Connect with Us

25 prilli/ Zyrtari gjerman: PD-së i duhet ajër i pastër, ide e qëndrime të reja

Politikë

25 prilli/ Zyrtari gjerman: PD-së i duhet ajër i pastër, ide e qëndrime të reja

Publikuar

-

Tobias Rűttershoff, drejtues i Fondacionit gjerman Konrad Adenauer në Tiranë thotë për DW, se PD, si forca kryesore e opozitës duhet të kontrollojë shumicën socialiste e të sjellë ide dhe qëndrime të reja.

DW:Z. Rűttershoff, procesi zgjedhor në Zgjedhjet Parlamentare 2021 në Shqipëri, të zhvilluara më 25 prill sapo ka përfunduar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar emrat e 140 anëtarëve të parlamentit të ri. Cili është opinioni juaj për këtë proces?

Tobias Rűttershoff: Mendoj që ka pak dritë por edhe shumë hije. Nga njëra anë, për fat të mirë, kemi parë një ditë zgjedhore të qetë, të civilizuar me vetëm shumë pak incidente. Për më tepër, lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve, që jetojnë në vend, shumë prej tyre e ushtruan të drejtën për të votuar. Kjo është një gjë e mirë. Kemi parë gjithashtu shumë parti dhe kandidatë të ndryshëm politikë të konkurrojnë dhe pas dy vitesh mungesë, kemi përsëri tani një opozitë të fortë parlamentare. Së fundmi, është inkurajuese që disa nga masat në ligjin zgjedhor, të tilla si identifikimi biometrik dhe prova e votimit elektronik në një zonë të Tiranës, kanë rezultuar të suksesshme.

Nga ana tjetër, ajo që më shqetëson janë raportimet për blerjen e votës, detyrimin e votuesve, keqpërdorimin e fondeve shtetërore në fushatën zgjedhore si dhe incidentet serioze që kemi parë në javën para zgjedhjeve. Një problem tjetër, me vetë zgjedhjet, ka qenë numri i lartë i votave të pavlefshme. Për mua ky është një tregues i qartë se formati i fletëve të votimit me numra dhe jo me emra kandidatësh nuk ishte ideal dhe ngatërroi shumë votues. Edhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Celibashi, e ka deklaruar këtë. Për më tepër, është për të të ardhur keq, që ndryshe nga shumica e vendeve të tjera në rajon, diaspora, që jeton jashtë Shqipërisë, nuk pati përsëri mundësi të merrte pjesë në zgjedhje. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, atmosfera e nxehtë e fushatës elektorale sigurisht që nuk ishte e mirë për vendin. Ka rëndësi të madhe që si shqiptarët ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar të shikojnë nga afër çfarë u bë gabim dhe sesi duhen rregulluar çështjet ku u gabua, për të mos u përsëritur në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është jetike për të forcuar besimin e popullit shqiptar në zgjedhje dhe demokraci.

DW:A ndikoi blerja e votës në integritetin dhe besueshmërinë e Zgjedhjeve Parlamentare 2021 në Shqipëri?

Tobias Rűttershoff: Pretendimet / akuzat për blerjen e votës mendoj që janë shumë serioze dhe të bazuara mirë, nga sa mund të vlerësoj tani. Sigurisht që ato hedhin hije mbi këto zgjedhje. Opozita ka sjellë shumë prej këtyre pretendimeve / akuzave dhe i ka çuar ato në zyrat e prokurorëve dhe më e rëndësishmja, në SPAK. Kjo është një provë e parë lakmusi për autoritetet e reja. Pres prej tyre që ta marrin shumë seriozisht këtë çështje dhe të fillojnë hetimet sa më shpejt të jetë e mundur.

Nëse blerja e votës ndodhi, atëherë ata që janë përgjegjës duhet të çohen para drejtësisë. Meqë ra fjala, kjo ishte edhe një nga kushtet e mëtejshme të BE-së për hetimin e incidenteve në zgjedhjet parlamentare të 2017, para hapjes së kapitujve të pranimit. Për mua, ky kusht vlen edhe për zgjedhjet e 2021! Mirëpres shumë faktin që edhe vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, veçanërisht misioni i vëzhguesve të zgjedhjeve të OSBE / ODIHR-it, Këshillit të Evropës i kanë përmendur këto parregullsi në raportin e tyre paraprak. Tani është shumë e rëndësishme që strukturat hetimore dhe ligjore të fillojnë ta shikojnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo duhet të bëhet në mënyrë që të sigurohet integriteti dhe besueshmëria e zgjedhjeve.

DW: Çfarëkonsideroni shqetësimin më të madh të procesit zgjedhor?

Tobias Rűttershoff: Mendoj që nuk ka një problem të madh që mund të veçohet. Më shumë ka një përzierje gjërash të ndryshme serioze. Kemi blerjen e votës, që ju përmendët: kjo është diçka që ka ndodhur shumë më parë nga dita e zgjedhjeve dhe që është e vështirë të identifikohet dhe trajtohet. Kjo nuk ndodh vetëm përmes dhënies së parave, por edhe mjeteve të tjera, siç është legalizimi i pronave. Ne nuk kemi nevojë vetëm për hetimin policor dhe sanksionimin e tij, por në plan afatgjatë kemi nevojë gjithashtu për një ndryshim të kulturës për të mos pranuar blerje të tilla votash. Pastaj kemi çështje të tjera të tilla si shtrëngimi i votuesve ose dhënia e kontratave të punës afatshkurtëra nga qeveria apo bashkitë pak para zgjedhjeve.

Një gjë tjetër, që u përmend gjithashtu nga Ambasadorja Urszula Gacek, Shefja e misionit vëzhgues të OSBE / ODHIR-it, është keqpërdorimi i burimeve të administratës shtetërore dhe qëndrimi i paqartë ndaj ndarjes së partisë nga shteti.

Kishte “vizita inspektimi” të shpeshta nga ministrat në objekte të caktuara, që u përdorën në fushatën zgjedhore, si hapja e spitaleve dhe përurimi i shkollave. Kjo jo vetëm që ishte në kundërshtim me rregullat e ligjit zgjedhor, që synonte të parandalonte keqpërdorimin e fondeve shtetërore, por i dha partisë në pushtet, PS, një avantazh të veçantë. Për më tepër, duke parë vetë procesin zgjedhor, sigurisht që nuk ishte e dobishme që pas marrëveshjes së përbashkët midis aktorëve politikë të 5 qershoriit 2020, qeveria ndryshoi më pas, në mënyrë të njëanshme, Kushtetutën, lidhur me koalicionet dhe votimin me listë të hapur. Kjo jo vetëm që krijoi tensione të panevojshme midis palëve, por gjithashtu ndërlikoi procesin e votimit, për shkak të ndryshimeve të sipërpërmendura, që krijuan pështjellim. Sipas mendimit tim, kjo gjithashtu ka ndikuar në numrin e lartë të votave të pavlefshme.

Kjo pati pasoja serioze, sepse mund të jenë prekur disa mandate. Për më tepër, ka gjëra të tjera relativisht të vogla, por akoma të rëndësishme, siç është trajnimi i pamjaftueshëm i komisionerëve. Personalisht kam biseduar me mjaft prej tyre në ditët para zgjedhjeve dhe shumë kritikuan trajnimet e pamjaftueshme, madje edhe mungesën e tyre. Prandaj, pas këtyre zgjedhjeve, mund të jetë e vlefshme të rishikojmë përsëri Kodin Zgjedhor në një proces gjithëpërfshirës me të gjitha palët, për të parë se çfarë duhet të ndryshohet dhe përmirësohet për të mbrojtur zgjedhjet e ardhshme.

DW: Çfarë sfidash duhet të fitojë dhe çfarë rreziqesh duhet të shmangë PS në mandatin e saj të tretë qeverisës?

Tobias Rűttershoff: Konsumimi i pushtetit. Kemi parë tashmë që nga Rama I tek Rama II numri i projekteve dhe reformave inovative ka rënë. Në vend të kësaj, ne kemi parë një rritje të skandaleve, vetëm sa për të përmendur skandalin e blerjes së votave të zbuluar nga “Zëri i Amerikës” në fillim të vitit 2019 dhe kasetat e gazetës Bild. Ekziston rreziku që shumica mund të besojë tani, se thjesht mund të mbretërojnë pa ndonjë kontroll dhe ekuilibër. Sidoqoftë, tani kemi përsëri një opozitë të fortë në parlament, që duhet të ushtrojë detyrën kryesore të një opozite: të kontrollojë vazhdimisht dhe të sfidojë shumicën. Me vazhdimin e reformës në drejtësi dhe Gjykatën Kushtetuese tanimë funksionale, kemi gjithashtu përsëri pushtetin e tretë për të kontrolluar qeverinë. Së fundmi, tani në mandatin e tij të tretë dhe gjithashtu, që nga viti 2019, me kontroll të plotë mbi të gjitha bashkitë, z. Rama do ta ketë të vështirë të fajësojë të tjerët për gjëra që nuk shkojnë mirë.

LEXO EDHE:  Ahmetaj flet për buxhetin/ PD braktis Komisionin e Ekonomisë

DW: Cilat janë sipas jush, arsyet kryesore që PD dhe aleatët e saj humbën Zgjedhjet Parlamentare 2021?

Tobias Rűttershoff: Ne duhet të përcaktojmë fjalën “humbje”: Po, qëllimi përfundimtar për të fituar Zyrën e Kryeministrit nuk u arrit. Por nga ana tjetër, PD dhe Lulzim Basha kanë qenë të vetmit që kanë fituar një numër të konsiderueshëm mandatesh dhe që nga viti 2009, tani kanë më shumë mandate. Padyshim ata janë tani lojtari kryesor i opozitës. Nëse shohim akoma përtej çështjeve të blerjes së votës, që përmendëm si një arsye më sipër, besoj që PD në muajt e ardhshëm duhet të bëjë një analizë dhe vlerësim të ndershëm të zgjedhjeve dhe fushatës së saj. Mendoj që djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale në 2019 nuk ishin ndoshta idetë më të mira, pasi ato i mundësuan PS të ndryshojë Kushtetutën në favor të saj dhe gjithashtu të kontrollojë bashkitë, të cilat janë shumë të rëndësishme për strukturat e pushtetit lokal për cilëndo parti. Për sa i përket LSI-së, ajo tashmë e ka pranuar që ka zhvilluar një fushatë me të meta. Përveç kësaj, besoj që ndërhyrjet e Presidentit Meta nuk ishin aq të mirëpritura nga votuesit.

DW: Cila është rruga që duhet të ndjekë PD për të pasur rolin e saj të rëndësishëm në demokraci, që ju sapo e theksuat, pas humbjes rrjesht të tri Zgjedhjeve Parlamentare?

Tobias Rűttershoff: Jam një optimist nga natyra! Edhe pse PD nuk ka qenë në gjendje të rrëzojë nga froni Ramën dhe natyrisht, ka zhgënjim brenda partisë veçanërisht për ata që, për disa javë kanë bërë fushatë për partinë si dhe kandidatët, kësaj partie i është caktuar një rol i fortë dhe i rëndësishëm si forca kryesore e opozitës. Pra, duhet të hyjë në parlament dhe atje të punojë shumë. Së pari, pretendimet për mashtrim zgjedhor duhet të diskutohen gjithashtu në parlament. Së dyti, rezultatet e këtij diskutimi duhet të çojnë në ndryshime në ligj dhe zbatimin e masave të mëtejshme. Për shembull, sistemi elektronik i votimit ka funksionuar shumë mirë në zonat ku u provua dhe duhet të zbatohet në të gjithë vendin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Së treti, PD duhet të nxisë reforma të mëtejshme, të tilla si ligji administrativ dhe ligji për dekriminalizimin, të cilat janë gjithashtu pjesë e kushteve të mëtejshme të BE. E fundit, por sigurisht jo më pak e rëndësishme: PD duhet të përqafojë dhe të përfshijë brezin e ri. Duhet të ketë ajër të pastër si dhe ide dhe qendrime të reja që vijnë në parti. Kam njohur gjatë fushatës shumë të rinj dhe të reja të motivuar. Isha jashtëzakonisht i lumtur kur pashë që Belind Këlliçi, Kryetari i Forumit Rinor të PD, mori rezultatin e tretë më të mirë për PD në të gjithë Shqipërinë. Kjo tregon se me të rinjtë si ai mund të fillojnë ndryshimet në PD.

Nëse PD i merr këto gjëra dhe vepron si një opozitë e fortë dhe gjithashtu fiton përsëri bashki në zgjedhjet e ardhshme lokale, besoj që zhgënjimi aktual mund të kthehet në një energji pozitive për ndryshimin e vendit për më mirë.

DW:A kontribuojnë Zgjedhjet Parlamentare 2021 në Shqipëri për të bindur Këshillin Europian që brenda Presidencës së tij portugeze të zhvillohet konferenca e parë Ndër- Ministeriale me BE? A keni besim se kjo do të ndodhë? Pra, e kam fjalën brenda qershorit të këtij viti, si hapi i parë drejt procesit të hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Tobias Rűttershoff: Përveç faktit që gjithë situata, varet, në një farë mase, edhe nga zgjidhja e konfliktit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ne duhet të përqendrohemi në kushtet e qarta të vendosura nga Këshilli Evropian. Shumë prej tyre janë përmbushur, por unë personalisht shoh disa pyetje të hapura. Së pari, ligji për mediat ende nuk është ndryshuar edhe pse kemi rekomandime të qarta nga Komisioni i Venecias. Nuk duhet t’i duhet shumë kohë mazhorancës në parlament për të berë këto ndryshime, ndonëse për disa muaj nuk ka pasur lëvizje në këtë çështje. Së dyti, lidhur me uljen e korrupsionit, kemi parë disa raporte shqetësuese që korrupsioni po rritet në vend që të ulet. Shqipëria duhet të veprojë në lidhje me këtë. Kështu, shpresoj që qeveria Rama të marrë këto masa dhe atëherë jam i sigurtë që së shpejti do të shohim hapjen e negociatave të pranimit./DW

Tobias Rűttershoff është drejtuesi i zyrës në Tiranë të Fondacionit gjerman „Konrad Adenauer“

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Politikë

I kaloi kandidatët në “filtër”/ Nishani nxjerr zbuluar Bashën: Nuk më pyeti për listat

Publikuar

-

Nga

Ish-presidenti Bujar Nishani, njëkohësisht kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, ka folur mbi listat e kandidatëve në zgjedhjet e 25 prillit. Ai dhe është shprehur se ata i vendosi kreu i PD Lulzim Basha duke nënkuptuar se  nuk është pyetur për renditjen e tyre.

Më tej, në një intervistë për Abc, Nishani shton se koalicioni ishtë në dobi të PD , por deklaroi se aleatët duhet të vendoseshin në fund të listës.

 Kur merret vendimi përfundimtar dhe mblidhet këshilli kombëtar për listën e deputetëve, a i takon kryetarit të thotë mirëmbrëma fjalën e ka kryetari. Kur edhe kjo nuk i lejohet çfarë mund të pres.

Nuk mund të fajësohet Basha për dështimin e tyre. Nëse Basha do ishte konsultuar me kryesinë e Partisë Demokratike, unë do i thosha vendosi në vendet e poshtë që të thyejnë herësin dhe të vijnë në kuvend. Është një spekulim që flasin ata.

 Unë i quaj spekulime ato që thonë ata. Koalicioni ishte shumë mirë që u bë për dy arsye, e para morale dhe dyta elektorale. Morale ishte sepse u përgjigjen kur dogjën mandatet dhe kur nuk u futën në zgjedhje. Në aspektin elektoral ato parti në 2017-n dalin 800 mijë vota plus PD. Ata kanë sjellë vota tek PD. Sepse kanë vota në të gjithë Shqipërinë. Por akuzat tani nuk janë të moralshme”, deklaroi Nishani./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Politikë

“Basha ka marrë peng PD”/ Kadilli: Nuk është zgjidhje për partinë, të japë dorëheqjen

Publikuar

-

Nga

Anëtari i Kryesisë së PD-së Fatbardh Kadilli ka folur për situatën në Partisë Demokratike pas humbjes në zgjedhjet e 25 Prillit. Sipas tij, kryedemokrati Lulzim Basha nuk është një zgjidhje për këtë parti. Kadilli shtoi se kreu demokrat duhet të largohet sepse nuk ka çfarë të bëjë akoma dhe nuk ka çfarë të japë më.

Kadilli deklaroi në një intervistë për MCN se Basha ka marrë peng Partinë Demokratike dhe sipas tij, kjo është situatë e rëndë sot pas 30 vitesh demokraci.

Kam bindjen se zotëria nuk është më zgjidhje për Partinë Demokratike. Një individ që thotë nuk bëj më shumë se dy mandate se nuk kam çfarë të bëj, atëherë pse do të rrijë më shumë në opozitë. Ke bërë dy mandate, ke dhënë maksimumin tani largohu, kaq di, kaq i zoti je dhe kaq mundësi pate. Çliroje partinë, çliroje energjinë e kësaj partie sepse është parti e krijuar duke i bërë jehonë thirrjes së qytetarit, kjo parti ka lindur nga protestat nga njerëzit në rrugë dhe sot jemi shëndruar në një strukturë ku ka mbaruar biseda me qytetarin. Pse na mundi se na vodhi votat?

Që të bjerë shpresa te qeveria është normale, por që të bjerë shpresa tek opozita është gjëja më e rëndë që mund të ndodhi. Që një lider të marrë peng opozitën eshtë edhe më e rënda që mund ti ndodhi shoqërisë aq më tepër në shekullin e 21, aq më tepër pas 30 vitesh demokraci”, u shpreh Kadilli./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Politikë

“Basha nuk do ta rrëzojë kurrë Ramën”/ Nishani: Kreu i PD duhet të marrë përsipër përgjegjësinë

Publikuar

-

Nga

Ish-presidenti Bujar Nishani, njëkohësisht kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, u është përgjigjur kritikëve që shprehen se ai po i shërben kryeministrit Edi Rama duke kërkuar largimin e kreut të PD, Lulzim Basha.

Ai theksoi se Rama pas fitores së mandatit të tretë, nuk ka nevojë për askënd që ti shërbejë. Më tej, në një intervistë për Abc, Nishani shtoi se Basha nuk e ka rrëzuar dot Ramën për gjithë këto vite dhe sipas tij, nuk do ta rrëzojë kurrë.

“Në 91-shin partia e Punës hyri në garë në kuadrin e pluralizmit. Dallgën e madhe në kutitë e votimit nuk e ndalonte dot më. Duhet të marrësh përsipër përgjegjësinë si drejtues i opozitës duke bindur shqiptarët që do sjellësh ndryshim. Dhe humbja nuk i faturohet një njeriu. Nuk është e keqja Lulzim Basha. E keqja është Edi Rama. Basha nuk e ka rrëzuar dot dhe nuk ka për ta rrëzuar dot.

 Edi Rama e fitoi atë që donte, Nuk ka nevojë për asnjë shërbim më. Kush i ka shërbyer Edi Rama I ka shërbyer deri më 25 Prill. Blendi tha që duhet të ikë Edi Rama. Edi Rama ka tetë vite që nuk ikën. Pas 12 vitesh pot ë vazhdojmë të themi të gjejmë një mekanizëm që të heshtim, do jetë Edi Rama prapë. Unë kam përgjegjësi qytetare. E keqja e këtij vendi është Edi Rama. Ka modelin e qeverisjes më të inkriminuar. Edi Ramën e rrëzon vetëm nëse në kutitë e votimit shkojnë 1 mln shqiptarë dhe jo 600 mijë shqiptarë. Ata kanë ndenjur në shtëpi sepse nuk janë bindur.”, u shpreh Nishani./CNA.al

LEXO TE PLOTE