LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pasuria “djeg” gjyqtaren e Apelit të Tiranës

30 Prill 2021, 08:20, Vetingu CNA
Pasuria “djeg” gjyqtaren e Apelit të Tiranës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Evjeni Sinojmeri, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

KPK konstatoi se Sinojmeri nuk justifikonte pasurinë.
Seanca ndaj Sinojmerit u zhvillua të mërkurën pa praninë e saj dhe pa një përfaqësues ligjor.

Trupa e kryesuar nga Genta Tafa Bungo me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin, njoftoi se Sinojmerit i ishte kërkuar disa herë të paraqitej apo paraqiste një mbrojtës, por ajo nuk ishte përgjigjur dhe as kishte marrë në dorëzim materialet e dosjes.

Në relatim Zhegu tha se Sinojmeri kishte blerë disa pasuri të paluajtshme në vitet 2000-2004, për të cilat nuk ishte deklaruar burimi në asnjë prej deklaratave periodike dhe as në deklaratën veting.

Zhegu tha se për vitin 2004, Sinojmeri në blerjen e disa apartamenteve në Tiranë dhe Durrës rezultonte me bilanc negativ 4.2 milion lekë dhe se nuk kishte kthyer përgjigje dhe as vënë në dispozicion dokumente mbi barrën e provës.

Nga relatimi rezultoi se Sinojmeri kishte blerë me kredi të butë një apartament në vitin 2003. KPK tha se apartamenti vijonte të ishte me barrë hipotekore, por tha se në këtë rast nuk ishin gjetur probleme.

Ndërkohë nga hetimi kishte rezultuar blerja në vitin 2000 për 26.8 mijë dollarë e një apartamenti në rrugën e Elbasanit, për të cilin u gjet se gjyqtarja nuk kishte burime të ligjshme në shumën 2.4 milion lekë.

Ndërkohë një apartament 125 metra, blerë për 57 mijë euro në vitin 2004, por deklaruar për herë të parë në vitin 2006, nuk kishte sipas KPK burime të ligjshme në shumën 4.2 milion lekë. Mungesë e ngjashme u gjet edhe për një garazh dhe një apartament në plazh të blerë për 30 mijë euro në të njëjtën kohë.

Për një apartament të blerë për 28 mijë euro dhe me burim krijimi një hua nga vëllai i gjyqtares, KPK vuri në dukje se nuk ishte deklaruar dhe se gjyqtarja kishte pretenduar se apartamenti ishte blerë për vëllain nga bashkëshorti.

KPK tha se për pasuritë e paluajtshme Sinojmeri nuk kishte deklaruar burime në deklaratën veting dhe në ato periodike dhe se një pjesë e tyre ishin deklaruar disa vite pas firmosjes së kontratave. KPK tha se nuk kishte as qartësi për kohën kur ishin paguar këstet për këto pasuri.

Ngjashëm pa burime të ligjshme u gjetën edhe 40 mijë dollarë dërguar djalit në SHBA, ndërsa u gjetën disa vite me bilance negative. Sinojmeri pretendoi sipas KPK se nuk kishte mundësi të sillte kundërargumentet e saj dhe as të siguronte dokumente. Por Komisioni vlerësoi se nuk kishte as dokument që vërtetonte pamundësinë objektive.

Sinojmerit nuk iu gjetën probleme në pastërtinë e figurës dhe as në profesionalizëm, përpos shkeljes së lejes dhe mungesës së saj në gjykatë për gati 1 vit./CNA.al

Lajmet e fundit nga