Connect with Us

Komunistët kinezë vazhdojnë të marrin ndihma nga Amerika

Blog

Komunistët kinezë vazhdojnë të marrin ndihma nga Amerika

Publikuar

-

Komunistët kinezë vazhdojnë të marrin ndihma nga Amerika

Nga Newt Gingrich &Claire Christensen “Newsweek”

Edhe pse Partia Komuniste Kineze (PKK) ka të ngjarë të jetë përgjegjëse për pandeminë e koronavirusit, përmes mbulimit të origjinës së Covid-19, diktatura totalitare komuniste e ka shndërruar këtë krizë globale në një përfitim të madh për vete.

Në fillim të pandemisë, Kina komuniste – si prodhuesja kryesore e pajisjeve mjekësore në botë – grumbulloi dhe më vonë u shiti produkte mjekësore vendeve më të dëmtuara nga koronavirusi. “Diplomacia e vaksinave”e Kinës, është vijimi i Rrugës së saj të Mëndafshit të Shëndetit.

Ajo po eksporton jashtë vendit qindra miliona doza të vaksinave të saj, ndërsa akuzon vendet perëndimore për “nacionalizmin e vaksinave”. Ndërkohë, ndërsa vendet po merreshin me reagimin ndaj pandemisë, trupat kineze dhe indiane u përleshën përgjatë kufirit të diskutueshëm në rajonin e Himalajeve.

Gjithashtu Pekini i përshkallëzoi tensionet, dhe bëri pretendime të paligjshme në Detin i Kinës Jugore, forcoi më tej kontrollin e tij totalitar mbi Hong Kongun, dhe provokoi ushtarakisht Tajvanin. Shfrytëzimi i një krize ndërkombëtare,për ndjekjen e një strategjie globale nuk është një qasje e re për diktaturën komuniste kineze.

Pas krizës financiare të vitit 2008, PKK e shfrytëzoi recesionin globale për përfitimet e veta.Në mënyrë të ngjashme, në prag të pandemisë së Covid-19 ndërsa Shtetet e Bashkuara po shpërndanin me shpejtësi huatë e emergjencës, si pjesë e Programit të Mbrojtjes Paycheck (PPP) për t’i ndihmuar bizneset amerikane në vështirësi, diktatura kineze gjeti një mundësi që të shtinte ne dorë një pjesë të parave dhe i mori ato.

Sipas një raporti të “Horizon Advisory”, deri në 419 milionë dollarë fonde PPP iu dhanë kompanive që zotërohen apo në të cilat kanë investuar biznesmenë nga Kina komuniste. Për shkak të sistemit totalitar të Kinës, në këtë vend nuk ka mundësi që një biznes të jetë plotësisht i pavarur dhe i lirë nga mbikëqyrja dhe kontrolli i Partisë Komuniste Kineze.

Nga një mostër e përfituesve të PPP, raporti identifikoi më shumë se 125 marrës të kredive emergjente nga Administrata e Biznesit të Vogël dhe Departamenti i Thesarit,të zotëruara nga entitetet e lidhura me diktaturën kineze. Të paktën 32 subjekte të kontrolluara nga qeveria kineze, morën më shumë se 1 milionë dollarë kredi secila.

Raporti deklaroi se:“Këto subjekte shtrihen nga ndërmarrjet shtetërore kineze; tek kompanitë që kanë lidhje me programet e ushtarake dhe ushtarako-civile të Kinës; kompani që qeveria amerikane i ka identifikuar si kërcënime të sigurisë kombëtare; kompanitë bashkëpunëtore në gjenocidin që po kryen Kina kundër pakicës ujgure në Xinjiang; dhe media të zotëruara nga PKK apo që operojnë nën urdhrin e tyre”.

LEXO EDHE:  Putin rikthen gjyqet staliniste ndaj kundërshtarëve politikë

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, ka publikuar një listë të kompanive të lidhura me ushtrinë kineze. Të paktën 8 subjekte të lidhura me ushtrinë kineze morën hua nga Programi i Mbrojtjes Paycheck.

Për më tepër, sipas raportit Horizon, “marrësit e identifikuar, të lidhur me kompanitë kineze përfshijnë industri kritike dhe strategjike, si hapësirën ajrore dhe mbrojtjen; ​​farmaceutikën dhe teknologjinë mjekësore; prodhimin e automobilave të reja; telekomunikacionin; teknologjinë financiare; argëtimin dhe median”.

Shumë nga këto industri janë jetike për planin industrial të komunistëve kinezë “Made in China 2025”, që synon ta bëjë Kinën prodhuesen kryesore të teknologjisë së lartë në botë. Është vërtet një tragjedi që huatë që synonin të ndihmonin në ruajtjen e bizneseve amerikane, ndihmuan në fund të fundit qëllimin e Kinës komuniste për ta zëvendësuar Amerikën si vendin më të fuqishëm të botës.

Por me thënë të drejtën, këto qindra miliona dollarë nuk u vodhën. Paratë u dorëzuan me vullnet të plotë për shkak të mungesës së mbrojtjeve të duhura. Administrata e Biznesit të Vogël, duhet të punojë me studiues dhe ekspertë të jashtëm, për të hartuar një listë të kompanive të njohura të lidhura me Kinën, për të siguruar që këto kredi të shlyhen plotësisht.

Së dyti, Administrata e Biznesit të Vogël dhe Departamenti i Thesarit, duhet të vendosin më shumë masa mbrojtëse, për të siguruar që kreditë të mos u jepen në të ardhmen subjekteve të lidhura me kundërshtarët e Amerikës. Bizneset amerikane nuk duhet të vijnë në plan të dytë.

Është përgjegjësi e qeverisë amerikane që të garantojë sigurinë e amerikanëve në kohëra krizash, dhe të mos lejojë që të përfitojnë kundërshtarët tanë oportunistë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara duhet të veprojë tani, për të zhvilluar sistemet që do t’i garantojnë taksapaguesit amerikanë se nuk janë duke subvencionuar një diktaturë./ CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Ljudmilla Shkrebneva, e vërteta rreth ish-gruas së Vladimir Putinit

Publikuar

-

Nga

Edhe pse Vladimir Putin është një nga burrat më të pushtetshëm në botë, dhe për këtë arsye shumë shpesh në qendër të vëmendjes, atij i pëlqen ta mbajë sekrete jetën e tij. Megjithatë publiku e di se Putini dikur ka qenë i martuar.

Vladimir Putin u njoh me bashkëshorten e tij të ardhshme Ljudmila Shkrebneva në vitin1980. Në atë kohë ajo punonte si stjuardesë në kompaninë ajrore “Aeroflot”,teksa kaloi disa ditë në Leningrad për arsye pune.

Sipas televizionit amerikan ABC News, pikërisht një këtë qytet (sot mban sërish emrin e dikurshëm Shën Petersburg që kishte që në kohën e carëve),u takuan Vladimir dhe Ljudmila, ku të dy ishin të ftuar nga një mik i përbashkët për të parë një komedian që jepte një shfaqje.

Më pas Ljudmila dhe Vladimir filluan të takoheshin. “Unë isha mësuar me jetën si një beqar, por Ljudmilla ma ndryshoi atë”- u shpreh dikur Putin mbi biografinë e tij të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit.Vladimir dhe Ljudmilla u martuan në vitin 1983 dhe kanë dy vajza së bashku.

Ljudmilla u diplomua në Universitetin Shtetëror të Leningradit në vitin 1986, dhe

raportohet të jetë një gjuhëtare e kualifikuar. Për një fare kohe kohë ajo punoi si lektore e gjermanishtes. Më vonë, qëndroi në krah të burrit të saj dhe përmbushi detyrat e saj si zonjë e parë kur Putini u bë president.

Po kush ishte gruaja që i rrëmbeu zemrën Putinit?

Ljudmilla Shkrebneva lindi në Kaliningrad në vitin 1958 në një familje të klasës punëtore. Babai i saj punonte në një fabrikë mekanike, ndërsa e ëma punonte si arkëtare. Në vitet e rinisë, Ljudmilla thuhej se kishte shkëlqyer në letërsi dhe gjuhën ruse.

Ajo ishte veçanërisht e interesuar të lexonte poezi, por do të shkruante edhe vetë. Ljudmilla ishte një nxënëse e mirë, dhe merrte shpesh pjesë në konkurse shkollore. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ajo punoi në zyrën postare lokale, para se të niste punë në një uzinë.

Po ashtu ajo punoi për një fare kohe si infermiere para se të bëhej stjuardesë. Pasi pati përvoja të ndryshme pune, Ljudmilla vendosi përfundimisht atë që dëshironte të ndiqte dhe u regjistrua në Universitetin Shtetëror të Leningradit për të studiuar gjuhë të ndryshme në Departamentin e Filologjisë.

LEXO EDHE:  Një vdekje në Kapitol Hill, dhe çfarë duhet të bëjmë tani

LEXO EDHE:  Pesë arsyet pse duhet të jemi optimistë për vitin 2021

Ajo ishte në vitin e tretë në universitet kur takoi Putinin. Kur i shoqi u ngjit në majat e  pushtetit, Ljudmilla qëndroi larg vëmendjes, dhe rrallë shfaqej në publik. Siç vuri në dukje një raport nga “The Independent”, një stiliste ruse e cila vishte Ljudmillën për raste të veçanta, zbuloi se zonja e parë nuk ishte e përgatitur për një jetë në politikë.

“Ajo nuk ishte e gatshme për këtë rol. Të qenit gruaja e një presidenti për të ishte shumë e papritur”- pohoi stilistja. Pas gati 30 vitesh martesë, Vladimir dhe Ljudmilla njoftuan vendimin e tyre të përbashkët  për t’i dhënë fund martesës së tyre në vitin 2013.

Edhe para njoftimit të tyre zyrtar, kishte zëra për ndarjen e tyre, pasi Ljudmilla shihej shumë rrallë në publik me Vladimirin.

Megjithatë, njoftimi i divorcit erdhi një befasi, pasi nuk ishte praktikë e zakonshme që politikanët e rangut të lartë t’i jepnin fund martesës së tyre gjatë kohës që ishin në detyrë. Dhe në fakt Putin ishte presidenti i parë rus që u divorcua gjatë kohës që ishte ende në pushtet.

Në njoftimin e tyre zyrtar, ish-çifti foli për një “divorc të civilizuar”. Gjithashtu ata treguan se kalonin shumë pak kohë së bashku si burrë dhe grua, dhe se prej kohësh bënin jetë të pavarur. Ljudmilla shtoi se ajo dhe Putin “do të mbeten gjithmonë miq”, me Putinin që aprovoi se ishte i të njëjtit mendim duke pohuar:“Përgjithmonë, jam i sigurt”.

Britanikja “The Independent” raportoi në vitin 2016 se Ljudmilla u martua me biznesmenin Artur Okeretni, që punonte në një agjenci që organizonte aktivitete. Është raportuar se çifti i ri janë njohur me njëri-tjetrin në fillim të vitit 2000./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse samiti Bajden-Putin nuk ishte një humbje kohe

Publikuar

-

Nga

Nga Daniel DePetris “The Spectator”

Takimi midis presidentit të SHBA-së Xho Bajden dhe atij rus Vladimir Putin në Gjenevë të Zvicrës filloi me tone shumë të përzemërta. Një shtrëngim duarsh i shpejtë, buzëqeshje para kamerave, dhe disa shprehje diplomatike standarde.

“Unë do të doja të të falënderoja për iniciativën që morët për t’u takuar sot”- i tha Putini  Bajden që ishte i vëmendshëm.“Marrëdhëniet SHBA-Rusi, kanë grumbulluar shumë çështje që kërkojnë një takim në nivelin më të lartë dhe shpresoj që takimi ynë të jetë produktiv”- shtoi presidenti rus.

Fjalët e Putinit ishin jo pak të rëndësishme. Raportet SHBA-Rusi, janë ndoshta sot në pikën e tyre më të ulët që nga fillimi i viteve 1980, kur Uashingtoni dhe Moska po e shndërronin Evropën në një parking për raketat e tyre bërthamore me rreze të mesme.

Ndërsa asnjë temë nuk ishte në takimin e së mërkurës jashtë axhendës, 99 për qind e çështjeve dhe ankesave që shtruan Bajden dhe Putin në tryezë (sulmet kibernetike, sanksionet e perëndimit ndaj Kremlinit, mobilizimi i trupave pranë kufirit të Ukrainës, shtypja e disidencës anti-Kremlin në tokën ruse) mbetën të pazgjidhura.

Por kjo ishte gjithçka përveçse befasuese. Duke parë sfondin e takimit, zyrtarët amerikanë dhe rusë ishin të bindur në mënyrë të barabartë mbi atë që mund të arrihej në Gjenevë. Në fakt, e vetmja pikë mbi të cilën binin dakord delegacionet e SHBA-së dhe Rusisë, ishte që trajektorja e përgjithshme e marrëdhënies dypalëshe, ishte e keqe dhe mund të përkeqësohej më tej.

 

Kjo është arsyeja pse u takuan Bajden dhe Putin,dy politikanë karriere, siç i pëlqen të shprehet Putinit. Synimi i diskutimit të djeshëm gjatë 4-5 orëve nuk ishte zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Përkundrazi, ishte sigurimi që ankesat ndaj palës tjetër të transmetoheshin qartë, dhe të garantohej një zbutje minimale e tensioneve, për të parandaluar një acarim të mëtejshëm të marrëdhënieve.

Për disa ligjvënës në Uashington, këto synime vështirë se ia vlenin një takim të nivelit të tillë. E pse t’i japim Putinit një vlerësim të tillë, të cilin ai e dëshiron me kaq shumë ngulm, pyetën ata? Natyrisht, përgjigja është se diplomacia nuk është një koncesion; por një pjesë jetike e punës së përditshme.

Ne nuk duhet të kemi kemi asnjë iluzion se marrëdhëniet SHBA-Rusi, apo marrëdhëniet Perëndim-Rusi më gjerësisht, do të ndryshojnë katërcipërisht tani që u takuan personalisht Bajden dhe Putin. Ka shumë pozicione të kundërt për shumë çështje, dhe asnjëra palë nuk është e gatshme të lëkundet nga pozicioni i saj.

Sado e tmerrshme që mund të jetë sjellja e Putinit (dhe s’ka dyshim që sjellja e tij ka qenë vërtet e tmerrshme, siç e dëshmon rasti i Aleksei Navalnit, që është mbyllur në burg, pasi i mbijetoi një helmimi të urdhëruar nga Kremlini), nuk është se SHBA dhe aleatët e saj në Evropë kanë luksin që ta injorojnë atë.

LEXO EDHE:  Kush janë luftërat më vdekjeprurëse të epokës moderne

LEXO EDHE:  Studimi/ Mutacioni i koronavirusit, mund ta ketë bërë atë më infektues

Perëndimi nuk ka asnjë shkop magjik që të mund ta tundë mbi Putinin, që ai të bëhet papritmas i aftë ta riorientojë politikën e jashtme ruse në një drejtim më konstruktiv. Ashtu siç zyrtarët amerikanë do të insistojnë që të flasin mbi situatën e të drejtave të njeriut në Rusi, edhe zyrtarët rusë do të këmbëngulin se kjo nuk është çështje e Amerikës.

Bajden nuk mund ta ushtrojë presion mbi Putinin për të ndryshuar botëkuptimin e tij,po aq sa Putin mund të flasë me ëmbël me Bajden për të ndryshuar të tijin. E megjithatë takimi i të mërkurës në Gjenevë, ishte ende i vlefshëm pasi u ofroi një shans të dy udhëheqësve të sqarojnë mosmarrëveshjet dhe të eksplorojnë fushat ku mund të bashkëpunojnë të dyja fuqitë.

Pa dyshim, këto fusha janë të pakta; dhe sigurisht që nuk do të përfshijnë axhendën e promovimit të demokracisë, të cilën Bajden dhe këshilltarët e tij të lartë të sigurisë kombëtare, e kanë vendosur në qendër të axhendës së tyre ndërkombëtare.

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike normale dhe funksionale, është një nga këto fusha ku është rënë dakord,siç u shpreh edhe vete Putin përgjatë konferencës për shtyp ku njoftoi rikthimin e ambasadorëve të SHBA-së dhe Rusisë në postet e tyre në një të ardhme jo shumë të largët.

Por kjo është një arritje shumë e vogël, kur merren parasysh çështjet më të gjera në rrezik. Modernizimi i arsenalit bërthamor të SHBA-së dhe Rusisë në vitet e fundit, dhe fakti që kaq shumë marrëveshje të tjera në fushën e stabilitetit strategjik janë shkelur gjatë 2 viteve të fundit, po krijon një situatë shqetësuese që mund të përkeqësohet lehtësisht me shumë shpejtësi.

Për dy vende që zotërojnë gati 90 për qind  të inventarit të armëve bërthamore në botë, kjo situatë thjesht nuk është e qëndrueshme. Duke iu drejtuar mediave pas takimit, Putini tha se nuk kishte “asnjë armiqësi” midis tij dhe Bajden.

“Në të kundërt takimi ynë u zhvillua në një frymë konstruktive… Të dyja palët shprehën qëllimin e tyre për të kuptuar njëri-tjetrin, dhe për të kërkuar gjuhën e përbashkët”-tha ai. “Bisedimet ishin shumë konstruktive”- theksoi Putin. Fjalë rozë? Ndoshta. Por të paktën është një fillim./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Takimi Bajden-Putin nuk do t’i zbusë marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë

Publikuar

-

Nga

Nga Jennifer Mathers “The Conversation”

Askush nuk pret ndonjë përparim të madh nga takimi i parë i presidentit amerikan Xho Bajden që nga marrja e detyrës me presidentin rus Vladimir Putin. Zyrtarët e lartë të të dyja palëve, kanë qenë të kujdesshëm për t’i mbajtur të ulëta pritshmërinë nga samiti i Gjenevës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, administrata Bajden synon që ta përdorë samitin për të përcaktuar synimet dhe aftësitë e saj të politikës së jashtme, me synimin specifik përmirësimin e stabilitetit strategjik dhe forcimin e kontrollit të armëve bërthamore.

Edhe rusët kanë vendosur stabilitetin strategjik në axhendën e tyre, së bashku me pandeminë e Covid-19 dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale. Kjo sjellje e kujdesshme nga Uashingtoni dhe Moska, nuk përbën habi. Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë qenë shumë të tendosura që nga viti 2014, kur SHBA-ja udhëhoqi një fushatë ndërkombëtare për të vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimenë nga Moska, dhe ndërhyrjes së saj në konfliktin në Ukrainën lindore.

Moska e kundërshton vendosjen e sanksioneve, dhe është shumë dyshuese për mbështetjen që i jep Perëndimi figurave opozitare si Aleksei Navalni, që aktualisht po vuan një dënim me burg në Rusi. Deklarata e fundit i Bajden se Rusia po e trajton Navalnin “në mënyrë të padrejtë”, do të konsiderohet nga Putini si një provë e mëtejshme se Amerika po përpiqet të diktojë se si Rusia t’i trajtojë problemet e sajtë brendshme.

Uashingtoni e konsideron Rusinë si një ngatërrestare, që refuzon të veprojë sipas rregullave të diplomacisë, dhe që i përdor shërbimet e saj sekrete për të sabotuar SHBA-në dhe aleatët e saj, duke ndërhyrë në zgjedhjet amerikane ose duke helmuar ish-agjentët rusë që sot jetojnë në Perëndim.

Por nëse nuk ka gjasa të ketë rezultate të dukshme, atëherë pse takohen dy liderët? Një pjesë e përgjigjes mund të qëndrojë në domethënien simbolike të samitit për të dy palët. Për Bajden, takimi është një mundësi për të dërguar njëkohësisht sinjale tek disa audienca. Takimi me Putinin vjen pas pjesëmarrjes së tij në takime të nivelit të lartë përgjatë samitit të G7-ës (që e dëboi Rusinë pas aneksimit që ajo i bëri Krimesë) dhe të NATO-s,që riafirmojnë angazhimin e Amerikës ndaj multilateralizmit dhe aleatëve të saj transatlantikë.

Kjo është shumë e ndryshme nga qasja “Amerika e Para” dhe politika e jashtme kaotike e  administratës Trump. Bërja e një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë është e rëndësishme për administratën Bajden, por jo aq e rëndësishme sa të bërit biznes me partnerët e Amerikës.

Mbajtja e një samiti me Putinin kaq herët në fillim të presidencën e tij, nxit bërjen e krahasimeve midis qasjes së Bajden ndaj Rusisë dhe asaj të paraardhësit të tij. Donald Trump preferoi të takohej privatisht me Putinin, pa gazetarët amerikanë që mund të mbanin ndonjë shënim mbi diskutimet, dhe që për këtë arsye gjeneruan shumë spekulime rreth asaj mbi të cilën mund të kishte rënë dakord me kreun e Kremlinit.

LEXO EDHE:  Anija kozmike Tianwen 1 e Kinës ndan foto të reja mahnitëse të sipërfaqes së Marsit
LEXO EDHE:  Si u formua bota moderne nga epidemitë e 500 viteve më parë

Në dallim nga Barak Obama, Trump shfaqi ndërkohë një qëndrim gati lavdërues ndaj Putinit. Edhe pse Bajden është një president i ri, karriera e tij e gjatë në Senatin Amerikan, dhe 8 vitet e tij si zëvendëspresidenti Obamës, nënkuptojnë se ai është veteran i shumë takimeve ndërkombëtare të nivelit të lartë.

Ai nuk ka gjasa që të thyejë protokollin apo të largohet nga skenari. Bajden do të ofrojë një rivendosje të re të raporteve me Rusinë, por në fund do të dështojë. As Putini nuk do të presë apo ofrojë ndonjë ndryshim dramatik në marrëdhëniet SHBA-Rusi.Gjithsesi edhe për të ky samit është i vlefshëm.

E para dhe më e rëndësishmja, samiti është dëshmi e qartë se Rusia vazhdon të jetë e rëndësishme në skenën ndërkombëtare. Putini i kushton një vlerë të madhe gjesteve të respektit ndaj Rusisë nga ana e udhëheqësve të vendeve të tjera, dhe sidomos nga SHBA-ja.

Një nga arsyet kryesore të popullaritetit të vazhdueshëm të Putinit midis shumë rusëve, është perceptimi se ai është autori i ringjalljes së prestigjit të Rusisë në arenën ndërkombëtare pas humbjes poshtëruese të pushtetit dhe statusit të Moskës gjatë viteve 1990.

Një takim kokë më kokë me presidentin amerikan, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës nga ky i fundit, është një miratim i nënkuptuar i qasjes së Putinit, se problemet vërtetë të rëndësishme me të cilat përballet sot bota, nuk mund të zgjidhen nëse në tryezë mungon Rusia.

Kur të dy udhëheqësit biseduan në telefon menjëherë pas inaugurimit të Bajden në detyrë, Putini vuri në dukje se SHBA-ja dhe Rusia kanë përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit global. Dhe kontrolli i armëve bërthamore, është çështje e mirë për t’ia filluar.

Të dy udhëheqësit mund të bazohen tek marrëveshja e tyre e arritur në janar për të zgjatur traktatin New Start, që e kufizon numrin e armëve strategjike bërthamore që mund të vendosë në gjendje lufte secili vend. Lufta kundër Covid-19 është një fushë tjetër e mundshme për bashkëpunim.

Edhe pse si SHBA-ja ashtu edhe Rusia e kanë pasur shumë të vështira ta kontrollojnë pandeminë, padurimi i Rusisë për të eksportuar vaksinën e saj Sputnik, mund të përputhet me qasjen e administratës Bajden mbi rëndësinë e pasjes së një qasje globale për të luftuar virusin.

Duke marrë parasysh listën e gjatë të çështjeve për të cilat nuk bien dakord Bajden dhe Putin, është ndoshta një qasje e mençur që të mbajmë pritshmëri të ulëta për samitin. Gjithsesi, ka zona ku të dy udhëheqësit kanë shumë të përbashkëta për të justifikuar një optimizëm shumë të kujdesshëm në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Rusi./CNA.al

LEXO TE PLOTE