Connect with Us

Me shpresën për lehtësime/ Gjermania shton vaksinimet

Bota

Me shpresën për lehtësime/ Gjermania shton vaksinimet

Publikuar

-

Në Gjermani incidenca e infektimit me Covid-19 është në rënie të vazhdueshme. Sot incidenca ra, për herë të parë pas dy muajsh, nën 100: ishte 96.5 të infektuar në javë për 100.000 banorë. Kjo u raportua me gëzim në mediat gjermane. Meqenëse e enjtja ka qenë një ditë feste në Gjermani, kur raportohen më pak të dhëna, pritet të shihet sa solide do të jetë rënia e incidencës nën 100 në të gjithë Gjermaninë. Në të njëjtën kohë vazhdojnë të konstatohen çdo ditë mbi 10.000 të infektuar të rinj. Dhe për shkak të Covid-19, çdo javë vdesin rreth 1000 vetë.

Megjithëkëtë, gjendja shpirtërore në popull është më e mirë se më parë. Kjo pasi njerëzit kanë mundësi të veprojnë: të mbrohen me vaksinime. Javën e kaluar Gjermania theu rekordin, për Evropën, me numrin e vaksinimeve në një ditë: e kaloi për herë të parë shifrën 1 milion të vaksinuar në ditë. Dhe e ka thyer këtë rekord për disa ditë. Deri të hënën (10.05.) ishin vaksinuar mbi 33.3 përqind e gjermanëve me të paktën dozën e parë të vaksinës. Dhe 9.6 përqind me të dyja dozat. Janë vaksinuar plotësisht mbi 70 përqind e mbi 80 vjeçarëve. Ritmet janë shtuar edhe në grupmoshat e tjera.

Priorizimi për vaksinimin drejt heqjes

Mungesa e vaksinave qe problemi kryesor në tremujorin e parë të këtij viti. Por që prej prillit, furnizimi me vaksina është më i kënaqshëm. Dhe vaksinimi u përshpejtua në mënyrë vendimtare që kur u përfshinë  65.000 mjekë të familjes. Ata qeveria nuk i la që në fillim të vaksinojnë, pasi nuk kishte sasi të mjaftueshme vaksinash.

Gjithnjë e më shumë po hiqet edhe priorizimi për grupet e rrezikuara. Tri lande federale gjermane, Berlini, Bavaria dhe Baden-Vyrttembergu e kanë hequr, ose e heqin javën e ardhshme krejtësisht priorizimin. Saksonia e heq pas 10 ditësh. Kjo do të thotë që në këto lande të gjithë ata që duan mund të kërkojnë të vaksinohen te mjeku i familjes. Bavaria do të ofrojë vaksinim edhe para supermarketeve.

Kurse për të gjithë Gjermaninë, aktualisht qeveria e ka hequr priorizimin për ata që duan të vaksinohen me dy vaksina: me AstraZenecan dhe Johnson&Johnson. Me to mund të vaksinohen të gjithë ata që duan, jo vetëm grupet më të rrezikuara. Kjo ka sjellë një dyndje të madhe, edhe të të rinjve për vaksinim.

Kallëzime për ata që falsifikojnë dokumentat

Në shumë qytete të Gjermanisë raportohet për raste kur njerëzit kërkojnë me argumenta të sajuara, se p.sh. duhet të përkujdesen papritur për fqinjin, apo për vjehrrën në moshë të thyer, që të lejohet të vaksinohen. Ka mjekë që i trajtojnë këto raste me tolerancë. Të tjerë janë më të rreptë.

Në një emision të posaçëm të televizionit publik ARD u raportua p.sh. që në Hamburg përpiqen të vaksinohen deri 2000 vetë në javë, megjithëse nuk bëjnë pjesë në grupet prioritare.. Ka pasur edhe kallëzime për ata qëfalsifikojnë dokumentat për t’u vaksinuar.Dihet se priorizimi synon të mbrojë shtetasit më të rrezikuar. Dhe është padyshim e drejtë që në dallim nga pandemitë e epokave të shkuara, kur të moshuarit e të sëmurët thjesht liheshin të vdisnin, në kohën tonë ata kanë përparësi në vaksinim.

Por meqenëse vaksinimi në Gjermani ka avancuar, shumë mjekë kërkojnë tani që të hiqet dorë krejtësisht nga priorizimi. Një mjek i qendrës së vaksinimit të Këlnit, tha “se nuk ka asnjeri që të mos ketë, si parim, të drejtë të vaksinohet.” Dhe në fakt, çdo njeri i vaksinuar është potencialisht një jetë e shpëtuar. Në këtë kuadër kancelarja Angela Merkel tha në fillim të këtij muaji se më e vonta në qershor, planifikohet të hiqet priorizimi për gjithë Gjermaninë.

LEXO EDHE:  Tre javë larg pasi u prek nga Covid-19/ Johnson merr sërish nën kontroll qeverinë

Këmbëngulja – shpesh e nevojshme për t’u vaksinuar

Ka pasur e ka probleme burokratike për marrjen e takimit për t’u vaksinuar. Si parim, ty mund të të thërrasë vetë mjeku yt, që të vaksinohesh. Por praktika ka treguar se është më e lehtë të vaksinohesh po të ngulësh këmbë te mjeku për këtë, ta pyesësh mjekun disa herë. Ose po të kesh mundësi të kontaktosh doktorë të ndryshëm. Kjo është më mirë se të rrish të presësh, që të të thërrasin.

Po të vazhdojë kjo rënie aktuale e incidencës, lehtësime në të gjithë Gjermaninë priten brenda pak javësh. Këtë e tha ministrja gjermane e Drejtësisë Christine Lambrecht.  Ushtrimi i plotë i të drejtave themelore për të gjithë është “çështje disa javësh, nganjëherë vetëm disa ditësh, por padyshim jo gjashtë muajsh,” tha ajo me bindje.

Janë 4-5 javët e ardhshme që do të vendosin fatin e lehtësimeve edhe për të gjithë verën. Dhe tendenca e rënies së infektimeve jep optimizëm. Në këtë kuadër, Gjermania miratoi këtë javë lehtësime për të gjithë ata që hyjnë në Gjermani, një hap i rëndësishëm ky për pushimet e verës.

Çfarë duhet të kenë parasysh udhëtarët që hyjnë në Gjermani?

Me rregulloren e re të Covid-19për udhëtimet hyrëse, të gjithë ata që hyjnë në Gjermani me avion janë të detyruar: ose të testohen, ose të paraqesin çertifikatën e vaksinimit me një vaksinë të BE, ose të dëshmojnë se kanë kaluar e janë shëruar nga Covid-19. Kjo pavarësisht nëse udhëtarët vijnë nga një vend që është zonë rreziku (me incidencë mbi 50) apo jo. Shqipëria p.sh. që prej pak ditësh (09.05.) nuk konsiderohet më zonë rreziku nga Gjermania. Por kërkesat e mësipërme duhet t’i mbajnë parasysh edhe shtetasit e Shqipërisë.

Kurse shtetasit e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, meqenëse vijnë nga shtete të klasifikuara si zona të rrezikut të lartë (incidencë mbi 200), tani mund ta shkurtojnë karantinën 10 ditore që pas ditës së pestë, me një test. Gjithashtu ata duhet të bëjnë regjistrimin digjital përpara se të hyjnë në Gjermani dhe ta mbajnë me vete dëshminë se janë regjistruar, për t’ia kontrolluar transportuesi ose autoritetet në Gjermani. Me rregulloren e re, nuk duhet të bëjnë më as test kur hyjnë në Gjermani, dhe as të kalojnë në karantinë, ata që dëshmojnë se janë vaksinuar me një vaksinë të licensuar në BE dhe se kanë kaluar Covid-19. Por edhe ata që nuk janë vaksinuar dhe nuk e kanë kaluar Covid-19, po të bëjnë një test që u del negativ nuk qëndrojnë në karantinë.

Duhet mbajtur parasysh se klasikimi që u bën Gjermania shteteve për rrezikun që paraqesin mund të ndryshojë çdo ditë. Dhe Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë, ku bazohen të dhënat e mësipërme, i përshtat rregullisht kërkesat. Për këtë arsye, informacionet e fundit për hyrjen në Gjermani udhëtarët duhet t’i marrin para nisjes. DW

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

Presidenti Biden me paralajmërim të fortë para takimit me udhëheqësin rus

Publikuar

-

Nga

Presidenti Joe Biden e shfrytëzoi pjesëmarrjen e tij të parë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s për t’i bërë thirrje Presidentit rus Vladimir Putin të heqë dorë nga aktet provokuese ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve. Udhëheqësit e NATO-s bashkuan zërat me Shtetet e Bashkuara duke e akuzuar zyrtarisht Moskën dhe Pekinin për veprime keqdashëse.

Zoti Biden, me një stemë të NATO-s në jakën e xhaketës, tha se në bisedimet e tij me aleatët para takimit të tij të mërkurën me udhëheqësin rus të mërkurën, të gjithë u shprehën në mbështetje të planeve të tij për t’i bërë presion udhëheqësit rus të ndalë sulmet kibernetike që e kanë origjinën në Rusi dhe vënë në shenjestër objekte dhe sisteme jetike për Perëndimin, si dhe të ndalë shtypjen e kundërshtarëve politikë dhe ndërhyrjet në zgjedhjet e vendeve të tjera.

“Do t’ia bëj të qartë Presidentit Putin se ka fusha ku mund të bashkëpunojmë, nëse ai është i gatshëm. Nëse ai preferon të mos bashkëpunojë, nëse vepron në të njëjtat forma si më parë lidhur me sulmet kibernetike dhe veprime të tjera, do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë,” tha presidenti.

Zoti Biden është në vazhdën e një vizite tetë ditëshe në Evropë në përpjekje për t’u siguruar se Perëndimi flet me një zë të vetëm përballë Rusisë dhe Kinës.

Udhëheqësit e NATO-s u përgjigjën duke dalë me një deklaratë që e cilëson Kinën një sfidë të vazhdueshme për sigurinë, e cila përpiqet të minojë rendin ndërkombëtar që bazohet tek rregullat.

Ata shprehën shqetësim lidhur me ato që i cilësuan si “politika presioni” nga ana e Kinës si dhe praktika jo transparente në përpjekjet për të modernizuar forcat e saj të armatosura si dhe në përhapjen e dezinformimit.

Aleatët gjithashtu dënuan aktivitetin provokues ushtarak të Rusisë dhe manovrat destabilizuese pranë kufijve të vendeve anëtare të NATO-s.

LEXO EDHE:  “Kam kaluar shumë sëmundje, por kjo ishte një aventurë në ujëra të paeksploruar”/ Kryepeshkopi Anasatas Janullatos rrëfen betejën me Covid

LEXO EDHE:  "Keni keqmenaxhuar zhbllokimin"/ Xhepa thirrje Komitetit Teknik: Po provokoni revoltë thyese

“Deri kur Rusia të dëshmojë se po respekton ligjin ndërkombëtar dhe përgjegjësitë e tij, nuk do të ketë kthim në marrëdhënie normale,” thanë ata.

Ndërkaq, komunikata e re e Brukselit deklaron se vendet e NATO-s “do të angazhohen me Kinën të nisur nga parimi për mbrojtjen e interesave të Aleancës”.

Para samitit të NATO-s, Presidenti Biden mori pjesë në takimin e G-7, ku arriti të bindë pjesëmarrësit të dalin me një komunikatë që denoncon punën e detyruar dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut nga Kina, përfshirë edhe persekutimin e ujgurëve dhe pakicave të tjera etnike.

Megjithatë, duket se aleatët nuk janë aq të gatshëm të dalin me deklarata të forta denoncuese ndaj Kinës.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se vendimi i NATO-s për ta veçuar Kinën si kërcënim “nuk duhet tepruar” pasi Pekini, ashtu si Rusia, mbetet vend partner në një numër fushash. Kina është partnerja më e madhe tregtare e Gjermanisë, prandaj tha zonja Merkel “duhet gjetur balanca e duhur”.

Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje Aleancës të mos lejojë që Kina të bëhet temë shpërqëndruese nga probleme më kritike për NATO-n, ndër to lufta kundër terrorizmit dhe sfidat e sigurisë me Rusinë.

“Mendoj se ka shumë rëndësi të mos hapemi më shumë se duhet në përpjekjet tona dhe të mos tregojmë paragjykime në adresë të Kinës,” tha zoti Macron.

Të hënën, ambasada kineze në Britani nxori një deklaratë ku e cilëson komunikatën e G-7 “një ofezë e qëllimtë njollosëse ndaj Kinës, e cila në mënyrë arbitrare ndërhyn në punët e brendshme të Pekinit”.

Ndërkaq, aleatët e Shteteve të Bashkuara si në takimin e G-7, ashtu edhe në samitin e NATO-s kanë shprehur çlirim dhe entuziazëm për pozicionimin e Presidentit Joe Biden ndaj partneritetit transatlantik, një qëndrim që dallon dukshëm nga politika “Amerika e Para” që ndoqi pararendësi i tij, Donald Trump. VOA

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Borrell: Procesi i dialogut nuk do të jetë i lehtë

Publikuar

-

Nga

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të martën se është i vetëdijshëm që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, mirëpo angazhimi i të dyja palëve është i domosdoshëm për popujt e dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen të martën, më 15 qershor, në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Borrell ka thënë se gëzohet që takimi po zhvillohet në kohën e njëjtë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan Joe Biden.

“Kemi një momentum të ri dhe na duhet ta shfrytëzojmë atë”, ka thënë ai, duke thënë se kjo mundësi vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Borrell ka thënë se është e qartë se rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi shtrojnë rrugën për të ardhmen evropiane për të dyja palët.

LEXO EDHE:  Tregtonin mish pa leje dhe vulë/ Merren dy masa administrative, mbyllet një biznes

LEXO EDHE:  Tregtonin mish pa leje dhe vulë/ Merren dy masa administrative, mbyllet një biznes

Zyrtari i BE-së ka thënë mes tjerash se blloku evropian dhe vetë ai presin përparim të shpejtë në procesin e dialogut, për ta lënë të kaluarën mbrapa dhe të arritur marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i nivelit të lartë në dialog do të lehtësohet nga Borrell, i cili do të mbështetet nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi i së martës është i pari ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

Fillimisht Borrell do të ketë takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, ndërkaq rreth orës 10:30 pritet të nisë takimi trepalësh, ku do të jenë të pranishëm kryeministri i Kosovës, presidenti i Serbisë, kreu i diplomacisë së BE-së, Borrell, si dhe përfaqësuesi i Posaçëm, Lajçak./REL

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Kurti dhe Vuçiç takohen në Bruksel

Publikuar

-

Nga

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, takohen të martën, më 15 qershor, në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i nivelit të lartë në dialog do të lehtësohet nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, i cili do të mbështetet nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi i së martës është i pari ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç.

Fillimisht Borrell do të ketë takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, ndërkaq rreth orës 10:30 pritet të nisë takimi trepalësh, ku do të jenë të pranishëm kryeministri i Kosovës, presidenti i Serbisë, kreu i diplomacisë së BE-së, Borrell, si dhe përfaqësuesi i Posaçëm, Lajçak.

Vazhdim i dialogut apo proces i ri?

Bashkimi Evropian i sheh takimet e ardhshme në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si vazhdim i dialogut, e jo si ndonjë fillim i ri i tij.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ditë më parë ka theksuar se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 15 qershor dhe se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare presin angazhim të vazhdueshëm nga të dyja palët për përfshirje në këtë dialog, si dhe për zbatim të të gjitha marrëveshjeve të kaluara.

Kryeministri i Kosovës, Kurti, më 11 qershor ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës që më 15 qershor, “nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër” dhe se “nuk do të jetë një takim i radhës i të njëjtit dialog”.

“Do të jetë takim për dialogun e ardhshëm. Ky është dallim i madh konceptual”, ka thënë Kurti, duke shtuar se dialogut ende nuk i dihet agjenda.

Presidenti i Serbisë, Vuçiç, ka vazhduar të mbajë qëndrimin se në takimin me Kurtin do të insistojë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash ndërmjet palëve në Bruksel.

LEXO EDHE:  Skënder Brataj kundër studimit të Akademisë së Shkencave/ Sulçebe: Denigrim subjektiv, flet me hamendje

LEXO EDHE:  Skënder Brataj kundër studimit të Akademisë së Shkencave/ Sulçebe: Denigrim subjektiv, flet me hamendje

Në prag të takimit me Kurtin, presidenti serb Vuçiç ka thënë se “nuk është koha për fjalë të mëdha, por për një qëndrim të fortë”.

“Por, gjithmonë është koha që të tregojmë se sa e duam dialogun dhe sa e rëndësishme është të shikojmë drejt së ardhmes”, ka deklaruar Vuçiq.

“Vullneti i nevojshëm” për dialogun

Stefan Surlliq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 14 qershor, ka shprehur mendimin që presidenti i Serbisë, Vuçiq, do të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Kosovën me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, megjithatë, ai nuk pret që në raundin e 15 qershorit, palët të bisedojnë për Asociacionin, por pret që “të dyja palët të tregojnë dëshirë dhe vullnet për të vazhduar dialogun, për të biseduar për temat që mund të dalin në tryezë gjatë periudhës së ardhshme”.

Ditë më parë, partitë opozitare në Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë kritikuar kryeministrin Kurti, duke ia rikujtuar atij qëndrimet që kishte shprehur për dialogun para se të vinte në pushtet, se nuk bën të bisedohet me Serbinë pa kërkuar falje dhe se nuk duhet të bisedohet pa u zgjidhur fati i të pagjeturve. Gjithashtu, ai është kritikuar se po shkon në raundin e ri të bisedimeve i papërgatitur.

Zyrtarët e BE-së kanë paralajmëruar se më 15 qershor, para takimit të Kurtit dhe Vuçiqit, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Borrell do t’iu drejtohet mediave me një deklaratë, ndërkaq pas përfundimit të takimit, me media do të bisedojë përfaqësuesi i posaçëm, Lajçak./REL

LEXO TE PLOTE