Connect with Us

REPORTAZH- Nermin Shurdha, artistja e muraleve/ “Puthja” e  Klimt vishet me kostum tradicional

Në QYTETIN tim

REPORTAZH- Nermin Shurdha, artistja e muraleve/ “Puthja” e  Klimt vishet me kostum tradicional

Publikuar

-

Kjo është Nermin Shurdha. Profesionin e saj e ka ekonomiste por pasionin për artin nuk e harroi kurrë! Nermini është artistja që prej pak vitesh ka nisur t’i veshë me ngjyra, portrete apo peisazhe muret e Shkodrës.

Mjedisi në hyrje të banesës së saj është kthyer në një ekspozitë në natyrë, vend të cilin Nermini kalon herë pas here orë të tëra e humbur mes rreshtave të librave.

Por si nisi rrugëtimi i artistes në artin e pikturës?

Pasioni im për pikturën ka nisur që fëmijë, në moshën 2 vjeçare. Por prindërit mendonin se nuk mund t’a kisha në plan të parë pasi duhej një degë e cila kishte perspektivë, që sillte para. Prandaj studimet në fakultetin ekonomik në univerditetin “Luigj Gyrakuqi” në Shkodër ishte për kohën si mundësi e së ardhmes. Pavarësisht studimeve të mia, pikturën nuk e braktisa. Idea e muraleve erdhi natyrshëm. 10 vite më parë nisa të bëj murale, sepse mua nuk më pëlqente të pikturoja në letër. Fillimin e muraleve e nisa me njerëzit e mi, mendova se edhe nëse nuk e realizoj bukur, familjarëve nuk u mbeste hatri”, shprehet artistja e muraleve.

 

Ajo që i bie në sy çdokujt që e sheh këtë foto është puthja e Gustav Klintit. Piktorja e ka kthyer në versionin shqiptar!

Ideja për Klint ishte krejt e thjeshtë, duke parë pikturën e tij “Puthja” një nga më të famshmet në botë, bëra kërkime në internet për të parë nëse më përpara e kishte bërë ndokush versionin shqiptar. Meqë nuk rezultoi gjë, mendova ta përshtas me veshjet dhe kulturën tonë,” thotë Shurdha, duke shtuar se “Puthjen e Veriut” e bëri në një mur pranë shtëpisë së saj me përmasa rreth 2 metra.

Ajo tregon se pjesa më e vështirë e punës ishte të gjente balancën midis ruajtjes së origjinalitetit të pikturës së austriakut me qëndrimin besnike ndaj detajeve të kostumeve tradicionale të veriut, sidomos xhubletës malësore.

Realizimi ishte pak i vështirë, jo për idenë se sa për detajet, se doja që mos t’i ik krejt origjinalit por edhe ta përshtas pak me natyrën tonë si shqiptarë, kjo është edhe arsyeja që mimikën e fytyrës së vajzës nuk e kam bërë aq romantike siç është tek origjinali, por pak më kryeneçe siç janë vajzat shqiptare,” thotë Nermin Shurdha.

Kjo kuptohet pak edhe për humor për ta lidhur me situatën aktuale, sikur kërkon mbajtjen e distancës në kohën e virusit,” shton ajo në mënyrë gazmore.

Teksa e pyesim Nerminin nëse puna e saj është kthyer fitimprurëse apo mbetet pasion piktorja thotë, se 90% është pasion.

Përfitimi është i papërfillshëm, pasi nuk pranon shumë kërkesa.

Asaj i pëlqen të punojë me njerëz që e pëlqejnë atë lloj arti dhe jo duke u impostuar. Muralet e saj janë sa arratisje aq edhe shprehje e realitetit.

LEXO EDHE:  Aksidenti në Shkodër/ Ndërron jetë 18 vjeçarja shtatzënë

Piktura e cila është realizuar në hyrje të galerisë se arteve, është bërë në datën 8 dhjetor, në ditën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Nga ana tjetër, shkodranja duket se i ka shfrytëzuar orët e kufizuara të lëvizjes edhe për të parë dhe vlerësuar artin në rrugët e qytetit.

Fakti që po bëja murale kudo në rrugët e qytetit, gjatë karantinës u kthye në kërkesë e përditshme e komshive në lagje”, thotë Shurdha ndërsa shton se “më thonin, mbete duke zbukuruar çdo rrugë përveç lagjes tënde. Impakti i dhënë ishte i menjëhershëm, nisin të vinin gazetarë, shkrimtarë dhe artëdasheës” tregon artistja shkodrane. Ajo u fut në google maps në mënyrë që të tjerët të kenë lehtësi në gjetjen e rrugicës së saj në afërsi të bulevardit “Bujar Bishanaku” në Shkodër. Ka patur edhe nga ato që ishin skeptik dhe nuk e pëlqenin por nuk u kam dhënë rëndësi “, vijon Shurdha.

“Fakti që pallatet në rrugicën time janë të vjetra, atëherë shërbeu edhe si një lyerje e fasadës duke i zbukuruar ato”, shprehet artistja shkodrane që ngjyros muret.

Edhe vetë Nermini ka murale të preferuar, e pagëzuar me emrin “Koha”

Nese pyet për muralet e bëra nga unë, i preferuar është murali që i kam vënë emrin ‘koha’. Murali në rrugicën e lagjes time. Ishte ide e imja, dhe ka një mesazh. Gjatë karantinës kisha shpesh ndjesinë që koha nuk po ecte, dhe kjo pikturë më jep edhe sot këtë ndjesi. Aty kam vendosur një fëmijë të vogël që është në hapat e tij të parë dhe qëndron mbi një klesinder, që është simbol i kohës.

 I vogli ka pak detaje, një biçikletë, një lule, gjëra që mund ta gëzojnë atë. Përballë tij është gjyshi i tij i cili ka libra, shtëpi, udhëtime, pra çdo gjë që ai ka jetuar. Idea është krahasimi i dy botëve dhe koha në mes, pikërisht për këtë më pëlqen, jep sensin dhe ndjesinë e dy kohëve të ndryshme”, rrëfen Shurdha.

Artistja shkodrane për të rinjtë ka një mesazh, “ato para që fiton me mund mos i shpenzoni në kafene, por në arritje të dëshirave dhe pasioneve tuaja sepse në 24 orë çdo i ri ka kohë për punën, kafetë, leximin por mbi të gjitha përmbushjen e vetvetes”.

Për ata që kanë pasion muralet, i inkurajon që të mos kenë frikë as turp sepse pasioni mund të shprehet kudo, qoftë në letër, rrugë apo mure.

Punimet e Nerminit njihen nga i gjithë qyteti. Jo vetëm rrugica e saj, por edhe rrugë të tjera në qytet ajo përballë Prefekturës, afër Qendrës Kulturore të Fëmijëve, në Shirokë janë zbukuruar nga duart e artistet duarartë, punime që herë të arratisin nga realiteti e herë të japin mesazhe të forta! Nermin Shurdha është vajza që ngjyros qytetin

 

 

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Në QYTETIN tim

REPORTAZH- Muzeu i Diktaturës në Shkodër/ Një dëshmi për viktimat e komunizmit

Publikuar

-

Nga

REPORTAZH- Muzeu i Diktaturës në Shkodër/ Një dëshmi për viktimat e komunizmit

Popujt që harrojnë të kaluarën e tyre janë të destinuar që ta përsërisin atë”.

Në një ndërtesë të zakonshme në qendër të Shkodrës, në një muze të vogël janë kujtimet e viktimave të një prej regjimeve më brutale të Europës Lindore të cilat vijnë të gjalla. Që nga viti 2013 këto kujtime janë të stamposura në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Në afërsi te ish degës, aty ku kujtesa e së shkuarës nuk mund të harrohet.

Muzeu u ndërtua mbi gërmadhat e objektit ku në vitin 1945 u ngrit një nga burgjet më të egra të regjimit komunist, ish dega e Punëve të Brendshme. Arkitektët dhe kuratorët kanë studiuar edhe muze të ngjashëm të ndërtuar kryesisht në vendet e Europës Lindore. Sipas bashkëkohësve, është ruajtur me përpikmëri e gjithë struktura e mëparshme.

Komunistët në një kohë drejtonin jo më pak se 23 burgje në Shkodër, ku komunistët u përpoqën shumë për të marrë kontrollin e tij gjatë dhe pas viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Dhjetëra mijëra shqiptarë u dërguan në kampe pune për arsye politike nën regjimin komunist dhe të paktën 6,000 njerëz u ekzekutuan, besojnë shumica e ekspertëve.

Përgjegjësi i muzeut të diktaturës në Shkodër Pjerin Mirdita na njeh më shumë me atë çfarë ofron ky muze i dëshmisë dhe kujtesës.

Gjatë këtyre viteve, kundërshtimi ndaj komunistëve ishte ende i lartë në Shkodër, mbase jo direkt kundër shtetit, por ai mbeti gjallë brenda zemrave dhe mendjeve të njerëzve. Ish-shkolla katolike funksiononte si një qendër torturimi dhe marrje në pyetje. Fillimisht, të burgosurit qëndronin këtu për periudhën e marrjes në pyetje, periudhë gjatë së cilës i nënshtroheshin torturës fizike dhe psikologjike. Pasi dënoheshin, ata dërgoheshin në burgje të tjera në të gjithë vendin”.

Në muze gjetëm edhe një grup të ardhur nga Gjermania. Kanë dëgjuar shumë për vendin tonë dhe tortuart çnjerëzore të kryera ne përiudhën e komunizmit.

“Kanë kaluar dekada, por teksa dëgjoj Pjerinin që na tregon për vuajtjet dhe historitë e trishta, nuk mund të mos ndjej dhimbje shpirtërore. Në fakt tani që po flas me ju më duket sikur kam edhe dhimbje fizike”, thotë  Lucas Schëarz nga Gjermania

Pjesa e brendshme e Muzeut të Dëshmisë dhe Kujtesës është e ndarë në dy pjesë, të ndara nga një korridor i lyer me të kuqe, i cili simbolizon vuajtjet shpesh të përgjakshme të atyre që dërgoheshin në dhomën e marrjes në pyetje, dhoma më e errët e ndërtesës.

Megjithatë ajo e cila rrënqeth mbeten dhomat e qelisë. Një hije trishtimi nis që në koridoret e tyre të errëta. Në të dy anët e koridorit, përballë njëra-tjetrës ndodhen 23 qeli. Në këto qeli të vogla, secila më pak se katër metra katrorë dhe që në atë kohë quheshin biruca, të burgosurit mbaheshin para dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje.

LEXO EDHE:  Video-Voltana Ademi harron qytetarët/ Rrugët e Shkodrës “nën pushtetin” e ujit

LEXO EDHE:  Zjarr pranë banesave/ Banorët në panik

Në qelinë nr 3 vuajti dënimin At Zef Pllumbi. Ishte 22 vjeç kur me 14 dhjetor të vitit 1946 arrestohet dhe dënohët me tri vite burgim. Pas vuajtjes së denimit ai u rikthye sërish në kuvendin Françeskan ku shërbeu për 12 vite si meshtar. Në vitin 1967 arrestohet dhe dënohet me 23 vite burg. Dënimin e vuajti ne burgje dhe kampe të ndryshme nga Spaçi deri në Tiranë. Pasi doli nga burgu në fillim të viteve ‘90, at Zef Pllumbi ishte dëshmitari i gjallë i vuajtjeve dhe torturave ku solli edhe botimin “Rrno për me tregue”.

Në qelinë numër 13, ishte Marie Tuci. Maria ishte një vajze e re nga Mirdita, e cila sfidoi xhelatët e periudhës komuniste, në emer të Zotit për të mbrojtur besimin katolik. Shefi i sigurimit të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili u magjeps nga bukuria e 22 vjeçares mendoi se mund të abuzonte me të sipas dëshirës, por kur hasi në rezistencën e saj, ai vendosi ta torturonte në mënyrën më çnjerëzore. E mbyllën në një thes së bashku me një mace të tërbuar dhe e goditën Marien me mjete të forta. Kur e nxorën nga thesi, Maria ishte transformuar sa nuk njihej.

U dërgua në spitalin e të burgosurve në gjendje të mjerueshme, ku nga plagët e marra nuk njihej. Maria Tuci vdiq në spitalin e Shkodrës, më 20 shtator të vitit 1950, në moshën 22 vjeçare, dhe ishte e vetmja grua që renditet mes 40 martirëve të parë të kishës katolike shqiptare të shpallur nga Vatikani.

Në fund të hapësirës së qelive ndodhet edhe dhoma e torturave ku shpesh të burgosurit ishin të detyruar të asistonin në tortura fizike e morale që ushtroheshin mbi njërin prej tyre. “Fillimisht, të burgosurit qëndronin këtu për periudhën e marrjes në pyetje, periudhë gjatë së cilës i nënshtroheshin torturës fizike dhe psikologjike. Pasi dënoheshin, ata dërgoheshin në burgje të tjera në të gjithë vendin,” shpjegon drejtori i këtij muzeu. Disa prej paisjeve që përdoreshin në dhomën e torturës janë ende të vendosura aty ndërsa për brezat e sotëm kur njihen me këtë histori duket gati e pabesueshme.

Këto janë vetëm përshkrime, por për t’u njohur nga afër me emocionet, drithërimat dhe për t’u njohur me historinë e tyre, muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, i ndodhur në qendër te qytetit të Shkodrës ka hapur dyert e tij, me shpresën se do të jetë një sezon ndryshe nga ai që lamë pas për shkak të pandemisë COVID-19.

Mbi të gjitha, për të kujtuar, e për të njohur atë të vërtetë të dhimbshme e cila ende ruhet e gjallë./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Bujtina Muriqi në Shkodër/ Oazi i qetësisë, bukurisë dhe argëtimit me kuaj

Publikuar

-

Nga

E gjendur mbi një kodër në pjesën fundore të fshatit Zues në Shkodër, me një pamje të mrekullueshme të pyjeve të asaj zone por edhe një pjesë të qytetit të Shkodrës, bujtina “Muriqi” ka hapur dyert rishtasi duke pritur të gjithë miqtë që kërkojnë një fundjavë të qetë apo një ditë ndryshe.

Është një ivestim që ka nisur dy vitet e fundit për ta përfunduar tashmë plotësisht këtë bujtinë në që ndodhet në kufirin ndarës të Zuesit me fshatin Oblikë të njësisë Ana e Malit në Shkodër.

Sapo kalon urën e re të Bunës, në aksin që të çon drejt pikës kufitare të Muriqanit, vetëm pas afro 2 kilometrash në një rrugë malore në të djathtë ndodhet bujtina Muriqi e cila është një vlerë që i shtohet asaj zone.

Që në momentin e parë sytë qetësohen në pamjen mahnitëse që ofrohet nga kjo bujtinë.

Rreth e qark bujtinës mund të soditësh malin e Taraboshit që ndodhet përballë, një pjesë të qytetit të Shkodrës por edhe një pjesë të Anës së Malit, një trekëndësh në të cilin gjen një qetësi shpirtërore.

Bujtina Muriqi përveç ushqimeve të zakonshme që mund të kërkojnë vizitorët vendas apo turistët e huaj ka zgjedhur që në menunë e saj të ketë edhe gatimet e shijshme të asaj zone në Anën e Malit si dhe prodhimet bio që ofrojnë fermerët atje.

Kuzhina në këtë bujtinë është e ndërthurur mes modernes dhe tradicionales duke qëndruar më shumë tek kjo e fundit dhe kryesisht gatimet dhe prodhimet bio të cilat janë më të kërkuarat edhe në këto ditë të para nga ata që vizitojnë bujtinën e bukur në majë të kodrës.

Edhe pse ende në ditët e para vizitorët që zgjedhin për të kaluar drekën apo darkën në bujtinën “Muriqi” janë të shumtë. Shumë shpejt shkodranët por edhe nga shumë qytete të tjera kanë ‘vrapuar’ për të shijuar pamjen e bukur por edhe gatimet e bujtinës më të re në Shkodër.

Në këtë mënyrë për stafin ka qenë disi edhe papritur ky fluks i madh duke i detyruar ata që të punojnë për shumë orë si shkak i kërkesave, aq më tepër gjatë fundjavave ku gjithsecili duhet të rezervojë sepse në të kundërt rrezikon që ta gjejë plot bujtinën.

Bujtina “Muriqi” është pak më e veçantë se nga sa jemi mësuar të shohim deri tani në Shkodër. Në gjysëm të kodrës aty ndodhet një fermë me disa kuaj të racave të ndryshme të cilët presin miqtë që vijnë aty jo vetëm për t’i parë nga afër por edhe për të kalëruar. Një pjesë e stafit të bujtinës janë kalërues prej vitesh të cilët kanë marrë pjesë edhe në gara kombëtare apo ndërkombëtare me kuaj.

LEXO EDHE:  Operacioni “Stop”, arrestohet 26 vjeçari/Akuzohet për trafikimin e 19 afganëve
LEXO EDHE:  Flakët përfshijnë banesën në Shkodër/ I moshuari gjen vdekjen

Kuajt janë të zbutur maksimalisht dhe qoftë fëmijët e vegjël por edhe të rriturit mund të bëjnë gjiro në pistën e posaçme e mundësuar nga bujtina.

Çmimet për xhirot me kalë janë modeste ndërsa pë rata që konsumojnë drekën aty shpesh herë ka një tolerim duke bërë gjiro falas.

Në këtë mënyrë më shumë se kushdo janë fëmijët ata të cilët preferojnë të hipin në kuajt që ka bujtina “Muriqi” duke bërë gjiro në pistë apo edhe nga ajo fermë e vogël deri tek bujtina.

Kuajt janë të racave të ndryshme si lapican, kuaj vendit, kuaj të racës angleze dhe deri tek ata më të famshmit, kuajt arab.

Prania e kësaj ferme me kuaj ka tërhequr edhe më shumë vizitorët apo turistët të cilët kanë një arsye më shumë për t’u argëtuar ata vetë ose fëmijët e tyre.

Është ende herët por në një të ardhme jo shumë të largët me shumë mundësi bujtina “Muriqi” do të ketë edhe një akademi për hipizmin për të mësuar fëmijët që në moshë të vogël që të kalërojnë, një sport ndryshe por edhe një argëtim që mungon në qytetin e Shkodrës.

Vetëm pak metra larg bujtinës ndodhen edhe disa shtëpiza të vogla prej druri të cilat tashmë janë gati për të pritur ata të cilët kanë dëshirë që të kalojnë natën në atë mjedis fantastik.

Dita në bujtinë ka bukurinë e saj por jo më pak e mahnitshme janë edhe orët e pasdites, darkës apo mbrëmjes vonë.

Në një oaz të plotë qetësie, të shkëputur nga zhurma e mërzitshme e qyteteve, mes një vendi të gjelbëruar dhe një ajri të pastër, shtëpizat janë një tjetër vlerë e shtuar e kësaj bujtine.

Me një çmim të përballueshëm nga të gjitha shtresat, këto shtëpiza prej druri të vendosura edhe estetikisht bukur tashmë janë tejet të frekuentuara edhe pse bujtina “Muriqi” ka vetëm pak ditë që është hapur.

Për një drekë ndryshe dhe disa orë larg gumëzhitjes së përditshme, në një vend ku shërbimi dhe ushqimi janë në nivelin e duhur, argëtimi me kuaj, pamje mahnitëse dhe ajri i pastër, bujtina “Muriqi” është zgjedhja e duhur për çdo familje shqiptare./CNA.al 

LEXO TE PLOTE

Në QYTETIN tim

REPORTAZH-Korça në festë/ Nisin Karnavalet, qyteti vishet nga parada me ngjyra

Publikuar

-

Nga

Korça ka çelur zyrtarisht sezonin turistik 2021, dhe aktiviteti i kësaj dite ishin pikërisht Karnavalet Tradicionale të qytetit.

Prej vitesh në Korçë organizohen karnavalet si një festë tradicionale që sjell një atmosferë të ngrohtë për qytetarët korçarë dhe turistët.

Rreth 25 grupe janë bërë pjesë e marshimit në rrugët e qytetit, me një shumëllojshmëri kostumesh e fabulash që pjesëmarrësit kanë dashur të përcjellin drejt spektatorëve.

Pjesëmarrja e grupeve respektive kishte në fokus 400 lloje të ndryshme kostumesh festive dhe maskat që mbuluan fytyrat e tyre duke përcjellë një bukuri të veçantë, me personazhe të filmave vizatimorë, telenovelave turke dhe kafshëve të ndryshme.

Fëmijët kanë qenë ata që kanë festuar të gëzuar këtë ditë, që prej orës 11 të paradites e që do të kulmojë në një paradë në qytet pasditen e sotme.

Spektatorëve u është dhënë mundësia të bëjnë fotografi me personazhet e po ashtu të shijojnë me entuziazëm festën e mrekullueshme të karnavaleve.

Kemi lënë pas një vit të vështirë për shkak të pandemisë e këtë vit organizimi ka qënë ndryshe nga viti i kaluar ku ka patur grupe të vogla pjesëmarrësish e që nuk kanë mundur ta përcjellin mjaftueshëm atmosferën festive.

Ky vit ka kulmuar pikërisht ditën e sotme me qindra qytetarë korçarë por edhe turistë të huaj që zgjodhën Korçën për të kaluar fundjavën e për t’u bërë pjesë e aktiviteteve në qytet.

Gjatë qëndrimit të grupeve të karnavaleve në pedonalen e qytetit, patëm mundësinë të flasim me disa prej grupeve pjesëmarrëse të cilët me shumë kënaqësi kanë treguar fabulën që lidhet me kostumet shumëngjyrëshe.

Gloria Hoxha është njëra prej vajzave të grupit të “bletëve punëtore”. Të gjitha të veshura me kostume me ngjyrë të zezë e të verdhë e duke mbajtur në dorë hojet e bletëve.

Ajo tregon me shumë gëzim arsyen e pjesëmarrjes së tyre në këtë sezon karnavalesh.

Ne sot simbolizojmë bletët punëtore, të cilat janë sezoni i pranverës. Na pëlqejnë shumë bletët, sepse shkojnë lule më lule dhe nxjerrin mjaltin.

Mjalti është shumë i preferuar nga të gjithë dhe për këtë arsye u bëmë sot pjesë e karnavaleve. Nuk është hera e parë që ne jemi pjesëmarrëse, dëshirojmë të jemi çdo vit në këtë organizim.

Fatmirësisht pandemia kaloi dhe ndihemi shumë të lumtura që po shijojmë së bashku me qytetarët e Korccës këtë aktivitet.” – tregon Gloria.

Mark Stoscher është një shtetas amerikan, pjesë e karnavaleve i cili bashkë me grupin e tij ka vendosur të sjellë një tjetër fabul për publikun.

Jemi të gjithë nga Kolonja, po kënaqemi shumë. Sot është një ditë shumë e bukur, dielli shkëlqen dhe na jep një kënaqësi fantastike. Ne kemi ardhur me një mëndim në këto karnavale, të gëzoheni gjithmonë në zoti. Njerëzit falin njëri tjetrin, që është shumë e vështirë, por duhet të ndodhë tek çdokush, që fytyrat e të gjithëve të jenë më pas të gëzuara. Ja, kështu si jemi ne të gëzuar e me buzëqeshjen në fytyrë.” – shprehet Mark.

LEXO EDHE:  Shkodër/ Grabitësit vjedhin 4500 Euro nga banesa e një të moshuari

LEXO EDHE:  Shkodër/ Grabitësit vjedhin 4500 Euro nga banesa e një të moshuari

Turistët e huaj nuk kanë munguar këtë ditë të veçantë për qytetin, dhe kanë zgjedhur pikërisht Korçën e bukur për të kaluar fundjavën. E ku më mirë do të festohej fundjava përvecse në Korçë me Karnavalet?

Një çift të huajsh kanë ardhur posaçërisht në qytetin juglindor për të parë Karnavalet.

Ne jemi nga Polonia dhe Ukraina. Vendosëm të vinim në Korçë sot për të parë festën e karnavaleve dhe për të shijuar atmosferën e tyre. Jemi shumë kuriozë të shohim se çfarë do të ndodhë sot, me gjithë kostumet e mrekullueshme dhe plot ngjyra. Gjithçka duket kaq bukur, njerëzit e qeshur, janë bërë shumë të veçantë me këto veshjet dhe mezi presim të shohim pasditen. Jemi të sigurt se do të jetë një ditë fantastike.” – tregon çifti i turistëve.

Edhe një turist gjerman është bërë pjesë e publikut, duke qëndruar prej disa orësh në pedonale e duke shijuar çdo grup pjesëmarrësish. Adelbert Ringwald, tepër i lumtur, ka treguar ndjesitë që i përcjell festa që organizohet edhe në shtetin e tij.

Unë jam nga Gjermania, kam disa muaj që jetoj në Shqipëri, në Elbasan. Më pëlqen shumë Korça dhe sapo mora vesh që sot ishin Karnavalet erdha menjëherë këtu. Nuk mund ta humbisja festën e bukur sepse më kujton qytetin tim ku organizohet çdo vit ashtu si në Korçë. Nuk e prisja të kishte kaq shumë grupe pjesëmarrëse. Me të vërtet një organizim shumë i mirë me përmbajtje të veçanta. Është e mrekullueshme mënyra sesi ju festoni. Dhe unë sot do festoj së bashku me ju, edhe me birrën që e keni shumë të mirë.” – shprehet Adelbert.

Karnavalet e Korçës do të vijojnë deri mbrëmjen e sotme marshimin në rrugët kryesore të qytetit, që prej orës 18:00 të pasdites.

Të gjithë do të kenë mundësinë të përjetojnë një ditë ndryshe, me street party në bulevard Republika e më pas me përfundimin e saj tek Pazari i Vjetër i qytetit.

E ne s’na mbetet gjë tjetër veçse t’u urojmë që këto karnavale t’i kaloni sa më bukur nën shoqërinë e familjes dhe të miqve./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE