Nga Ferdinand Dervishi/ Basha dhe historia e patës së pjekur

30 Prill 2021, 19:55, Opinione CNA
Nga Ferdinand Dervishi/ Basha dhe historia e patës së pjekur

Këto ditë një nga debatet, që do marrë një peshë të konsiderueshme, ka nisur dhe mbetet ai i dorëheqjes apo largimit të Lulzim Bashës nga kreu i Partisë Demokratike për shkak të humbjes së dy palë zgjedhjeve të përgjithshme, njëra pas tjetrës.

E në fakt, shumëkush ka të drejtë të jetë i pakënaqur me Kryetarin e PD. Ekstremi i një projeksioni imagjinar i barazon, përpjekjet për fitore të Lulzim Bashës, me atë të një të punëmbaruari që pret ti bjerë nga qielli një patë e pjekur.

Duket se gjithçka ka lidhje me formimin, me lidhjet me Partinë, rrugën që nuk e ka hapur vetë, ka lidhje me njohjen e  realitetit shqiptar, mungesën e psikologjisë dhe aftësive prej fituesi…

Lulzim Basha ishte një i panjohur kur ju prezantua shqiptarëve edhe si lidhje dhe zgjedhje e familjarëve të Sali Berishës. Falë kësaj lidhjeje, në fillimet e veta, për fatin e keq, jo vetëm të tij, rrugën nuk e hapi vetë, atë ja shtruan.

Ata e vërtitën mes njerëzve të majës së Partisë Demokratike dhe mes të ministrave më të përzgjedhur në vitet 2005-2013. Ata e mbështetën të merrte kreun e Partisë pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013, duke mënjanuar, pa asnjë vështirësi, Sokol Olldashin, një politikan të lindur, të rritur dhe të rreshkur mes politikës agresive shqiptare.

Porse më tej, pa asgjë të bërë gati nga të tjerët, historia nuk e qas, edhe pse zgjedhjet e vitit 2017 eventualisht i humbi me vetëdije. Ishte periudhë që i duhej për të bërë zap partinë, për të larguar të gjithë ata që i shihte si konkurrentë, si tepër të pavarur, tepër të paqëndrueshëm apo tepër të zgjuar.

Ishte një spastrim rrënjësor me përkujdesje të mos bënte as gabimin që dikur Rama bëri me një deputet të vetëm – Ben Blushin. Më tej, me qëllim që të justifikonte largimet, ai realizoi një aparencë reformatori duke marrë nga radhët e profesorëve dy figura të nderuara, Romeo Gurakuqin dhe Valentina Dukën, të cilët i ngjiti në krye të listave të PD për deputetë, respektivisht në Shkodër e Korçë.

Duket, bindja e tij e madhe ishte se, pas 8 vitesh, pushteti do ishte i gjithi i tij. Këtë kishte provuar më 2005 edhe historia e kujdestarit të tij, Sali Berisha, këtë kishte rrëfyer edhe fitorja bindëse e vitit 2013 e Edi Ramës, këtë tregonin edhe raste pambarim në Europën e afërme e të largët.

Kështu, me një parti nën këmbët e tij, pa asnjë zë të fortë kundër, me njerëz të zgjedhur nga vetë ai, të cilëve u bëhet rreshtore, njëlloj si partia që formatoi në 8 vite opozitë Edi Rama, ai do të kishte më pak kokëçarje.

Për rrjedhojë ai do të kishte më tepër mundësi dhe më tepër kohë për të arritur, përmes pushtetit, atë që, me një sukses të pastër, po bënte konkurrenti i tij: të mashtronte dhe zhvaste shqiptarët për xhepat e tij dhe të një kaste të ngushtë.

Por, siç edhe rezultoi, teoria e fluturimit të padiskutueshëm, në 8 vite, të patës së pjekur, ishte një iluzion. Lulzim Basha humbi edhe zgjedhjet e radhës.

Kjo ndodhi edhe sepse socialistët arritën të bindnin elektoratin e tyre që të mos votonte të birin politik të Berishës. Dhe, kjo sasi votash, plus ato të administratës, plus ato që vijimsisht blihen me lekë, plus ato të pushtetit të krimit ? mjaftuan.

Kjo ndodhi edhe sepse Partia Socialiste ka një avantazh të madh në garë përballë asaj Demokratike. Ka një elektorat të trashëguar nga Enver Hoxha që i korrespondon ndasisë së kohës së komunizmit, të formuluar si ?diktatura e shumicës mbi pakicën?.

Zgjedhjet parakaluese kanë dëshmuar se elektorati bazë i Partisë Socialiste ka qenë potencialisht më i madh se ai i Partisë Demokratike, aty-këtu vlerësuar në raportin 6 me 4.

Për rrjedhojë Lulzim Bashës i duhej të realizonte jo vetëm një punë prej Sizifi, por edhe një betejë dhëmbë për dhëmb, deri në pikë të fundit, që të kishte shans për fitore.

Më tej, në terrenin shqiptar, lufta për fitore ka është një front të dytë. Lulzim Basha duhet të bënte për vete edhe një pjesë të konsiderueshme të elektoratit gri, që përfshihet në numrat e 50 për qind të shqiptarëve, të cilët nuk morën pjesë në votime.

Të atij elektorati të konsiderueshëm, të cilit prej vitesh i është mbushur mendja se në Shqipëri nuk ja vlen të votosh asnjë nga grupimet e vjetra të politikës ? që të gjitha të drejtuara nga kriminelë e hajdutë që kanë mbajtur e mbajnë peng të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e një populli të tërë. 

Por Basha nuk shfrytëzoi dot as keqqeverisjen në 8 vite, nga skandali në skandal, të Edi Ramës, as nivelin e korrupsionit kaptuar atij të disa vendeve gjysmë të egra të Afrikë, as faktin se krimi është ftuar të ulet këmbëkryq në ndarjen e pushtetit dhe të mirave materiale, as realitetin se shqiptarët po ja mbathin masivisht jashtë një vendi për të cilin, deri dje, kryeministri i tyre mendonte, dhe këtë e shprehte, se ?nuk bëhet?…

Basha nuk fitoi edhe sepse ai nuk ndërtoi dot një imazh të ndryshëm në publik. Ai nuk dha ndonjë arsye bindëse se, me të ardhur në pushtet, do të bënte më mirë se Edi Rama. Shqiptarët jo vetëm shihnin e shohin te ai një fotokopje të politikanit tradicional shqiptar të 30 viteve të fundit, të zhytur në korrupsion dhe krim, por edhe hijen e pazvogëlueshme të Sali Berishës dhe, kohët e fundit, edhe atë të Ilir Metës.

Ai nuk fitoi pasi, për shqiptarët e tjerë, për shumicën jashtë votuesve tradicionalë të PD, ndërtoi një imazh baras me asgjë të re.

Dhe në fund, ai nuk fitoi sepse nuk arriti të zgjonte shpresë. Lulzim Basha nuk u dha asnjë shenjë shqiptarëve se ai do të ishte njeriu i revolucionit. Se ai do të groposte historinë e Shqipërisë së 30 viteve të fundit, se do të udhëhiqte me njerëz të rinj, mundësisht të fabrikuar jashtë Shqipërisë, se do të fuste në burg të gjithë përgjegjësit e korrupsionit galopant, se do tu priste duart qeveritarëve të rinj dhe administratës edhe nëse do fusnin në xhep ca qindarka të pamerituara, se të njëjtën gjë do e bënte edhe me oligarkët, se do të rrafshonte e fuste krimin në vrimë të gjilpërës, se do tu kthente shqiptarëve pronat e vjedhura dhe të bëra kashtë e koqe në kadastra, se do të siguronte investime të huaja domethënëse, se do të rikthente dhe zhvillonte në favor të Shqipërisë e shqiptarëve të gjitha resurset natyrore e prodhuese të vendit, energjinë, burimet ujore, minerare, naftën, gazin etj., etj.

Vetëm kjo betejë do e afronte atë me elektoratin gri që përbën gjysmën e pjesëmarrësve në votime, kjo do e afronte me atë pjesë të madhe të shqiptarëve që po kuptojnë përditë e më tepër se Shqipëria po vidhet dhe shkatërrohet nga një grusht banditësh, se Shqipëria po shkon me hapa të shpejtë drejt një diktature të plotë…   

Për të gjitha këto arsye, Lulzim Basha nuk mund të jetë prijësi ideal për shqiptarët në përgjithësi dhe demokratët në veçanti.

Punëmbaruar dhe i avashtë, duket ai kishte 8 vite që priste ti binte në pjatë pata e pjekur, pa ditur se, për ata që vetëm presin, pata e pjekur fluturon një herë në 1000 vjet./CNA.al

Lajmet e fundit nga