LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Historia e panjohur e tre mësuesve nga Kukësi, që donin të vrisnin Enver Hoxhën

1 Maj 2021, 08:12, Aktualitet CNA
Historia e panjohur e tre mësuesve nga Kukësi, që donin të

Memorie.al publikon historinë e panjohur të tre arsimtarëve nga fshati Bicaj i rrethit të Kukësit, Avdi, Shefqet dhe Xhevat Gjana, kushërinj me njëri tjetrin, të cilët në fillimin e viteve ?60-të kur shërbenin si mësues në fshatrat e thellë të asaj zone,  filluan të flisnin për gjendjen tejet të vështirë ekonomike dhe prapambetjen e tejskajshme në të cilën ndodhesh ajo krahinë malore ku ata ishin emëruar pas studimeve, duke pësuar një zhgënjim të madh që në hapat e parë të jetës së tyre. Dëshmia e rrallë e Xhevat Gjanës për bisedat politike me kushërinjtë e tij: Avdi, Shefqet dhe Bajram Gjana, si dhe me Shemsi Domin e Muharrem Selmanin, të cilët pas shumë diskutimeve, vendosën që të ndërmerrnin veprime konkrete kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke planifikuar tre variante: ku i pari ishte për një sulm të shpejtë ndaj Radio-Kukësit, nga ku më pas do bëhej thirrje popullit për një kryengritje të armatosur për përmbysjen e pushtetit popullor, i dytë për të organizuar çetat vullnetare për një revoltë gjatë periudhës së zboreve në të gjithë rrethin, duke sulmuar me armë institucionet dhe zyrat shtetërore, dhe i treti për një atentat të mundshëm ndaj Enver Hoxhës, i cili do të destabilizonte situatën duke shkaktuar turbullira. Zgjerimi i grupit me mjekun radiolog të spitalit të Kukësit, Raif Elezi dhe poetin Hafi Nela që shërbente si mësues në fshatin Topojan, të cilët u treguan të gatshëm për fillimin e veprimeve konkrete, por bisedat e tyre u zbuluan nga Sigurimi i Shtetit dhe ata u arrestuan në vitin 1970 e dolën në gjyq në qytetin e Kukësit, duke u dënuar me burgime të rënda, për akte terroriste.

Nga Dashnor Kaloçi

?Përveç variantit të marrjes së Radio ? Kukësit me anë të një sulmi të armatosur dhe lëshimit të një thirrje me anë të saj, një mënyrë tjetër që ne kishim menduar për përmbysjen e pushtetit, ishte dhe ajo e organizimit të një revolte të armatosur, me anë të njerëzve të besuar e të zgjedhur, në çetat vullnetare gjatë zhvillimit të zboreve, duke e shtrirë atë në të gjitha zonat e rrethit të Kukësit, që ne kishim njohje. Këtë gjë, unë e pata biseduar personalisht edhe me Havzi Nelën, (poetin disident që e varën në litar në vitin 1988, në mes të qytetit të Kukësit), gjatë kohës që ne të dy ishim mësues, në fshatin Topojan. Havziu e priti shumë mirë propozimin tim dhe u tregua i gatshëm për veprime të mëtejshme. Ndërsa variant i tretë dhe i fundit që ne kishim menduar se mund të sillte përmbysjen e regjimit komunist, ishte ai i vrasjes së Enver Hoxhës, me anë të një atentati, gjë e cila automatikisht do të sillte destabilizim të situatës politike dhe ndryshimin e rrjedhës së ngjarjeve në Shqipëri?. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Xhevat Gjana, me origjinë nga fshati Bicaj i Kukësit, i cili rrëfen historinë që i ka ndodhur në mesin e viteve ?60-të, kur ai shërbente si mësues matematike në fshatrat e Kukësit, ngjarje e cila i ndryshoi rrjedhën e jetës dhe e përplasi për vite me rradhë burgjeve të regjimit komunist në galeritë e thella të Spaçit e qelive të tmerrshme të Burrelit.

Zoti Xhevat, kur ju lindën pakënaqësitë e para ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës?

Pas diplomimit në Institutin Pedagogjik të Shkodrës në vitin 1963, unë u caktova si mësues matematike në disa fshatra të thella të rrethit të Kukësit, ku mbizotëronte një prapambetje e thellë ekonomike dhe arsimore. Në ato fshatra, unë shërbeva deri në vitin 1967, periudhë kohe e cila konçidoi edhe me fillimin e kolektivizimit total të fshatarsisë. Nisur nga ai realitet i mjeruar, me të cilën u ndesha sapo dola në jetë, unë u gjenda përpara një zhgënjimi të madh, pasi ajo që po shihja me sytë e mi, ishte krejt e kundërta, nga propaganda zyrtare e regjimit në fuqi. Pikërisht në ato vite, më lindën edhe pakënaqësitë e para ndaj regjimit komunist në fuqi, pakënaqësi të cilat e kishin zanafillën e burimin edhe në trajtimin që i bëhej familjes sonë nga regjimi në fuqi, për arsye se daja im, profesor Miftar Spahia, i cili në vitet e para të pasluftës kishte qenë i arratisur në male me Muharrem Bajraktarin, jetonte në SHBA dhe ishte i katërti në listën e ?Kriminelëve të Luftës?, që shteti komunist ua kishte ndaluar kthimin në Shqipëri.

Atë realitet të hidhur që ndeshe në atë kohë kur dole si mësues, a e bisedoje me njeri?

Lidhur me gjendjen e vështirë ekonomike dhe prapambetjen e tej skajshme në të cilën ndodheshin pothuaj të gjitha fshatrat e atyre zonave të thella, ku ne po i shkelnim çdo ditë, unë bisedoja me dy të afërmit e mi, Shefqet e Avdi Gjana, të cilët ashtu si dhe unë, shërbenin si arsimtar. Shefqeti dhe Avdiu ishin mësues në shkolla të ndryshme, por ne bashkoheshim të shtunave dhe të dielave, për të biseduar me njeri tjetrin. Në të gjitha takimet që bënim, gjithsecili prej nesh sillte faktet e veta, nga jeta mizerje ku ndodheshim. Nisur nga kjo, ne të tre nxorrëm konkluzionin se ishim të mashtruar nga propaganda, që bëhej që në bankat e shkollave.

Bisedat që bënit me dy të afërmit tuaj, ishin në kuadrin e konstatimit të gjendjes së vështirë ekonomike dhe të prapambetjes ku ndodheshin fshatrat e asaj zone ku shërbenit ju në atë kohë?

Siç thashë pak më sipër, gjithçka që bisedonim, e kishte zanafillën në gjendjen tejet të vështirë ekonomike dhe pikërisht në atë kohë shpërtheu kolektivizimi i fshatarsisë në zonat malore. Ne të tre ishim kundër asaj që po ndodhte, duke e quajtur atë veprim krejtësisht të pamundur për zbatimin e agrokulturës në ato zona të thella. Por edhe pse ishim kundër kolektivizimit, ne gjithashtu ishim koshientë se ai do të bëhej me të gjitha mënyrat, duke nxjerrë konkluzionin se populli ishte i nënshtruar dhe nuk mund ta kundërshtonte dot këtë që po ndodhte.

Bisedat tuaja rrihnin vetëm tek kolektivizimi, apo kishit dhe rezerva të tjera ndaj sistemit?

Problemi i kolektivizimit, ishte e para e të gjithave bisedave tona, pasi ishte shumë i prekshëm, duke ndikuar drejt për drejt, në jetën tonë të përditshme, por ne kishim edhe shumë rezerva të tjera ndaj regjimit në fuqi. Mes të tjerash ne diskutonim edhe për problemet e mbrojtjes së vendit, duke i quajtur fare të pavend, investimet e mëdha që bëheshin në fushën ushtarake, për fortifikimin e vendit, deri në zonat më të thella.

A diskutonit me njeri tjetrin duke bërë analiza se si mund të kapërcehej ajo situatë, ndaj të cilëve ju kishit rezervat tuaja?

Ne mendonim se e vetmja gjë, që mund ta parandalonte kolektivizimin, ishte përmbysja e regjimit komunist në Shqipëri.

A kishit frikë se idetë tuaja, mund të binin në veshin e Sigurimit të Shtetit? 

Patjetër që kishim frikë dhe të gjitha bisedat, i bënim vetëm dy persona p.sh., unë me Avdiun, ose unë me Shefqetin. Rrallë herë mund të bisedonim tre veta. Por me kalimin e kohës grupi ynë u zgjerua dhe afruam edhe me kushëririn tjetër, Bajram Gjanën, si dhe Shemsi Domin e Muharrem Selmanin, ku të gjithë ishim intelektualë me shkolla të larta.

Rezervat tuaja ndaj regjimit komunist, mbetën vetëm në kuadrin e bisedave, apo shkuat më tej duke analizuar se çfarë mund të bëhej?

Jo, ne nuk mbetëm vetëm tek konstatimet, por shkuam deri aty, sa të mendonim se çfarë mund të bënte gjithsecili prej nesh, për të kontribuar në përmbysjen e atij regjimi.

Më konkretisht çfarë menduat të bënit?

E para gjë që na shkoi ndër mënd, ishte se me disa elementë të zgjedhur e të besuar, të kryenim një sulm të armatosur ndaj Radio ? Kukësit. Pasi të merrnim godinën e saj, do t?i bënim thirrje mbarë popullit, që të ngriheshin dhe të përmbysnin regjimin komunist në Shqipëri. Ne do t?i bënim thirrje popullit, që të ngriheshin për kryengritje të armatosur, duke shpresuar për një ndërhyrje ushtarake të mundshme nga jashtë.

A biseduat me ndonjë njeri tjetër, për planin e marrjes me armë të Radio ? Kukësit?

Si fillim, ne biseduam me Raif Elezin, i cili shërbente si radiolog në spitalin e Kukësit. Ai jo vetëm që e priti mjaft mirë propozimin tonë, por u tregua shumë i gatshëm për të vepruar në rastin më të parë.

Përveç variantit të marrjes së Radio Kukësit, cilat ishin mënyrat e tjera që thatë se u kishin shkuar në mëndje për të vepruar?

Një mënyrë tjetër, që na kishte shkuar ndër mënd, ishte ajo e një tjetër revolte të armatosur, me anë të njerëzve të njohur, e të besuar, që kishim në çetat vullnetare, gjatë zboreve që këto të fundit zhvillonin nëpër fshatra. Këtë opsion, unë e pata diskutuar edhe me mësuesin dhe poetin e famshëm, Havzi Nela, gjatë kohës kur të dy shërbenim si arsimtarë në Topojan. Edhe Havziu, e priti mirë propozimin tim dhe u tregua i gatshëm që të na ndihmonte. Ndërsa varianti i tretë dhe i fundit do të ishte, eliminimi fizik i Enver Hoxhës, nëpërmjet një atentati. Gjë e cila automatikisht, do të sillte destabilizimin e situatës politike në vend dhe si rrjedhojë, do të çonte në shëmbjen e mundshme të atij regjimi.

Zoti Xhevat, a bëtë ndonjë tentativë për të realizuar ndonjërin nga tre variantet e mundshme, që kishit menduar për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri?

Për hir të së vërtetës, dua të them që edhe pse ne herë herë tregoheshim tepër entuziast, lidhur me tre versionet e mundshme, që kishim menduar apo planifikuar të bënim, kishte raste të shumta që binim në një pesimizëm të thellë, duke i menduar ato krejtësisht të pamundura! Ky pesimizëm që na pushtonte jo rrallë, e kishte burimin në ngjarjet e Hungarisë të vitit 1956, ku tanket sovjetike, shtypën me dhunë revoltat antikomuniste dhe ne bënim krahasimin, se çfarë mund të ndodhte me ne, këtu në Shqipëri, po të përsëritej i njëjti skenar. Tjetër gjë që na frenonte akoma dhe më shumë në planet tona, ishte dhe frika nga Sigurimi i Shtetit, i cili kishte njerëzit e tij kudo dhe ne mund të dekonspiroheshim akoma pa filluar të vepronim. Por sidoqoftë, siç thashë edhe më lart, përveç bisedave me dy të afërmit e mi, Shefqetin e Avdiun, unë personalisht, bisedova edhe me Havzi Nelën e Raif Elezin, të cilët jo vetëm që i pritën shumë mirë propozimet e mija, por u treguan edhe shumë të gatshëm, për të vepruar në rastin më të parë, që mund të na jepej mundësia.

Përse nuk vepruat kur ata u treguan të gatshëm?

Kjo gjë lidhet me disa arsye. E para, Hafzi Nela, u arratis në Jugosllavi dhe pasi e ktheu UDB-ja me kërkesën e Sigurimit të Shtetit, ai përfundoi në burg dhe ne mbetëm vetëm tre vetë në grup. Pas kësaj, Shefqetin e morrën ushtar në Tiranë dhe në grup mbeta vetëm unë me Avdiun e Raifin. Nisur nga këto rrethana në të cilat u ndodhëm, realizimi i tre varianteve që kishim menduar, bëhej akoma edhe më i vështirë. Por sidoqoftë, ne nuk mbetëm në kuadrin e fjalëve, pasi Shefqeti, tentoi të bënte diçka në lidhje me atentatin, ndaj Enver Hoxhës, gjatë kohës që ai ishte ushtar në repartin e kundërajrorëve, në Kodër Kamëz, në Tiranë.

Më konkretisht, çfarë bëri Shefqeti?

Po jua tregoj atë ngjarje, sipas kronologjisë. Në vitin 1967, unë erdha rastësisht në Tiranë dhe shkova për t?a takuar Shefqetin, (djalin e xhaxhait) në Kodër ? Kamëz, ku ai ishte ushtar, në një regjiment artilerie. Pasi biseduam gjatë në një klub diku afër Institutit, kur po ndaheshim, ai më porositi që kur të shkoja në Kukës, t?i bëja një telegram, se gjoja kishte nënën e sëmurë, me qëllim, që të vinte me leje në Kukës. Unë i?a bëra telegramin dhe kur erdhi Shefqeti, ma tregoi të gjithë historinë që i kishte ndodhur atë ditë, kur aty në taracat e Bathores, kishte shkuar për një vizitë, Enver Hoxha. Para asaj vizite, ishin marrë të gjitha masat e sigurisë nga ana e reparteve ushtarake, që ishin të instaluara aty, në zonën për rreth Kodër ? Kamzës. Kështu, ishte bërë edhe në repartin e kundër-ajrorëve, ku shërbente Shefqeti, e nisur nga biografia e mirë që kishte ai (një vëlla ?Dëshmor i atdheut?, babanë të dekoruar për veprimtari patriotike), duke qenë edhe sekretar rinie i repartit, e kishin caktuar në vendrojen kryesore, prej nga dukej fare qartë, vendi ku Enver Hoxha, do të bënte vizitën. Shefqeti më tregoi, se gjatë momentit që ai ishte në vendroje dhe mundi ta shikonte, Enver Hoxhën, e kishte ngritur armën duke marrë dhe shënjestrën, por e kishte ulur përsëri, pa mundur të qëllonte. Ndërsa Shefqeti nisi të më tregonte të gjitha arsyet, se pse nuk kishte mundur të qëllonte, ndaj Enver Hoxhës, unë i thashë: ?T?u thafshin krahët, përse nuk qëllove, të bëhej ç?të bëhej. Po ta kishe bërë këtë gjë, do të hyje në histori, ndërsa ne do të na kishin grirë të gjithëve?.

Kush është Xhevat Gjana

Xhevat Gjana u lind në vitin 1940 në Bicaj të Kukësit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Gjatë viteve të monarkisë së Zogut, pothuajse i gjithë fisi Gjana, u cilësua si kundërshtar i atij regjimi, pasi në ?Revolucionin e Qershorit? në vitin 1924 ata kishin përkrahur forcat fanoliste duke marrë pjesë me armë kundër forcave qeveritare. Nisur nga ky fakt të dy xhaxhallarët e tij, u dënuan me vdekje. Në vitet e pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, 1939-1944, fisi Gjana përkrahu Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe shtëpia e babait të tij, Bardh Gjanës, u bë një nga bazat kryesore të lëvizjes partizane në atë krahinë. Por edhe pse kishin ndihmuar Luftën Antifashiste, me ardhjen në pushtet të komunistëve pas 1944-ës, kjo familje u vu nën shënjestrën e tyre. Kjo gjë lidhej me faktin se gjyshi i tyre kishte shërbyer si dervish dhe kishte ndikim të madh tek pjestarët e tjerë të familjes dhe fisit, sidomos në aspektin e ideve antikomuniste. Nisur nga këto rrethana, aty nga fillimi i vitit 1948, Sigurimi i Shtetit do të niste dhe valën e parë të arrestimeve ndaj pjestarëve të familjes Gjana, duke i akuzuar si kundërshtarë të pushtetit dhe strehues të pjestarëve të grupeve anti-komunistë në rrethin e Kukësit. Dy nga personat kryesorë që u arrestuan, ishin xhaxhai i tij Shaqir Gjana, dhe nipi i tij Kadriu.

Ata do të liroheshin nga burgu vetëm disa muaj më pas, gjatë ?kthesës së madhe të Partisë? në vitin 1949, ku Enver Hoxha, i?a ?faturoi? të gjitha krimet ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Koci Xoxes. Xhevati, pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij Bicaj, iku në qytetin e Shkodrës ku mbaroi dhe të mesmen, e më pas Institutin Pedagogjik në degën Matematikë-Fizikë. Pas diplomimit në vitin 1963, ai do të shërbente si mësues në fshatrat Krumë, Domaj, e Topojan dhe në vitin 1967, ai do të largohej nga arsimi, për të shërbyer për dy vjet si ekonomist në minierën e Bakrit në Gjegjan të Kukësit. Në vitin 1969, Xhevati arrestohet dhe pas disa muajsh hetuesie, dënohet me akuzën ?agjitacion e propagandë dhe akte terrorizmi kundër shtetit?, në një grup ku bënin pjesë edhe gjashtë persona të tjerë. Ai u dënua me 8 vjet burg dhe të gjithë dënimin e kreu në burgun e Burrelit, prej nga u lirua në 1976. Pas lirimit nga burgu, Xhevat Gjana, do të punonte në kooperativën e Bicajt të rrethit të Kukësit deri në vitin 1980, kur do të largohej për në qytetin e Krujës. Atje ai krijoi familje me një vajzë nga fisi Kuçi, babai i së cilës, ishte pushkatuar nga regjimi komunist, I akuzuar si ?armik i popullit?. Deri në vitin 1991, ai do të punonte si punëtor në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimeve të Krujës, ndërsa me shembjen e regjimit komunist, në vitet 1992-1993 ai, do të shërbente si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Kukësit. Pas vitit 1993, ai do të rikthehej pranë familjes së tij në Krujë dhe deri në vitin 1997, do të shërbente si drejtor i shkollës 8 vjeçare, ?Myrteza Pengili?.

Lajmet e fundit nga