LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

KPK konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Apelit Vlorë/ Komisioneri Publik apelon vendimin

5 Maj 2021, 14:43, Vetingu CNA
KPK konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Apelit Vlorë/ Komisioneri

Komisoni i Pavarur i Kualifikimit, në datën 1 mars 2021 konfirmoi në detyrë gjyqtaren e  Gjykatës së Apelit Vlorë, Iliba Bezati.

Dy raporte negative nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar u përmbysën nga Komisioni gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar me 24 shkurt.

Sipas ILDKPKI, Bezati kishte bërë deklarim të pasaktë, nuk kishte burime të ligjshme të pasurisë, kishte fshehje pasurie, kishte bërë deklarim të rremë dhe bashkëshorti ishte në kushte të konfliktit të interesit.

KPK rrëzoi gjatë relatimit pjesën dërrmuese të këtyre gjetjeve, ndërsa vuri në dukje vetëm pasaktësi në deklarimet vjetore, bilance negative prej rreth 600 mijë lekësh dhe mosdeklarimin e një trualli të trashëguar nga bashkëshorti.

Por pas këtij vendimi ka ardhur edhe reagimi nga Komisioneri Publik, i cili ka ankimuar në KPA vendimin e shkallës së parë të vettingut.

Njoftimi i plotë i Komisionerit Publik:

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 352, datë 1.3.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Iliba Bezati, me funksion gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë.

Komisioneri Publik konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 352, datë 1.3.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cenueshëm vendimin në tërësinë e tij.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, pasi të ketë kryer vetë Kolegji një hetim dhe vlerësim të plotë të rezultateve të hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi të vendimit nr. 352, datë 1.3.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose ndryshimin e tij.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, ?Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë?.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë./CNA.al

Lajmet e fundit nga