Connect with Us

Poshtë populli, rroftë humbja

Opinione

Poshtë populli, rroftë humbja

Publikuar

-

NGA Habjon Hasani

Një orë pasi ishte mbyllur votimi, në mbrëmjen e 25 Prillit u konsumua një prej kurtheve më inteligjente mediatike, kurth në të cilin opozita ra menjëherë viktimë, duke u vetëshfaqur si entitet naiv në ato momente kulminante.

Kurthi ishte pak a shumë në këtë skenar: Baton Haxhiu shkoi në Top Channel për të prezantuar një “Exit Poll” që sugjeronte se Partia Demokratike kishte fituar Tiranën me një avantazh domethënës.

Në fakt, i njëjti Baton, e dinte shumë mirë se shifrat e atij “Exit Polli” ishin truk mediatik, pasi Batoni si pak kush tjetër, që prej muajit Nëntor 2020, ka pasur dijeni të plotë mbi sondazhet e brendshme të Partisë Socialiste që realizoheshin nëpërmjet një kompanie rumune, tepër precize dhe efikase.

Batoni e dinte shumë mirë se sondazhet e brendshme të kompanisë rumune sugjeronin se që prej muajit shkurt, se ishte pikërisht Tirana ajo që konfirmonte se opozita nuk kishte krijuar dot frymë, sepse “Tirona e ndryshimit”, nxirrte në avantazh socialistët e Edi Ramës.

Këtij skenari iu bashkua dhe kryeministri Edi Rama, ai luajti rolin edhe më mirë se Batoni, doli para medias dhe deklaroi atë natë ca fjalë për numërimin e votës dhe pranimin e rezultatit, fytyra e Ramës shfaqej e zymtë, e lodhur, dukej sikur Ramën e kishin “dërrmuar” Exit Pollet e Batonit, dukej sikur Batoni kishte kapur në befasi Edi Ramën. Qehajai befas kishte shpallur humbjen e të Zotit në Tiranë, pikërisht në televizionin më besnik të Ramës, në Top Channel.

Kaq u desh dhe në rrjete sociale plasi festa, figura të opozitës, portale të lidhura me të, ia nisën këngës e valles, madje filluan dhe meme që tallnin Erion Veliajn si mëkëmbës i fushatës socialiste për Tiranën.

“Po paguan haqet e teatrit”, – thonin disa. Ndërsa dikush tjetër në studio televizive, ndërsa i referohej karremit të Batonit, deklaronte me të madhe se këto zgjedhje ishin një shenjë e fortë refuzimi për Erion Veliajn.

Mirëpo kishte një problem: Nuk ishte numëruar ende asnjë votë.

Rama regon pas mbylljes së votimit/ Thirrje numëruesve dhe komisionerëve

Mëngjesi i datës 26 Prill, fliste për një trend triumfues të socialistëve, trend që u ruajt deri në fund të numërimit. Befas, ata që kishin kënduar dhe hedhur valle një natë më parë, të tronditur dhe të zënë në çark nga skenari i Batonit, nisën të shfaqnin një simptomë edhe më idiote se këngët dhe vallet, ata hodhën tezën e re:

“Po prisni more djema, se janë numëruar vetëm kutitë e bastioneve të Ramës, kutitë tona vijnë pak më vonë”.

Kjo është dhe kategoria më idiote ndër ata që hëngrën karremin, sepse tjetër gjë është të të mashtrojë Batoni, por është komplet tjetër gjë kur dikush me idiotësinë e tij të mashtrojë publikisht militantët e vet që ndiqnin me ankth numërimin.

E vërteta është se kutitë numërohen sipas një rendi të përcaktuar ligjor dhe nuk ka asnjë mundësi që Rama apo Basha të orientojnë njërën kuti para tjetrës.

Ata, që të dielën në mbrëmje deklaronin se Veliaj mori fund meqenëse kështu u kishte thënë Batoni, dolën mesditën e së hënës duke mashtruar si idiotë për kutitë e bardha dhe kutitë e zeza.

Brenda 24 orësh, operacioni mediatik i Ramës kishte nxjerrë dy herë blof ideologët e opozitës; herën e parë si viktima të Batonit, ndërsa herën e dytë si idiotë mitomanë që i ndanin kutitë në “ato të Ramës” dhe “ato të Bashës”.

Ky operacion mediatik ishte një dërrmim i kalkuluar i kundërshtarit, për ta nxjerrë leshko, të dëshpëruar, një hap pas e një hap anash.

 Sot, kjo kategori ideologësh opozitarë që u tall nga Rama dy herë brenda 24 orësh, ka nisur të fajësojë popullin, që sipas saj nuk është në terezi. Shenjë e qartë e mohimit të realitetit, tronditjes psikike dhe paaftësisë totale për të përballuar presionin që sjell humbja dhe befasia.

 ****

Gjykoj se ende nuk është momenti për një analizë të ftohtë dhe racionale mbi kuptimin që kanë këto zgjedhje, sidomos për shkak të kohës që duhet për të analizuar dhe krahasuar shifrat dhe pamundësisë për të kuptuar në këtë moment se deri ku shkon marzhi i gabimit apo i manipulimit.

Por nga këto zgjedhje ka dy konkluzione që mund të thuhen menjëherë:

-Opozita nuk krijoi dot frymë, pa kauzë, pa busull.

-U thye miti se rotacioni 8+8 është një ligj i pashkruar.

E kam shumë të thjeshtë të nis e të numëroj defekte të Lulzim Bashës, me dhjetëra gabime strategjike apo teknike që ai ka bërë në 4 vitet e fundit. Por nuk do e bëj këtë gjë, sepse mendoj që problemi nuk është vetëm i liderit, por është problem sistemik i kupolës, në PD dhe LSI.

Lulzim Basha i preferuari i krimit/ Fiton në burgje

Ka një dallim thelbësor ndërmjet PD/LSI dhe PS-së dhe gjykoj se është pikërisht ky dallim që e pengon PD-në dhe LSI-në të krijojnë frymë dhe besim.

Partia Socialiste është si një shoqëri aksionere me disa grupe interesi në kupolën e saj. Kryetari është menaxher i këtyre grupimeve dhe rrymave, dallimi mes të cilave që në ndonjë rast daton që nga ndasitë dhe klanet e Luftës Partizane. Mirëpo këto klane dhe pse ndonjëherë janë në luftë të ashpër me njëri tjetrin, dinë të bashkëjetojnë dhe të ndajnë aksionet.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë një tjetër formë organizimi, ato duken si shoqëri private me një aksioner, me 100% të aksioneve në një dorë dhe të ndërtuara nëpërmjet parimit të pronësisë biologjike familjare, ç’ka i bën më primitive në raport me Partinë Socialiste. Ky primitivitet në fakt është tabani i problemit, që i pengon të krijojnë frymë dhe të kultivojnë besimin te ai 25 për qindëshi i elektoratit gri që zakonisht refuzon të votojë.

Në këto kushte, nuk ka rëndësi fare si quhet kryetari i PD apo ai i LSI, është konfigurimi sistemik ai që i bën primitivë dhe jo thjesht emri i kujt është në krye apo formalisht në krye.

Thënë kjo, është e kuptueshme se Edi Rama posedon një avantazh strategjik afatgjatë, sepse i ka kundërshtarët më primitivë, ndërsa primitiviteti i skualifikon nga mundësia për të tërhequr elektoratin e pavendosur dhe për të bërë diferencën në vota.

Organizimi biologjik familjar i PD dhe LSI me kalimin e kohës ka sjellë një moçal në strukturën organizative të këtyre partive dhe në kultivimin e brendshëm.

Në vitin 2019 Partia Demokratike bojkotoi zgjedhjet lokale, por ky bojkot maskoi një detaj të rëndësishëm:

Në rast se PD do futej në zgjedhjet locale 2019, kush do ishte figura që do mund të rivalizonte Erion Veliajn?

PD nuk kishte kultivuar dot asnjë figurë me peshë dhe reputacion në Tiranë, në gjendje për ta mposhtur Veliajn. Nëse do kishte, do ishte dukur të paktën që prej vitit 2018, sepse profili publik i një kandidati për Bashkinë e Tiranës nuk mund të shpallet muajin e fundit, ai kultivohet shumë kohë më parë.

LEXO EDHE:  Habjon Hasani i përgjigjet Carlo Bolinos

Fakti që PD nuk gjente dot mes radhëve të saj një kandidat që do mund të rivalizonte seriozisht Veliajn, është treguesi më preciz i shterpësisë së kësaj force politike për të prodhuar dhe kultivuar figura dhe investime në afatgjatë.

Reagon pas shoqërimit në komisariat kandidatja e LSI/ PS ka vendosur kamera në zyrën për të kërcënuar njerëzit!

Në LSI, situata paraqitet dhe më dramatike. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë të bindur se ka një konspiracion ndaj tyre, sidomos në rrafshin ndërkombëtar, nën dirigjimin e Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, Soros.

Unë jam dakord me ta. Kështu më rezulton dhe mua, që një pjesë influente e Soros e do të shkrirë LSI-në. Mirëpo pikërisht në këtë moment mirëkuptimi me dyshen Meta-Kryemadhi, përballem me një paradoks absolut.

Ndërsa Meta-Kryemadhi janë të ndërgjegjshëm që kanë kundërshtar një superstrukturë globale si Soros, me kapacitete të jashtëzakonshme në burime njerëzore, agjenci të specializuara dhe dollarë, ata nga ana tjetër kanë zgjedhur që t’i përgjigjen kësaj superstrukture me një tufë çiliminjsh ose servilësh të dalë boje.

Është njësoj sikur hasmi yt të vijë me tank, ndërsa ti të shkulësh llastikun e brekëve për t’iu përgjigjur me llastiqe.

Ky paradoks ka dëmtuar në palcë dhe të vërtetën e thjeshtë që Meta ka artikuluar për Fondacionin Soros, sepse çdo njeri me dy pare mend do pyeste:

E për çfarë të luftoka Sorosi ty? Për ata kalamajtë që mban të partia, apo për eunukët që mban në Presidencë?

Ndonëse kam bindjen se Fondacioni Soros është i investuar në goditjen e LSI-së,  moçali që ka krijuar rreth vetes Meta-Kryemadhi, është shumë herë më i dëmshëm se çdo dëm që do të mund t’i bënte ky fondacion.

Për të kuptuar se deri ku shkon thellësia e moçalit po sjell dy shembuj:

-Monika Kryemadhi deklaroi para zgjedhjeve se Covidi nuk ekzistonte sipas saj, ndërsa pak ditë para se të fillonte fushata elektorale, ajo bëri një status në fejsbuk ku shprehte hidhërimin për ndarjen nga jeta të një bashkëpunëtori të çmuar të saj, që humbi jetën nga Covidi.

-Gjatë fushatës elektorale një prej njerëzve më aktivë të Kryemadhit në Tiranë, njëkohësisht dhe kandidat, financoi një fushatë në rrjete sociale për të goditur vaksinën “AstraZeneca”. Dy ditë më vonë rezultoi se kjo vaksinë ishte tërësisht funksionale, ndërsa torollaku që financoi këtë operacion e harroi çorbën që kishte gatuar me vaksinën dhe nisi të merrej me video selfie me Ujkun e Tironës.

Është luks i madh që ndërsa qytetarët dhe votuesit potencialë kanë pritshmëri maksimale për vaksinën, ti të dalësh fiasko dhe jashtë orbite me deklarata si ato të tipit “koviçi nuk ekziston” apo të autorizosh torollakë e kleptomanë lokalë që të trajtojnë çështje që lidhen me konkurencën globale në farmaceutikë dhe “AstraZenecan”.

Nuk ka nevojë të shpenzosh miliona për të shmangur këto gabime, mjafton të mos rrethohesh nga torollakë dhe llum.

Fatkeqësisht as Rama s’mund të jetë alibi në këtë rast, sepse Rama dhe sikur të kishte shpenzuar miliona për ta bërë LSI-në të dukej e papërgjegjshme, nuk do ia arrinte dot siç ja arritën vet ata të LSI-së me qëndrimin për vaksinat.

Nuk ka nevojë të zgjatem për të komentuar ç’akordimin total të Presidentit Meta dy javët e fundit të fushatës elektorale, por në këtë pikë dua të shpreh një ndjesi personale:

Unë besoj se Ilir Meta nuk është ai tipi që bën çdo dy orë statuse në Facebook si gratë e lagjes, unë dua të besoj se Ilir Meta është ai politikani i matur dhe popullor që nuk mban fare rrjete sociale, e që flet mendueshëm, e me maturi. Dua ta konsideroj si një moment lajthitje, si një përjashtim nga rregulli këtë që më panë sytë me transformimin e Metës, sikundër dua ta shoh të rrethuar nga njerëz që e kritikojnë me maturi dhe jo nga puthadorë që i shkojnë nga pas çdo kapriçoje apo mllefi të tij.

Nëse Meta ka humbur aftësinë për të dëgjuar zërat dashamirës dhe kritikë, më mirë të fillojë e të punojë si instruktor palestre, në palestër s`ka kush e kritikon, të gjithë do përdridhen sipas direktivave të tij.

Thënë këto, e kam shumë të vështirë të besoj ata që u peshkuan nga “exit pollet” e Batonit teksa i shoh sot që kanë vënë në shënjestër Aqif Rakipin apo Tom Doshin.

Tom Doshi mund të ketë një problem me Ambasadën Amerikane, por unë e di për fakt se shumë njerëz në Shkodër kur kanë pasur probleme shëndetësore nuk kanë kërkuar ndihmë te ambasadorja Yuri Kim, por i kanë telefonuar Tom Doshit.

Unë e di për fakt se doktori që kandidoi për Tomën në Korçë është një ndër njerëzit më të dashur dhe me më shumë ndikim në atë zonë dhe as ka pas fare nevojë të paguajë ndonjë lek nga xhepi, sepse ka 20 vite që u përgjigjet nevojave të asaj zone më shumë se çdo politikan.

Patjetër që Toma dhe Qifja kanë disbursuar dhe lek në ndonjë zonë, por mendoj se votat e tyre janë strukturore dhe reputacioni i tyre është real. Mendoj se monedha e tyre më e besueshme është korrektesa, fjala e mbajtur dhe jo thesi me miell.

Është në të drejtën e opozitës që të kërkojë hetimin e çdo ndikimi kriminal, të zbardhë sa më shumë të mundet sidomos atë ngjarjen e Elbasanit, sepse kam bindjen që Arbër Papleka po qëndron padrejtësisht në burg dhe duhet mbrojtur e kujdesur për të. Kam bindjen që Arbër Papleka ka parandaluar një kasaphanë që u nxit nga dhëndri i Pjerin Xhuvanit, i cili vepronte në zonë nën garancitë e një prej bandave më të egra dhe më primitive, nën mbrojtjen kriminale të policisë dhe prokurorisë, banda e Suel Çelës.

Sikundër, po pres nëse verifikimet e hetimit për ngjarjen e Elbasanit do zbulojnë nëse ato furgonat e bardhë të PD-së, janë marrë me qira nëpërmjet një pagese të faturuar nga Elvis Martinaj.

Ndoshta ka shumë më shumë se kaq për t’u sqaruar në ditët në vijim, por gjykoj se asnjë episod elektoral, nuk mund të shërbejë si pretekst për të maskuar deformimin strukturor të opozitës dhe primitivizmin e saj në kupolën biologjike.

Aq më pak pastaj mund të kuptoj thirrjet e tipit:

Poshtë populli, rroftë humbja.

Këto lloj thirrjesh dhe qëndrimesh nuk kanë asnjë lidhje me politikën, duhet të jenë objekt i punës të ndonjë psikiatri./Hashtag.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Pse opozita s’ka këllqe të organizojë protesta dhe të mbushë sheshet?

Publikuar

-

Nga

Pse opozita s’ka këllqe të organizoj protesta dhe të mbush sheshet?

Nga Kreshnik Spahiu

Zgjedhjet mbaruan dhe rezultati ishte krejt ai që parashikohej nga çdo njeri me pak tru në kokë. Rezultati s’ka habitur askënd madje as vetë Lulzim Bashën.

Ai e kishte të qartë humbjen, përndryshe nuk do blinte 4 vila, pikërisht, 4 muaj para zgjedhjeve. Nëse dikush do të shpresonte sadopak në fitore edhe njeriu më idiot në politik po të ishte, do duronte 4 muaj sa të zgjidhej kryeministër dhe pastaj do hapte “thesin”.

Hapja e thesit 4 muaj para zgjedhjeve provon, që Lulzim Basha po garonte në një lojë ku rezultati humbës ishte paravendosur.

E keni parë sa i qetë është Basha dhe Berisha.

Ky i fundit, pas zgjedhjeve këmbeu ambasadoren Kim, me Kim Kardashian.

Të dyve ju rreh ora 12:00 dhe nuk janë aspak të suprizuar.

Ata e dinin se çfarë do ndodhte sepse:

– ata kanë një parti të shkërmoqur, krahasuar me socialistët që janë të strukturuar në çdo celulë fshati apo qyteti.

– ata më shumë larguan faktorë politike se sa afruan.

– ata e përçanë PD në 6 parti të reja, pjella të saj, ndryshe nga PS që garonte e unifikuar dhe pa fraksione.

– ata kanë shumë para por milionat e tyre i ruajnë në gropa dhe i kursejnë për stërnipat, ndryshe nga socialistët që i investojnë politikisht dhe në fushata.

– ata luftēn e kishin kundër Jozefinës dhe Rudinës, jo kundër Ramës

Kaluan 10 ditë nga fillimi “luftës” drejt fitores që deklaroi Lulzim Basha, por askund s’kemi parë as luftë, as protesta, as greva.

Jo se nuk duan luftë por:

– nuk i mbështet askush

– nuk kanë as këllqe

Ndryshimi pushtetit nuk mund vinte nga riciklimi.

Faktori ndërkombëtar i hapi krahun Edi Ramës për të fituar me çdo mjet zgjedhjet, vetëm që mos lejonin rikthimin e Berishës dhe Metës në pushtet.

LEXO EDHE:  Nga Habjon Hasani/ Oligarkët

LEXO EDHE:  Nga Habjon Hasani/ Të përçarturit me buzët plot yndyrë

Aq hapur e mbështeti BE dhe SHBA, Edi Ramën sa njohu rezultatin e zgjedhjeve përpara se ti çertifikonte KQZ.

Nuk ka asnjë faktor të huaj, që dëshironte rikthimin e Berishës. Prej dy vjetësh asnjë ambasador nuk pranon ta takoj dhe e kanë bojkotuar.

Shqiptarët e kanë kuptuar që Partia Demokratike tashmë e ka mbyllur ciklin politik dhe misionin e saj.

Tradhtia historike e 2017, ku PD preu në besë elektoratin, shiti kauzën, mbylli çadrën dhe hyri në bashk-qeveri me Ramën, vulosi fundin e saj politik.

Sot sheshet janë bosh. Askush nuk proteston, sepse ato protesta do i shërbenin vetëm Lulzim Bashës që mos jap dorheqjen.

Ky i fundit s’ka mbështetjen as të popullit, as të elektoratit, as të gruas që e tërheq nga mënga duke i pëshpëritur në vesh: “Luli, kthehemi në Hollandë”.

Basha rri aty nga halli, sepse Berisha nuk ishte i përgatitur për një Plan B. Ai projektoi dhe investoi me testament tek Lulzim Basha dhe i “qethi” të gjithë. Por i kishte bërë llogaritë gabim.

Sot të gjithë e kanë kuptuar, që Partia Demokratike është shkatrruar dhe as Joe Biden po të vij kryetar i asaj partie s’mund ta ringrej.

Të vazhdosh tē votosh PD, do të thotë të legjitimosh edhe mandatin e 4 apo 5 të Edi Ramës.

Sot sheshet janë bosh, sepse Partia që lindi nga protestat dhe kauzat popullore, i shiti kauzat dhe elektoratin, duke u shndëruar në biznes privat të dy famijeve.

Ish-Protestuesit, po presin se cilit nga familja do i vij rradha për ta vendosur administrator të: “Partia Demokratike: shpk”

Sheshet janë bosh. Në 30 vjet, kjo është situata më paqësore pas zgjedhjeve.

Askush nuk ka ndërmend ti bashkohet në bulevard, funeralit politik të Lulzim Bashës./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Andi Bushati/ SPAK ia lehtësoi punën patronazhistëve, tani të hetojë krimin

Publikuar

-

Nga

Andi Bushati nuk përmbahet/ “Deputetët e opozitës janë sharlatanë, letër higjenike e Ramës”

Apeli i Gjykatës së Posatçme i ka dhënë këtë të enjte të drejtë Lapsi.al në procesin kundër SPAK, që kërkonte të sekuestronte kompjuterat, serverat dhe celularët e ne gazetarëve, pas skandalit të grabitjes të të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve, për interesat elektorale të Partisë Socialiste.
Një trupë prej tre gjyqtarësh e kryesuar Dhimitër Lara hodhi poshtë urdhrin e dhënë një mesditë të diele, në fshehtësi të plotë dhe pa praninë e palëve nga gjyqtarja e shkallës së parë, Iliriana Olldashi.
Natyrisht, që nga ajo kohë ndryshuan shumë gjëra.

Së pari gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg, me një precedent të rallë, e urdhëroi shtetin shqiptar të mbronte gazetarët, të mos ndërhynte në mjetet e punës së tyre dhe mbi të gjitha të garantonte fshehtësinë e burimit të informacionit. Pas kësaj, një sërë mediash ndërkombëtare dhe shoqatash të lirisë së shtypit e ngritën zërin për këtë manipulim politik të drejtësisë.

Të gjitha këto reagime erdhën pas një logjike të thjeshtë se Prokuroria e Posatçme po sillej si vëgël qorre e qeverisë. Ajo po merrej me median dhe gazetarët duke mos pasur këllqet e nevojshme për të hetuar E- Albanian nga e cila dyshohej se kishin rrjedhur të dhënat personale të qytetarëve, dhe as Partinë Socialiste, që i përdori ato deri në ditën e fundit, për të manipuluar zgjedhjet.

Por, elementi kryesor, që e ndryshoi lojën katërcipërisht ishte fakti se pas garës elektorale patronazhistët u bënë të panevojshëm, Rilindja fitoi betejën edhe falë të dhënave të vjedhura që kishin nëpër duar ata, prandaj, teatri i SPAK, sikur po vazhdonte ta hetonte këtë krim ndaj votës së lirë ishte i pavend.

Përpara 25 prillit SPAK mori përsipër rolin komik, sikur gjoja po investigonte, sikur i duheshin me patjetër të dhënat që dispononte Lapsi.al, për të shkuar tek e vërteta. Ai bleu kohë për ti lënë hapsirë partisë në pushtet ta zbatonte deri në fund planin e saj manipulativ. Dhe tani që ky objektiv u arrit, vazhdimi i farsës nuk kishte më vlerë.

LEXO EDHE:  Dëshmia ekskluzive/ Eksperti i OKB: Gazeta zvicerane ka shpifur, Lulzim Basha s’ka qenë me mua në Shtëpinë e Verdhë

LEXO EDHE:  Nga Habjon Hasani/ Oligarkët

Ndonëse përfaqësuesja e institucionit të akuzës, Enkeleda Millonai edhe këtë të enjte kërkoi në sallë mbajtjen e urdhrit të sekuestros dhe dorëzimin e bazës të të dhënave që ne dispononim, eprorët e saj dhe ata që supozohet se i kishin urdhëruar nga më lart, e ndjenin se e kishin plotësuar detyrën. Ata e bënë të tyren duke e zvarritur pas zgjedhjeve një çështje që kishte vlerë të zbardhej para tyre. Ata e dëshmuan devocionin ndaj partisë duke mos shqetësuar institucionet që kishin furnizuar me informacione të paligjshme PS-së, por duke u marrë me gazetarët që në këtë rast ishin vetë denoncuesit e krimit.

Por, tani kur gjithçka u mbyll me “happy end”, kur plani për zgjedhjet përfundoi me sukes, kur gjykata e çliroi Lapsi.al nga urdhri për sekuestro, kur alibia se ngjarja do zbardhet përmes dokumentit të publikuar ne media ra, SPAK nuk ka shpëtuar nga përgjegjësia publike.

Pasi i shërbeu rilindjes, Prokuroria e Posatçme e shleu borxhin. Tani ka për obligim të zbardhë të vërtetën për qytetarët. Shqiptarët e morën vesh se kë kanë patronazhist, por ata ende nuk e dinë se kush i furnizoi fuksat e lagjes me këto mjete spiunimi në emër të pushtetit.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Ilir Levonja/ Gulielm, këta të vrasin natën dhe të qajnë ditën! 

Publikuar

-

Nga

Të mbash mend Gulielm Radonë është një privilegj social a brezash.

Një nga rolet e tij madhore është ai i mësuesit të Kolonjës Petro Nini Luarasi, dëshmorit të gjuhës sonë. Mblidhmani gjakun, thotë ai, mblidhmani se do u duhet për fëmijët tuaj.

Po kujt ia tha… nga ahere ka kaluar një shekull dhe ne veç vrasim veten me pasionin e atyre që na katandisën në një thelë.

Ky kori i zhurmës filloi rishtas. Një mizerje sociale shqiptare që ta shpif. E bën para pak kohësh kur humbëm Hajrie Rondon, ose gruan e Petros.

Kur humbëm Xhevdetin e urtë, ose karakterin e bukur të filmit shqiptar. Kur humbëm Rikard Ljarjen etj. Eshtë bajate t’i dëgjosh.

Ndofta për t’i shpëtuar kësaj ”dashurie” vulgare, i madhi Fatos Sela e la me gojë, ta përcillnin pa asnjë tubim, pa më të voglën zhurmë etj. Siç erdhi të ikte. Pse? Ka vite që tek ne mbretëron hipokrizia.

Një hipokrizi sociale që të vret natën dhe të qan ditën. Ka një pleksje tipash që nuk t’i kursejnë lëvdatat. Jo nga dhimbja, se dhimbja të memecon, por nga pordhët e mëdha për t’u dukur.

Kush, se gjoja të kishte mik, kush se është gjoja intelektual  e i dhëmb ikja jote. Ne skuthemi deri në asht për t’u dukur një çikë intelektul.

Një pozë me ty të bën trendi. Të përputh me kohën tonë. Por veç roleve e tipave është dhe një rol i fundit, një foto ku ti mbaje një pankartë në dorë.

Aty shkruhej, Unë jam Teatri. Rrëgaja e mizerjes nuk të pordhi atëhere. Nuk ta vuri veshin. Sot që vdiqe je i pazëvendësueshëm për ata. Sa ishe gjallë kush po pyeste. Madje të shënjoi me gisht.

Të shpallën rishtas kulak. Rrëgaja e intelektualëve që postojnë foto me ty, janë roli i gjallë i atyre që të vrasin natën e të qajnë ditën.

LEXO EDHE:  Nga Habjon Hasani/ Oligarkët

LEXO EDHE:  Nga Habjon Hasani/ Oligarkët

Pse? Po zhdukin pa gajle e ndërgjegje gjithçka që ka lidhje me atë që tashmë është historia jonë. Do bëhemi Dubai. Megjithëse vdesim që kur shkojmë në Barcelonë, të pimë një kafe në hotel Las Ramblas. Aty ku e pinte Gabriel Garcia Markezi.

Kur shkojmë në Paris, tek kafja e Mishel Pikolisë. Dhe Teatrin a filmin ku ai luajti, nuk e çon kush në mend t’i prishi. Kurse ne surrogatot që pordhaliqemi se duam kulturën, e shtypim ma feçkën e Varinskit çdo tullë të saj, pluhur e bëjmë.

Po pse hiqeni sikur ju dhemb ikja e Gulielmit, shoqëri hipokrite. Ta donit kaq shumë nuk ia prishnit skenën ku ai shkeli. Kishit toka me shumicë kudo. E mund të bënit një Teatër tjetër.

Po si kujtoni se do e zëvendësoni? Asesi. Sikur austriakët të prishnin Teatrin ku luajti Aleksandër Moisiu ynë, do kërcenim pupthi. Megjithatë, nuk e bëm këtu në dheun tonë

Po nga ta kapësh. Dhe ti e di Gulielm, jemi kanibalë të kulturës sonë, të historisë sonë. Kot ankohemi nga turku, greku, nemcja, a Italia me gjermanin.

Biles këta të fundit kanë bërë më shumë për kombin se çdo qeveri pas luftës së dytë botërore. Na e the shkoqur, mblidhmani gjakun, por ne me ty duam vetëm pozën, pozitjen. Që të pordhaliqemi. Jo se na dhëmb…

Kësisoj rezultati është se jemi kthyer në një komb me makete historie. Shumë nga objektet e kultit tonë i kemi makete, jo realë.

Se tek ne historia bëhet si thotë Enver Hoxha dhe Edi Rama, jo si thotë ajo. Të tillë do të kemi dhe Teatrin Kombëtar. Skenën ku ti shkele.

Do i sillemi atij xhamllëku me gota shampanje, një kope mes portreteve dhe shpirtrave. Një shoqëri pa identitet./CNA.al

LEXO TE PLOTE