Connect with Us

Debatet në mbledhjen me Ramiz Alinë/ Dritëro Agolli: Veprat më të mira të Kadaresë, janë trajtuar keq nga kinematografia

Histori

Debatet në mbledhjen me Ramiz Alinë/ Dritëro Agolli: Veprat më të mira të Kadaresë, janë trajtuar keq nga kinematografia

Publikuar

-

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1990, ku ndodhet një proces – verbal i mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila si pikë kryesore të rendit të ditës, kishte “mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike” dhe në atë mbledhje e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, përveç sekretarëve të Komitetit Qendror si: Foto Çami, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, merrnin pjesë edhe disa prej funksionarëve më të lartë të udhëheqjes partiake e shtetërore të asaj kohe, si: Spiro Dede, Abdyl Backa, Ali Vukatana, Sotir Koçollari, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Lisen Bashkurti, Skënder Gjinushi, Neritan Babamusta, Dhimitër Shandro, Marash Hajati etj. Proces-verbali i plotë i zhvillimit të mbledhjes me bisedat e diskutimet në mes Ramiz Alisë e udhëheqjes së lartë partiake e shtetërore të asaj kohe, me drejtuesit kryesorë nga sektori i krijimtarisë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si: Teodor Laço, Dhimitër Anagnosti e Nexhati Tafa, të cilët u ndalën gjatë në problemet e kinematografisë shqiptare.

“Të dy rrugët duket se janë racionale dhe me dobi. Janë të domosdoshme dhe studimet e plota, p.sh. studentët e degës së regjisë në Institutin e Lartë të Arteve, mund të studiojnë për regjisorë pasi të kenë mbaruar 3-4 vjet shkollë. Në përgjithësi dhe në vendet e tjera të botës, regjisorët përgatiten pasi të kenë mbaruar shkollën e lartë. Studimet për regjizurë janë për ta një shkollë e dytë. Madje në mjaft raste ata që përgatiten për regjizurë, nuk shkojnë nga fakultetet e dramës apo të regjisë, por nga fakultetet e tjera, sidomos nga ai i letërsisë. Këtë deri më sot nuk e kemi praktikuar, por me ato të regjisorit, sepse në kohën e tanishme zakonisht regjisori i filmit është dhe autor ose bashkautor i skenarit. Kjo do të ishte njëra rrugë e përgatitjes së plotë profesionale. Rruga e dytë është që kuadrot që kemi, t’i përgatisim me kurse pasuniversitare me periudhë të shkurtër 1 vjeçare për regjizurë. Përshembull, ne këtë vit mbyllëm me sukses një kurs pasuniversitar me 4 studentë të regjizurës, të cilët realizuan dy filma të mirë. Për t’u përgatitur në rrugën e parë kemi dërguar një student në Francë që do të studiojë 4 vjet regji. Megjithatë ai është një i vetëm dhe për mendimin tim, duke parë kërkesat që ka sot Kinostudioja, është shumë pak…!”

Kështu u shpreh mes të tjerash në fjalën e tij në një nga mbledhjet e sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1990, Teodor Laço, asokohe shef i redaksisë së skenarëve në Kinostudion “Shqipëria e Re”, mbledhje me temë “Mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike”, e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, ku përveç sekretarëve të tjerë të Komitetit Qendror, si Foto Çami, Lenka Çuko dhe Hekuran Isai, ishin të pranishëm edhe pjesa më e madhe e udhëheqjes së lartë partiake e shtetërore e asaj kohe që kishin lidhje direkte apo indirekt me artin e kulturën. Për më shumë se çfarë është diskutuar në atë mbledhje ku përveç Teodor Laços, nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, merrnin pjesë dhe regjisori Dhimitër Anagnosti e skenaristi, Nexhati Tafa, na njeh dokumenti në fjalë me proces-verbalin e asaj mbledhje, që Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë në disa numra të rubrikës dossier.

Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me kuadrot e sektorit të krijimtarisë së Kinostudios “Shqipëria e Re”

SHOKU RAMIZ ALIA: Këtë parim e mbështes dhe unë, veç lidhja e këtyre dy hallkave duhet të jetë e tillë, që me të ardhurat e filmave Kinostudioja të jetë në gjendje të ndërtojë dhe salla kinemaje.

SHOKU ALFRED UÇI: Të ardhurat nga kinematë do të vijnë duke u përmirësuar. Ka dhe një problem tjetër. Filmat e Kinostudios jepen jo vetëm në sistemin tonë, por edhe në atë të MPB-së, MMP-së, Televizionit. P.sh., Televizioni merr rreth 100 filma në vit nga Kinostudioja dhe jep për ta një shpërblim fare minimal. Kështu ndodh dhe në institucionet e tjera, prandaj të ardhurat që sigurohen nga këto filma nuk janë realë. Në fakt të ardhurat nga filmat janë të mëdha, por ato nuk grumbullohen nga Kinostudio, por ngelen nëpër xhepa të tjerë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju duhet të studioni tërë impaktin ekonomik të kësaj çështjeje.

SHOKU ALFRED UÇI: Kemi propozuar të studiohet tani.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mos u mjaftoni vetëm me propozimin por filloni studimin. Puna mbi çdo sektor duhet të ndërtohet mbi baza ekonomike. Në qoftë se Radio-Televizioni merr filma nga kinostudioja ai duhet të paguajë para për ta.

SHOKU ALFRED UÇI: Televizioni paguan vetëm një shumë simbolike.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ai duhet të paguajë aq para sa e gjykoni ju të arsyeshme. Po kështu dhe Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, etj. Kemi thënë që edhe kur t’u duhet për mbledhje Pallati i Kongreseve, Lidhja e Shkrimtarëve, apo ndonjë organizatë tjetër, do të paguajë shpenzimet që bëhen për ngrohjen dhe pastrimin.

SHOKU ALFRED UÇI: Një problem tjetër që u ngrit këtu dhe që duhet parë mirë është prodhimi i 14 filmave. Nuk është nevoja që për hir të numrit, të prodhohet edhe ndonjë film i nivelit jo të lartë. Por ekziston dhe rreziku tjetër që, nëse sot biem dakord që të pakësohet sasia vjetore e filmave, mund të realizohen shumë pak filma. Prandaj në këtë çështje duhet ecur në mënyrë të matur. Dhe kur të kemi bindjen se nuk kemi skenarë të mirë, atëherë mund të lejonim të mos bëhet ndonjë film që do rriste kot shpenzimet. Megjithatë nga ana e Kinostudios duhet luftuar që të sigurohet një minimum skenarësh rezervë. Vëmendja duhet përqëndruar në kualifikimin e skenaristëve dhe në heqjen e atyre që nuk kanë aftësitë e nevojshme. Ne kemi në kinostudio 3-4 skenaristë të tillë. Mendojmë që për skenaristët të organizohet një kurs i pandërprerë për një periudhë 5 vjeçare nga i cili mund të dalë çdo vit nga një i tillë. Kështu brenda kësaj periudhe mund të siguronim një grup skenaristësh që do të përballonin më mirë punën.

SHOKU RAMIZ ALIA: Sa filma shqiptarë kemi në qarkullim në një vit?!

SHOKU ALFRED UÇI: Numri është rritur shumë dhe qarkullojnë për një vit 200 filma.

SHOKU RAMIZ ALIA: Për shembull në vitin 1990, sa filma shqiptarë janë vënë në qarkullim nga të vjetrit dhe nga të rinjtë?!

SHOKU TEODOR LAÇO: Për këtë vit, po vihen në qarkullim 14 filma të rinj që po prodhohen dhe 50-60 filma të fondit të vjetër. Disa nga këta filma, janë konsumuar.

SHOKU ALFRED UÇI: Shoku Alfred Uçi: Ndryshe nga disa vite më parë, tani kemi një rezervë filmash dhe mund të bëhet më mirë qarkullimi i tyre.

SHOKU RAMIZ ALIA: Çështja e prodhimit të filmave, varet nga nevoja që ka tregu. Në qoftë se këto nevoja i plotësojmë me filmin ekzistues, duke shtuar dhe filmin e ri që prodhohet, atëherë çështja e prodhimit të 14 filmave në vit, nuk do të jetë më një kufi. Pse është caktuar sasia vjetore prej 14 filmash?! Ajo u caktua atëherë kur ne kishim fare pak filma dhe ishim të detyruar që të përballonim nevojat. Kjo porosi është dhënë pas Pleniumit të 4 të K.Q. të Partisë në 1974, kur kishim vështirësi dhe nevoja të mëdha për filmat tanë. Po tani që kemi mbi 150 filma shqiptarë, kemi mundësi t’i qarkullojmë.

SHOKU ALFRED UÇI: Vitet e fundit është rritur shumë interesimi për filmin tonë. Nga 50 mijë shikues që frekuentonin më parë filmin tonë, tani numri i tyre ka arritur në mbi 150 mijë. Kurse për filmin e huaj nga 22 mijë shikues tani, ka arritur në afro 200 mijë pra është pesëfishuar.

LEXO EDHE:  Video-mesazhi në mbrojtje të Gjukanoviç/ Rama tregon kush ja kërkoi

SHOKU RAMIZ ALIA: Është rritur numri i shikuesve edhe për filmin e huaj, se kanë filluar që të marrin disa filma të rinj.

SHOKU ALFRED UÇI: Ndoshta do të duhet të shtohet importi i filmave të huaj. P.sh., nëse Televizioni ka një film tonin dhe pesë të huaj, nëpër kinema raporti i këtyre filmave është një me një.

SHOKU RAMIZ ALIA: Televizioni i merr disa filma drejtë për drejt nëpërmjet stacioneve të huaja televizive, kurse kinostudio nuk e bën dot këtë gjë.

SHOKU PIRRO KONDI: Sa kushton një film i huaj?!

SHOKU TEODOR LAÇO: Nuk kushton më shumë se 3 mijë dollarë.

SHOKU ALFRED UÇI: Mund të kushtojë edhe 4500 deri në 600 mijë dollarë bashkë me lëndën për riprodhim. Një problem tjetër, është ai i një drejtimi më të mirë nga ana e drejtorisë që është në Kinostudio. Ka nevojë të përsoset drejtimi dhe organizimi i punës në kinostudio, që nga Organizata e Partisë, Bashkimet Profesionale, etj. Kinostudio ka forca të shumta pune por mungesa e organizimit, ka ndikuar në aritminë e punës. Me gjithë përpjekjet dhe kritikat që janë bërë nga viti në vit, aritmia ka sjellë një ambjentim me situatën jo shumë të shëndoshë në organizim dhe drejtim.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kam edhe unë nja dy mendime. Është objektive që filmi ka një ecuri shumë të mirë. Perspektiva është e mirë por, shqetësimet që dalin përpara janë për tematikën dhe problematikën e filmit sepse, me gjithë përpjekjet që janë bërë ajo është e ngushtë dhe krijon monotoni. Disa filma, duken si seriale, veçanërisht ato që kanë në qendër drejtorin apo shefin. Kjo ndodh ngaqë në to del një tip drejtori që shfrytëzon postin, një tip shefi që vjedh apo shpërdoron. Ata në çdo film janë pothuajse njëlloj siç ndodh dhe në filmat me kauboj. Kjo e largon spektatorin. P.sh., pas filmit “Hije që mbeten pas”, i cili qe një sukses për kinematografinë tonë, u bënë disa modele të këtij filmi. Në Kinostudio ka një redaksi për skenarët e cila, ka një përgjegjës, shokun Teodor. Mendoj që kjo redaksi duhet ta ketë parasysh këtë çështje. Të mos lejohen përsëritje të ideve, problematikës, dhe skemave. Ajo i kalon nëpër duar gjithë skenarët. Prandaj duhet të mbajmë lidhje më të ngushta me krijuesit dhe të mos i lejojmë përsëritjet. Skenarët kalojnë për t’u parë dhe në Komitetin e Kulturës, i cili nuk duhet të lejojë një përsëritje të tyre.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ti mendon se Komiteti i Kulturës, duhet të vazhdojë ti shikojë skenarët?!

SHOKU DRITERO AGOLLI: Deri tani ka qenë kjo praktikë. Megjithatë atje nuk mund të lexohen skenarët e plotë. Atje duhet të shkojë vetëm tematika, dhe një rezyme e çdo skenari. Në material është shprehur mendimi se kjo është gjëndja e letërsisë të cilën filmi e reflekton. Nuk pajtohem me këtë mendim sepse filmi, sidoqoftë e ka tematikën shumë të ngushtë. Letërsia ka një tematikë shumë të gjërë dhe është me autoritet të madh. Ajo nuk matet me krijimtarinë e një viti apo gjashtë muajve. Ka pasur raste që veprat më të mira të letërsisë, janë trajtuar shumë keq nga filmi. Kjo ka ndodhur me romanet e Shefqet Musarajt, me pjesën më të madhe të romaneve të Kadaresë, përveç “Gjenerali të ushtrisë së vdekur”. Veprat e Jakov Xoxes, Petro Markos, Migjenit, Foqion Postolit, Haki Stërmillit, etj., nuk janë bërë fare filma. Po të shprehesha në mënyrë figurative, ndërsa shtresa e letërsisë është 5 metra, shtresa e filmit është 1 centimetër. Me gjithë respektin që kam për filmin, ai nuk e pasqyron letërsinë, sepse tjetër gjë është letërsia, dhe tjetër gjë filmi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ti je i mendimit që letërsia jonë, duhet të përdoret më shumë për të bërë filma?!

SHOKU DRITËRO AGOLLI: Jam i mendimit se letërsia duhet të përdoret më shumë dhe më thellë, të mos trajtohet përciptazi. Filmat që bëhen, me përjashtime të rralla, qëndrojnë më poshtë se materiali letrar mbi të cilin bazohen. Duhet të ketë normë për të bërë skenarë. Shkruaj për qejf ndonjë skenar, kur më kërkojnë bashkëpunim regjisorët. Prandaj kam mendimin se, po të mos ketë skenarë të mirëfilltë Kinostudioja, siç kemi, p.sh., Nexhatiun, nuk mund të realizohen skenarët e nevojshëm në sasi dhe cilësi. Edhe Nexhatiu mund të ishte bërë shkrimtar, novelist, tregimtar, unë e njoh krijimtarinë e tij, por ai i’u përkushtua filmit, ku ka krijuar personalitetin dhe individualitetin e tij të veçantë. Pra skenaristët duhet të krijojnë skenarë, pa hequr dorë nga bashkëpunimi me shkrimtarët. Në të njëjtën kohë duhet shfrytëzuar dhe vjelë veprat letrare më të mira.

Në qoftë se skenarë do të bëjnë vetëm skenaristët, atëhere krijimi i skenarëve do të kthehet në industri. Duhet të bëjnë skenarë të gjithë shkrimtarët.

Nuk jam dakord edhe me mendimin që të mos prodhohen 14 filma në vit. Për prodhimin e filmave duhet të ketë një marzh prej 13-14 filmash në vit. Kjo traditë tashmë është formuar, sikurse ndodh edhe me daljen e gazetës. P.sh., gazeta “Drita” del një herë në javë. Meqënse në këtë gazetë nuk dalin gjithmonë materiale të mira, duhet të themi se ajo duhet të dalë një herë në dy javë?! Për daljen e gazetës janë vënë disa rregulla që duhen zbatuar dhe kjo çështje nuk duhet lënë në dëshirën tonë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Të meta ka edhe në “Zërin e Popullit”. A rregullohen ato duke pakësuar një numër gazete?

SHOKU DRITËRO AGOLLI: Edhe në qoftë se do ta heqim një numër të “Zëri i Popullit”, nuk besoj se rregullohet cilësia e shkrimeve. Edhe për sasinë e filmave, po ta kemi planin shtatë filma në vit, do të pretendohet më vonë që të mbeten pesë.

Ndërsa vetë shkrimtarët dhe artistët do të kërkojnë që të bëjnë më shumë skenarë dhe do të na duhet që të marrim një vendim më vonë që ta ngremë numrin vjetor të filmave në 16. Prirja e sektorit të kinematografisë shkon drejt rritjes.

Lidhur me përgatitjen e kuadrit regjisor, do të thosha se përveç studios së vjetër që është forcuar dhe ka përgatitur gjithë ata kuadro, është edhe Instituti i Lartë i Arteve. Kam përshtypjen se këtij të fundit ne e nën vleftësojmë. Atje duhet të ketë specialist edhe për regjisorë të filmit, por edhe për regjisorë të teatrit mezi i përgatitin. Ka më shumë një prirje që edhe regjisorin ta kthejnë në aktor, sepse në këtë institucion ekziston një mendim që po nuk ishte aktor i mirë, nuk bëhesh regjisor i mirë. Nuk është plotësisht kështu. Habitem që studenti i vitit të katërt në Institutin e Lartë të Arteve, nuk ka të drejtë të vërë në skenë një pjesë teatrale ose një skenar të vogël të tij. Edhe këto pjesë vënë në skenë profesorët dhe regjisori student, kthehet në aktor. Pra ai e merr diplomën si aktor, jo si regjisor. Diploma e regjisorit nuk duhet të jetë vënia në skenë e një vepre. Megjithëse kam mendimin se shifra e 14 filmave në vit, mos të jetë e prerë, e palëvizur, ajo mund të jetë si orientim, pastaj a realizohen 12 apo 13 filma, kjo çështje mund të shikohet, ashtu siç mund të manovrohet duke prodhuar ndoshta ndonjë film me metrazh të shkurtër, për të plotësuar numrin. /Memorie.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Histori

“Ia dogjën mishin me hekur të nxehtë, e qëlluan me plumb në kokë”/ Dëshmia shokuese për vdekjen e avokatit

Publikuar

-

Nga

Publikohet historia e panjohur e familjes Pipa me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës ku të parët pasi ishin diplomuar në universitetet më të njohura të perandorisë osmane dhe shërbyen për disa vjet në Stamboll në profesionet e tyre, në 1912-ën u kthyen në Shqipëri, duke i’u përgjigjur thirrjes së kryeministrit Ismail Qemali, për të ardhur dhe kontribuar në atdheun e tyre për formimin e konsolidimin e shtetit të ri shqiptar.  Historia e rrallë dhe tragjike e një prej pinjollëve të saj, Myzafer Pipës, i cili pasi mbaroi gjimnazin klasik në qytetin e Shkodrës ku ishte vendosur familja e tyre pas kthimit nga Turqia, fitoi një të drejtë studimi dhe u diplomua për Jurisprudencë në Universitetin e Padovës në Itali, në prillin e ’39-ës, ai  u arrestua dhe u internua për disa vjet në ishullin e Ventotenës.
Kthimi i Myzaferit në Shqipëri në vitin 1943 dhe emërimi i tij si gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së parë të Tuzit nga ku ai u largua shpejt duke dhënë dorëheqjen dhe u kthye në Shkodër e më pas në Tiranë ku hapi studjon e tij avokatore duke marrë në mbrojtje shumë të rinj antifashiste. Arrestimi i tij nga gjermanët pas një shkrimi që bëri në revistën ‘Fryma’ që ai drejtonte së bashku me të vëllanë, Arshiun dhe internimi në Kampin e Prishtinës nga ku ai mundi të lirohet në shtatorin e ’44-ës dhe kthimi në Tiranë ku ai pas mbarimit të Luftës hapi përsëri zyrën e tij si avokat dhe në Gjyqin Special, ai morri në mbrojtje Tahsim Bishqemin, Abedin Xhikun, Andon Kozmaçin e Manush Peshkëpinë, duke debatuar ashpër me kryetarin e gjyqit, gjeneral-leitnant, Koci Xoxen. Arrestimi i tij në ’46-ën duke u akuzuar si pjesmarrës në Kryengritjen e Postribës dhe eleminimi fizik në hetuesinë e Shkodrës, pas torturave ç’njerzore që i’u bënë nga edhe nga vetë kryetari i Degës Brendshme, kolonel Zoi Themeli.

“Myzaferi ishte një patriot dhe demokrat i vendosur me ide shumë përparimtare për kohën. Ai ishte kundra çdo lloj dhune në planin qytetar dhe politik. Në bindjet e pikpamjet social-politike, Myzaferi ishte dhe predikonte për një shtet me republikë parlamentare dhe demokraci të vërtetë, ku t’i jepej prioritet politikës sociale në favor të shtresave të gjera. Ndonëse Myzaferi ishte një demokrat e antifashist i vendosur, asnjëherë nuk mori pjesë dhe nuk u organizua në asnjë forcë apo grupim politik që doli gjatë asaj kohe, sepse sipas tij, ai dëshironte një pavarsi të plotë në veprim, dhe kërkonte po kështu atë pavarsi në mendimin e lirë. Pas kulturës së gjerë juridike dhe social-politike, ai kishte dhe njohuri të thella në fushën letrare e artistike. Ai njihte e ndjente si muzikën popullore e të kultivuar shkodrane, ashtu dhe atë klasike për të cilën kishte njohuri të thella e interpretonte dhe vetë herë pas here si amator. Myzaferi gjithashtu ishte një tip shumë i dashur dhe i shoqërueshëm me një rreth të gjerë miqsh e shokësh, jo vetëm në Shkodër, por dhe në Tiranë e ngado. Ai ishte tip vital e me humor, që dinte t’a harmonizonte hokatarin me seriozitetin në punë e jetën shoqërore qytetare. Muzaferi ishte njohës i disa gjuhëve të huaja dhe shumë i dhënë pas librave, ku biblioteka e shtëpisë tyre ka qenë një nga më të njohurat në qytetin e Shkodrës. Myzaferi vishej me shije të hollë dhe kishte sensin e masës në çdo hap të jetës”.

Kështu e kujtonte avokatin dhe publicistin e njohur, Myzafer Pipa, kunati i tij (burri i motrës), Uran Kalakulla, ish-i burgosur politik për 21 vjet në regjimin komunist të Enver Hoxhës, i cili na tregonte të gjithë historinë e familjes Pipa, për të cilin bën fjalë ky shkrim të cilin e kemi ndërtuar sipas dëshmive të tij.

Familja Pipa nga Libohova e Gjirokastrës, të diplomuar në Stamboll

Familja Pipa është me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës e sipas dokumenteve qe ndodhen në arkivat e Stambollit, njëri nga të parët e kësaj familje i quajtur Rashit, ka qenë Guvernator i Rumelisë. Rashiti kishte dhe dy vëllezër të tjerë, Arshiun e Tafilin, të cilët ishin diplomuar në Drejtësi dhe ushtronin profesionin e gjykatësit. Tre breza pas tyre njihet Mustafa Pipa, i cili ishte shkolluar e diplomuar në kryeqëndrën e Perandorisë Osmane për Jurisprudencë, e së bashku me dy vëllezërit e tjerë, punonin në administratën shtetërore. Mustafai ishte babai i Myzaferit, i cili lindi në Turqi në vitin 1914-të. Familja Pipa, duke ju përgjigjur thirrjes së Ismail Qemalit që bëri pas shpalljes së pavarsisë, për kthimin në Shqipëri të gjithë intelektualëve e patriotëve që donin të kontribonin në ngritjen e forcimin e shtetit të ri shqiptar, u kthye në atdhe nga fundi i vitit 1914.

 

 

Nga Turqia në qytetin e Shkodrës

Familja e Mustafa Pipës u vendos në qytetin e Shkodrës ku dhe Myzaferi mori mësimet e para e mbaroi gjimnazin e famshëm klasik të atij qyteti në vitin 1936. Myzaferi ishte fëmija i parë nga dy djem e katër vajza që kishte Mustafai nga dy martesat e tija. Gjatë gjithë periudhës së gjimnazit, Myzaferi dallonte shumë nga bashkë moshatarët e tij si nga sjellja, ashtu dhe nga rezultatet mësimore. Po kështu ai shquhej dhe në pregatitjen fizike dhe bënte pjesë në ekipin e futbollit “Vllaznia” të qytetit të Shkodrës, ku luante së bashku me Riza Lushtën e Naim Kryeziun, dy futbollistët e famshëm që luajtën e shkëlqyen më pas në ekipet italiane. Në vitin 1936, kur ai ishte ende në mature, shënoi golin e fitores me ekipin e Elbasanit, në një ndeshje deçizive që është kujtuar gjatë nga tifozët shkodranë.

Student për Jurisprudencë në Padova

Pas mbarimit të gjimnazit, babai tij duke dashur që dhe i biri, Myzaferi, të ndiqte traditën familjare, vendosi që ta dërgonte për studime në Itali në degën e Jurisprudencës. Kjo gjë nuk qe e vështirë të realizohej, falë dhe diplomës së shkëlqyer të Myzaferit, i cili plotësoi të gjitha kriteret për të studjuar në Universitetin e Padovas në Itali në degën e Jurisprudencës. Kështu në shtatorin e vitit 1936, ai la Shkodrën e udhëtoi drejt Italisë së bashku me shumë shokë të tjerë që kishin fituar bursat apo të drejtat e sudimit nga qeveria mbretërore. Pak vite përpara tij, kishte fituar një të drejtë studimi dhe kishte shkuar për t’u shkolluar në Itali edhe i vëllai, Arshi Pipa, i cili u dipllomua në fakultetin e Filozofisë në Firence në vitin 1941. Në atë fakultet në Padova së bashku me Myzaferin kishin studjuar e ishin dipllomuar edhe Abaz Ermenji, (kreu i mëvonshëm i “Ballit Kombëtar”) Jakov Milaj, (studjuesi i njohur) Nikolla Shurbani etj. Në vitin 1940, gjatë kohës kur Myzaferi ishte ende student në vitin e fundit të fakultetit, duke qenë me bindje të thella antifashiste, u arrestua nga autoritetet italiane në një nga lokalet e atij qyteti ku mblidheshin zakonisht studentët shqiptarë. Shkak për arrestimin e tij u bë protesta që ai bëri ndaj agresionit fashist kundër Shqipërisë në 7 prillin e ’39-ës. Në atë lokal Myzaferi së bashku me disa shokë të tjerë këndoi me zë të lartë këngën “Vlora Vlora / bjeri më të lumtë dora”, që ishte kënga që këndohej shpesh nga studentët shqiptarë për t`ju kujtuar italianëve Vlorën e 1920-ës kur u hodhën në det. Pas arrestimit ai doli në gjygj dhe u dënua me burg, duke u dërguar për t’a vuajtur dënimin në kampin e famshëm të Ventotenes. Në këtë kamp asokohe ishin të internuar dhe shumë shqiptarë të tjerë, si profesorët e gjimnazit të Korçës, Abaz Ermenji, Safet Butka, Selman Riza, Faslli Frashëri, Abdurrahman Kreshpani, si dhe Zef Mala, Emin Duraku, Masar Shehu, Abdyl Këllezi etj., që përfaqsonin rrymën e majtë të asaj kohë në Shqipëri. Në kampin e Ventotenes në atë kohë ishin të internuar si antifashistë dhe disa nga personalitetet e të majtës italiane, si Sandro Pertini, (President i mëvonshëm i Italisë) Skoçimaro, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Italiane, Pietro Neni etj. Aty nga fundi i 1940-ës, mbas një viti internimi, Myzaferi lirohet dhe kthehet në fakultetin e Padovas, ku merr dhe dipllomën me rezultate të larta.

Avokat në Shkodër, mbron antifashistët

Mbas diplomimit në Universitetin e Padovas, Myzaferi u kthye pranë familjes në qytetin e Shkodrës dhe po atë vit, nga ana e qeverisë shqiptare ai u emërua për të punuar si gjykatës në Gjykatën e Shkallës së parë të Tuzit, që ishte brenda kufijëve politikë të Shqipërisë së asaj kohe, të njohura dhe nga Italia fashiste e Benito Musolinit. Në atë gjykatë Myzaferi nuk punoi as tre muaj dhe dha dorheqjen. Arsyet e dorheqjes ai i shpjegoi duke thënë:” Unë nuk kam mbaruar shkollën për të dënuar njerzit, por për t’i mbrojtur ata, aq më shumë kur dënohen politikisht”. Pas kësaj ai u kthye dhe u vendos në qytetin e Shkodrës, duke punuar si avokat në studjon e babait tij Mustafait. Përveçse në qytetin e Shkodrës, Myzaferi asokohe ushtronte profesionin e tij si avokat dhe në Tiranë, nga ku më vonë në tetorin e vitin 1943, u vendosën të gjithë familjarisht. Që nga viti 1940 e deri në tetorin e 1943- it, periudhë që ai punoi si avokat, mori pjesë në shumë gjygje politike, duke marrë përsipër me kurajo mbrojtjen e shumë personave, kryesisht të rinj që akuzoheshin si antifashistë. Një nga ato “klientë” që asokohe u morr në mbrojtje nga ana e avokat Muzafer Pipës dhe ai mundi t’a lironte nga burgu, ka qenë dhe e reja antifashiste, Vitore Kalakulla, e cila u kap nga policia fashiste italiane, duke ngjitur trakte. Falë mbrojtjes te kualifikuar që i bëri asaj Myzaferi, mundi ta shpëtojë nga internimi i sigurtë në ishujt e Italisë.

LEXO EDHE:  “Jo censurës ndaj medias”/ Debate të forta në Komision, kryetarja Dhimitri braktis mbledhjen

LEXO EDHE:  Parlamenti grek përfshihet nga debate të ashpra për borxhin

Dëshmia e Uran Kalakullës për familjen Pipa

Lidhur me Myzaferin dhe gjithë familjen Pipa, kunati i tij (burri i motrës), Uran Kalakulla, tregonte: “Ajo ishte një familje e intelektuale e me kulturë të gjerë, duke filluar që nga babai Mustafai, vëllai Arshiu, e katër motrat e tyre. Ata ishin të gjithë të shkolluar e kishin bindje të thella antifashiste. Myzaferi ishte gjithashtu një patriot dhe demokrat i vendosur me ide shumë përparimtare për kohën. Ai ishte kundra çdo lloj dhune në planin qytetar dhe politik. Në bindjet e pikpamjet social-politike, Myzaferi ishte dhe predikonte për një shtet me republikë parlamentare dhe demokraci të vërtetë, ku t’i jepej prioritet politikës sociale në favor të shtresave të gjera. Ndonëse Myzaferi ishte një demokrat e antifashist i vendosur, asnjëherë nuk mori pjesë dhe nuk u organizua në asnjë forcë apo grupim politik që doli gjatë asaj kohe, sepse sipas tij, ai dëshironte një pavarsi të plotë në veprim, dhe kërkonte po kështu atë pavarsi në mendimin e lirë. Pas kulturës së gjerë juridike dhe social-politike, ai kishte dhe njohuri të thella në fushën letrare e artistike. Ai njihte e ndjente si muzikën popullore e të kultivuar shkodrane, ashtu dhe atë klasike për të cilën kishte njohuri të thella e interpretonte dhe vetë herë pas here si amator. Myzaferi gjithashtu ishte një tip shumë i dashur dhe i shoqërueshëm me një rreth të gjerë miqsh e shokësh, jo vetëm në Shkodër, por dhe në Tiranë e ngado. Ai ishte tip vital e me humor, që dinte t’a harmonizonte hokatarin me seriozitetin në punë e jetën shoqërore qytetare. Muzaferi ishte njohës i disa gjuhëve të huaja dhe shumë i dhënë pas librave, ku biblioteka e shtëpisë tyre ka qenë një nga më të njohurat në qytetin e Shkodrës. Myzaferi vishej me shije të hollë dhe kishte sensin e masës në çdo hap të jetës”, përfundon përcaktimin e ‘portretit’ tij, Uran Kalakulla.

Kryeredaktor i revistës “Fryma” në vitin 1944

Myzaferi me Arshiun ishin jo vetëm vëllezër, por dhe shokë të një ideali dhe mendimi. Ata mirkuptoheshin për çdo gjë duke bashkpunuar në disa drejtime. Kështu aty nga viti 1944, ata të dy pregatitën dhe nxorrën revistën me prirje nacionale e përparimtare “Fryma”. Atë revistë ata e nxorrën në qytetin e Shkodrës dhe Myzaferi ishte kryeredaktori saj. Ajo ishte një revistë shumë prestigjoze për atë kohë dhe mundi të dalë në shtatë-tetë numra. Si bashkpuntorë të saj në atë kohë, pati disa pena dhe emra të spikatur në fushën e letrave, si: Qemal Draçini, Besim Qorri, ing. Andrea Xega etj. Si editor i saj, Myzaferi u shqua për shkrime me mprehtësi, ku binte në sy erudicioni i tij dhe kopetenca profesionale në trajtimin e fenomeneve social-politikë si dhe atyre letrare të kohës. Kështu në numrin e fundit të asaj reviste, Myzaferi shkroi një artikull të gjatë, ku analizonte dhe kritikonte disa nga gabimet e qeverisë shqiptare që ishte asokohe nën okupacion gjerman.

Arrestimi nga gjermanët dhe internimi në Kampin e Prishtinës

Ishte ai artikull i cili i solli Myzaferit andralla të pafundme, deri sa përfundoi i arrestuar nga gjermanët. Pas kësaj, aty nga vera e vitit 1944 ai u internua në kampin famëkeq të Prishtinës. Në atë kamp asokohe së bashku me Myzaferin u internua dhe Gjikë Kuqali (“Hero i popullit”, por Myzaferi mundi të lirohet falë ndërhyrjes së një prej personaliteteve të njohura të Kosovës, që ishin njohur së bashku në rrethet intelektuale të Tiranës. Pas daljes nga kampi i Prishtinës, Myzaferi u vesh si partizan dhe duke kaluar nëpër male, erdhi deri në Priskë të Tiranës ku asokohe ishin grumbulluar formacione të mëdha partizane, e ndodhej shtabi kryesor i tyre. Ndonëse me uniformën e partizanit, ai nuk u inkuadrua në asnjë formacion të tillë dhe nuk mori pjesë në asnjë aksion të tyre. Mbarimi i Luftës e gjeti Myzafer Pipën në shtëpinë e tij në Tiranë, pranë prindërve, motrave, e vëllait Arshiut. Myzaferi nuk mendoi kurrë që të largohej nga Shqipëria si shumë nacionalistë të tjerë, për arsye se ai ishte i njohur si një antifashist dhe ishte dënuar si nga italianët, ashtu edhe nga gjermanët. Në këto rrethana, ai vendosi dhe hapi përsëri një zyrë avokatore në qytetin e Tiranës, për të ushtruar profesionin e tij.

Avokat në “Gjygjin Special” dhe debate me Koci Xoxen

Në avokatoren e tij e gjeti Myzaferin fillimi i marsit të vitit 1945, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës që kishte zbritur me eufori nga malet, hapi “Gjygjin Special”, për dënimin e të gjithë atyre që i konsideronte si kriminelë lufte. Në atë kohë me gjithë klimën e rëndë dhe mbytëse që ishte krijuar për atë proces gjygjësor nga ana e pushtetit komunist ku ishin vendosur në bankon e të akuzuarit mbi 60 persona, Myzafer Pipa pati kurajon që të merrte përsipër mbrojtjen e Tahsim Bishqemit, Abedin Xhikut, Andon Kozmaçit e Manush Peshkëpisë. që ishin shpallur “kriminelë lufte”. Myzaferi u mundua t`i mbronte me kopetencë profesionale e dinjitet klientët e tij dhe gjatë seancave gjyqësore ai debatoi ashpër, si me prokurorin, gjeneral-major Bedri Spahiun, ashtu dhe me kryetarin e gjyqit, gjeneral-leitnant Koci Xoxen. Kështu në një nga seancat e atij gjyqi, avokat Pipa i’u drejtua Koci Xoxes, ku midis të tjerave i tha: “Ti je një copë teneqexhi dhe nuk ke as kulturën e as dinjitetin e duhur juridik për të gjykuar këta njerëz që keni sjellë këtu, ku shumica e të cilëve janë patriotë të vërtetë” Këtë stigmatizim publik që Pipa i bëri Kryetarit të Gjyqit, ai nuk do t`ja harronte kollaj.

Arrestimi dhe vrasja në hetuesi

Nga fillimi i shtatorit të vitit 1946 në rrethinat e Shkodrës nisi ajo ngjarje që njihet tashmë si “Kryengritja e Postribës”, ku një numër i madh antikomunistësh që qëndronin të fshehur nëpër male, u organizuan dhe sulmuan me armë në drejtim të Shkodrës. Kështu pas shtypjes së saj nga brigadat partizane dhe Forcat e Ndjekjes të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit të komanduara nga Mehmet Shehu dhe Shefqet Peçi, nisën arrestimet masive. Një nga këtë persona që u akuzua dhe u arrestua si organizator e pjesmarrës në atë kryengritje, ishte dhe Myzafer Pipa. Ajo akuzë ndaj tij ishte e montuar dhe nuk qëndronte aspak, sepse ai jo vetëm që nuk kishte marrë pjesë aty, por as nuk kishte fare dijeni se kishte ndodhur një gjë e tillë. Sipas urdhërave që vinin nga Koci Xoxe e të miratuara nga Enver Hoxha, ndaj atyre të arrestuarëve të akuzuar për Postribën, u përdorën torturat më të rënda të drejtuara nga instruktorët jugosllavë që ishin atashuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme që asokohe drejtohej nga ministri, kolonel, Haxhi Lleshi. Këto tortura u përdorën dhe ndaj avokat Myzafer Pipës, ku sipas materialeve arkivore që hedhin dritë mbi këto proçes, morën pjesë që nga Kryetari i Degës Brendshme, kolonel Zoi Themeli, e ushtarakët e tjerë, si: Nesti Kopali, Vaskë Koleci, Enver Mesi etj., që asokohe shërbenin në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës. Sipas dëshmive të një kleriku katolik që asokohe ka qenë i arrestuar së bashku me Myzafer Pipën dhe që ka mundur të jetojë mbas shumë viteve burg, Myzaferit ja dogjën mishin me hekur të nxehtë dhe më pas i ranë me një plumb pas koke, duke e lënë të vdekur në vend. Pas kësaj, trupin e tij të pajetë e hodhën nga dritarja e hetuesisë, duke shënuar në kartelën e tij se ai u qëllua nga rojet e burgut, pasi tentoi të arratisej. Kështu avokati i njohur Myzafer Pipa, që ishte arrestuar e dënuar si antifashist me fakte e prova nga italianët e gjermanët dhe kishte shpëtuar i gjallë, nuk mundi të shpëtonte nga komunistët që e arrestuan e dënuan pa asnjë prove, duke mos i dhënë mundësinë as për të dalë në ato që ata i quanin “Gjyqet e Popullit”. Që nga ajo ditë dhe sot, akoma familja e tij nuk e di se ku mund të prehen eshtrat e Myzafer Pipës. /Memorie.al

LEXO TE PLOTE

Histori

Kastriot Dervishi publikon dokumentin zyrtar mbi vrasjen e Qemal Stafës

Publikuar

-

Nga

Kastriot Dervishi publikon dokumentin zyrtar mbi vrasjen e Qemal Stafës

Sipas njoftimit të Mëkëmbësisë të datës 16.3.1942, Qemal Stafa dhe Drita Kosturi ishin kallëzuar penalisht më 15.11.1941 në Gjykatën e Posaçme në Romë për veprimtari komuniste, por me vendimin e datës 22.1.1942 ishin liruar nga akuzat për mungesë provash. Ndërsa njoftimi kryesor mbi vrasjen e Qemal Stafës është i Kuesturës së Tiranës.

***

Tiranë, më 5 maj 1942

Rreth orës 14.00 të datës së sotme, gjatë një operacioni të papritur në një shtëpi që ndodhet në rrugën “Lumi”, në afërsi të kolegjit muhamedan (medrese), e mbajtur me qira prej Beqir Vanit (Beqir Minxhozi-shënim), i arrestuar sot në mëngjes për hetime të policisë, agjentët hasën në qëndresë nga ana e disa personave, të cilët ishin duke u orvatur të iknin për t’i shpëtuar arrestimit.

Janë hedhur tre bomba dore kundër agjentëve, të gjitha shpërthyese, po pa pasojë dhe janë zbrazur shumë fishekë revolveri, gjithashtu pa pasoja.

LEXO EDHE:  “Do më lini të flas apo tu bëj atë që di të bëj unë?”/ Tensione mes Ramës, Lalës dhe Fevziut: Si s’ të vjen turp, ç’ është kjo mo?!

LEXO EDHE:  Parlamenti grek përfshihet nga debate të ashpra për borxhin

Agjentët kanë nisur përgjigjen me armë duke vrarë komunistin Qemal Stafa, i të ndjerit Hasan dhe Sabire, lindur në Elbasan, më 10.9.1921, ish student. Janë arrestuar:

1-Drita Kosturi, e Aliut dhe e të ndjerës Nafije, lindur në Lezhë më 12.7.1920, ish studente.

3-Gjustina Sata, bashkëshorte e Zef Ndojës, në lidhje me shënimin nr.2699, të datës 4 të këtij muaji.

4-Marie Lezhja, e Franos dhe Angjelisë, vjeç 19 nga Tirana, të kapura befas në shtëpinë e përmendur duke tentuar të ikin me Qemal Stafën dhe një tjetër person të ikur të panjohur, të paidentifikuar (Kristo Themelko-shënim).

I vdekuri ndodhet i ruajtur në vendin e ngjarjes në pritje të shikimit në vend nga autoritetet përkatëse.

Kuestori Pandeli Papalilo

 

LEXO TE PLOTE

Histori

Historia e panjohur e tre mësuesve nga Kukësi, që donin të vrisnin Enver Hoxhën

Publikuar

-

Nga

Historia e panjohur e tre mësuesve nga Kukësi, që donin të vrisnin Enver Hoxhën

Memorie.al publikon historinë e panjohur të tre arsimtarëve nga fshati Bicaj i rrethit të Kukësit, Avdi, Shefqet dhe Xhevat Gjana, kushërinj me njëri tjetrin, të cilët në fillimin e viteve ’60-të kur shërbenin si mësues në fshatrat e thellë të asaj zone,  filluan të flisnin për gjendjen tejet të vështirë ekonomike dhe prapambetjen e tejskajshme në të cilën ndodhesh ajo krahinë malore ku ata ishin emëruar pas studimeve, duke pësuar një zhgënjim të madh që në hapat e parë të jetës së tyre. Dëshmia e rrallë e Xhevat Gjanës për bisedat politike me kushërinjtë e tij: Avdi, Shefqet dhe Bajram Gjana, si dhe me Shemsi Domin e Muharrem Selmanin, të cilët pas shumë diskutimeve, vendosën që të ndërmerrnin veprime konkrete kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke planifikuar tre variante: ku i pari ishte për një sulm të shpejtë ndaj Radio-Kukësit, nga ku më pas do bëhej thirrje popullit për një kryengritje të armatosur për përmbysjen e pushtetit popullor, i dytë për të organizuar çetat vullnetare për një revoltë gjatë periudhës së zboreve në të gjithë rrethin, duke sulmuar me armë institucionet dhe zyrat shtetërore, dhe i treti për një atentat të mundshëm ndaj Enver Hoxhës, i cili do të destabilizonte situatën duke shkaktuar turbullira. Zgjerimi i grupit me mjekun radiolog të spitalit të Kukësit, Raif Elezi dhe poetin Hafi Nela që shërbente si mësues në fshatin Topojan, të cilët u treguan të gatshëm për fillimin e veprimeve konkrete, por bisedat e tyre u zbuluan nga Sigurimi i Shtetit dhe ata u arrestuan në vitin 1970 e dolën në gjyq në qytetin e Kukësit, duke u dënuar me burgime të rënda, për akte terroriste.

Nga Dashnor Kaloçi

“Përveç variantit të marrjes së Radio – Kukësit me anë të një sulmi të armatosur dhe lëshimit të një thirrje me anë të saj, një mënyrë tjetër që ne kishim menduar për përmbysjen e pushtetit, ishte dhe ajo e organizimit të një revolte të armatosur, me anë të njerëzve të besuar e të zgjedhur, në çetat vullnetare gjatë zhvillimit të zboreve, duke e shtrirë atë në të gjitha zonat e rrethit të Kukësit, që ne kishim njohje. Këtë gjë, unë e pata biseduar personalisht edhe me Havzi Nelën, (poetin disident që e varën në litar në vitin 1988, në mes të qytetit të Kukësit), gjatë kohës që ne të dy ishim mësues, në fshatin Topojan. Havziu e priti shumë mirë propozimin tim dhe u tregua i gatshëm për veprime të mëtejshme. Ndërsa variant i tretë dhe i fundit që ne kishim menduar se mund të sillte përmbysjen e regjimit komunist, ishte ai i vrasjes së Enver Hoxhës, me anë të një atentati, gjë e cila automatikisht do të sillte destabilizim të situatës politike dhe ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve në Shqipëri”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Xhevat Gjana, me origjinë nga fshati Bicaj i Kukësit, i cili rrëfen historinë që i ka ndodhur në mesin e viteve ’60-të, kur ai shërbente si mësues matematike në fshatrat e Kukësit, ngjarje e cila i ndryshoi rrjedhën e jetës dhe e përplasi për vite me rradhë burgjeve të regjimit komunist në galeritë e thella të Spaçit e qelive të tmerrshme të Burrelit.

Zoti Xhevat, kur ju lindën pakënaqësitë e para ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës?

Pas diplomimit në Institutin Pedagogjik të Shkodrës në vitin 1963, unë u caktova si mësues matematike në disa fshatra të thella të rrethit të Kukësit, ku mbizotëronte një prapambetje e thellë ekonomike dhe arsimore. Në ato fshatra, unë shërbeva deri në vitin 1967, periudhë kohe e cila konçidoi edhe me fillimin e kolektivizimit total të fshatarsisë. Nisur nga ai realitet i mjeruar, me të cilën u ndesha sapo dola në jetë, unë u gjenda përpara një zhgënjimi të madh, pasi ajo që po shihja me sytë e mi, ishte krejt e kundërta, nga propaganda zyrtare e regjimit në fuqi. Pikërisht në ato vite, më lindën edhe pakënaqësitë e para ndaj regjimit komunist në fuqi, pakënaqësi të cilat e kishin zanafillën e burimin edhe në trajtimin që i bëhej familjes sonë nga regjimi në fuqi, për arsye se daja im, profesor Miftar Spahia, i cili në vitet e para të pasluftës kishte qenë i arratisur në male me Muharrem Bajraktarin, jetonte në SHBA dhe ishte i katërti në listën e “Kriminelëve të Luftës”, që shteti komunist ua kishte ndaluar kthimin në Shqipëri.

Atë realitet të hidhur që ndeshe në atë kohë kur dole si mësues, a e bisedoje me njeri?

Lidhur me gjendjen e vështirë ekonomike dhe prapambetjen e tej skajshme në të cilën ndodheshin pothuaj të gjitha fshatrat e atyre zonave të thella, ku ne po i shkelnim çdo ditë, unë bisedoja me dy të afërmit e mi, Shefqet e Avdi Gjana, të cilët ashtu si dhe unë, shërbenin si arsimtar. Shefqeti dhe Avdiu ishin mësues në shkolla të ndryshme, por ne bashkoheshim të shtunave dhe të dielave, për të biseduar me njeri tjetrin. Në të gjitha takimet që bënim, gjithsecili prej nesh sillte faktet e veta, nga jeta mizerje ku ndodheshim. Nisur nga kjo, ne të tre nxorrëm konkluzionin se ishim të mashtruar nga propaganda, që bëhej që në bankat e shkollave.

Bisedat që bënit me dy të afërmit tuaj, ishin në kuadrin e konstatimit të gjendjes së vështirë ekonomike dhe të prapambetjes ku ndodheshin fshatrat e asaj zone ku shërbenit ju në atë kohë?

Siç thashë pak më sipër, gjithçka që bisedonim, e kishte zanafillën në gjendjen tejet të vështirë ekonomike dhe pikërisht në atë kohë shpërtheu kolektivizimi i fshatarsisë në zonat malore. Ne të tre ishim kundër asaj që po ndodhte, duke e quajtur atë veprim krejtësisht të pamundur për zbatimin e agrokulturës në ato zona të thella. Por edhe pse ishim kundër kolektivizimit, ne gjithashtu ishim koshientë se ai do të bëhej me të gjitha mënyrat, duke nxjerrë konkluzionin se populli ishte i nënshtruar dhe nuk mund ta kundërshtonte dot këtë që po ndodhte.

Bisedat tuaja rrihnin vetëm tek kolektivizimi, apo kishit dhe rezerva të tjera ndaj sistemit?

Problemi i kolektivizimit, ishte e para e të gjithave bisedave tona, pasi ishte shumë i prekshëm, duke ndikuar drejt për drejt, në jetën tonë të përditshme, por ne kishim edhe shumë rezerva të tjera ndaj regjimit në fuqi. Mes të tjerash ne diskutonim edhe për problemet e mbrojtjes së vendit, duke i quajtur fare të pavend, investimet e mëdha që bëheshin në fushën ushtarake, për fortifikimin e vendit, deri në zonat më të thella.

A diskutonit me njeri tjetrin duke bërë analiza se si mund të kapërcehej ajo situatë, ndaj të cilëve ju kishit rezervat tuaja?

Ne mendonim se e vetmja gjë, që mund ta parandalonte kolektivizimin, ishte përmbysja e regjimit komunist në Shqipëri.

A kishit frikë se idetë tuaja, mund të binin në veshin e Sigurimit të Shtetit? 

Patjetër që kishim frikë dhe të gjitha bisedat, i bënim vetëm dy persona p.sh., unë me Avdiun, ose unë me Shefqetin. Rrallë herë mund të bisedonim tre veta. Por me kalimin e kohës grupi ynë u zgjerua dhe afruam edhe me kushëririn tjetër, Bajram Gjanën, si dhe Shemsi Domin e Muharrem Selmanin, ku të gjithë ishim intelektualë me shkolla të larta.

Rezervat tuaja ndaj regjimit komunist, mbetën vetëm në kuadrin e bisedave, apo shkuat më tej duke analizuar se çfarë mund të bëhej?

Jo, ne nuk mbetëm vetëm tek konstatimet, por shkuam deri aty, sa të mendonim se çfarë mund të bënte gjithsecili prej nesh, për të kontribuar në përmbysjen e atij regjimi.

Më konkretisht çfarë menduat të bënit?

E para gjë që na shkoi ndër mënd, ishte se me disa elementë të zgjedhur e të besuar, të kryenim një sulm të armatosur ndaj Radio – Kukësit. Pasi të merrnim godinën e saj, do t’i bënim thirrje mbarë popullit, që të ngriheshin dhe të përmbysnin regjimin komunist në Shqipëri. Ne do t’i bënim thirrje popullit, që të ngriheshin për kryengritje të armatosur, duke shpresuar për një ndërhyrje ushtarake të mundshme nga jashtë.

A biseduat me ndonjë njeri tjetër, për planin e marrjes me armë të Radio – Kukësit?

LEXO EDHE:  “Do më lini të flas apo tu bëj atë që di të bëj unë?”/ Tensione mes Ramës, Lalës dhe Fevziut: Si s’ të vjen turp, ç’ është kjo mo?!

LEXO EDHE:  Selami-Bashës: SHBA po të qëllon në ballë vetëm ty!  

Si fillim, ne biseduam me Raif Elezin, i cili shërbente si radiolog në spitalin e Kukësit. Ai jo vetëm që e priti mjaft mirë propozimin tonë, por u tregua shumë i gatshëm për të vepruar në rastin më të parë.

Përveç variantit të marrjes së Radio Kukësit, cilat ishin mënyrat e tjera që thatë se u kishin shkuar në mëndje për të vepruar?

Një mënyrë tjetër, që na kishte shkuar ndër mënd, ishte ajo e një tjetër revolte të armatosur, me anë të njerëzve të njohur, e të besuar, që kishim në çetat vullnetare, gjatë zboreve që këto të fundit zhvillonin nëpër fshatra. Këtë opsion, unë e pata diskutuar edhe me mësuesin dhe poetin e famshëm, Havzi Nela, gjatë kohës kur të dy shërbenim si arsimtarë në Topojan. Edhe Havziu, e priti mirë propozimin tim dhe u tregua i gatshëm që të na ndihmonte. Ndërsa varianti i tretë dhe i fundit do të ishte, eliminimi fizik i Enver Hoxhës, nëpërmjet një atentati. Gjë e cila automatikisht, do të sillte destabilizimin e situatës politike në vend dhe si rrjedhojë, do të çonte në shëmbjen e mundshme të atij regjimi.

Zoti Xhevat, a bëtë ndonjë tentativë për të realizuar ndonjërin nga tre variantet e mundshme, që kishit menduar për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri?

Për hir të së vërtetës, dua të them që edhe pse ne herë herë tregoheshim tepër entuziast, lidhur me tre versionet e mundshme, që kishim menduar apo planifikuar të bënim, kishte raste të shumta që binim në një pesimizëm të thellë, duke i menduar ato krejtësisht të pamundura! Ky pesimizëm që na pushtonte jo rrallë, e kishte burimin në ngjarjet e Hungarisë të vitit 1956, ku tanket sovjetike, shtypën me dhunë revoltat antikomuniste dhe ne bënim krahasimin, se çfarë mund të ndodhte me ne, këtu në Shqipëri, po të përsëritej i njëjti skenar. Tjetër gjë që na frenonte akoma dhe më shumë në planet tona, ishte dhe frika nga Sigurimi i Shtetit, i cili kishte njerëzit e tij kudo dhe ne mund të dekonspiroheshim akoma pa filluar të vepronim. Por sidoqoftë, siç thashë edhe më lart, përveç bisedave me dy të afërmit e mi, Shefqetin e Avdiun, unë personalisht, bisedova edhe me Havzi Nelën e Raif Elezin, të cilët jo vetëm që i pritën shumë mirë propozimet e mija, por u treguan edhe shumë të gatshëm, për të vepruar në rastin më të parë, që mund të na jepej mundësia.

Përse nuk vepruat kur ata u treguan të gatshëm?

Kjo gjë lidhet me disa arsye. E para, Hafzi Nela, u arratis në Jugosllavi dhe pasi e ktheu UDB-ja me kërkesën e Sigurimit të Shtetit, ai përfundoi në burg dhe ne mbetëm vetëm tre vetë në grup. Pas kësaj, Shefqetin e morrën ushtar në Tiranë dhe në grup mbeta vetëm unë me Avdiun e Raifin. Nisur nga këto rrethana në të cilat u ndodhëm, realizimi i tre varianteve që kishim menduar, bëhej akoma edhe më i vështirë. Por sidoqoftë, ne nuk mbetëm në kuadrin e fjalëve, pasi Shefqeti, tentoi të bënte diçka në lidhje me atentatin, ndaj Enver Hoxhës, gjatë kohës që ai ishte ushtar në repartin e kundërajrorëve, në Kodër Kamëz, në Tiranë.

Më konkretisht, çfarë bëri Shefqeti?

Po jua tregoj atë ngjarje, sipas kronologjisë. Në vitin 1967, unë erdha rastësisht në Tiranë dhe shkova për t’a takuar Shefqetin, (djalin e xhaxhait) në Kodër – Kamëz, ku ai ishte ushtar, në një regjiment artilerie. Pasi biseduam gjatë në një klub diku afër Institutit, kur po ndaheshim, ai më porositi që kur të shkoja në Kukës, t’i bëja një telegram, se gjoja kishte nënën e sëmurë, me qëllim, që të vinte me leje në Kukës. Unë i’a bëra telegramin dhe kur erdhi Shefqeti, ma tregoi të gjithë historinë që i kishte ndodhur atë ditë, kur aty në taracat e Bathores, kishte shkuar për një vizitë, Enver Hoxha. Para asaj vizite, ishin marrë të gjitha masat e sigurisë nga ana e reparteve ushtarake, që ishin të instaluara aty, në zonën për rreth Kodër – Kamzës. Kështu, ishte bërë edhe në repartin e kundër-ajrorëve, ku shërbente Shefqeti, e nisur nga biografia e mirë që kishte ai (një vëlla “Dëshmor i atdheut”, babanë të dekoruar për veprimtari patriotike), duke qenë edhe sekretar rinie i repartit, e kishin caktuar në vendrojen kryesore, prej nga dukej fare qartë, vendi ku Enver Hoxha, do të bënte vizitën. Shefqeti më tregoi, se gjatë momentit që ai ishte në vendroje dhe mundi ta shikonte, Enver Hoxhën, e kishte ngritur armën duke marrë dhe shënjestrën, por e kishte ulur përsëri, pa mundur të qëllonte. Ndërsa Shefqeti nisi të më tregonte të gjitha arsyet, se pse nuk kishte mundur të qëllonte, ndaj Enver Hoxhës, unë i thashë: “T’u thafshin krahët, përse nuk qëllove, të bëhej ç’të bëhej. Po ta kishe bërë këtë gjë, do të hyje në histori, ndërsa ne do të na kishin grirë të gjithëve”.

Kush është Xhevat Gjana

Xhevat Gjana u lind në vitin 1940 në Bicaj të Kukësit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Gjatë viteve të monarkisë së Zogut, pothuajse i gjithë fisi Gjana, u cilësua si kundërshtar i atij regjimi, pasi në “Revolucionin e Qershorit” në vitin 1924 ata kishin përkrahur forcat fanoliste duke marrë pjesë me armë kundër forcave qeveritare. Nisur nga ky fakt të dy xhaxhallarët e tij, u dënuan me vdekje. Në vitet e pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, 1939-1944, fisi Gjana përkrahu Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe shtëpia e babait të tij, Bardh Gjanës, u bë një nga bazat kryesore të lëvizjes partizane në atë krahinë. Por edhe pse kishin ndihmuar Luftën Antifashiste, me ardhjen në pushtet të komunistëve pas 1944-ës, kjo familje u vu nën shënjestrën e tyre. Kjo gjë lidhej me faktin se gjyshi i tyre kishte shërbyer si dervish dhe kishte ndikim të madh tek pjestarët e tjerë të familjes dhe fisit, sidomos në aspektin e ideve antikomuniste. Nisur nga këto rrethana, aty nga fillimi i vitit 1948, Sigurimi i Shtetit do të niste dhe valën e parë të arrestimeve ndaj pjestarëve të familjes Gjana, duke i akuzuar si kundërshtarë të pushtetit dhe strehues të pjestarëve të grupeve anti-komunistë në rrethin e Kukësit. Dy nga personat kryesorë që u arrestuan, ishin xhaxhai i tij Shaqir Gjana, dhe nipi i tij Kadriu.

Ata do të liroheshin nga burgu vetëm disa muaj më pas, gjatë “kthesës së madhe të Partisë” në vitin 1949, ku Enver Hoxha, i’a “faturoi” të gjitha krimet ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Koci Xoxes. Xhevati, pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij Bicaj, iku në qytetin e Shkodrës ku mbaroi dhe të mesmen, e më pas Institutin Pedagogjik në degën Matematikë-Fizikë. Pas diplomimit në vitin 1963, ai do të shërbente si mësues në fshatrat Krumë, Domaj, e Topojan dhe në vitin 1967, ai do të largohej nga arsimi, për të shërbyer për dy vjet si ekonomist në minierën e Bakrit në Gjegjan të Kukësit. Në vitin 1969, Xhevati arrestohet dhe pas disa muajsh hetuesie, dënohet me akuzën “agjitacion e propagandë dhe akte terrorizmi kundër shtetit”, në një grup ku bënin pjesë edhe gjashtë persona të tjerë. Ai u dënua me 8 vjet burg dhe të gjithë dënimin e kreu në burgun e Burrelit, prej nga u lirua në 1976. Pas lirimit nga burgu, Xhevat Gjana, do të punonte në kooperativën e Bicajt të rrethit të Kukësit deri në vitin 1980, kur do të largohej për në qytetin e Krujës. Atje ai krijoi familje me një vajzë nga fisi Kuçi, babai i së cilës, ishte pushkatuar nga regjimi komunist, I akuzuar si “armik i popullit”. Deri në vitin 1991, ai do të punonte si punëtor në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimeve të Krujës, ndërsa me shembjen e regjimit komunist, në vitet 1992-1993 ai, do të shërbente si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Kukësit. Pas vitit 1993, ai do të rikthehej pranë familjes së tij në Krujë dhe deri në vitin 1997, do të shërbente si drejtor i shkollës 8 vjeçare, “Myrteza Pengili”.

LEXO TE PLOTE
Lajme të Rekomanduara: