Connect with Us

Pse Shtëpia e Bardhë mbylli një hetim mbi origjinën e Covid-19?

Blog

Pse Shtëpia e Bardhë mbylli një hetim mbi origjinën e Covid-19?

Publikuar

-

Nga Tucker Carlson “Fox News”

Presidenti Xho Bajden dëshiron që amerikanët ta dinë se pas 1 viti e gjysmë, ai ka zhvilluar papritmas një fazë kurioziteti mbi origjinën e kësaj pandemie. Ai thotë se ka angazhuar për këtë mision super-agjentët në të ashtuquajturën “komunitet i inteligjencës”, dhe ata i premtuan se do të raportojnë shumë shpejt mbi këtë çështje.

Që nga sot, dy të tretat e agjentëve të Bajden besojnë se virusi kaloi natyrshëm tek njerëzit nga një kafshë e infektuar, siç bëjnë shpesh viruset në tregjet e kafshëve të gjalla. Dhe po flasim për agjentë të cilët nuk besoj se kanë folur kurrë me një virolog aktiv.

Por një e treta, na tha Biden, “anon më shumë” nga teoria se Covid-19 u arratis nga laboratori qeveritar kinez në Vuhan, që po kryente eksperimente të rrezikshme në koronavirusët gati identikë që barten nga lakuriqët e natës. Sido që të jetë, vijoi më tej presidenti, ne do të marrim disa përgjigje, ose do të kemi të paktën më shumë pyetje disa muaj më pas.

Por ky angazhim i ri i Shtëpisë së Bardhë bart jo pak dyshime. Kjo pasi vetëm disa orë para njoftimit të Bajden, ne mësuam se Shtëpia e Bardhë kishte mbyllur një hetim të madh dhe të ligjshëm federal mbi origjinën e pandemisë, një hetim që po vazhdonte prej muajsh.

Ai po drejtohej nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Kontrollin, Verifikimin dhe Pajtueshmërinë e Armëve.

Por pse e mbylli atë hetim Shtëpia e Bardhë? Në një seancë dëgjimore të zhvilluar të mërkurën zyrtarë të lartë në Institutet Kombëtare të Shëndetit (NIH) – përfshirë Entoni Fauçin – thanë se nuk e kishin idenë se pse Shtëpia e Bardhë e mbylli atë hetim. Ata thanë se për herë të parë kishin dëgjuar nga mediat për këtë hetim.

Dhe kjo ishte vërtet e çuditshme, duke pasur parasysh që NIH ka të punësuar ekspertët kryesorë të vendit mbi sëmundjet infektive. Dhe në fakt, NIH kanë shumë lidhje me historinë në fjalë. Edhe pse NIH financohet nga paratë e taksapaguesve amerikanë, po këto fonde financuan disa nga kërkimet groteske dhe të rrezikshme në Institutin kinez të Virologjisë nëVuhan, që mund të ketë sjellë shkatërrimin ekonomik të Perëndimit.

Ndërsa nuk e dimë arsyen pse Shtëpia e Bardhë i dha fund një hetimi disa mujor mbi çështjen më të rëndësishme të momentit, nuk dimë as se çfarë zbuloi ai hetim para se të mbyllej.

Gjithsesi,kemi disa ide rreth zbulimeve të mundshme. Një raport i bërë publik nga Departamenti i Shtetit në ditët e fundit të administratës Trump, shkruar nga të njëjtët njerëz që po kryenin hetimin që është mbyllur tashmë nga administrata Bajden, pretendon se disa studiues në Institutin e Virologjisë në Vuhan u sëmurën rëndë në vjeshtën e vitit 2019 “me simptoma që përputhen si me Covid-19,po ashtu edhe me sëmundje të zakonshme sezonale”.

Tre prej tyre përfunduan në spital. Kjo u mësua nga shërbimet sekrete në janar, ndërsa media amerikane e raportoi këtë javë. Në një deklaratë për Fox News, kontraktori i Departamentit të Shtetit që drejtoi hetimin tani të mbyllur, Dejvid Asher, përsëriti se bazuar në gjetjet e studimit “ka dyshime të forta” se virusi arriti të dalë nga një laborator në Vuhan, dhe qeveria kineze gënjeu për këtë fakt.

LEXO EDHE:  Covid-19 e ka dëmtuar rëndë demokracinë

Po pse nuk dimë më shumë sesa kaq? Sipas Asher, të plotfuqishmit në Departamentin e Shtetit nuk donin të dinin më shumë. Ata nuk donin të vazhdonin të bënin pyetje. Dhe nuk e pëlqyen hetimin. Po anën e kujt mbajnë ata? David Asher tha se Kris Ford, ish-nën Sekretar për Kontrollin e Armëve në Departamentin e Shtetit, u soll si një njeri që “nuk donte të thellohej mbi potencialin e daljes aksidentale të virusit nga laboratori, dhe lëre më pastaj mbi skenarin e një programi të mundshëm ushtarak kinez të klasifikuar në shkelje të plotë të konventave kundër armëve biologjike”.

Tani, pse një zyrtar në qeverinë amerikane nuk do të donte të dinte më shumë rreth një kundërshtari të huaj që shkel ligjin ndërkombëtar dhe që rrezikon jetën e miliona njerëzve? Kjo është një pyetje e shkëlqyer. Vetë Ford reagoi për Fox News dhe tha se kishte pasur “shqetësime procedurale dhe strukturore” në lidhje me hetimin, përfshirë faktin që deri

Në dhjetor ai ishte mbajtur jashtë informimit mbi ecurinë e tij.

Por nga ana tjetër theksoi:“Teoria e origjinës laboratorike është shumë e mundur, dhe Kina duhet të mbajë përgjegjësi…”.Ky është pozicioni i Ford tani. Shpresojmë që të jetë gjithmonë i tillë. Ashtu siç duhet të jetë në fakt pozicioni i të gjithëve në qeverinë amerikane.

Papritmas, ky është pozicioni i të gjitha mediave amerikane. Gati çdo media në vend e kaloi javën e kaluar duke hequr dorë nga gënjeshtrat që kanë raportuar më parë në lidhje me këtë histori. Për më shumë se një vit ata ju thanë amerikanëve se ky pretendim ishte një teori konspiracioni, ndërsa tani pretendojnë se nuk e thanë kurrë këtë gjë.

Edhe Entoni Fauçi është detyruar ta rishikojë pikëpamjet e tij mbi këtë gjë. Vetëm disa ditë më parë, ai reagoi i tërbuar ndaj akuzave se kishte financuar studimin e laboratorit në Vuhan. Tani e pranon se dalja aksidentale nga laboratori e virusit është plotësisht e mundur. Por ai e ka ditur gjithmonë se ishte plotësisht e mundur. Në vitin 2014, institucioni që drejton Fauçi miratoi një grant për një projekt të quajtur “Kuptimi i rrezikut të shfaqjes së koronavirusit së lakuriqëve të natës”. Ky projekt do të drejtohej nga një grupim i quajtur “Aleanca EcoHealth”, i mbikëqyrur nga një njeri i quajtur Peter Dazak. Dhe na del rastësisht, se është pikërisht Dazak, që gjatë gjithë vitit të kaluar i tha botës me zë të lartë:“Nuk ka asnjë mundësi që ky virus të ketë dalë nga një laborator”, dhe më pas u emërua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të hetuar origjinën e Covid-19, duke e përjashtuar që në fillim nga çdo lloj përgjegjësie laboratorin e Vuhanit.

Por çfarë ishin saktësisht këto eksperimente me koronavirusët e lakuriqëve të natës? Ne nuk e dimë. Por e kemi një ide, pasi pasojat janë rreth e rrotull nesh. Por Shtëpia e Bardhë dëshiron që amerikanët të jenë të qetë. Administrata Bajden do që ju t’ia lini në dorë komunitetit të inteligjencës./CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

NATO përballë Kinës dhe Rusisë:Çfarë fshihet pas luftës informative në Ballkan

Publikuar

-

Nga

Nga Federico Berger “Formiche.net”

Ballkani Perëndimor është një rajon historikisht kompleks për t’u lexuar dhe interpretuar,

një çështje që i ka rrënjët pjesërisht edhe tek ndikimet e shumta që kanë prekur rajonin.

Duke filluar nga Perandoria Bizantine, duke kaluar përmes dominimit osman dhe hegjemonisë Austro-Hungareze (vetëm sa për të përmendur disa) deri në ditët e sotme,ky rajon ka qenë për shekuj me radhë një kaleidoskop jo vetëm i traditave dhe kulturave, por edhe i mosmarrëveshjeve rajonale dhe i mpleksjes së interesave të huaja.

Por cilët janë lojtarët kryesorë në skenën ndërkombëtare, që po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor përmes mjeteve ekonomike, diplomatike dhe luftës informative?Së pari, është e pamundur të mos përmendësh Kinën.

Pasi ka fituar statusin e një fuqie të madhe botërore, vitet e fundit “Dragoi” ka lëvizur me vendosmëri në skenën ndërkombëtare, duke ndjekur interesat e veta ekonomikë dhe njëkohësisht, aktivitetet e diplomacisë publike edhe në gadishullin ballkanik.

Nuk është rastësi investimi prej mbi 15 miliardë dollarë investime në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve 2005-2019, apo ndërhyrjet e Pekinit në peizazhin mediatik të rajonit,që janë intensifikuar në disa mënyra.

Kështu, agjencitë e saj të lajmeve (si Xinhua apo China Radio International), kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe për shpërndarjen e përmbajtjeve pro-kineze në vende të ndryshme të rajonit, duke dërguar gazetarët e tyre për një qëndrim afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Siç u pa edhe nga veprimtaria e Kinës në fillim të pandemisë, objektivi kryesor mbetet ai i të vepruarit si një aktore dashamirëse dhe bashkë-biseduese e privilegjuar në rajon, kryesisht në dëm të demokracive të mëdha perëndimore dhe institucioneve euro-atlantike.

Dhe ai që përfiton më shumë nga kjo retorike anti-perëndimore është sigurisht Kremlini. Gjatë viteve të fundit, Rusia e ka treguar vazhdimisht gatishmërinë dhe aftësinë e saj për të ndërhyrë në hapësirën informative të këtij rajoni.

Prania e agjencisë qeveritare “Sputnik News” (në variantin e saj Sputnik Serbia) dhe e mediave të tjera të financuara nga Moska (si Russia Beyond dhe NewsFront), e kombinuar me veçoritë kulturore dhe gjuhësore të zonës, përfaqësojnë pjesën kryesore të aktiviteteve pro-ruse të dezinformimit.

Duke filluar nga Serbia dhe e ndihmuar nga kanalet dixhitale, informacioni me origjinë në gjuhën serbe nga mediat pro-Kremlinit shtrihet midis Beogradit, Malit të Zi dhe Republikës Serbe të Bosnje Hercegovinës.

LEXO EDHE:  Coronavirus “hyn” në Shtëpinë e Bardhë/ Infektohen Melania dhe Donald Trump

LEXO EDHE:  Çfarë e shkaktoi vdekjen misterioze të Herri Hudinit, magjistarit më të madh të shekullit XX?

Pra një rrjedhë narrativash (potencialisht keq-informuese) që nuk njohin kufij, dhe në një zonë të banuar nga gati 9 milionë njerëz. Retorika, e harmonizuar me interesat strategjikë të Moskës, u forcua akoma më tej gjatë pandemisë.

Reagimi i vonuar i Bashkimit Evropian ndaj krizës shëndetësore, u ka dhënë një frymëmarrje të re narrativave kundër procesit të zgjerimit të BE-së, që është fajtore për dobësimin për shkak të ndarjeve të saj të brendshme të pretenduara.

NATO dhe Shtetet e Bashkuara, tregohen si aktorë armiqësorë për Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka pasur një fushatë propagandistike të madhe për të promovuar epërsinë e vaksinës ruse mbi atë perëndimore. Njëkohësisht, media pro-ruse u përpoq të rindizte tensionet etnike, mosmarrëveshjet e pazgjidhura dhe ato rajonale që nuk janë qetësuar asnjëherë.

Është pikërisht Covid-19 dhe menaxhimi i krizës shëndetësore, që mund të shërbejë si një pikënisje ku institucionet euro-atlantike mund të zhvillojnë një qasje më pro-aktive në trajtimin e retorikës anti-perëndimore.

Prej më se 20 vjetësh, NATO me misionin e KFOR-it ka kontribuar në mënyrë aktive në sigurinë e Ballkanit Perëndimor, ku mund të mbështetet tek 3 vende aleate. Në terma ekonomikë, Bashkimi Evropian është aktualisht huadhënësi dhe donatori më i madh në rajon.

Që nga fillimi i pandemisë, BE-ja ka dhënë 3.3 miliardë euro për rajonin. Por kjo paketë e madhe ndihme ka pasur një mbulim shumë të kufizuar të medias lokale. Për të parandaluar që aktorët e jashtëm t’i shfrytëzojnë këto boshllëqe komunikimi, nevojiten fushata të forta, të vazhdueshme dhe të përhapura të informacionit mbi iniciativat dhe aspektet konkrete të pranisë së BE-së dhe NATO-s në Ballkan, duke e diferencuar mesazhin në lidhje me kontekstin dhe audiencën e synuar.

Për më tepër, promovimi dhe bashkëpunimi me agjencitë e pavarura të lajmeve dhe mediat në zonë do të siguronin një dukshmëri më të madhe për të dyja institucionet, duke siguruar zhvillimin e një ekosistemi mediatik pluralist dhe të ekuilibruar në shkallë lokale./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Fobitë e çuditshme nga të cilat vuajnë njerëzit e famshëm

Publikuar

-

Nga

Të famshmit janë të aftë të mbulojnë pasiguritë dhe frikën e tyre. Sigurisht që veshjet e tyre firmato apo të stiluara nga stilistët më të njohur dhe aksesorët miliona dollarësh kanë prirjen t’ua fshehin këto dobësi, dhe ne supozojmë se kurrë asgjë nuk i prek këta njerëz.

E megjithatë, duket se shumë prej tyre vuajnë nga frika dhe pasiguritë që i mundojnë edhe njerëzit e thjeshtë. Akoma më befasues është fakti që këta vipa nuk kanë frikë t’i pranojnë frikat e tyre.

Frika nga fluturimi

Këngëtarja e njohur amerikane Cher ka frikë nga fluturimi me avion, një nga fobitë më të zakonshme në të gjithë botën. Edhe të famshëm të tjerë si Xhenifer Aniston, Toni Kërtis, Muhamed Ali, Majkëll Xhekson, Upi Goldberg etj., e kanë pranuar frikën ekstreme që kanë nga fluturimi.

Frika nga kllounët

Shkrimtari amerikan Stefën King mund ta ketë përkeqësuar frikën që kanë shumë amerikanë nga kllounët. Në fytyrat e pikturuara dhe buzëqeshjen artificiale, ka disa elementë që trembin për vdekje disa njerëz. Mes tyre janë këngëtari Paf Didi, ylli i sagës“Harry Potter”, Daniel Redklif dhe aktori i famshëm Xhoni Dep.

Frika nga lartësitë

Projektuesi i Kullës Eifel në Paris, Gustav Eifel dyshohet se kishte frikë nga lartësitë. Por

ai nuk është i vetmi. Një nga të famshmit e sotëm që ka frikë nga lartësitë është aktori dhe regjisori Udi Alen. Po ashtu ai ka frikë nga insektet, qentë, se mos preket nga sëmundje të caktuara, nga dushet që kanë në mes vrimën e kullimit, nga hapësirat e ngushta dhe turmat.

Frika nga varrosja për së gjalli

Në kohët e hershme supozohet se shumë njerëz janë varrosur gabimisht kur ishin ende të gjallë, për shkak se trupat e tyre kishin kaluar në gjendje kome të thellë. Dy personalitete të famshme që kishin shumë frikë se mos varroseshin të gjallë ishin shkrimtari i përrallave për fëmijë Hans Kristian Andersen dhe muzikanti i njohur Frederik Shopen.

Frika nga macet

Frika nga macet ose ailurofobia ka prekur shumë personalitete të njohura, përfshirë disa nga emrat më të famshëm të historisë Jul Çezarin, Napoleon Bonapartin, Benito Mussolinin dhe Aleksandrin e Madh. Njerëz të tjerë të famshëm që kishin fobi nga macet ishin Xhengiz Kan, Uilliam Shekspir, Luigji XIV dhe Adolf Hitleri.

LEXO EDHE:  Cili është dallimi mes trishtimit dhe depresionit?

LEXO EDHE:  Politika miope e Xho Bajden mbi kufirin,ka rikthyer krizën e emigrantëve në SHBA

Frika nga të folurit në publik

A mund ta imagjinoni që ndonjë i famshëm të ketë fobi nga të folurit në publik?Në fakt kjo frikë ka prekur dhe prek shumë personalitete të famshme, duke përfshirë këngëtaren dhe aktoren Barbara Streisën, bukuroshen Merilin Monro dhe komedianin e njohur britanik Lorenc Olivier.

Frika nga uji

Ish-basketbollisti i famshëm amerikan Majkëll Xhordan ka frikë nga oqeani, qëkur ishte dëshmitar i vdekjes së mikut të tij të fëmijërisë. Po kështu, edhe ish-modelja Karmen Elektra përjeton sulme paniku sapo mendon se ndodhet pranë ujit, pasi ajo nuk është në gjendje të notojë. Kristina Riçi ka shumë frikë të qëndrojë vetëm në një pishinë pasi beson se “një derë do të hapej nën dyshemenë e saj dhe do ta gëlltiste atë të gjallë”.

Frika nga kuajt

Aktori i njohur amerikan Robert Patinson i ka shumë frikë kuajt, pasi druhet se mos shtypet prej tyre. Ai hasi shumë vështirësi kur xhiroi skenën me kuaj në filmin “Uji për elefantët”.

Frika nga fluturat

 Aktorja e njohur australiane Nikol Kidman vuan nga kjo fobi. Në një rast ajo nuk ishte në gjendje të kalojë nëpër një pjesë të muzeut ku ndodheshin në një stendë disa flutura të ngordhura.

Frika nga buburrecat, gjarpërinjtë, zvarranikët dhe merimangat

Këngëtari Xhastin Timberleik ka shumë frikë nga merimangat, gjarpërinjtë dhe gjithë zvarranikët e tjerë. Ndërkohë Skarlet Johanson është e tmerruar nga buburrecat dhe zogjtë. Edhe regjisori Stiven Spilberg ka shumë frikë nga të gjitha llojet e insekteve.

Frika nga errësira

Kenju Rives ka frikë të qëndrojë vetëm në errësirë, po ashtu edhe aktorja Megan Foks.

Frika nga bubullimat

Këngëtarja e famshme Madona, i ka shumë frikë gjëmimet dhe rrufetë.

Frika nga prerja e flokëve

Kjo fobi e çuditshme preku psikologun dhe në të njëjtën kohë shkrimtarin amerikan Timoti Liri, që nisi t’i presë vetë flokët pasi kishte frikë të shkonte tek berberi.

Frika nga orenditë

Ish-bashkëshorti i i Anxhelin Xholi, aktori Billi Bob Thornton, ka frikë nga mobiliet antike, dhe nuk mund të qëndrojë në një dhomë që ka objekte të tilla.

Frika nga pasqyrat

Një frikë të tillë ka ylli i serialit “Baywatch”, Pamela Anderson./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Katër gjenitë e kohës së luftës, që ndryshuan fatin e njerëzimit

Publikuar

-

Nga

Shumë pak gjëra i përkufizojnë speciet tona më mirë, sesa oreksi i pashtershëm për të zhvilluar luftëra. Njerëzit janë angazhuar shpesh në luftë, dhe nga ana tjetër kjo gjë ka nxjerrë në pah zellin dhe zgjuarsinë e mendjes njerëzore.

Lufta e ka dëshmuar veten si një katalizator për zhvillimin e mënyrave të reja për t’i bërë gjërat. Si e mira, ashtu edhe e keqja, kanë një vend në analet e shkencëtarëve të kohës së luftës, të cilët kanë rezultuar vendimtarë për zhvillimin e botës moderne siç e njohim ne sot.

Fric Haber

Një nga shqetësimet më serioze të shekullit XX-të, ishte shkalla me të cilën po rritej popullata globale, dhe si do të ushqeheshin njerëzit. Kapaciteti teknik për të prodhuar mjaftueshëm dhe për të përballuar rritjen e kërkesës për ushqim,ishte thjesht shumë i kufizuar.

Metodat e kufizuara, nuk mund të lejonin prodhimin në shkallë industriale të plehrave kimike, mbi të cilat bazohet sot bujqësia në mbarë botën. Dy shkencëtarë gjermanë, Fric Haber dhe Karl Bosh, ishin të vetëdijshëm për kufizimet në teknologjinë e kohës së tyre, ndaj punuan për të gjetur një zgjidhje.

Ata nisën zhvillimin e një procesi që mund të lejonte prodhimin e amoniakut duke përdorur ajrin dhe jo metodat e tjera. Bllokada ndaj Gjermanisë për burimet e tjera që duheshin për të prodhuan amoniakun gjatë Luftës së Parë Botërore, ishin një nxitje tjetër për përmirësimin e kësaj metode.

Amoniaku ishte i nevojshëm për të prodhuar eksplozivët dhe armë të tjera. Metodat e Haber, sollën përmirësime të mëdha në teknologji, duke mundësuar prodhimin e sasive shumë të mëdha të plehrave kimikë, gjë që e shtoi prodhimin bujqësor.

Alan Turing

Alan Turing ishte një gjeni britanik, i njohur për kontributin e tij të madh gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në bashkëpunim me shkencëtarë të tjerë, ai udhëhoqi një përpjekje që solli deshifrimin me sukses të mesazheve të koduara të ushtrisë gjermane.

Pjesa më e madhe e botës dixhitale që kemi sot, është rezultat i mendjes gjeniale dhe këmbëngulëse të Turing. Kontributi i tij në fushën e Inteligjencës,ku ai parashikoi krijimin e kompjuterë që mund të mësonin (Machine Learning), ishte baza e shkencës moderne kompjuterike, madje edhe e biologjisë së sistemeve.

Njohja e tij themelore e shumë prej algoritmeve,tek të cilat bazohet sot teknologjia e informacionit, ka çuar në përmirësimin e jetës tonë në shumë aspekte. Mjerisht, përparimi në këtë fushë u ndërpre disi kur ai vrau veten për shkak të diskriminimit që përjetoi për shkak se  ishte homoseksual.

LEXO EDHE:  Epidemitë dhe revoltat shoqërore: Një marrëdhënie shkak-pasojë?

LEXO EDHE:  Katër leksione nga një vit pandemik i dhimbshëm

Shiro Ishi

Gjatë Luftës së Dytë Botërore u zgjerua shumë diapazoni i armëve. Dhe një nga to ishin armët biokimike. Shiro Ishi, u regjistrua në ushtri si kirurg. Ai ishte mbresëlënës në shumë aspekte, dhe një personazh shumë i çuditshëm. Dijet e tij të mëdha në fushën e biologjisë, të shoqëruara me nacionalizmin e flaktë, bënë që qeveria të pranonte sugjerimin e tij për zhvillimin e armëve biokimike.

Shiro Ishi u bë drejtues i një grupi famëkeq në Kinë, të njohur si “Njësia 731” përgjegjëse për krime të tmerrshme kundër njerëzimit në emër të kërkimit shkencor. Nën udhëheqjen e tij, kjo njësi kreu hulumtime sistematike të drejtpërdrejta të efekteve që kishin mbi njerëzit disa armë biologjike.

3.000-12.000 kinezë vdiqën si rezultat i këtyre eksperimenteve. Ato ishin aq të tmerrshme saqë nuk mund të përsëriteshin më askund. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara, i ofruan shkencëtarëve japonezë azil, në këmbim të të gjitha kërkimeve të tyre biologjike. Pa arritjet shkencore të atyre eksperimenteve të tmerrshme, sot të do të kishte shumë boshllëqe të dukshme në të kuptuarit e disa agjentëve biologjikë.

 

Robert Openhajmer

Paqja e sotme në botë, i detyrohet shumë përpjekjeve të këtij njeriu, pasi lufta e gjithanshme sot po shmanget, pasi mund të çojë në shkatërrimin absolut të botës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një nga iniciativat e shumta për të ndërtuar armë komplekse ishte Projekti Manhatan.

Ai bëri bashkë shumë shkencëtarëve,të cilët ndërtuan bombat e para bërthamore në botë. Robert Openhajmer ishte një fizikant i talentuar teorik, që kishte kohë që mendonte për dizenjimin dhe ndërtimin e një bombe bërthamore. Talenti i tij u vu re nga gjenerali amerikan Lesli Grovs, që cili e vuri atë në krye të Projektit Manhatan.

Me gjithë suksesin e jashtëzakonshme, deklarata e Openhajmerit për Bagavad Gita do të mbetet një dëshmi e vërtetë, e vetëdijes së tij mbi krijimin e forcës më shkatërruese që parë ndonjëherë njerëzimi:”Tani unë jam bërë Vdekja, shkatërruesi i botëve”./ historyofyesterday-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE