Connect with Us

Rreziqet dhe shanset e mandatit të tretë/ Çfarë ka mbetur akoma pa parë

Ekonomi

Rreziqet dhe shanset e mandatit të tretë/ Çfarë ka mbetur akoma pa parë

Publikuar

-

Rama ironizon Kryemadhin/ Futi në furrë 12 ballokume dhe nxorri 6

Nga Ornela Liperi

Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e 25 prillit, duke u bërë e para në historinë e demokracisë që merr tre mandate radhazi. Pas tetë vitesh me luhatje ekonomike, që kulmoi me dëmin i cili u shkaktua nga pandemia dhe tërmeti dhe eksperimentet e rrezikshme me Partneritetet Publike – Private, kryeministri Rama kishte pohuar se i duhej një mandat i tretë për të realizuar projekte të mëdha, si tre apo katër aeroporte, rrugë e tunele, porte të mëdha turistike etj.

Por, këto projekte rrezikojnë të shfryhen për shkak të ezaurimit të hapësirës fiskale. Borxhi publik iu afrua 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2020-n, me rritje 13 pikë përqindje me vitin e kaluar, si rrjedhojë e pandemisë, duke qenë ndër më të lartët në Europë. Tendenca ishte në rritje dhe në tremujorin e parë të këtij viti, pas marrjes së kredive të reja nga Komisioni Europian dhe Banka Ndërkombëtare për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore).

Me një ekonomi që është më pak konkurruesja në Europë, borxhi publik ka arritur në nivele të paqëndrueshme dhe ulja e tij do të jetë e vështirë. E kaluara ka treguar se borxhi është rritur më pak se ekonomia, duke qenë një tregues indirekt i efektivitetit të ulët të përdorimit të tij, i lidhur dhe me projektet e dyshimta të Partneriteteve Publike – Private, sa i përket raportit-kosto përfitime.

Pandemia nuk e pengoi qeverinë, që në prag të zgjedhjeve të hapte një sërë projektesh të mëdha, për të cilat dukshëm nuk e kishte aftësinë paguese. Tipik ishte tuneli i Llogorasë, me një kosto totale 150 milionë euro dhe financim nga buxheti, që duhet të ndërtohej brenda tre vitesh, i cili kishte të parashikuar në buxhet, për të njëjtën periudhë kohore, vetëm 30% të vlerës totale! Projekti është tashmë pezull.

Projektet e tjera për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit dhe Vlorës janë me trafik të garantuar, gjë që do të thotë se buxheti do të paguajë në rast se kompanitë nuk do të kenë numrin e parashikuar të pasagjerëve, duke i shtuar një tjetër barrë të fshehtë buxhetit, ashtu siç ndodhi me rrugën Durrës-Kukës, ku rënia e trafikut gjatë pandemisë u kompensua me paratë e taksapaguesve. Vetëm për aeroportin e Sarandës është deklaruar se risku do të merret nga investitori.

Projekti i portit të Dubait, një investim i deklaruar prej 2 miliardë eurosh, përtej efekteve pozitive (nëse do të arrijë të realizohet) ka nga pas koston e zhvendosjes së Portit tregtar në Porto Romano dhe dhënies së një tjetër koncesioni, teksa qeveria nuk i ka 500 milionë euro që vlerësohet se duhen për ta ngritur atë.

Rreziqet e buxhetit

Për vendet në zhvillim, një borxh deri në nivelin e rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) quhet i qëndrueshëm. Shtetet e rajonit, përveç nesh dhe Malit të Zi, e ulën me shpejtësi këtë tregues deri para fillimit të pandemisë. P.sh., Serbia e zbriti nga 70% e PBB-së (nivel i ngjashëm me tonin) në 50% brenda pak vitesh, ndërsa Shqipëria nuk arriti ta ulte më shumë se disa pikë përqindje (në 66.4%), edhe kjo e ndihmua nga efekti i kursit të këmbimit). Ulja e borxhit u dha hapësirë vendeve të rajonit të kishin stimuj më të lartë fiskalë gjatë pandemisë, ndryshe nga Shqipëria, e cila u mjaftua me 1% të PBB-së, më e ulëta në Europë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi shpesh qeverisë që në kohën e pandemisë të frenonte shpenzimet, duke u kufizuar tek ato të domosdoshme, por në prag të zgjedhjeve, askush nuk e mori parasysh këtë këshillë dhe fronte të reja pune u hapën. Në buxhet, qeveria ka projektuar edhe këtë vit një deficit fiskal të lartë prej gati 108 miliardë lekësh (gati sa 80% e deficitit të vitit pandemik), ndërsa borxhi publik projektohet sipas FMN-së të qëndrojë rreth 80% për një periudhë disavjeçare.

Banka Botërore paralajmëroi në raportin e fundit se pas vitit 2021, hapësira e kufizuar fiskale ka të ngjarë të çojë në pakësim të shpenzimeve qeveritare. Situata fiskale mund të përkeqësohet nëse mbledhja e të ardhurave nuk rritet. Në këtë rast, qeverisë mund t’i duhet të ulë shpenzimet kapitale për të mbajtur nën kontroll raportin e borxhit ndaj PBB-së.

PPP-të e deklaruara dhe ato të fshehura

Strategjia e qeverisjes së majtë ishte rritja e investimeve përmes të ashtuquajturave Partneritete Publike e Private (PBB), që në fakt janë një borxh i fshehur.

Shqipëria shënon një rekord në Europë sa u përket angazhimeve jashtë bilancit të qeverisë, që ka marrë për koncesionet e formës së Partneritetit Publik-Privat (PPP), në 9.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Sipas relacionit të projektbuxhetit 2021, për 13 kontrata koncesionare, qeveria ka nënshkruar kontrata me vlerë totale 195 miliardë lekë, ose gati 1.6 miliardë euro, të cilat do të shlyhen gradualisht për një periudhë 10 apo më shumëvjeçare.

Nga kjo shumë, deri në fund të vitit 2020, janë paguar dhe pritet të paguhen në total 36 miliardë lekë, ose rreth 18% e vlerës totale të kontratave. Në dekadat e ardhshme (maksimumi deri në 2046, kur përfundon dhe koncesioni i fundit i inceneratorit të Tiranës) do të duhet të paguhen edhe gati 160 miliardë lekë të tjera (1.3 miliardë euro). Kjo shumë është sa 9.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të pritshëm të vitit 2021.

Ministria e Financave ka sqaruar se referuar kuadrit ligjor për koncesionet/PPP, dhënia me koncesion/PPP e një pune, shërbimi apo vepre nuk është një instrument borxhi, por një alternativë e njohur edhe ndërkombëtarisht, e cila përzgjidhet nëse ofron vlerën më të mirë për para, në përputhje me dispozitat e ligjit 125/2013 “Për koncesionet/PPP”, të ndryshuar. Financat llogarisin në shpenzimet korente apo kapitale, vetëm pagesat e vitit përkatës që kryhen për kontratat koncesionare.

Si rrjedhojë, detyrimi i lidhur me PPP-të që duhet paguar në vitet në vijim, që është sa 9.5% e PBB-së, llogaritet si vlerë jashtë bilancit të qeverisë e Partneriteteve Publike-Private. Shqetësimet për PPP-të shihen nga ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare në tre këndvështrime:

-Së pari, projektet PPP nuk raportohen si borxh, por në buxhet shfaqen vetëm pagesat korente të vitit, në formën e shpenzimeve operative dhe atyre kapitale. Nëse detyrimet potenciale të mbetura prej 1.3 miliardë eurosh do të llogariteshin si borxh, atëherë borxhi i përgjithshëm qeveritar do të rritej menjëherë me 9.5 pikë përqindje, duke e çuar atë në 88% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 78% që pritet të mbërrijë në fund të 2020-s, sipas FMN-së.

-Së dyti, nëse rrezikohet që pagesat e koncesioneve të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit të mëparshëm, qeveria do të detyrohej të korrektonte të ardhurat, ku veprimi që sjell më shpejt para në buxhet është rritja e taksave. Pasi i pezulloi dhe uli një pjesë të pagesave për 2020, pas krizës së Covid-19, këtë vit qeveria është detyruar t’i rikthehet normalitetit, duke dyfishuar pagesat për koncesionet në 14.4 miliardë lekë, ose rreth 120 mln euro.

-Së treti, ka munguar një analizë e qartë kosto-përfitime dhe ndarje rreziku, nëse zgjedhja për t’i dhënë shumë shërbime me koncesion ka qenë alternativa më e mirë. Përvoja po tregon se në shumë raste, kostot kanë rezultuar të fryra dhe vazhdojnë të rriten pa kontroll, apo se kompanitë po i gëzohen një fitimi të sigurt pa marrë përsipër asnjë rrezik (si në rastin e koncesioneve në mjekësi). Vetë Financat kanë pranuar se për shumë projekte koncesionare, rreziku financiar është marrë përsipër nga shteti.

Fatura e rëndë e arbitrazheve

LEXO EDHE:  “Vëllai i Monikës me vezë floriri”/ Rama: Ja video që Iliri nuk e shfaqi dje mes “fakteve”

Qeveria rrezikon në vitet e ardhshme të paguajë një faturë të majme për prishjen e kontratave. Së fundmi, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, dha vendimin përfundimtar në gjyqin me Francesco Becchetti, duke e detyruar qeverinë shqiptare të paguajë 110 milionë euro për dëmin që i ka shkaktuar sipërmarrësit italian për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015.

Në radhë janë dhe shumë çështje të tjera arbitrazhi, që kanë një probabilitet të lartë për t’u humbur (gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit priren që të mbrojnë sipërmarrësit dhe t’u lënë qeverive kostot e vendimeve të tyre politike). Bashkimi i kompanive “Copri” dhe “Aktor”, të cilat ishin të angazhuara në ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, ka arritur të fitojë në fazën e parë një dëmshpërblim prej 45 milionë dollarësh. Kompania italo-japoneze, “Dondi Kubota”, e cila zbatoi projektin impiant të përpunimit dhe pastrimit të ujërave të zeza të Tiranës, pretendon 90 milionë euro dëme për ndërprerje kontrate.

“Arka Energy B.V.”, që fitoi dhe më pas iu anulua tenderi për parkun fotovoltaik të Akërnisë në Fier, kërkon në arbitrazh 110 milionë euro. Përplasja e qeverisë me “Durrës Kurum Shipping”, për ndërprerje kontrate, mund të kushtojë 100 milionë euro. Në total, dëmshpërblimi potencial llogaritet rreth 450 milionë euro, një shumë që është më shumë se gjysma e shpenzimeve kapitale të një viti dhe mund ta çonte buxhetin në paaftësi paguese, nëse të gjithë do të kërkonin njëherësh të paguheshin.

Nëse borxhit të deritanishëm publik i shtohet fatura jashtë bilancit e PPP-ve dhe ato të arbitrazhit, borxhi potencial mund të kalojë 90% të PBB-së, duke ngushtuar ndjeshëm hapësirat fiskale të vendit dhe duke çuar në një ulje të detyruar të shpenzimeve.

Ekonomia u vu para shëndetit, pritet të rimëkëmbet me shpejtësi

Në kahun pozitiv, më e keqja duket se ka kaluar, pasi ekonomia e preku fundin në 2020-n, sidomos në 6-mujorin e parë, kur vendi ishte i mbyllur.

Në pjesën e dytë të vitit dhe fillimin e vitit 2021, qeveria zgjodhi qartësisht ekonominë para shëndetit, duke mos e mbyllur më vendin, pavarësisht kulmeve të pandemisë në nëntor-dhjetor dhe shkurt-mars. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i jetëve të humbura në 10 muaj pandemi i ka kaluar 10 mijë persona, ndërsa për 2020-n, Shqipëria shënoi rekord në Europë për rritjen e fataliteteve në raport me periudhat e mëparshme (me +26%), ndërsa ishte e treta për shtesën e vdekjeve për 100 mijë banorë pas Bullgarisë dhe Maqedonisë (të dy këto të fundit shtete që edhe në vite normale kanë vdekshmëri të lartë).

Pas marsit, ritmet e infektimit kanë rënë, teksa imuniteti i tufës duket se u arrit pas lënies së tij të lirë dhe vaksinimi e ndihmoi më tej. Por, rreziku i mutacioneve të reja, imunë nga vaksina mbetet gjithnjë i pranishëm.

Ekonomia ra me 3.3% në 2020-n, shumë më e ulët se pritshmëritë e institucioneve ndërkombëtare nga -7.5 në -9% dhe se vetë qeverisë (-4.5-5%). Mbajtja e ekonomisë hapur, informaliteti i sektorit të ndërtimit dhe rindërtimi ishin faktorët që ndikuan.

Ky vit ka nisur me një rimëkëmbje të shpejtë ekonomike, sipas treguesve fillestarë të ecurisë së të ardhurave buxhetore dhe eksporteve. FMN parashikon tashmë që nivelet e parakrizës do të arrihen që këtë vit, jo më në vitin 2022, siç ishte vlerësimi fillestar.

Deri tani, ekonomia ka pasur një zhvillim rastësor, i nxitur nga shpirti sipërmarrës dhe vetëpunësimi, ndërsa shteti jo vetëm nuk ka orientuar model, por nuk ka arritur as të ndjekë ritmin e bizneseve. Turizmi pritet të rimëkëmbet me shpejtësi në momentin që pandemia do të përfundojë, ndërsa investimet në këtë sektor vijuan edhe gjatë periudhës së krizës.

Banka Botërore parashikon se sektori i shërbimeve, i udhëhequr nga turizmi, dhe ndërtimi pritet të jenë nxitësit kryesorë të rimëkëmbjes, pjesërisht falë investimeve në procesin e rindërtimit, siç ka ndodhur pas katastrofave të ngjashme natyrore në ekonomitë në zhvillim. Në vitet e ardhshme, rritja do të varet gjithnjë e më shumë nga konsumi privat, duke mbështetur përpjekjet e rindërtimit. Investimet private do të kontribuojnë në rritje për sa kohë që qeveria do të vijojë reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe do të rritet aksesi i biznesit në financa, vlerëson BB.

Përqendrimi i ekonomisë në pak duar

Kriza e pandemisë e thelloi më tej fuqizimin e kompanive të mëdha, ndonëse është e vështirë të ndash se sa kjo ardhur nga merita e tyre dhe sa nga mbështetjet dhe favorizimet që kanë nga qeveria. Rreziku i përqendrimit të ekonomisë në pak duar është rritur, duke ngritur pikëpyetje për konkurrencën e lirë dhe dekurajimin e sipërmarrjeve që nuk kanë lidhje me pushtetin. Të mëdhenjtë, duke përfituar dhe nga pandemia, pritet të jenë aktivë në blerje të mëtejshme në periudhën në vijim.

Bumerangu i informalitetit

Informaliteti është rritur vitet e fundit. Një tregues indirekt është rritja e parasë jashtë bankave, që ka arritur në rreth 24% të totalit, më e larta në Europë dhe rekord i dekadës së fundit.

Sektori i ndërtimit dhe i pasurive të paluajtshme “shpëtoi” ekonominë në vitin e vështirë të pandemisë dhe pritet të jetë faktor edhe këtë vit, teksa një pjesë e konsiderueshme e tij konsiderohet që furnizohet nga aktivitetet informale.

Të dhënat e detajuara vjetore të INSTAT tregojnë se në 2020-n, nga 11 aktivitete kryesore ekonomike, vetëm 3 prej tyre ishin me rritje, “Pasuritë e paluajtshme”, “Ndërtimi” si dhe “Administrata publike; arsimi; shëndetësia”. Të gjithë sektorët e tjerë ishin me rënie, më e fortë në grupin “Tregtia; transporti; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, që vuajtën direkt pasojat e kufizimeve dhe ndalimit të udhëtimeve, si dhe në industri (shiko grafikun: Ndryshimi i PBB-së në vlerë, sipas aktiviteteve ekonomike).

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka shënuar rritje gjatë të gjithë tremujorëve, madje edhe në të dytin, kur vendi ishte në karantinë totale (+5.47%), ndërsa të gjithë vitin e mbylli me një zgjerim prej 6.74%. Edhe në vlerë nominale, ky është sektori që kryeson ndryshimin e rritjes ekonomike në 2020-n. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme në vlerë ishin rreth 850 milionë euro, duke arritur në 6.55% të PBB-së, ose 1 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.

Ndërtimi është sektori i dytë me rritjen më të lartë në 2020-n. Pas rënies në 6-mujorin e parë, ritmet e rritjes në pjesën e dytë të vitit ishin dyshifrore, duke arritur në total në rreth 1.1 miliardë euro, me një zgjerim real vjetor prej 1.62%. Rritja e ndërtimit reflekton dy tendenca, e para shtimi i banesave rezidenciale, kryesisht në kryeqytet dhe hoteleve në bregdet dhe e dyta, procesi i rindërtimit.

Vrulli i ndërtimit pritet të vijojë, nisur nga sipërfaqja e lartë e lejeve të ndërtimit të dhëna në dy-tre vitet e fundit, duke “fryrë” artificialisht ekonominë. Por, me maturimin e kërkesës dhe ikjen e vazhdueshme të banorëve nga vendi, flluska pritet të “shfryhet”, duke u kthyer në një bumerang, në një të ardhme afatmesme./ Monitor

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

“Ekonomia drejt përmirësimit tre muajt e fundit”/ Gent Sejko: Rimëkëmbja është përshpejtuar

Publikuar

-

Nga

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko në një konferencë për mediat ka folur për vendimmarrjen e politikës monetare ku tha se ritmi i rimëkëmbjes është përshpejtuar dhe se ekonomia ka ardhur drejt përmirësimit në tre muajt e fundit.

Sipas tij, pandemia ka ndikuar shumë në ekonominë  duke filluar nga rritja e papunësisë.

Gjithashtu ai shtoi se kursi i këmbimit është i qëndrueshëm, përsa i përket bizneseve familjare do të ketë lehtësime si dhe norma bazë e interesit nuk do të ndryshojë.

Ritmi i rimëkëmbjes është përshpejtuar dhe ka ardhur drejt përmirësimit ekonomia në tre muajit e fundit. Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se rimëkëmbja nuk është e plotë dhe pasojat e pandemisë janë të dukshme në rënie të punësimit dhe në rritje të papunësisë. Politika monetare do të mbetet në kahun lehtësues.

Do të ketë lehtësime në bizneset familjare, stimul familjar dhe financiar. Normat e interest vazhdojnë të jenë minimum. Kursi i këmbimit shfaqet i qëndrueshëm. Në muajin Mars treguesi i kredive me probleme zbriti për herë të parë në nivlein 2%. Kredia për sektorin privat ishte më 7%. . Papunësia vitin kaluar u rrit me 11.8%.

Këshilli sot vendosi të lërë të pa ndryshuar normën bazë të interesit në 0%. Për të tjera do përfitojë nga ruajta e provës aktuale për të paktën edhe gjatë 3 mujorit të tretë të këtij viti”, u shpreh Sejko./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Shpenzimet për arsimin, më të ulëtat në dy dekada

Publikuar

-

Nga

Shpenzimet për arsimin arritën vetëm 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë vitit 2020, duke shënuar nivelin më të ulët të dy dekadave të fundit.

Duke vrojtuar shpenzimet publike për arsimin në raportin e tyre me PBB shihet se gjatë periudhës 2001 -2020 shpenzimet për arsimin ishin më të ulëtat gjatë vitit të kaluar, pasi përgjithësisht ato kanë qëndruar në nivelin 3%.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit gjatë vitit të kaluar shpenzimet për arsimin arritën në shumën prej 40 miliard e 748 milion lekë. Kjo shumë ishte sa 7.6% e totalit të shpenzimeve buxhetore të vitit 2020 dhe në nivelin 2.27% të PBB, së bashku me shtesat e fondeve të rimarra/trashëguara nga viti 2018 nga arkëtimi i tarifave të universiteteve.

Fondet për arsimin u pakësuan në aktin normativ të marsit 2020 me 1.23 miliard lekë, nga të cilat 1.1 miliard ishin në grupin e shpenzimeve kapitale dhe rreth 131 milion lekë në grupin e shpenzimeve korente.

Sipas kësaj ecurie Shqipëria, jo vetëm që nuk ka bërë përparime në detyrimet që kërkon anëtarësimi në BE për financimin e arsimit, por ka bërë hapa pas, për shkak të vështirësive që solli pandemia Covid-19. Kriteret e anëtarësimit në BE rekomandojnë financim të sektorit publik të arsimit më së paku 5% të PBB. Por vitin e kaluar nuk u përmbush as 50% e këtij objektivi.

Duke financuar më pak fonde për sektorin e edukimit Shqipëria nuk mund të përparojë në një model të ri ekonomik që i siguron asaj rritje të produktivitetit dhe fitimeve në ekonomi. Një forcë punë e mirëarsimuar konsiderohet si guri i themelit në drejtim të prosperitetit.

LEXO EDHE:  Rama publikon videon e udhëtimit të pazakontë/Qytetarët i vërsulen: Jemi si në Mesjetë

LEXO EDHE:  A po fiton Edi Rama nga largimi i Ilir Metës?

Shqipëria u renditet sipas UNESCO si një nga vendet me financimet më të ulëta buxhetore për arsimin, për rrjedhoje shkollat shqiptare nuk kanë ofrojnë logjistikën e mjaftueshme për të përçuar njohuritë tek nxënësit. Tani kur pandemia ka kushtëzuar mësimin në distancë, shkollat shqiptare në arsimin bazë dhe atë të përgjithshëm nuk kanë lidhje me internetin dhe kompjuterët.

Fondet për shpenzime kapitale për arsimin më 2020 ishin në masën 3 miliardë e 921 milion lekë ose rreth 10.3% e totalit të fondeve të planifikuara për sektorin e arsimit më 2020. Por me rishikimin e buxhetit fondet e rishikuara për investimet kapitale u ulën me 1.1 miliard lekë (mbi 9 mln euro), duke e çuar fondin total në vetëm 2 miliard e 751.4 milion lekë ose rreth 6.6% e fondeve të planifikuara për arsimin në 2020. Por edhe fondet e rishikuara me ulje nuk u realizuan.

Realizimi i shpenzimeve kapitale për 12-mujorin 2020, ndaj fondeve të rishikuara për 12-mujorin 2020 është në masën 2 miliard 673.3 milion lekë ose në masën 97.2% e fondeve të planifikuara për 12-mujorin 2020./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Vrojtimi i gjendjes financiare/ Kriza ka goditur më shumë biznesin e vogël

Publikuar

-

Nga

Kriza ekonomike që solli pandemia ka goditur më shumë biznesin e vogël.

Vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare të bizneseve në gjysmën e dytë të vitit 2020 tregoi se ndërmarrjet në tërësi vazhduan të raportonin shitje më të ulëta krahasuar me periudhën përpara pandemisë. Megjithatë, gjatë vitit ecuria ka qenë e ndryshme, në varësi të përmasave të biznesit.

Ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha kanë raportuar ecuri më të mirë të shitjeve dhe gjendjes financiare krahasuar me gjashtëmujorin e parë, ndërsa bizneset e vogla raportuan shitje të dobëta, rritje të kostos së borxhit dhe pritje pesimiste për të ardhmen. Të gjitha bizneset e anketuara vlerësuan pandeminë si faktorin me ndikimin kryesor në aktivitetin e tyre.

Për sa i takon zgjerimit të veprimtarisë apo rritjes së investimeve, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shprehur se veprimtaria e tyre është tkurrur, ndërsa vetëm bizneset e mëdha raportuan një rritje të lehtë për periudhën. Ndikimet më të mëdha të krizës në bizneset e vogla konfirmohen edhe nga bankierët. Flutura Veipi, drejtore e përgjithshme e Union Bank, thotë se biznesi i madh dhe i mesëm ka më shumë mundësi për ta kaluar krizën, ndërsa bizneset e vogla dhe mikro kanë më pak alternativa, sepse nuk kanë kapitale të akumuluara apo likuiditete shtesë.

“Te klientët më të vegjël pasojat janë të prekshme në momentin që flasim. Biznesin i vogël u prek më shumë dhe kjo solli edhe rënie të kërkesës së tyre për kredi, gjendje që vazhdon të jetë e tillë edhe sot,” thotë ajo për revistën Monitor.

Gjysma e totalit të ndërmarrjeve që i janë përgjigjur pyetësorit deklaruan se e kanë financuar veprimtarinë e tyre nëpërmjet shitjeve. Mbështetja vetëm në këtë burim është zgjeruar për të tre grupet e ndërmarrjeve. Ndërkohë, prirja e kombinimit të burimeve të financimit vijon të zërë një peshë të konsiderueshme, por është ngushtuar për të gjitha llojet e ndërmarrjeve.

LEXO EDHE:  Rama vizitë të papritur në Francë/ Baton Haxhiu zbulon arsyen

LEXO EDHE:  Rama vizitë të papritur në Francë/ Baton Haxhiu zbulon arsyen

Peshën kryesore në këtë aspekt e zë financimi i realizuar nëpërmjet kombinimit të shitjeve me rezervat e mbartura. Megjithatë, anketimi tregon se gjatë kësaj peridueh pesha e bizneseve huamarrëse është rritur. Rreth 41% e totalit të ndërmarrjeve që i janë përgjigjur pyetësorit deklaruan se kanë aktualisht hua për të paguar: kjo peshë ka shënuar një rritje me 1.7 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe 4.2 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Lidhur me projeksionet e bizneseve për përdorimin e huasë në të ardhmen, vlera e indeksit të planifikimit të huamarrjes ka ngelur e pandryshuar krahasuar me gjysmën e parë të vitit.

Drejtuesit e ndërmarrjeve vlerësojnë se ecuria e pandemisë do të ndikojë ndjeshëm në vendimmarrjen e ndërmarrjeve lidhur me investimet apo zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Për gjysmën e parë të vitit 2021, ndërmarrjet e mëdha janë shprehur optimiste, ndërsa ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme ngelen pesimiste për ecurinë e biznesit të tyre. Pritshmëritë janë veçanërisht më negative për bizneset e vogla./Monitor

LEXO TE PLOTE