LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH-Në Gjirokastër, qytetin e traditave dhe turizmit/ 20 vjetori i veçantë i Giselës, së rritur në Francë

2 Qershor 2021, 06:42, Kulturë CNA
REPORTAZH-Në Gjirokastër, qytetin e traditave dhe turizmit/ 20 vjetori

Kanë zgjedhur mënyrën më të veçantë për të festuar ditëlindjen e 20-vjetorit të vajzës në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Kjo është historia e  Giselës  e cila prej disa ditësh është ndalur në një vizitë turistike  në jug të vendit , ku udhëtimi do të kulmonte në Gjirokastër për të festuar ditëlindjen.

E lindur e rritur në Francë, aty ku prindërit emigruan pas viteve 90 , bukuroshja vjen për herë të parë në këtë qytet për tu njohur më traditën, kulturën e historinë e tij.

Me një theks francez por në gjuhën shqipe ajo tregon  për eksperiencën e një suprize krejt ndryshe në përvjetorin më të bukur të jetës.

 Imelda Hodo zonja dikur pjesë e televizionit do të udhëtonte drejt Francës  në emigrim, aty ku edhe sot jeton e punon.Ajo ndërtoi familjen e saj me bashkëshortin e tre fëmijët ku më vogla Gisela lindi aty.

?Jam shumë e lumtur që kam ndërmarrë sërish rrugën drejt Gjirokastrës. Përveç anës shpirtërore dhe mallit mërgimtarë këtu kam edhe një pjesë të miqve të hershëm.

Sot e gjej ndryshe këtë qytet, pazari plot me njerëz dhe shumë bujtina të reja .

Njerëzit i janë kthyer vlerësimit të traditës dhe kjo është një gjë e mirë si për anën ekonomike ashtu edhe për prezantimin e një turizmi të mirëfilltë.

Sa i përket surprizës më duhet të them se ka dy anë kjo histori. E them këtë pasi pjesa e parë e saj i përket për fat të keq një gjëje të dhimbshme, mosnjohjes së të rinjve që janë lindur e jetojnë jashtë të historisë, kulturës e traditës shqiptare.

Me gjithë dëshirën që mund të kemi ndoshta rutina e përditshme na bën të mos kujdesemi si duhet.

Kjo na ndodhi edhe me Giselën tonë.Kuptuam që po bëhej më shumë franceze seç duhej. Udhëtim jonë pikërisht tani është një ndërgjegjësim që ajo të njohë dhe të dashurojë vendin e saj. E veshur më kostum popullor kjo është një shtysë që të ndihet shqiptare në rrënjë e shpirt?, shprehet Hodo.

Teksa ngjiten kalldrëmit në pazarin karakteristik , aty në rrugën e Zejtarëve familja  takohet me Elin, rrobaqepësen e kostumeve popullore.

Në atelienë e saj ajo tashmë prej më shumë se 20 vitesh ka çelur dyert e Gjiro Art aty ku prezantohen edhe kostumet popullore per eventet, dasmat, shfaqjet popullore e së fundmi edhe dëshirës së turistëve.

Eli Zhulati teksa nuk ndalon punën për të veshur e stolisur familjen me kostumet tradicionale, nuk resht së treguari e së reklamuari punën e artizanëve në pazarin e qytetit.

Tradita e kostumeve popullore tani ka marrë dhenë siç e themi ne gjirokastritët.E kemi nisur këtë sezon fatmirësisht pas pandemisë me vizitorë që na kishin munguar.

Atelieja ka nisur të jetë rrëmujë e kjo na ngazëllon. Kostumet popullore janë kthyer tashmë një trend jo vetëm për grupmoshat e mëdha por edhe të rinjtë po i bashkangjiten traditës për ti veshur e për të patur një kujtim në një foto.

Së fundmi janë maturantët ata që kanë vërshuar pranë qëndrës artizanale, pasi veshjen e parë do ta kenë atë tradiconale.

GjiroArt qëndra ku përcillet artizanati i punimeve me dorë po plotëson disa kostume të reja pasi kërkesat  janë të larta.

Për familjen e ardhur sot unë kam zgjedhur tre kostume ashtu siç edhe janë, fustanella burrërore e shoqëruar në  jelek , fustani i nënës gjirokastrite, ku duhet të them se janë ruajtur elementë besnikë në qepjen e tij , dhe  veshja e  të resë e ndërthurur me kapelen me gjerdanë ari.

Kërkesat  e kostumeve popullore falë edhe turizmit në rritje në vitët e fundit  dhe prezantimit të tyre në aktivitete kulturore kanë bërë që të dërgohen jashtë kufijve.

Gjithçka është gati, tre kostume gjirokastrite për një kujtim në përvjetorin e ditëlindjes. Me fustanella tipike , e zbukuruar si një nusë gjirokastrite , me florinjtë që i ndrijnë, buzëqeshjen dhe me habinë e kësaj kulture familja  rrugëton drejt kalasë, duke kaluar mes syve kureshtarë të dhjetra turistëve e qytetarë të Gjirokastrës.

Për Giselën ndoshta në fillim kjo s?do  të ishtë ditëlindja ideale, ashtu siç e kishte planifikuar ajo në një klub në Paris e me miqtë e saj. Edhe pse pak me zemër të thyer bukuroshja nuk e refuzoi kërkesën per të udhëtuar drejt Shqipërisë bashkë më prindërit.

E do të kalonin vetëm pak ditë që për Giselën të ndryshontë cdo gjë e të pristë me padurim  ditën e ditëlindjes .

?Jam shumë e lumtur që ndodhem në këtë qytet. Gjithçka kam parë është një gjë e re për mua. Ky udhëtim përkon me ditëlindjen time  e planifikuar ndryshe, por sot teksa mbaj këtë fustan veshur jam e mahnitur.

Më vjen mirë  që po njihem dalëngadalë me traditat e vendit tim. Gjëja e parë ishte pikërisht dërgimi i fotove pafund që kam bërë tek miqtë e mi dhe sugjerimi të vizitojnë Shqipërinë sa më shpejt të munden.

Unë studioj për menaxhim dhe e shikoj këtë udhëtim si një mundësi edhe për të marrë eksperiencë. Surpriza e prindërve më emocionoi dhe sot e veshur me petkun e vajzës gjirokastrite, po, them se jam nga Gjirokastra, jam nga çdo qytet  i Shqipërisë?, është shprehur Gisela./CNA.al

Lajmet e fundit nga