LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ku gaboi Aleksei Navalni në betejën e tij kundër Vladimir Putinit

23 Prill 2021, 07:17, Blog CNA
Ku gaboi Aleksei Navalni në betejën e tij kundër Vladimir Putinit

Nga Dimitri A.Simes ?The American Convervative?

Në fund të janarit të këtij viti, u duk sikur koha ishte në anën e Aleksi Navalnit. Kritiku i vjetër i Kremlinit, po kthehej në shtëpi pasi kaloi 5 muaj në Gjermani duke u kuruar dhe marrë veten, nga ajo që ai pretendonte se ishte një përpjekje për helmim nga shërbimet ruse të sigurisë.

Navalni kishte publikuar në internet një video investigative, që pretendonte se kishte zbuluar një pallat luksoz bregdetar në pronësi të presidentit rus Vladimir Putin. Megjithëse e priste një dënim me burg, Navalni mund të ngushëllohej nga fakti që arrestimi i tij, nxiti protesta masive në mbarë Rusinë.
Por 2 muaj më vonë, gjërat kanë ndryshuar shumë. Lëvizja e protestës është shuar, dhe shumë nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Navalnit janë arrestuar. Vetë ky i fundit u dënua më 2 shkurt me 2 vjet e 8 muaj, duke e hequr kësisoj nga skena politike deri pas zgjedhjeve parlamentare të Rusisë që do të mbahen këtë vjeshtë.

Megjithëse dënimi i tij provokoi protesta në Perëndim, reagimi në Rusi ishte shumë më i butë. Kohët e fundit, aleatët e Navalnit kanë filluar të bëjnë presion për një raund të ri protestash, dhe raportet mbi përkeqësimin e shëndetit të Navalnit në burg, e kanë vendosur sërish atë në titujt kryesorë të gazetave.
Por ata do të përballen me një betejë të vështirë. Rusia e vitit 2021, nuk është Rusia e vitit 1991 apo 1917. Edhe pse standardet e jetesës në vend kanë ngecur në vitet e fundit, shumica e rusëve nuk janë ende të përgatitur të mbështesin revolucionin, duke preferuar ende reformat brenda sistemit ekzistues.
Ndërkohë, ndryshe nga qeveritë e vonuara cariste ose sovjetike, lidershipi aktual i Rusisë, e ruan ende besnikërinë e elitave politike, sidomos të aparatit të gjerë të shërbimeve publike. Gjatë dekadës së kaluar, Navalni u rrit gradualisht si një nga figurat më të shquara të
opozitës ruse.

Avokati 44-vjeçar, është i njohur më së shumti për video-investigimet e tij që hedhin akuza për korrupsionin e zyrtarëve të lartë rusë, të cilët janë parë qindra miliona herë në Youtube. Gjithashtu ai kandidoi për kryetarin e Bashkisë së Moskës në 2013, teksa luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e protestave të mëdha anti-qeveritare në vitet 2011-2012 dhe 2017-2018.

Baza kryesore e mbështetjes së Navalnit, është ajo e profesionistëve të rinj të shtresës së mesme në qytetet kryesore. Edhe pse Navalni është përpjekur ta zgjerojë mbështetjen ndaj tij vitet e fundit, shumë rusë e shohin ende me dyshim. Një sondazh i muajit shkurt nga Qendra Levada, kompania kryesore e pavarur e vendit, zbuloi se vetëm 19 për qind e rusëve e miratonin punën e Navalnit, ndërsa 56 për qind ishin kundër tij. Edhe pjesa e rusëve të gatshëm për të mbështetur Navalnin për president, është edhe më e vogël, vetëm 2 për qind.

Në gushtin e vitit 2020, Navalni ndodhej në bordin e një avioni që shkonte në Moskë nga qyteti siberian i Tomskut, ku ai ishte takuar me aktivistët lokalë. Jo shumë kohë pas ngritjes avionit, ai filloi të ndjehej shumë keq. Shkoi në tualet dhe nuk po dilte prej andej.
Kur pjesëtarë të stafit të tij shkuan ta kontrollojnë, ata zbuluan se ai ishte shembur përtokë gati i vetëdijshëm. Avioni kreu një ulje emergjente në qytetin aty afër, Omsk, ku Navalni u dërgua me urgjencë në një spital të zonës.

Dy ditë më vonë, një avion privat i dërguar nga një OJQ gjermane e çoi atë në Berlin, ku ai kaloi muajin e ardhshëm në repartin e terapisë intensive në spitalin prestigjioz ?Charité? të kryeqytetit gjerman. Bashkëpunëtorët e Navalnit, akuzuan menjëherë Kremlinin për këtë atentat.
Më vonë, mjekët ushtarakë gjermanë thanë se mostrat e lëkurës, gjakut dhe urinës së Navalnit treguan gjurmët e Novichok, një agjent nervor i epokës sovjetike. Gjetjet u konfirmuan më pas nga laboratorët në Francë dhe Suedi.

Në dhjetor po të vitit të kaluar, grupi i gazetarëve investigativë britanikë, ?Bellingcat?, publikoi një raport që arriti në përfundimin se një nën-njësi e Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë (FSB) e kishte ndjekur Navalnin për vite me radhë. Menjëherë pas këtij momenti, Navalni publikoi në inernet regjistrimin audio të asaj, që ai tha se ishte një telefonatë midis tij dhe njërit prej operativëve të FSB-së që e ndiqte. Gjatë telefonatës 49-minutëshe, në të cilën Navalni paraqitej si një zyrtar i lartë i sigurisë, burri u duk se e pranoi pa dashje helmimin e Navalnit.

Qeveria ruse, ka mohuar me ngulm akuzat se u përpoq ta helmonte Navalnin, edhe pse nuk e mohoi se ai ishte përgjuar nga agjentët e FSB-së. Në konferencën e tij për shtyp me rastin e fundvitit, Putini e akuzoi Navalnin si një njeri të mbështetur nga shërbimet sekrete amerikane, dhe tha me shaka se nëse FSB do të donte vërtet ta vriste atë ?ata me siguri që do ta kishin mbaruar punë?.

Më 23 janar të këtij viti, dhjetëra mijëra rusë iu përgjigjën thirrjes së tij nga qelia e burgut, duke u tubuar në më shumë se 100 qytete në të gjithë vendin, nga Shën Petersburgu në Perëndim, deri në Vladivostok në lindje. Mbështetësit e Navalnit, e cilësuan si të suksesshme lëvizjen, dhe demonstratat pasuese u zhvilluan në datat 31 janar dhe 2 shkurt.

Por Kremlini nuk kishte ndërmend të tërhiqej. Policia i shpërndau me dhunë protestuesit në shumë qytete. Më shumë se 11.000 njerëz u arrestuan gjatë atyre 2 javëve, përfshirë shumë nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Navalnit. Në këto kushte, ekipi i Navalnit u detyrua të tërhiqej përkohësisht.

David Saveliev, gazetar dhe studiues i Universitetit të Oksfordit i specializuar në lëvizjet protestuese post-sovjetike, thotë se ndërsa goditja e qeverisë ka luajtur pa dyshim një rol të madh në shtypjen e protestave. Por problemi më thelbësor ishte se Navalni, nuk kishte mbështetjen popullore të nevojshme për të sfiduar Kremlinin. Saveliev vë në dukje se vetëm një përqindje mjaft e vogël e rusëve, dolën në protestat pro Navalnit, diçka që ai i atribuoi mungesës së lëvizjes së një objektivi më të madh politik. ?Njerëzit e Navalnit, nuk kishin një mesazh koherent përtej parullave ?Lironi Navalnin!? dhe ?Rusia pa Putinin!?. Këto janë parulla argëtuese, por nuk janë një program politik i prekshëm?- theksoi ai.

Ajo që e ndërlikon më tej problemin për ekipin e Navalnit, është fakti se shumë pak rusë janë gati për një revolucion. Edhe pse Rusia ka përjetuar vështirësi ekonomike në vitet e fundit, rusët në përgjithësi janë përshtatur me to, thotë Denis Volkov, zëvendësdrejtor në Qendrën Levada.

?Askush nuk është gati për ndryshime rrënjësore politike. Shumica e njerëzve duan të shohin përmirësime të caktuara ekonomike të tilla, si paga më të larta dhe çmime më të ulëta?– theksoi ai. Por publiku skeptik nuk është pengesa e vetme për Navalnin.

Aleksei Çesnakov, analist politik që dikur ka shërbyer si ndihmës në Kremlinit, vuri në dukje se të gjitha revolucionet e suksesshme në Rusi, kanë gëzuar mbështetjen e të paktën një pjese të elitës ekzistuese, e cila ndihmoi në zhvendosjen e ekuilibrit të fuqisë, duke mbështetur një kryengritës politik.

Por sipas Çesnakov sulmet e Navalnit ndaj elitës, kanë bërë që anëtarët e saj ta konsideronin atë si një ?kërcënim?, dhe të tuboheshin më fort pranë Putinit. ?Navalni po bën gjithçka që mundet për t?u armiqësuar me ata që kontrollojnë pjesën më të madhe të mediave, burimeve politike dhe financiare. Ju nuk mund të bëheni president i Rusisë, nëse grindeni me të gjitha palët e interesuara të saj?-thekson ai./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://www.theamericanconservative.com/articles/how-navalny-fell-short/

Lajmet e fundit nga