, e cila për momentin duket shumë e vështirë për t’u gjetur.

Demokracia është një “produkt” i çmuar që është i vështirë të fitohet. Ajo mund të humbasë lehtësisht, qoftë përmes indiferencës apo edhe thjesht vetëkënaqësisë pompoze. Pas katastrofave të dy luftërave botërore të shekullit XX dhe dekadave të sundimit komunist në gjysmën lindore të kontinentit, Evropa ka krijuar një pasuri të madhe për veten e saj.

Por kjo forcë ekonomike nuk duhet të shpërbëhet nga injoranca politike apo marrëzia.

Unë besoj se kemi një mundësi të shkëlqyer për një zhvillim shumë emocionues. Por kjo kërkon një vizion të madh politik, udhëheqje dhe veprim./CNA.al

European weakness and the rise of authoritarians

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Ljudmilla Shkrebneva, e vërteta rreth ish-gruas së Vladimir Putinit

Publikuar

-

Nga

Edhe pse Vladimir Putin është një nga burrat më të pushtetshëm në botë, dhe për këtë arsye shumë shpesh në qendër të vëmendjes, atij i pëlqen ta mbajë sekrete jetën e tij. Megjithatë publiku e di se Putini dikur ka qenë i martuar.

Vladimir Putin u njoh me bashkëshorten e tij të ardhshme Ljudmila Shkrebneva në vitin1980. Në atë kohë ajo punonte si stjuardesë në kompaninë ajrore “Aeroflot”,teksa kaloi disa ditë në Leningrad për arsye pune.

Sipas televizionit amerikan ABC News, pikërisht një këtë qytet (sot mban sërish emrin e dikurshëm Shën Petersburg që kishte që në kohën e carëve),u takuan Vladimir dhe Ljudmila, ku të dy ishin të ftuar nga një mik i përbashkët për të parë një komedian që jepte një shfaqje.

Më pas Ljudmila dhe Vladimir filluan të takoheshin. “Unë isha mësuar me jetën si një beqar, por Ljudmilla ma ndryshoi atë”- u shpreh dikur Putin mbi biografinë e tij të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit.Vladimir dhe Ljudmilla u martuan në vitin 1983 dhe kanë dy vajza së bashku.

Ljudmilla u diplomua në Universitetin Shtetëror të Leningradit në vitin 1986, dhe

raportohet të jetë një gjuhëtare e kualifikuar. Për një fare kohe kohë ajo punoi si lektore e gjermanishtes. Më vonë, qëndroi në krah të burrit të saj dhe përmbushi detyrat e saj si zonjë e parë kur Putini u bë president.

Po kush ishte gruaja që i rrëmbeu zemrën Putinit?

Ljudmilla Shkrebneva lindi në Kaliningrad në vitin 1958 në një familje të klasës punëtore. Babai i saj punonte në një fabrikë mekanike, ndërsa e ëma punonte si arkëtare. Në vitet e rinisë, Ljudmilla thuhej se kishte shkëlqyer në letërsi dhe gjuhën ruse.

Ajo ishte veçanërisht e interesuar të lexonte poezi, por do të shkruante edhe vetë. Ljudmilla ishte një nxënëse e mirë, dhe merrte shpesh pjesë në konkurse shkollore. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ajo punoi në zyrën postare lokale, para se të niste punë në një uzinë.

Po ashtu ajo punoi për një fare kohe si infermiere para se të bëhej stjuardesë. Pasi pati përvoja të ndryshme pune, Ljudmilla vendosi përfundimisht atë që dëshironte të ndiqte dhe u regjistrua në Universitetin Shtetëror të Leningradit për të studiuar gjuhë të ndryshme në Departamentin e Filologjisë.

LEXO EDHE:  Horoskopi i ditës, 23 janar 2021

LEXO EDHE:  Taulant Balla flet pa dorashka/ Ja çfarë nuk më pëlqen te Edi Rama

Ajo ishte në vitin e tretë në universitet kur takoi Putinin. Kur i shoqi u ngjit në majat e  pushtetit, Ljudmilla qëndroi larg vëmendjes, dhe rrallë shfaqej në publik. Siç vuri në dukje një raport nga “The Independent”, një stiliste ruse e cila vishte Ljudmillën për raste të veçanta, zbuloi se zonja e parë nuk ishte e përgatitur për një jetë në politikë.

“Ajo nuk ishte e gatshme për këtë rol. Të qenit gruaja e një presidenti për të ishte shumë e papritur”- pohoi stilistja. Pas gati 30 vitesh martesë, Vladimir dhe Ljudmilla njoftuan vendimin e tyre të përbashkët  për t’i dhënë fund martesës së tyre në vitin 2013.

Edhe para njoftimit të tyre zyrtar, kishte zëra për ndarjen e tyre, pasi Ljudmilla shihej shumë rrallë në publik me Vladimirin.

Megjithatë, njoftimi i divorcit erdhi një befasi, pasi nuk ishte praktikë e zakonshme që politikanët e rangut të lartë t’i jepnin fund martesës së tyre gjatë kohës që ishin në detyrë. Dhe në fakt Putin ishte presidenti i parë rus që u divorcua gjatë kohës që ishte ende në pushtet.

Në njoftimin e tyre zyrtar, ish-çifti foli për një “divorc të civilizuar”. Gjithashtu ata treguan se kalonin shumë pak kohë së bashku si burrë dhe grua, dhe se prej kohësh bënin jetë të pavarur. Ljudmilla shtoi se ajo dhe Putin “do të mbeten gjithmonë miq”, me Putinin që aprovoi se ishte i të njëjtit mendim duke pohuar:“Përgjithmonë, jam i sigurt”.

Britanikja “The Independent” raportoi në vitin 2016 se Ljudmilla u martua me biznesmenin Artur Okeretni, që punonte në një agjenci që organizonte aktivitete. Është raportuar se çifti i ri janë njohur me njëri-tjetrin në fillim të vitit 2000./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse samiti Bajden-Putin nuk ishte një humbje kohe

Publikuar

-

Nga

Nga Daniel DePetris “The Spectator”

Takimi midis presidentit të SHBA-së Xho Bajden dhe atij rus Vladimir Putin në Gjenevë të Zvicrës filloi me tone shumë të përzemërta. Një shtrëngim duarsh i shpejtë, buzëqeshje para kamerave, dhe disa shprehje diplomatike standarde.

“Unë do të doja të të falënderoja për iniciativën që morët për t’u takuar sot”- i tha Putini  Bajden që ishte i vëmendshëm.“Marrëdhëniet SHBA-Rusi, kanë grumbulluar shumë çështje që kërkojnë një takim në nivelin më të lartë dhe shpresoj që takimi ynë të jetë produktiv”- shtoi presidenti rus.

Fjalët e Putinit ishin jo pak të rëndësishme. Raportet SHBA-Rusi, janë ndoshta sot në pikën e tyre më të ulët që nga fillimi i viteve 1980, kur Uashingtoni dhe Moska po e shndërronin Evropën në një parking për raketat e tyre bërthamore me rreze të mesme.

Ndërsa asnjë temë nuk ishte në takimin e së mërkurës jashtë axhendës, 99 për qind e çështjeve dhe ankesave që shtruan Bajden dhe Putin në tryezë (sulmet kibernetike, sanksionet e perëndimit ndaj Kremlinit, mobilizimi i trupave pranë kufirit të Ukrainës, shtypja e disidencës anti-Kremlin në tokën ruse) mbetën të pazgjidhura.

Por kjo ishte gjithçka përveçse befasuese. Duke parë sfondin e takimit, zyrtarët amerikanë dhe rusë ishin të bindur në mënyrë të barabartë mbi atë që mund të arrihej në Gjenevë. Në fakt, e vetmja pikë mbi të cilën binin dakord delegacionet e SHBA-së dhe Rusisë, ishte që trajektorja e përgjithshme e marrëdhënies dypalëshe, ishte e keqe dhe mund të përkeqësohej më tej.

 

Kjo është arsyeja pse u takuan Bajden dhe Putin,dy politikanë karriere, siç i pëlqen të shprehet Putinit. Synimi i diskutimit të djeshëm gjatë 4-5 orëve nuk ishte zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Përkundrazi, ishte sigurimi që ankesat ndaj palës tjetër të transmetoheshin qartë, dhe të garantohej një zbutje minimale e tensioneve, për të parandaluar një acarim të mëtejshëm të marrëdhënieve.

Për disa ligjvënës në Uashington, këto synime vështirë se ia vlenin një takim të nivelit të tillë. E pse t’i japim Putinit një vlerësim të tillë, të cilin ai e dëshiron me kaq shumë ngulm, pyetën ata? Natyrisht, përgjigja është se diplomacia nuk është një koncesion; por një pjesë jetike e punës së përditshme.

Ne nuk duhet të kemi kemi asnjë iluzion se marrëdhëniet SHBA-Rusi, apo marrëdhëniet Perëndim-Rusi më gjerësisht, do të ndryshojnë katërcipërisht tani që u takuan personalisht Bajden dhe Putin. Ka shumë pozicione të kundërt për shumë çështje, dhe asnjëra palë nuk është e gatshme të lëkundet nga pozicioni i saj.

Sado e tmerrshme që mund të jetë sjellja e Putinit (dhe s’ka dyshim që sjellja e tij ka qenë vërtet e tmerrshme, siç e dëshmon rasti i Aleksei Navalnit, që është mbyllur në burg, pasi i mbijetoi një helmimi të urdhëruar nga Kremlini), nuk është se SHBA dhe aleatët e saj në Evropë kanë luksin që ta injorojnë atë.

LEXO EDHE:  Fakti që nuk e dinit/ Pse unaza e martesës vendoset në gishtin e katërt të dorës së majtë

LEXO EDHE:  Gjendet një granatë në Laprakë/ Ndodhej pranë banesës së ish-komandatit të FNSH

Perëndimi nuk ka asnjë shkop magjik që të mund ta tundë mbi Putinin, që ai të bëhet papritmas i aftë ta riorientojë politikën e jashtme ruse në një drejtim më konstruktiv. Ashtu siç zyrtarët amerikanë do të insistojnë që të flasin mbi situatën e të drejtave të njeriut në Rusi, edhe zyrtarët rusë do të këmbëngulin se kjo nuk është çështje e Amerikës.

Bajden nuk mund ta ushtrojë presion mbi Putinin për të ndryshuar botëkuptimin e tij,po aq sa Putin mund të flasë me ëmbël me Bajden për të ndryshuar të tijin. E megjithatë takimi i të mërkurës në Gjenevë, ishte ende i vlefshëm pasi u ofroi një shans të dy udhëheqësve të sqarojnë mosmarrëveshjet dhe të eksplorojnë fushat ku mund të bashkëpunojnë të dyja fuqitë.

Pa dyshim, këto fusha janë të pakta; dhe sigurisht që nuk do të përfshijnë axhendën e promovimit të demokracisë, të cilën Bajden dhe këshilltarët e tij të lartë të sigurisë kombëtare, e kanë vendosur në qendër të axhendës së tyre ndërkombëtare.

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike normale dhe funksionale, është një nga këto fusha ku është rënë dakord,siç u shpreh edhe vete Putin përgjatë konferencës për shtyp ku njoftoi rikthimin e ambasadorëve të SHBA-së dhe Rusisë në postet e tyre në një të ardhme jo shumë të largët.

Por kjo është një arritje shumë e vogël, kur merren parasysh çështjet më të gjera në rrezik. Modernizimi i arsenalit bërthamor të SHBA-së dhe Rusisë në vitet e fundit, dhe fakti që kaq shumë marrëveshje të tjera në fushën e stabilitetit strategjik janë shkelur gjatë 2 viteve të fundit, po krijon një situatë shqetësuese që mund të përkeqësohet lehtësisht me shumë shpejtësi.

Për dy vende që zotërojnë gati 90 për qind  të inventarit të armëve bërthamore në botë, kjo situatë thjesht nuk është e qëndrueshme. Duke iu drejtuar mediave pas takimit, Putini tha se nuk kishte “asnjë armiqësi” midis tij dhe Bajden.

“Në të kundërt takimi ynë u zhvillua në një frymë konstruktive… Të dyja palët shprehën qëllimin e tyre për të kuptuar njëri-tjetrin, dhe për të kërkuar gjuhën e përbashkët”-tha ai. “Bisedimet ishin shumë konstruktive”- theksoi Putin. Fjalë rozë? Ndoshta. Por të paktën është një fillim./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Takimi Bajden-Putin nuk do t’i zbusë marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë

Publikuar

-

Nga

Nga Jennifer Mathers “The Conversation”

Askush nuk pret ndonjë përparim të madh nga takimi i parë i presidentit amerikan Xho Bajden që nga marrja e detyrës me presidentin rus Vladimir Putin. Zyrtarët e lartë të të dyja palëve, kanë qenë të kujdesshëm për t’i mbajtur të ulëta pritshmërinë nga samiti i Gjenevës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, administrata Bajden synon që ta përdorë samitin për të përcaktuar synimet dhe aftësitë e saj të politikës së jashtme, me synimin specifik përmirësimin e stabilitetit strategjik dhe forcimin e kontrollit të armëve bërthamore.

Edhe rusët kanë vendosur stabilitetin strategjik në axhendën e tyre, së bashku me pandeminë e Covid-19 dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale. Kjo sjellje e kujdesshme nga Uashingtoni dhe Moska, nuk përbën habi. Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë qenë shumë të tendosura që nga viti 2014, kur SHBA-ja udhëhoqi një fushatë ndërkombëtare për të vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimenë nga Moska, dhe ndërhyrjes së saj në konfliktin në Ukrainën lindore.

Moska e kundërshton vendosjen e sanksioneve, dhe është shumë dyshuese për mbështetjen që i jep Perëndimi figurave opozitare si Aleksei Navalni, që aktualisht po vuan një dënim me burg në Rusi. Deklarata e fundit i Bajden se Rusia po e trajton Navalnin “në mënyrë të padrejtë”, do të konsiderohet nga Putini si një provë e mëtejshme se Amerika po përpiqet të diktojë se si Rusia t’i trajtojë problemet e sajtë brendshme.

Uashingtoni e konsideron Rusinë si një ngatërrestare, që refuzon të veprojë sipas rregullave të diplomacisë, dhe që i përdor shërbimet e saj sekrete për të sabotuar SHBA-në dhe aleatët e saj, duke ndërhyrë në zgjedhjet amerikane ose duke helmuar ish-agjentët rusë që sot jetojnë në Perëndim.

Por nëse nuk ka gjasa të ketë rezultate të dukshme, atëherë pse takohen dy liderët? Një pjesë e përgjigjes mund të qëndrojë në domethënien simbolike të samitit për të dy palët. Për Bajden, takimi është një mundësi për të dërguar njëkohësisht sinjale tek disa audienca. Takimi me Putinin vjen pas pjesëmarrjes së tij në takime të nivelit të lartë përgjatë samitit të G7-ës (që e dëboi Rusinë pas aneksimit që ajo i bëri Krimesë) dhe të NATO-s,që riafirmojnë angazhimin e Amerikës ndaj multilateralizmit dhe aleatëve të saj transatlantikë.

Kjo është shumë e ndryshme nga qasja “Amerika e Para” dhe politika e jashtme kaotike e  administratës Trump. Bërja e një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë është e rëndësishme për administratën Bajden, por jo aq e rëndësishme sa të bërit biznes me partnerët e Amerikës.

Mbajtja e një samiti me Putinin kaq herët në fillim të presidencën e tij, nxit bërjen e krahasimeve midis qasjes së Bajden ndaj Rusisë dhe asaj të paraardhësit të tij. Donald Trump preferoi të takohej privatisht me Putinin, pa gazetarët amerikanë që mund të mbanin ndonjë shënim mbi diskutimet, dhe që për këtë arsye gjeneruan shumë spekulime rreth asaj mbi të cilën mund të kishte rënë dakord me kreun e Kremlinit.

LEXO EDHE:  Horoskopi i ditës, 23 janar 2021
LEXO EDHE:  “Fushatat kanë financime të dyshimta”/ Paralajmëron Serreqi: Atyre që blejnë vota po i vjen fundi

Në dallim nga Barak Obama, Trump shfaqi ndërkohë një qëndrim gati lavdërues ndaj Putinit. Edhe pse Bajden është një president i ri, karriera e tij e gjatë në Senatin Amerikan, dhe 8 vitet e tij si zëvendëspresidenti Obamës, nënkuptojnë se ai është veteran i shumë takimeve ndërkombëtare të nivelit të lartë.

Ai nuk ka gjasa që të thyejë protokollin apo të largohet nga skenari. Bajden do të ofrojë një rivendosje të re të raporteve me Rusinë, por në fund do të dështojë. As Putini nuk do të presë apo ofrojë ndonjë ndryshim dramatik në marrëdhëniet SHBA-Rusi.Gjithsesi edhe për të ky samit është i vlefshëm.

E para dhe më e rëndësishmja, samiti është dëshmi e qartë se Rusia vazhdon të jetë e rëndësishme në skenën ndërkombëtare. Putini i kushton një vlerë të madhe gjesteve të respektit ndaj Rusisë nga ana e udhëheqësve të vendeve të tjera, dhe sidomos nga SHBA-ja.

Një nga arsyet kryesore të popullaritetit të vazhdueshëm të Putinit midis shumë rusëve, është perceptimi se ai është autori i ringjalljes së prestigjit të Rusisë në arenën ndërkombëtare pas humbjes poshtëruese të pushtetit dhe statusit të Moskës gjatë viteve 1990.

Një takim kokë më kokë me presidentin amerikan, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës nga ky i fundit, është një miratim i nënkuptuar i qasjes së Putinit, se problemet vërtetë të rëndësishme me të cilat përballet sot bota, nuk mund të zgjidhen nëse në tryezë mungon Rusia.

Kur të dy udhëheqësit biseduan në telefon menjëherë pas inaugurimit të Bajden në detyrë, Putini vuri në dukje se SHBA-ja dhe Rusia kanë përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit global. Dhe kontrolli i armëve bërthamore, është çështje e mirë për t’ia filluar.

Të dy udhëheqësit mund të bazohen tek marrëveshja e tyre e arritur në janar për të zgjatur traktatin New Start, që e kufizon numrin e armëve strategjike bërthamore që mund të vendosë në gjendje lufte secili vend. Lufta kundër Covid-19 është një fushë tjetër e mundshme për bashkëpunim.

Edhe pse si SHBA-ja ashtu edhe Rusia e kanë pasur shumë të vështira ta kontrollojnë pandeminë, padurimi i Rusisë për të eksportuar vaksinën e saj Sputnik, mund të përputhet me qasjen e administratës Bajden mbi rëndësinë e pasjes së një qasje globale për të luftuar virusin.

Duke marrë parasysh listën e gjatë të çështjeve për të cilat nuk bien dakord Bajden dhe Putin, është ndoshta një qasje e mençur që të mbajmë pritshmëri të ulëta për samitin. Gjithsesi, ka zona ku të dy udhëheqësit kanë shumë të përbashkëta për të justifikuar një optimizëm shumë të kujdesshëm në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Rusi./CNA.al

LEXO TE PLOTE