LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH-Punimet e artizanëve të Korçës/ Mimoza Tome, mban gjallë traditën

28 Maj 2021, 07:56, Kulturë CNA
REPORTAZH-Punimet e artizanëve të Korçës/ Mimoza Tome,

Punimet tradicionale me dorë që dikur ishin zanat më vete për zonjat korçare nuk e kanë humbur vlerën ndonëse të rinjtë e sotëm i janë përshtatur kohës moderne.

Vite më parë, vajzat e reja edukoheshin nga familja për të mësuar domosdoshmërisht si të qëndisnin me dorë, e duket se kjo traditë vijon të ngelet tek shumë familje korçare.

Shembull i mirëfilltë është pikërisht 48 vjeçarja Mimoza Tome, e cila ka hapur biznesin e saj familjar në Pazarin e Vjetër të qytetit. Dyqani i saj është ndër të parët që është hapur në Korçë, 23 vite më parë, dhe i është kushtuar plotësisht qëndismave.

Gjatë bisedës tonë me Mimozën, ajo na tregon se kjo traditë nuk është vetëm e Korçës, por edhe një pjesë e qyteteve në jug e mbartin si traditë,  por qyteti juglindor mbetet pika e fillimit të punimeve artizanale.

Biznesi i familjes Tome gjendet kollaj në Pazarin e Vjetër, pasi punime të shumëllojshme e rrethojnë të gjithë dyqanin dhe të bëjnë kurioz për t?a vizituar e për të parë se çka brenda dhe jashtë tij.

Dhjetëra punime të varura në kanata, sjellin një pamje interesante që s?mund të rrish pa i parë nga afër. Vetë Mimoza është njëra prej zonjave që ka mësuar nga nëna e saj të bëjë punime me dorë, të cilat sipas saj janë të llojeve të ndryshme.

Ajo përmend punimet me grep, ato me sovajkë, qëndisjet me kryq që aplikohen të mbulesat, tek pikturat e stampuara që quhen kanavace.

 

Në punimet me sovajkë përdoret gjithmonë fija pambuk të cilën e marrin nga Greqia dhe është një nga fijet më të mira që nuk dëmtohet as gjatë larjes. Ky lloj punimi është më i vështiri që mund të dallojë nga punët e tjera artizanale, dhe dita ditës po e humbet identitetin për shkak të vështirësisë së tij.

Mimoza nuk le pa përmendur një fakt të rëndësishëm për kohën që ajo e ka mësuar këtë zanat, fakt që lidhet me një lloj shiriti të quajtur ?shiriti angle?.

Fillimisht, zonjat e punonin këtë shirit me grep e më pas bënin lidhjen e tij mbi copë, por është një punim që kërkon shumë kohë dhe përqëndrim.

Dikur shiriti angle bënte ndarjen e familjeve në pozicionin ekonomik, nëse një familje kishtë punime me këtë shirit, kjo gjë tregonte se familja ishte me një pozicion të lartë, konsiderohej familje e pasur dhe aristokrate.

Një tjetër lloj punimi që kërkohet së tepërmi edhe në ditët e sotme është qëndisja e pikturave të stampuara ?kanavace?, punim që bazohet në një copë të stampuar ku mbi të qëndiset në bazë të kodeve të ngjyrave të cilat janë të pafundme në çdo pikturë.

Mimoza thotë se ky është një punim i orientuar, njësoj si fëmijët që ngjyrosin një format të caktuar apo edhe vendosjen e pjesëve në puzzle të ndryshme.

Pikturat e preferuara për të apasionuarat ndaj qëndisjes mbeten ato të Da Vinçit, Van Gogut, po ashtu edhe piktura të cilat tregojnë fenë e qytetarëve, duke zgjedhur të qëndisin kisha dhe xhami në bazë të besimit të tyre.

Ndonëse mund të konsiderohen si punime të vështira e të lodhshme, kënaqësia që merr në përfundim të punës është e tepër e madhe.

Lind pyetja ?Ku mund t?i vendosim këto punime??. Mjafton që të jesh e apasionuar pas qëndisjes, pasi punimet mund t?i vendosësh në shtëpi, ndonëse ndikon së tepërmi stili i arredimit të saj.

Në shtëpitë moderne rrallë herë mund të gjenden mbulesa të qëndisura nëpër tavolina apo jastëkë të punuar me grep nëpër kënde e divanë. Por nuk mund të mungojnë kanavacet si piktura të varura në muret e salloneve apo dhomave.

 

Mimoza në banesën e saj ka një sërë punimesh që i ka bërë pjesë të arredimit, por thekson se më të përshtatshme për këto punime janë bujtinat të cilat rruajnë traditën e stilit autokton, me qilima të shtruara në dysheme, me perdet e punuara me grep që shkojnë së tepërmi me dritaret e drunjta dhe muret prej guri.

Brezi i Mimozës si duket ishte i fundit që u mësonte me detyrim vajzave punët e dorës. E kjo lidhet ngushtë me traditën e martesave që çonin pajën tek shtëpia ku martonin bijat.

Në çdo pajë që përgatitej në atë kohë, kishte një sërë punimesh artizanale si perde, mbulesa tavoline, çarçafë e jastëkë të qëndisur, që sipas gojëdhënave sillnin fat e mbarësi në familjen e re që po krijohej.

Sot gjërat kanë ndryshuar, dhe me keqardhje Mimoza tregon se për sa i përket riteve të dasmave, qëndismat rrallë herë mund të bëhen pjesë e pajës që mund të marrë vajza në shtëpinë e re.

Korça është konsideruar si destinacioni kryesor që zgjedhin turistët vendas e të huaj për të vizituar. Dhe vetë këta turistë ja dinë vlerën punimeve artizanale të cilat e dallojnë qytetin dukë e bërë akoma më të veçantë e më të preferuar.

Interesin e lartë që tregojnë turistët e pranon më plot gojë Mimoza, e cila thuajse çdo ditë sheh në dyqanin e saj vizitorë që me shumë kureshtje qëndrojnë duke parë punimet e ekspozuara, e më kryesorja, bëhen pjesë e punimeve me dorë ndonëse duke patur pak njohuri.

Është vetë Mimoza ajo që i ndihmon të mësojnë të qëndisin pikturat e stampuara që mund të konsiderohen si punimet më të lehta edhe pse duan shumë përqëndrim, durim e vullnet. Turistët e huaj janë ata që e vlerësojnë më shumë këtë traditë korçare dhe nuk largohen nga dyqani pa blerë qoftë edhe një çentro të vogël, jastëk apo kanavace që të mund ta punojnë kur të kthehen në shtëpitë e tyre.

Në përfundim të bisedës me Mimozën, ajo shfrytëzon rastin që nëpërmjet CNA.al t?i drejtojë një thirrje të gjithë të rinjve korçarë : ?Pavarësisht moshës, edhe pse moda shkon e vjen, ansnjëherë mos i?u ndani traditës së bukur korçare.

Ne, prindërit tuaj me këtë traditë jemi rritur, me këtë frymë jemi edukuar dhe jemi përpjekur t?iu edukojmë edhe ju. Ju i pëlqeni punimet kur i shihni, por nuk duhet të harroni së këto punime janë nga duart tona. Kënaqësia e këtij zanati merret atëherë kur e ushtroni, e jo vetëm duke i parë. Të qëndisësh një pikturë është si të lexosh një libër, çdo faqe që kalon ka diçka të re, po ashtu edhe çdo ngjyrë që qëndis të jep një pamje akoma më të bukur të punimit që mezi pret ta mbarosh.?/CNA.al

Adresa e dyqanit : Lagjia 8, Rruga Stavri Gjerazi, Nr 1, Pazari i Vjetër Korçë.

Numër kontakti 0698421814

 

Lajmet e fundit nga