LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Gjermani: Miratohen lehtësimet për të vaksinuarit dhe shëruarit nga Covid-19

7 Maj 2021, 10:51, Kosova & Bota CNA
Gjermani: Miratohen lehtësimet për të vaksinuarit dhe

Lehtësimi i masave për personat e vaksinuar dhe të shëruar nga virusi Corona tani nuk ka më asnjë pengesë. Pas Bundestagut dritën jeshile e dha edhe Këshilli Federal.

Maskat dhe distanca mbeten

Në shumë fusha – si për shembull kur bëni pazar, shkoni në dyqane ose vizitoni parukierin – personat e vaksinuar dhe të shëruar nga Corona do të kenë të drejtat e njëjta si ata që kanë bërë një test me rezultat negativ. Këta persona nuk duhet të futen në karantinë pas udhëtimit – përveç nëse vijnë nga një zonë e mutantëve të virusit Corona. Detyrimi për të mbajtur maskë në vende të caktuara dhe kërkesa për distancë në hapësirat publike duhet të vazhdojnë të zbatohen. “Suksesi i vaksinimeve nuk do të thotë që ne mund të jemi të pakujdesshëm,” theksoi të martën Ministrja Federale e Drejtësisë, Christine Lambrecht. Pandemia ende vazhdon dhe ende ekziston një rrezik individual i infektimit edhe për personat e vaksinuar dhe të shëruar nga Covid-19.

Rregullorja bazohet në Ligjin për Mbrojtjen nga Infektimet, i cili parashikon një frenë emrgjente në të gjithë Gjermaninë, në vendet ku incidenca e infektimeve kalon 100 në 100.000 banorë brenda shtatë ditësh. Disa lande ndërkohë kanë futur masat lehtësuese për personat e vaksinuar dhe të shëruar.

Më shumë lehtësi edhe për të testuarit?

Në lidhje me liritë e planifikuara për njerëzit e vaksinuar dhe të shëruar, Shoqata Gjermane e Qyteteve ka kërkuar që më shumë lehtësime të ketë edhe për personat e testuar me një rezultat negativ ndaj virusit Corona. Shumë njerëz nuk kanë mundur të vaksinohen për shkak të mungesës së vaksinës, tha shefi ekzekutiv i Shoqatës, Helmut Dedy. “Prandaj ne kërkojmë që edhe personat e testuar negativisht të kenë liri dhe të drejta të njëjta.”

Është shumë mirë që të vaksinuarit dhe të shëruarit mund të gëzojnë një pjesë të lirive të mëparshme dhe t’i kthehen pak a shumë jetës normale, tha Dedy. “Por shoqëria nuk duhet të ndahet në të vaksinuarit dhe shëruarit në njërën anë ndërsa të gjithë të tjerët në anën tjetër”, paralajmëroi ai. Prandaj do të ishte e mençur që atyre që testohen negativisht në baza ditore t’u mundësohen më shumë kontakte sociale dhe takime me familjarë.

Në Republikën Federale të Gjermanisë deri tani janë vaksinuar njëherë 30,6 % e popullatës, njofton Instituti RKI. Ndërsa 8,6 përqind janë vaksinuar dy herë, që do të thotë se kanë një mbrojtje të plotë. Të mërkurën janë dhënë në Gjermani 1,1 milion vaksina. Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tha se prej fillimit të fushatës së vaksinimit në Gjermani, kjo ishte dita e dytë për nga numri i vaksinimeve.

Bie numri i të infektuarve

Numri i infektimeve të reja në Gjermani vazhdon të ulet në krahasim me një javë më parë. RKI njofton se në 24 orët e fundit janë regjistruar 18.485 infektime të reja, që është 5.800 raste më pak se një javë më parë. Incidenca shtatë ditore ka rënë në 125,7, ndërsa një ditë më parë ishte 129,1. Këto incidenca maten në 100.000 banorë brenda shtatë ditëve të fundit.

RKI raportoi edhe për 284 vdekje në 24 orët e fundit nga virusi Corona apo sëmundjet që kanë lidhje me këtë virus. Numri i përgjithshëm i vdekjeve u rrit në 84.410. Prej fillimit të pandemisë në Gjermani janë infektuar më shumë se 3.4 milion njerëz./DW

Lajmet e fundit nga