Connect with Us

REPORTAZH/ Mjafton një qytet për të jetuar ëndrrën tënde…

Aktualitet

REPORTAZH/ Mjafton një qytet për të jetuar ëndrrën tënde…

Publikuar

-

Kur flitet për qytete gjithmonë urbanizimi varet nga projektuesit, arkitektët imazhorë dhe ideatorët e strukturave të godinave, fabrikave, shkollave, restoranteve, bareve.

Rrugës për në Labinot-Fushë, larguar paksa Elbasanit, ngrihet një qytet i mëvetësuar, i pa shpallur ende por i formatuar si i tillë. Me një hyrje të tërthortë, si për të treguar dhe për të drejtuar syrin për nga hyrja, të paraqitet një “totalitet” i ri zhvillimor. Qyteti nuk të përngjan me asgjë, por të kujton gjithçka shqiptare.

Unë gjendesha aty ndërmjet, midis kodrave të pafundme me gjelbërim, por të dendur aq sa syri qetësohet në përhumbje. E këndej kisha një polifoni dhe një ansambël të organizuar, në mënyrë të këtillë që vizioni i ëndërrimtarit bëhet “realiteti” dhe zgjimi jot, i vizitorit, i mikut, i të ardhurit.

E kam lënë të takoj më nga afër dhe të diskutoj, ku më së shumti do më duhet të dëgjoj me kërshëri, atë që ka qenë i pari që ka shkelur me dëshirën dhe vullnetin për ta bërë realitet dhe të mundur, një hapësirë dykohësie midis së kaluarës, fëmijërisë, pasioneve, nostalgjisë, ndjenjave e jetës dhe së ardhmes që i dedikohet të vërtetave, punës, politikës, përballjes dhe inovacionit në strukturë, në parim dhe në ide.

Ai është i fundit që largohet me bindjen që çdo strukturë dhe çdo sirtar i ëndrrës të hapet kur t’i vijë koha. Ai nuk ka “dorashka” dhe grepat e tij nuk kapen pas spangos por pas ushqimit, që më pas kthehet në vlerë e nga vlera ngrihet një “qytet” i tërë me 1 mijë e 500 punonjës.

Gjergj Luca është ai që na priste në hijen e verandës, teksa pema e blirit, sublime në gjigandizmin e saj qëndronte para tij, si monument i rezistencës së kohës dhe durimit, aq më shumë të natyrës së fitimtarit.

Pa humbur kohë ai filloi të kujtonte ndërkohë që më bënte pjesë të ‘kredhjes’ në të kaluar.

“Kur kam hyrë unë këtu, kam hyrë mbas 25 vitesh. Kjo ka pasur një drejtor, një nëndrejtor, një shef finance, një përgjegjës, dy magazinierë, dhjetë punëtorë, njëzet roje. Ka pasur mbi 50-60 vetë dhe këtu brenda nuk ka pasur asgjë”.

Përballë meje nëpër kahe periferike, gjendeshin kapanone të kthyer në godina mirëfilli funksionale e që nuk rezervonin apo strehonin më armatime e ushqime apo veshëmbathje, por punë, punëtorë dhe zhvillim.

Më shpjegoi që njërës prej tyre, aty ku gjendej restoranti që ata i drejtoheshin me korrespondencë si “mensa” është ruajtur struktura e çatisë ekzistuese, kohë më parë. Kjo flet shumë për ndarjen e kohës, tek e tashmja që jetojnë njerëzit e tek e kaluara që nuk mund të mohohet por që do të gjykohet kur t’i vijë momenti.

Ai është një njeri i biznesit dhe i punës, me anijet e peshkimit që konkurrojnë me të mëdhajat e Evropës e me telefonin që nuk pushon së dërguari lajmërime, thirrje, punë që ndërlidhen nga një person i vetëm.

“Kur kam hyrë unë këtu ka pasur vetëm kanale, ferra, pisllëqe, pastrime dhe kam ndenjur një vit për t’i bërë. Kjo tani është kthyer në një ndërmarrje që vjen e viziton gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe të huaj që vijnë dhe ngelen pa mend”.

Unë jam njëri prej tyre dhe më mbeti të shëtisja midis rrugëtinash dhe të tatëpjetash aq të organizuara sa mes punëtorësh që kapnin oraret dhe turnet e mesditës, unë sodisja me “tabula rasa”, në mendime por jo në ndjesi.

LEXO EDHE:  Vrasja e trefishtë në Elbasan/ Anila Hoxha zbulon skandalin e policisë

Mure të tëra godinash shpallnin citate që të kujtojnë patjetër një film, a një moment filmik, një libër a një shfletim a faqosje libri. Njësoj si vendi ku gjendesha.

“Të gjitha këto citate nëpër mure janë vendosur me shumë kujdes, janë të gjitha plagë, ngacmime të jetës time, shqetësime të jetës time që janë vënë dhe prandaj ky është bërë një ishull emocional për njerëzit”.

Nuk ka më rëndësi autori, përsa kohë ngrihet diçka që do qëndrojë e vetme si krijim apo siç Luca preferonte ta quante “xhevahir”.

E nuk është një xhevahir që gurët e çmuar janë blerë nga miniera përballë, a janë transportuar nga fshati më i afërt. Xhevahiri ka qenë aty. U desh një ëndërr që qyteti të bëhej i mjaftueshëm për ta jetuar atë.

Godinat apo kapanonet e përjetësuara në ndasi institucionale, kishin emra nga më origjinalet, por “Prokuroria” dhe “Psikiatria” që qëndronin përbri njëra-tjetrës ishin të pazëvendësueshme. Njëra ishte zyrë, tërësisht serioze dhe hijerëndë që shërbente për mbledhjet e stafit e tjetra ishte një sallë shplodhëse dhe argëtimi.

Duke ecur e duke u shoqëruar nga vapa, po endesha në një ditë të zakonshme pune për ta dhe unë dukesha krejt i paangazhuar, por në fakt për një të panjohur i vetmi angazhim është gjithëpërfshirja masive e burimeve. Ushqime nëpër kontejnerë kamionësh e nëpër fuçi që shpërndaheshin nëpër godinat e açukes, karkalecit, etj.

Në fabrikën e açukes ishte një organizim frenetik pune dhe unë kisha ngecur në ingranazhet e punës së tyre njësoj si Charlie Chaplin në filmin “Modern Times”. Unë shihja lëvizje të automatizuara të një krahu pune sistematik, por tek-tuk rrëmbeja ndonjë shikim a ndonjë lëkundje të muskujve të fytyrës.

“Nëqoftëse ne punojmë, puna është e prekshme dhe këta që ne kemi liderë, thelbi i këtyre është që këta përditë duhet të promovojnë punën dhe të vërtetën, ashtu siç ne luftën kryesore për të krijuar ndërmarrje të shëndetshme e kemi tek puna dhe e vërteta”.

Sinkroni i lëvizjeve dhe uniformiteti i ngjyrave të përfshinte si një makinacion, të cilin nuk e ndalte asgjë. Dhe përshkrimi apo syri im kapte fragmente midis pushimeve, ku gratë punëtore largonin tensionin e punës duke u dëfryer në kërcim a duke ia nisur një kënge.

E gjitha një shumësi apo bashkësi, ku e përbashkëta ishte pandashmërisht qyteti, aty ku punohet dhe jetohet.

Por, unë nuk qeshë aty për të dëshmuar mallin, ushqimin. Unë jam aty si një vizitor që këqyr se si arti bëhet funksional edhe pa qenë nevoja. Unë jam aty për të parë se si natyra është mikpritëse kur qyteti të shoqëron dhe nuk të zapton. Unë jam aty, sepse më duhet të bisedoj ende për të kuptuar vrullin e “qytetit të peshkut”, por që mua më serviret krejt si qyteti që jeton me ëndrrën.

“Fundi i gjithë kësaj dhe ajo që ti pe është ëndrra, më parë ishte puna dhe e vërteta, mbi të cilën ky vend u ngrit, njësoj si Shqipëria, që pas viteve ’90 u kthye në një shkretinë a një shkretëtirë”, shpengoi Luca, ndërkohë që përgatiteshim për intervistën tonë.

Shumë gjëra të shtangin në jetë, ku më së shumti të qëmton realizimi i tyre, i mundit të përkthyer në akt, në vepër, të sjellë në jetë, të ngriturit në mes të shumë bërrylave e pabesive. Por, ja pse jeta nuk ia kalon kurrë ëndrrave, sepse kur e gjitha kjo bëhet realitet të mjafton një qytet për të jetuar ëndrrën tënde… /Albanianpost.com

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

Lufta për terrorizmin e brendshëm/ Biden shpall planin e parë kombëtar

Publikuar

-

Nga

Biden promovon planin 2 trilion dollarë për infrastrukturën

Presidenti amerikan Joe Biden shpalli atë që ai e quajti plani i parë kombëtar për të luftuar terrorizmin e brendshëm.

Në një deklaratë të martën, Presidenti Biden tha se Strategjia Kombëtare për të Luftuar Terrorizmit e Brendshëm synon të përmirësojë analizën e qeverisë dhe ndarjen e informacionit mbi terrorizmin e brendshëm me agjencitë e zbatimit të ligjit në të gjitha nivelet.

Parandalimi i rekrutimit të terroristëve, aftësisë për t’u mobilizuar dhe goditja e aktiviteteve të tyre, janë gjithashtu elementë kryesorë të strategjisë.

Plani synon “t’u japë zgjidhje kontribuesve afatgjatë” të terrorizmit të brendshëm siç janë “urrejtja racore, etnike dhe ajo fetare”.

Terrorizmi i brendshëm nxitur nga urrejtja, fanatizmi dhe forma të tjera të ekstremizmit është një njollë në shpirtin e Amerikës. Ato bien ndesh me synimet që vendi përpiqet të arrijë. Ai (terrorizmi i brendshëm) përbën sfidë të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë kombëtare, demokracinë dhe unitetin“, thuhej në një deklaratë të Presidentit Biden.

LEXO EDHE:  Paralajmëron Indeksi i Fitch/ Më shumë rreziqe në vitin 2020 për Shqipërinë

LEXO EDHE:  Të shtëna me armë zjarri në Elbasan/ Policia jep detajet

Strategjia publikohet më shumë se gjashtë muaj pas sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar nga mijëra mbështetës të ish-Presidentit Donald Trump, ndërsa Kongresi po certifikonte rezultatin e zgjedhjeve që shpallte fitues demokratin Joe Biden. Ish-Presidenti Trump ka refuzuar ta njohë rezultatin.

Sipas një raporti të zyrës së drejtorit të Zbulimit Kombëtar, ekstremistët e dhunshëm në vend përbën një kërcënim të shtuar gjatë vitit 2021 dhe se rreziku më i madh vjen prej organizatave supremaciste të bardha dhe grupeve të armatosura anti-qeveritare./ VOA

LEXO TE PLOTE

Politikë

Analiza e zgjedhjeve në PD/ Edith Harxhi del në konferencë për shtyp

Publikuar

-

Nga

Analiza e zgjedhjeve në PD/ Edith Harxhi del në konferencë për shtyp

Nga zgjedhjet e 13 qershorit, Lulzim Basha u rizgjodh në krye të PD edhe për katër vitet e ardhshme.

Tre kandidatët e tjerë, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli hodhën një sërë akuzash për manipulim të zgjedhjeve, ndërsa prej dy ditësh edhe emisioni Fiks Fare ka nxjerrë me fakte manipulimet e votave.

Por ditën e nesërme, Harxhi do të dalë në një konferencë për media në orën 10:00 për të folur për procesin zgjedhor të organizuar në  PD në 13 qershor.

LEXO EDHE:  Paralajmëron Indeksi i Fitch/ Më shumë rreziqe në vitin 2020 për Shqipërinë

LEXO EDHE:  Të shtëna me armë zjarri në Elbasan/ Policia jep detajet

Te nderuar miq te medias neser me date 16 qershor 2021 ne oren 10:00 Grupi per PD dhe kandidatja per Kryetare e Partise Demokratike Edit Harxhi mbajne konference shtypi ne Hotel Xheko International “Karlsberg” ne lidhje me zgjedhjet per Kryetar Partie te organizuar nga Partia Demokratike me 13 qershor 2021. Ju mirepresim”, thuhet në njoftim./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Shkodranët ‘çmenden’ pas Antonelës së ‘Përputhen’/ Ironizon Taulant Muka: Ky është niveli arsimor që kemi

Publikuar

-

Nga

Epidemiologu publikon fotografinë shqetësuese/ Kështu marrim viruset si “ushqim” në gojë

Emisioni i dashurisë “Përputhen” ka nisur turin e audicioneve në çdo qytet dhe gjatë ndalesave të tyre është vënë re se janë të shumtë qytetarët që presin të takojnë ish-konkurentët.

Në rrjet sot ka qarkulluar një video ku qytetarët e Shkodrës vrapojnë të takojnë ish-konkurenten Antonela Berisha, ndërsa ka qenë pikërisht kjo ajo që ka irrituar studiuesin Taulant Muka.

Në një status në rrjetet sociale, Muka thotë se po lodhet kot me shkencë dhe beteja për arsim cilësor, pasi deklaron se ngjarje të tilla tregojnë se cili është niveli real arsimor dhe kulturor në vendin tonë.

LEXO EDHE:  Lufta kundër korrupsionit/ Paralajmëron Soreca: Peshqit e mëdhenj do përballen me drejtësinë

LEXO EDHE:  “Zoti e bekoftë Shqipërinë”/ Mike Pompeo: Është nder për tolerancën që ka, i ofroi strehë hebrenjve

“Lodhem kot me shkencë dhe me beteja për arsim cilësor, ka ndonjë vend për mua në Përputhen?. Përtej shakasë, tregues i nivelit arsimor dhe kulturor që kemi si vend… ngjarja ka ndodhur në teatrin Migjeni…”, shkruan studiuesi./ CNA.al

LEXO TE PLOTE