Connect with Us

Sa “kushton” të investosh në Shqipëri?

Ekonomi

Sa “kushton” të investosh në Shqipëri?

Publikuar

-

Ekonomi të ndryshme kanë rreziqe të ndryshme të lidhura me qëndrueshmërinë politike, ligjore, ekonomike apo të tregut që ofron secili vend. Si krahasohet Shqipëria me rajonin

Megjithëse sot ekonomia ka arritur një shkallë globalizimi më të lartë se kurrë më parë, vendimet e investitorëve përballen me dilema të lidhura me shanset dhe rreziqet lokale që shtron çdo treg i veçantë. Ekonomi të ndryshme kanë rreziqe të ndryshme të lidhura me qëndrueshmërinë politike, ligjore, ekonomike apo të tregut që ofron secili vend.

Aswath Damodaran është një ekonomist, i cili studion prej vitesh mbi konceptin e rrezikun të investimit dhe ka ndërtuar një metodologji për të llogaritur rrezikun e investimit të kapitalit në shumicën e ekonomive botërore. Mbi këtë metodologji, ai llogarit një prim të rrezikut të kapitalit, që, në thelb, mat rrezikun e të investuarit të parave në një ekonomi.

Damodaran është një ekonomist me origjinë indiane dhe profesor i Financës së Korporatave në Shkollën e Biznesit Stern, pranë Universitetit të Nju Jorkut. Metodologjia e përdorur nga Damodaran është komplekse, megjithatë në thelb ka përllogaritjen e një prim rreziku për secilën ekonomi, mbështetur në vlerësimin Sovran (rating) të Moody’s. Duke qenë se përllogaritja ka në bazë vlerësimin e borxhit sovran, vlerat janë të përafërta për ekonomi të ngjashme dhe kanë sigurisht një vlerë indikative.

Rrezikut i investimit

Sipas studimit të Damodaran, primi i rrezikut të kapitalit në ekonominë shqiptare llogaritet në 9.08%. Në një kontekst botëror krahasimi, ky vlerësim përfaqëson një rrezik relativisht të lartë. Mesatarja botërore, sipas përllogaritjeve të Damodaran, në mars 2021 ishte 4.63%. Megjithatë, në raport me ekonomitë e rajonit, mund të thuhet se vlerësimi i Shqipërisë është në nivele të përafërta. Primin më të ulët të rrezikut në rajon e kanë Serbia dhe Maqedonia e Veriut, me 8.21%. Shqipëria dhe Mali i Zi janë në vijën e dytë të renditjes me 9.08%, ndërsa pozicionimin më të dobët e ka Bosnjë-Hercegovina, ku primi i rrezikut të kapitalit është 11.02%.

Në thelb, Shqipëria renditet në vlerat mesatare rajonale dhe rreziku i investimit është i krahasueshëm me vendet e tjera. Përcaktimi i primit të rrezikut të kapitalit mbështetet mbi disa faktorë, ku themeli i parë është rating (vlerësimi) sovran i ekonomisë. Studimi ka marrë për referencë vlerësimin e Moody’s, ku Shqipëria qëndron në nivelin B1. Në vetvete, vlerësimi sovran ka një peshë të konsiderueshme dhe përcakton diferenca thelbësore.

Për vendet me rating Aaa, rreziku i default dhe primi i rrezikut të ekonomisë vlerësohet si 0. Më tej, primit të rrezikut që rrjedh nga rating i shtohet primi i rrezikut të secilës ekonomi. Ky prim rreziku përcaktohet kryesisht mbi bazën e rrezikut të falimentit për çdo vend dhe në rastin e Shqipërisë, teknikat e përdorura nga studiuesi e kanë nxjerrë këtë indikator në 4.36%.

Së fundmi, dy primeve të para, të vlerësimit sovran dhe rrezikut të ekonomisë, i shtohet edhe primi i rrezikut të tregjeve të maturuar, që mbështetet në indeksin e S&P 500. Ky vlerësohet si një lloj primi benchmark, duke qenë se teknikisht rreziku i default për këto tregje vlerësohet në 0. Aktualisht, për primin e rrezikut të kapitalit për tregjet e maturuara vlerësohet në 4.72%. Duke shtuar edhe këtë element të fundit, primi i rrezikut të kapitalit në ekonominë shqiptare rezulton 9.08%.

Burimi: Eurostat
Burimi: Eurostat

Në një ekonomi të globalizuar, shifrat e mësipërme tentojnë të diferencojnë shkallën e rrezikut për ekonomi të veçanta, mbështetur në faktorë dhe burime të brendshme që e përcaktojnë këtë rrezik. Një faktor i rëndësishëm është faza e ciklit të zhvillimit ekonomik të një vendi.

Vendet e pazhvilluara ose në zhvillim janë më të ekspozuara ndaj rreziqeve krahasuar me ekonomitë e zhvilluara dhe të konsoliduara. Një pjesë e madhe e ndryshimit mund të shpjegohet me rrezikun politik dhe përfshin shumë elemente, që nga tiparet demokratike ose jo të qeverisjes, korrupsioni, funksionimi i shtetit ligjor, etj.

Korrupsioni është padyshim një faktor shumë i rëndësishëm që përcakton shkallën e funksionimit të shtetit ligjor. Mbështetur në indeksin e korrupsionit të Transparency International (TI), Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë perceptimin më të lartë të korrupsionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa pak më lart qëndrojnë Kosova, Serbia dhe Mali i Zi. Nëse, sipas TI, Shqipëria ka një indeks korrupsioni në nivelin 35, për vendin më pak të korruptuar në Europë, Danimarkën, ky indeks është 87. Një diferencë kaq e madhe në perceptimin e korrupsionit padyshim që prek edhe aktivitetin e bizneseve dhe ndikon edhe në rrezikun e investimit.

Shembull tjetër është edhe indeksi i mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale, ku sërish Shqipëria pozicionohet ndër vendet e fundit, duke lënë pas në rajon vetëm Bosnjë-Hercegovinën.

Shkalla e zhvillimit të ekonomisë dhe rreziqet lokale janë faktorë që në fund pasqyrohen edhe te përmasat e ndikimit të krizave globale. Këto kriza zakonisht sjellin pasoja më të rënda në ekonomitë e vogla dhe të pazhvilluara, sesa në ato të zhvilluara.

Primi i rrezikut të investimit natyrshëm shërben si bazë për normat e pritshme të kthimit nga kapitali që vendos një investitor. Në një ekonomi me rrezik të lartë, një investitor do të tentojë norma më të larta fitimi, për të mbuluar rrezikun e marrë përsipër. Përkundrazi, në një ekonomi me rrezik të ulët, një kthim më i ulët nga kapitali mund të jetë i pranueshëm, duke marrë parasysh qëndrueshmërinë dhe rreziqet më të ulëta që paraqet një vend i zhvilluar, në afatin e gjatë.

Deri para një dekade, ndërmarrjet me fuqi të ndjeshme në tregje si telekomunikacionet apo sektori bankar, mund të arrinin kthime shumë më të larta se kaq; por, një kthim i tillë nga kapitali në kohën e tanishme është mjaft i rrallë, edhe në sektorët më fitimprurës: të vetmet biznese që mund të synojnë norma shumë të mëdha kthimi janë ato që shfrytëzojnë të drejtat ekskluzive, kryesisht koncesionet apo PPP-të.

Rënia e kthimit nga kapitali natyrshëm që ul interesin për të investuar në një ekonomi, për më tepër, në një mjedis ekonomik botëror që është ende i zymtë. Për shembull, vitin e kaluar, sektori bankar shënoi një kthim nga kapitali në nivelin 9.1%, nivel që rastësisht është i njëjtë me primin e rrezikut të kapitalit të llogaritur për Shqipërinë. Duke lënë mënjanë efektin e përkohshëm të pandemisë dhe diferencat e konsiderueshme mes ndërmarrjeve në treg, një kthim i tillë nga kapitali nuk është shumë i kënaqshëm për një ekonomi me rrezik relativisht të lartë, siç është Shqipëria.

15 vjet më parë, një bankë apo kompani telekomunikacionesh nga Europa Perëndimore e shihte Shqipërinë me më shumë interes si destinacion investimi, për shkak të potencialeve të mëdha të fitimit. Në pesë vitet e fundit, shumë nga këto kompani janë larguar nga Shqipëria apo nga vendet përreth, sepse tregu nuk ofron më fitime të mjaftueshme.

Kosto e investimit, sa 60% e BE-së

Një element tjetër, sigurisht më pak përcaktues në vendimmarrjen e investitorëve, është edhe kosto e investimit. Shqipëria ka një kosto relativisht të ulët të shpenzimeve për investime krahasuar me parametrat e Bashkimit Europian, por megjithatë, as për sa u takon këtyre kostove nuk jemi më të lirët në rajon. Sipas të dhënave krahasuese të Eurostat, indeksi i çmimit për investimet në Shqipëri është sa 60.1% e vlerës mesatare të vendeve të Bashkimit Europian. Në këtë tregues, Shqipëria është më e lirë se Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, por më e shtrenjtë krahasuar me Maqedoninë e Veriut dhe me Turqinë.

Në llogaritjen e kostos së investimit, Eurostat përfshin llojet kryesore të investimeve, duke filluar nga ndërtimi, punimet inxhinierike, blerjen e makinerive dhe pajisjeve dhe deri te transporti, mjetet e prodhimit apo programet kompjuterike. Mbështetur në të gjithë këta tregues, ndërtohet një indeks për secilin vend ku si vlerë referencë apo 100, merret niveli mesatar i Bashkimit Europian.

Nëse një vend e ka indeksin e kostos së investimit mbi 100, atëherë investimi aty kushton më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, ndërkohë, sa më poshtë vlerës 100 të jetë ky indeks, aq më i lirë është një vend për të investuar.

Burimi: Eurostat
Burimi: Eurostat

Ndërtimi më i lirë, makineritë të shtrenjta

Po të analizojmë indeksin sipas komponentëve përbërës, Shqipëria rezulton se ka një kosto relativisht të lartë sidomos në zërin e investimeve në makineri dhe pajisje. Ky indeks është në nivelin 99%, ose e thënë ndryshe pothuajse sa niveli mesatar i Bashkimit Europian. Shqipëria e ka këtë kosto në të njëjtin nivel me Britaninë e Madhe dhe Austrinë dhe më të lartë se Gjermania, Spanja dhe disa vende të tjera anëtare të BE-së. Në rajon, kjo kosto është më e lirë në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.

Megjithatë, kur flitet për makineritë dhe pajisjet, çmimet janë më homogjene dhe ndryshimet në kosto mes vendeve të ndryshme janë më të ngushta. Kjo lidhet edhe me faktin që çmimet për këto pajisje përcaktohen më shumë nga tregjet globale, sesa nga specifikat e brendshme të secilit vend. Kategoritë e produkteve ku Shqipëria është më e shtrenjtë krahasuar me mesataren e BE-së janë programet kompjuterike (software) dhe pajisjet elektrike dhe optike. Kategoria më e lirë e pajisjeve në Shqipëri janë mjetet e transportit, me një nënindeks sa 87.4% e BE-së.

Niveli i Shqipërisë në indeksin agregat të shpenzimeve për investime kompensohet ndjeshëm nga kostot relativisht të ulëta të ndërtimit. Sipas Eurostat, kostot e ndërtimit në Shqipëri janë sa 45% e mesatares së Bashkimit Europian. Mes vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit, vetëm Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina janë më të lira se Shqipëria. Shqipëria paraqitet më e lirë sidomos në kategorinë e ndërtimeve rezidenciale, me një indeks çmimesh sa 39.4% e mesatares së BE-së. Për ndërtimet jorezidenciale, indeksi rritet në 51.1%, ndërsa për punimet inxhinierike, indeksi është 49.9%.

Në kostot e ndërtimit, diferencat mes vendeve janë shumë më të mëdha krahasuar me kostot e investimit në makineri dhe pajisje. Sipas Eurostat, kjo shpjegohet sidomos me ndryshimet që ka kosto e punës dhe hendekun e pagave mes vendeve të ndryshme.

Kosto e ulët e investimit mund të japë një avantazh relativ konkurrues ndaj vendeve të tjera, megjithatë, ky nuk është faktori më i rëndësishëm në vendimmarrjen e një investitori. Përgjithësisht, kostot më të ulëta të investimit janë tipike për vendet me ekonomi më pak të zhvilluar dhe me rrezik më të lartë; risku është një element që e kompenson në rritje koston më të ulët fillestare të investimit. Jo rastësisht, sipas renditjes së Eurostat, kostot më të larta të investimit janë në vendet me standarde më të larta ekonomike dhe sociale. Kryeson Finlanda, ku indeksi është 131.6%, e ndjekur nga Gjermania me 120.8% dhe Suedia me 120.6%.

Burimi: Eurostat
Burimi: Eurostat

Doing Business, Shqipëria larg praktikave më të mira

Raporti i Doing Business i Bankës Botërore është publikimi më i rëndësishëm që krahason elementet kryesore të klimës së biznesit dhe investimeve mes ekonomive të ndryshme. Sipas publikimit më të fundit, Shqipëria renditet në vendin e 82-të në botë dhe në vendin e parafundit në rajon, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën.

Shqipëria ka dështuar të bëjë reforma që do ta reklamonin si një destinacion interesant investimesh, të krahasueshme me vendet fqinje. Shembulli më domethënës është Maqedonia e Veriut, që klasifikohet në vendin e 17-të në botë për lehtësinë e të bërit biznes.

Pikat më të dobëta të Shqipërisë mes treguesve mbi të cilët ndërtohet renditja e Doing Business ngelen lejet e ndërtimit, regjistrimi i pronës, pagesa e taksave dhe zbatimi i kontratave.

Burimi: Eurostat
Burimi: Eurostat

Investimet ranë me 1.8% vitin e kaluar

Për vitin 2020, investimet në ekonominë shqiptare pësuan rënie. Mbështetur në statistikat tremujore të Prodhimit të Brendshëm Bruto, formimi bruto i kapitalit fiks, llogaritur me çmime konstante, vitin e kaluar ishte rreth 371 miliardë lekë, në rënie me 1.8% krahasuar me një vit më parë. Rënia ishte kryesisht rezultat i performancës negative në gjysmën e parë të vitit, ndërsa në gjysmën e dytë, shifrat treguan një tendencë në përmirësim. Pas pesë tremujorësh në rënie, formimi i bruto i kapitalit fiks u rrit me 5.85% në tremujorin e tretë, ndërsa rritja pothuajse u dyfishua në 10.86% në tremujorin e katërt.

Rritja e investimeve besohet se është mbështetur sidomos nga ecuria e mirë e sektorit të ndërtimit, por edhe nga rritja e investimeve publike, të lidhura edhe me procesin e rindërtimit, pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019. Investimet kanë luajtur rol të rëndësishëm në përmirësimin e ekonomisë shqiptare pas vitit 2013, të nxitura sidomos nga gazsjellësi TransAdriatik dhe nga projekte të tjera madhore të investimit në energjetikë. Këto projekte sollën, si rrallëherë në dekadën e fundit, një rritje të qëndrueshme të investimeve në ekonominë shqiptare për katër vjet me radhë. Përfundimi i volumit më të madh të punës në këto projekte solli rënie të investimeve në ekonomi dhe të peshës së këtij komponenti ndaj PBB-së, çka reflektohet nga shifrat e dy viteve të fundit.

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT

Më pak se 1% e investimeve shkojnë për teknologji

Struktura e investimeve në ekonominë shqiptare dëshmon ende një dominim të skajshëm të formave klasike të kapitalit fiks dhe një peshë ende shumë të ulët të investimit në teknologji. Sipas të dhënave të INSTAT për strukturën e investimeve brenda PBB-së, në vitin 2018, për çdo 100 lekë që investoheshin në ekonominë shqiptare, 75 lekë shkonin në ndërtim.

Mbizotërimi i ndërtimit në strukturën e investimeve ka qenë një tipar konstant, madje deri në vitin 2009, pesha e tyre ndaj investimeve totale ishte më shumë se 80%. Me gjithë një ulje të lehtë në dekadën e fundit, investimi në ndërtim ruan një dominim absolut, me shpërndarje të herëpashershme të peshës specifike mes llojit të aktivitetit ndërtues.

Për vitin 2018, dega me peshën më të lartë ishte ndërtimi për banim, me 45% të investimeve totale, i ndjekur nga ndërtimet inxhinierike me 20%. Këto ndërtime patën arritur nivel mjaft të larta në vitin 2017, kur sollën rreth 29% të investimeve totale në ekonomi. Cikli duket se përputhet me trajektoren e investimeve të mëdha në energjetikë dhe sidomos me gazsjellësin TAP. Në një këndvështrim pak më afatgjatë, bie në sy fakti se ndërtimet inxhinierike zakonisht marrin peshë më të lartë specifike në vitet zgjedhore, në dëshmi të faktit se qeveritë i përdorin investimet publike për përfitime elektorale.

Investimet në funksion të zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit ende kanë një peshë të papërfillshme në totalin e investimeve që kryhen në ekonominë shqiptare. Sipas INSTAT, për vitin 2018, programet dhe databazat kompjuterike përbënin 0.62% të investimeve totale, gjë që përfaqëson edhe nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Për ta shprehur ndryshimin në vlerë absolute: në vitin 2018 në Shqipëri u investuan rreth 2.4 miliardë euro në ndërtim dhe më pak se 20 milionë euro në software.

Pas ndërtimit, makineritë dhe pajisjet ishin grupi i dytë për nga rëndësia në strukturën e investimeve, me 18.1% të totalit. Pesha e investimit në makineri dhe pajisje ka shënuar rritje pas vitit 2015, ndoshta e lidhur edhe kjo me projektet e investimeve të huaja në sektorin energjetik. Sidomos pas vitit 2013, vërehet një rritje e peshës së mjeteve të transportit, që për vitin 2018 përbënin 5.3% të investimeve totale.

Sektori më i rëndësishëm në ekonominë shqiptare, bujqësia, vazhdon të ketë peshë të ulët në strukturën e investimeve, madje për periudhën 2017-2018, kontributi i saj ra në më pak se 1%. Investimet bujqësore konsistojnë kryesisht në pemëtari dhe vreshtari, por edhe pesha e tyre ka rënë pas vitit 2015, çka mund të shpjegohet me ndryshimin e formës së subvencioneve shtetërore për bujqësinë. Një kontribut negativ në vitet 2017 dhe 2018 ka dhënë blegtoria, gjë që nënkupton rënie të pasurisë në formën e kapitalit biologjik të këtij sektori.

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT

Investimet e huaja në rënie

Investimet e Huaja Direkte janë një shtyllat me ndikimin kryesor në rritjen e investimeve totale në ekonominë shqiptare. Vitin e kaluar, ato kishin vlerën e 933 milionë eurove, në rënie me 13% krahasuar me një vit më parë. Rënia lidhet me përfundimin e projekteve të mëdha energjetike, por edhe krizën e rëndë që goditi ekonominë botërore dhe që sigurisht nuk krijoi kushte të favorshme për investime të reja. Megjithatë, duhet thënë se në vitet e fundit, një rol të rëndësishëm kanë pasur fitimet e riinvestuara. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar fitimet e riinvestuara nga ndërmarrjet ekzistuese përbënin pothuajse 44% të fluksit total vjetor të Investimeve të Huaja Direkte.

i fitimeve është karakteristik sidomos në sektorin e industrisë nxjerrëse, por edhe në disa sektorë të shërbimeve, sidomos në atë financiar, ku rritja e bankave kërkon edhe mbështetje me kapital të mjaftueshëm për të mbuluar asetet financiare me rrezik. Pikërisht, sektori financiar ishte ndër sektorët që shënoi rritje të investimeve të huaja vitin e kaluar, me 15% më shumë krahasuar me vitin 2019. Rritja e bëri industrinë financiare sektorin e dytë me fluksin më të lartë të investimeve të huaja, me 134 milionë euro, ose rreth 15% të totalit.

Edhe për vitin 2020, investimet e huaja erdhën në pjesën më të madhe nga sektori energjetik, me 260 milionë euro, ose rreth 28% të totalit. Investimet në energjetikë ranë me 22% krahasuar me një vit më parë. Rënie edhe më të thellë pësoi sektori i industrisë nxjerrëse, me 48% më pak krahasuar me vitin 2019. Investimet në këtë sektor lidhen kryesisht me aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto, që u godit ndjeshëm nga kriza, sidomos në tremujorin e dytë të vitit.

Burimi: Banka e Shqipërisë
Burimi: Banka e Shqipërisë

Investimet publike kthehen pranë 5% të PBB-së

Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, për vitin 2020, vlera e investimeve publike arriti në 85.1 miliardë lekë, në rritje vjetore me 13.5%. Nëse përfshijmë edhe rreth 16.6 miliardë lekë shpenzime të raportuara në fondin e rindërtimit nga tërmeti, shpenzimet kapitale arritën gjithsej në 101.7 miliardë lekë, në rritje vjetore me 36%. Rritja e investimeve publike mund të ketë qenë një nga faktorët që e zbutën disi efektin e pandemisë në ekonomi. Sipas vlerësimeve tremujore të INSTAT, vitin e kaluar, ekonomia shqiptare ra me 3.3%, ndjeshëm më pak nga sa ishte parashikuar.

Në terma realë, shpenzimet kapitale (përjashtuar fondin e rindërtimit) arritën nivelin e 5% të PBB-së, si rrallëherë në dekadën e fundit. Kjo u ndikua pjesërisht edhe nga përmbysja e pritshmërive të rritjes ekonomike prej pandemisë. Përgjithësisht, nga viti 2013 e në vazhdim, investimet publike në terma realë kanë rënë ndjeshëm. Rënia u përcaktua pjesërisht edhe nga nevoja për të ulur borxhin publik, që në vitin 2013, pas njohjes së detyrimeve të prapambetura, pati arritur nivele shqetësuese.

Për të anashkaluar mundësitë e kufizuara nëpërmjet shpenzimeve të kontabilizuara në mënyrë direkte, qeveria e Partisë Socialiste zgjeroi me hapa të mëdhenj praktikën e përdorimit të projekteve të Partneritetit Publik-Privat (PPP). Megjithatë, jo në të gjitha rastet, këto kontrata kanë si objekt realizimin e shpenzimeve kapitale. Nga 7.9 miliardë lekë shpenzime në favor të kontraktorëve të PPP-ve vitin e kaluar, më pak se gjysma lidheshin me investime, kryesisht për rrugë dhe inceneratorë.

Për vitin 2021, qeveria shqiptare ka parashikuar shpenzime kapitale në buxhet në vlerën e 120.6 miliardë lekëve, ose sa 7.2% e PBB-së, por duke përfshirë këtu edhe investimet në fondin e rindërtimit.

Burimi: Ministria e Financave
Burimi: Ministria e Financave

Biznesi rriti kredinë për investime

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për vitin e kaluar, portofoli i kredisë së sipërmarrjeve u zgjerua me rreth 34.5 miliardë lekë, ose rreth 280 milionë euro. Nga këto, 29.5 miliardë lekë ose rreth 86% e totalit ishte kredi e dhënë me qëllim investimin në pasuri të paluajtshme apo në makineri dhe pajisje.

Bizneset, ashtu si dhe individët, duket se kanë zgjeruar ndjeshëm investimet në pasuri të paluajtshme. Kredia për pasuri të paluajtshme është bërë tashmë produkti me peshën më të madhe edhe në portofolin e bizneseve, me një shumë totale prej më shumë se 105 miliardë lekësh, në rritje vjetore me pothuajse 15%. Një shpjegim mund të jetë që bizneset, ashtu si dhe familjet, e shohin blerjen apo ndërtimin e një prone si formë të sigurt investimi, edhe në një vit delikat, siç ishte 2020. Normat e ulëta historike të interesit dhe oferta e kënaqshme e bankave për kredi, pavarësisht krizës, duket se kanë ndikuar pozitivisht në ritmet e kredidhënies.

Rritje në përmasa të ngjashme shënoi edhe kredia për blerjen e makinerive dhe pajisjeve, që gjatë një viti u zgjerua me pothuajse 16%. Ky është një tregues i tërthortë i vazhdimësisë së investimeve të ndërmarrjeve private, pavarësisht krizës. Nga ana tjetër, kredia për nevoja afatshkurtra për vitin e kaluar shënoi rritje më të vogël, e ndikuar sidomos nga pakësimi i përdorimit të overdrafteve të biznesit. Kjo mund të shpjegohet me një volum më të ulët të aktivitetit të biznesit, e shkaktuar nga tkurrja e ekonomisë dhe rënia e kërkesës.

Në rënie me afërsisht 7% ishte edhe huaja për çelje biznesi. Rënia ekonomike sigurisht që nuk e favorizoi shumë hapjen e bizneseve të reja dhe as mbështetjen e tyre nga institucionet e kredidhënies. Kredia për çelje biznesi zë një peshë modeste prej më pak se 2% e portofolit të kredisë bankare në Shqipëri. Përgjithësisht, bankat tregtare nuk mbështesin biznese të reja pa një historik të mirëfilltë, por portofoli aktual lidhet kryesisht me sipërmarrje të reja të bizneseve ekzistuese, që mund të jenë klientë të bankave dhe që mund të ofrojnë garanci të lidhura me aktivitetet e tjera të tyre.

Në fund të vitit 2020, totali i kredisë për investime dhënë ndërmarrjeve private arriti në 208.2 miliardë lekë ose rreth 1.7 miliardë euro. Gjatë një viti, portofoli i kredisë u zmadhua me më shumë se 29 miliardë ose rreth 16.3%./monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë
Burimi: Banka e Shqipërisë

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Raporti/ Paratë e drogës në Shqipëri pastrohen në ndërtim

Publikuar

-

Nga

Fondet e siguruara kryesisht nga tregtia ndërkombëtare e drogës pastrohen në sektorin e ndërtimit dhe turizmit në Shqipëri, raportohet në një studim të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (Global Initiative against Transnational Organized Crime – GI) për rajonin e Ballkanit “Analiza e flukseve të njerëzve, drogës dhe parave në Ballkanin Perëndimor”.

Raporti paraqet një tablo të detajuar të çmimeve dhe rrugëve të trafikimit të drogës dhe emigrantëve përgjatë Ballkanit Perëndimor dhe hedh dritë mbi fitimet që burojnë prej tyre, si dhe mbi vendet ku pastrohen paratë.

Sipas raportit, midis 2017 dhe 2020, Tirana përjetoi një bum ndërtimesh dhe rritje të madhe të çmimeve të pronave. Çmimi i një metër katror në një apartament banimi mesatar në Tiranë ishte rreth 861 euro në vitin 2017. Por në vitin 2020, vetëm tre vite me vonë, çmimet pothuajse u dyfishuan duke arritur nivelin e 1400 – 2 000 eurove për një metër katror.

Në Vlorë, grupet kriminale pretendohet se kanë investuar në sektorin e turizmit , duke përfshirë hotele luksoze në bregdet. Çmimet janë rritur nga 600 në 700 euro për metër katror në vitin 2017 në bregun e ujit në 1 000 euro në 1 200 euro në fillim të vitit 2021.

Sipas tabelave të raportit, Tirana është kryeqyteti me çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në rajon (që arrijnë deri në 4 mijë euro për metër kator për kullat e reja, ndërsa luhaten mes 1400-2000 euro në pjesën qendrore të qytetit).

Pas Tiranës, më të shtrenjta apartamentet janë në Beograd e Sarajevë, me rreth 2,500-2,700 euro për metër katror.

Çmimet në kryeqytetin shqiptar pothuajse janë rritur me mbi 50% në krahasim me vitin 2017. Në Podgoricë, p.sh., për të njëjtën periudhë çmimet ranë me 14%, duke zbritur poshtë 1 mijë euro. Në Beograd, çmimet u rritën me rreth 30%.

Studimi citon se, ekspertët kanë argumentuar se, kjo rritje e lartë në kryeqytetin shqiptar nuk mund të shpjegohet me kërkesën më të lartë nga ekonomia reale ose rritjen e nivelit zyrtar të ardhurat, por përkundrazi drejtohen kryesisht nga paraja nga krimi i organizuar dhe korrupsioni i cili është investuar në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme.

Në Tiranë, aktualisht janë planifikuar projekte shtesë luksoze në qendër të qytetit që nuk pasqyrojnë forcat normale të tregut.

Një agjent i pasurive të patundshme në Shqipëri ka shpjeguar se një përqindje e madhe e njerëzve që blejnë apartamente luksoze përdorin para të paligjshme dhe paguajnë me cash. Sidoqoftë, edhe kur pagesat nuk bëhen me para (por përmes sistemit financiar), ekspertët argumentojnë që verifikimi e burimit mbetet mjaft sporadik.

Megjithëse kërkohet që transaksione prej më shumë se 10 000 euro të bëhen përmes transfertave bankare, kompanitë e ndërtimit bëjnë të mundur ndarjen e pagesave në këste të vogla me më pak se 10 000 euro secila dhe të deklarojnë një çmim fiktiv më të ulët se ai real, duke e bërë kështu të mundur që individët të fshehin origjinën e vërtetë të parave të tyre.

Ishte e habitshme se si industria e ndërtimit vazhdoi të rritet në Shqipëri edhe gjatë pandemisë COVID-19, pavarësisht tkurrjes së përgjithshme të ekonomisë së vendit prej kufizimeve pandemike, citon raporti. Në fakt, pavarësisht pandemisë së COVID-19, INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave) regjistroi nivel të lartë të sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2020. Ndërsa në tremujorin e dytë 2020, ekonomia shqiptare u tkurr mesatarisht me 10.2%, aktiviteti i pasurive të patundshme vazhdoi të zgjerohej me 5.5%.

Një sasi më e vogël të ardhurash të paligjshme kanalizohet në përdorimin e bizneseve nga trafikantët nëpërmjet financimeve cash në restorante, bare, stacione karburanti dhe kompani taksish. Këto biznese janë veçanërisht të përshtatshme për të pastruar shuma më të vogla, të cilat më pas përfshihen gjithashtu në sistemin bankar.

Në të gjithë rajonin, fondet e paligjshme janë të përziera në biznese, duke i bërë ato të padallueshme nga njëri-tjetri. Anëtarët e grupeve të organizuara kriminale aktive në Malin e Zi raportohet të kenë kompani të ndryshme, si klube, restorante, furra buke, kafene, hotele dhe dyqane suveniresh, klube sportive, kompani me qira dhe shitje të automjeteve, stacione benzine dhe të regjistruara në Kotor, Cetinje, Herceg Novi, Pljevlja dhe Podgoricë.

Raporti rajonal analizon sektorët dhe pikat e nxehta ku pastrohen paratë në Ballkanin Perëndimor.

Për shembull, shumat e vogla të parave pastrohen në biznese me nivele të larta të qarkullimit të cash-it, si hotele, restorante, pastiçeri, bare dhe klube, dyqane suveniresh, benzinata, kompani taksish, palestra, pika ku shiten fruta-perimet etj. Të ardhurat e konsiderueshme furnizojnë ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme, lojërat e fatit dhe turizmin. Raporti thekson se të ardhurat e aktiviteteve të paligjshme që kryhen në rajon, pastrohen kryesisht po në rajon, ndërsa grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor janë duke gjeneruar të ardhura të shumta si pasojë e aktiviteteve të paligjshme (veçanërisht trafikimit të drogës) jashtë rajonit.

“Paratë e pista, të gjeneruara dhe të pastruara në rajon, po mbajnë gjallë një ekosistem të krimit dhe korrupsionit”, – thotë Kristina Amerhauser, një nga autoret e raportit./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Emigracioni çon divorcet në nivel rekord/ Një e katërta e çifteve ndahen

Publikuar

-

Nga

Emigracioni çon divorcet në nivel rekord/ Një e katërta e çifteve ndahen

Emigracioni, pavarësia ekonomike e grave, mosmarrëveshjet financiare kryesojnë listën si arsyet kryesore pse po divorcohen shqiptarët. Teksa shifrat e 2019-s tregojnë nivelin më të lartë të tyre, 26.1 divorce për 100 martesa, ekspertët e fushës ligjore dhe psikologjike japin kambanat e alarmit…

Kur rregullat e reja të karantinës morën pushtetin në 2020, shumë njerëz menduan se si do të ndikonte kjo për çiftet që përpiqeshin të ruanin marrëdhënien e tyre së bashku. A do ta forconte më tepër raportin e tyre, kjo jetesë kaq shumë bashkë, me vetëm një orë leje për të dalë, apo do t’i shtynte çiftet drejt konfliktit? Derisa këto përgjigje i presim ende, duke qenë se statistikat në Shqipëri për divorcet e 2020-s nuk kanë dalë, shifrat e 2019-s e përkeqësojnë më tepër situatën.

Për herë të parë, që nga publikimi i statistikave të divorceve tri dekada më parë, në 2019 është shënuar niveli më i lartë të tyre, me 26.1 divorce për 100 martesa. Më shumë se një e katërta e martesave po përfundojnë në divorc. Kambana alarmi bien nga ekspertët e fushës psikologjike dhe sociale, kurse ekspertët ligjorë theksojnë problematika të shumta në zgjidhjen kaq të lartë të martesave.

 

 

Sipas Margarita Kolës, eksperte ligjore dhe avokate, nuk ka një arsye të vetme që ka ndikuar në këtë trend rritës, por një sërë arsyesh, të cilat ndër vite kanë pasur, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, apo tërthorazi, ndikimin e tyre.

“Ekzistojnë disa faktorë që ndikojnë në zgjidhjen e martesës, kështu që është e vështirë të vësh gishtin te një faktor i vetëm që siguron që çiftet të gëzojnë një jetë të gjatë dhe të lumtur së bashku. Dhe shkalla e ulët e divorcit nuk do të thotë gjithmonë që çiftet janë të lumtur, kjo thjesht mund të nënkuptojë se rëndësia e martesës kapërcen lumturinë individuale”, -thotë znj. Kola.

Ekspertët vëzhgojnë se kur njerëzit përjetojnë stres më të madh nga burime të jashtme të një marrëdhënieje, ata luftojnë më shumë për të zgjidhur problemet brenda marrëdhënieve të tyre dhe mund ta hedhin pa dashje këtë stres mbi njëri-tjetrin.

“Padyshim, në martesën e sotme, shumë gjëra, kulturore e sociale kanë ndryshuar, sepse prirja individualiste ndihet edhe brenda martesës, në të cilën çdo partner synon të realizojë qëllime të personalizuara, që në ndonjë rast sjell prishjen e raporteve, qoftë partneriale apo bashkëshortore, duke e përfshirë martesën në krizë identiteti dhe dobësim të qëndrueshmërisë së saj” – thotë sociologu Gëzim Tushi.

Fakti që një numër i divorceve sot kërkohet nga gratë, tregon emancipimin e tyre, shton më tej sociologu, i cili e thekson si një ndër arsyet që ka ndikuar vitet e fundit. Emancipimi, sipas tij, vjen si shprehje e dinjitetit për të mos jetuar në “klimë burgu” apo e nëpërkëmbur në dinjitetin, moralin, personalitetin. “Martesa nuk funksionon kur ajo bëhet institucion i ‘shtypjes’ së gruas” – thotë z. Tushi. Sipas tij, kompleksiteti i arsyeve është me natyrë biologjike, kulturore, sociale, ekonomike dhe zakonore.

 

 

Divorcet, në rritje drastike

Sipas shifrave të fundit të bëra publike nga INSTAT, divorcet kanë shënuar rritje drastike nga viti 2009 në vitin 2019, përkatësisht nga 13.8 në 26.1 divorce për 100 martesa. Viti 2019 shënon numrin më të lartë të divorceve ndër vite, 5.860 divorce. E parë në këndvështrimin e krahasimit të një dekade, ndryshimi është i konsiderueshëm. Në 10 vitet e fundit kemi një rritje 62.5% të numrit të divorceve, ndërsa numri i martesave ka pasur luhatje dhe rënie. Për të njëjtën periudhë, pra 2009-2019, numri i martesave ka pasur një rënie prej 14.3%.

 

 

Të dhënat statistikore të marra nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë tregojnë se nga janari i këtij viti deri më 19 prill, ka pasur në total 1650 padi për zgjidhje martese, ku jo të gjitha rastet janë përfunduar dhe 10 prej tyre janë ankimuar.

Nga ana tjetër, edhe rastet për caktimin e kujdestarisë janë të shumta. Në të njëjtën periudhë janë bërë 51 padi, 3 prej të cilave ankimuara. Një tjetër çështje civile që u shtohet rasteve të natyrës familjare, është pjesëtimi i pasurisë bashkëshortore. Janë gjithsej 101 raste në më pak se 4 muaj të këtij viti, 5 prej të cilave të ankimuara. Ndërkohë, lëshimi i urdhrit të mbrojtjes, ka qenë 41.

 

 

Kur shoqëria ndryshon, divorci ndryshon

Ndryshimet në ligj në fillim të viteve ‘90 shpjegojnë një pjesë të arsyes se pse numri i divorceve është rritur, por kjo nuk tregon të gjithë historinë. Ndërsa ligji po ndryshonte, shoqëria shqiptare ndryshoi gjithashtu. Institucioni i martesës nuk ishte më i ‘paprekshëm’, gratë filluan rrugën drejt një pavarësie ekonomike dhe reagimi ndaj dhunës apo problemeve sociale si kumari etj., u rrit.

Gratë u shtuan në forcën punëtore në sektorë të ndryshëm. Ato nuk vareshin më nga burrat për t’i mbështetur. Pavarësia i lejoi ato të largoheshin nga një martesë e palumtur dhe të siguronin një jetesë për veten, apo edhe për fëmijët. Divorci gjithashtu u bë më i pranueshëm. “Faji” i divorcit ka nisur të zhduket. Ndërsa më shumë çifte ndaheshin, divorci u bë gradualisht pjesë normale e jetës dhe të mos ishte më tabu.

Ndryshime të tjera mund të shpjegojnë pse u rrit divorci, sipas ekspertëve sociologë, duke përfshirë: rritjen e bashkëjetesës, një person i divorcuar që rimartohet pas një divorci ka shumë më shumë gjasa të divorcohet përsëri. Gjithashtu, është vënë re një tendencë, që fëmijët e prindërve të divorcuar kanë më shumë të ngjarë të divorcohen. Ndërsa numri i prindërve të divorcuar rritet, do të rritet edhe numri i fëmijëve të tyre që divorcohen.

“Besoj se nga pikëpamja sociologjike, fenomeni i divorcit është kompleks. Me shkaqe sinkretike dhe arsye sintetike, me natyrë biologjike, kulturore, sociale, ekonomike e zakonore. Të lidhura në kontekstin e terrenit tonë konkret. Me kornizën e ngushtë ende maskiliste të ‘burrit ballkanik’ që kërkon gruan të ngjashme me nënën e tij, i cili e trajton atë si pronë private dhe mendon se ai ka të drejtën të vendosë kufirin midis asaj që lejohet dhe ndalohet për partneren. Fakti që një numër divorcesh sot kërkohet nga gratë, tregon emancipimin e tyre, si shprehje e dinjitetit për të mos jetuar në ‘klimë burgu’ apo e nëpërkëmbur në dinjitetin, moralin, personalitetin dhe seksualitetin e vet. Martesa nuk funksionon kur ajo bëhet institucion i ‘shtypjes’ së gruas”- thotë sociologu z. Tushi.

Ai shton se, arsye si dhuna vijojnë të mbeten pjesë e shkaqeve që sjellin divorc. “Dhuna mbi gratë është ‘lënda djegëse’ që po shkatërron një numër të madh të martesave. Jetojmë në kohë moderne dhe sa më shumë liri (jo shthurje) të ketë në martesë, aq më e qëndrueshme është ajo, duke e bërë komplementar çiftin. Burrat e sotëm duhet të kuptojnë tingullin e kohës. Kjo do të thotë se gratë nuk janë as ‘shtojca’ e aq më pak ‘lodra’ në duart e tyre.

Nëse martesa bëhet thjesht një marrëdhënie pushteti dhe sundimi nga burrat, atëherë divorci është i pashmangshëm. Sepse kjo mënyrë i bllokon të gjitha rrugët e zgjidhjes me mirëkuptim të konflikteve që janë të natyrshme në martesë dhe e transformon atë paradoksalisht në një lloj ‘guerilje bashkëshortore’. Në këto kushte, martesa bëhet një gjë e pakëndshme dhe realitet i mjerueshëm. Vetëm gënjeshtarët dhe hipokritët mund të thonë se martesa e tyre është ‘luçide’ dhe pa asnjë problem. Martesa kërkon zotërimin e kulturës së martesës dhe bashkë me të, edhe ‘artin’ e diplomacisë martesore”.

Sociologu nënvizon edhe ngutjen e vendimit për t’u martuar, sidomos në moshat nën 30 vjeç, si shkak që sjell divorc. “Padyshim rritja e divorceve është e lidhur shpeshherë me një lloj ngutje dhe mendjelehtësie në lidhjen e martesës, e bërë me shpejtësi. Mungesa e njohjeve të thella reciproke, bën që vendin e ngazëllimit paraprak më vonë ta zërë indiferenca martesore, konflikti, lidhjet jashtëmartesore (poligamia dhe poliandria) të cilat e shkatërrojnë atë si lidhje, duke dëshmuar atë ‘skarcitet martesor’ që ishte që në lidhjen e ngutur” – thotë ai.
Z. Tushi shton së fundmi se, padyshim ndër faktorët e tjerë është edhe zgjerimi i përdorimit të alkoolit, drogës dhe lëndëve të tjera psikotrope që sjellin dhunë, konflikt, mungesë harmonie, krime dhe vrasje e vetëvrasje.

 

 

Emigracioni dhe/ose arsye të tjera

Emigracioni dhe varfëria janë dy faktorët kryesorë që sipas ekspertes ligjore Margarita Kola, kanë ndikuar në rritjen e numrit të divorceve vitin e fundit. Sipas saj, të dyja janë të lidhura me njëra-tjetrën, pasi varfëria apo mungesa e vendit të punës, është një nga arsyet kryesore që nxit emigracionin.

“Në mungesë të punës, shumë meshkuj shkojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë që të sigurojnë të ardhura dhe vijnë rrallë këtu, gjë që sjell çekuilibrim të marrëdhënies bashkëshortore. Ky është një faktor që kemi evidentuar sidomos në pesë vitet e fundit, pasi ka pasur një largim masiv të shqiptarëve. Në këto kushte, vështirësohet raporti dhe nisin konfliktet. Detyrimet dhe përgjegjësitë janë më të mëdha për gratë të cilat qëndrojnë në Shqipëri dhe stresi ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë drejtim” – thotë av. Kola. Nisur nga përvoja si avokate, znj. Kola shton se, kuptimi për martesën ka ndryshuar.

“Është shndërruar në një institut që nëse nuk funksionon, zgjidhet dhe nuk ka pasojat sociale të dikurshme. Tronditja kulturore e ndërthurur me kultura të tjera perëndimore ka ndikuar në ndryshimin e mendësive të shqiptarëve. Pastaj, në kompleksitetin e vet, ka edhe arsye të tjera që ndikojnë. Edhe migrimi në zona të ndryshme të Shqipërisë ka pasur ndikim në rritje të divorceve, pasi lëvizja nga rurale në urbane ka sjellë ndryshim të pikëpamjeve për jetën, në një martesë që ka qenë me probleme. Faktori ekonomik sjell mosmarrëveshje e tensione në çift, duke pasur probleme të vazhdueshme, prishen raportet. Arsye tjetër, emancipimi i femrës dhe respektimi më i lartë i vetes, pavarësia ekonomike, moslejimi i shtypjes e diskriminimit gjinor” – thotë znj. Kola

Avokatja shton se në ditët e sotme, mund të gjesh më shumë çifte të ndara se sa çifte me probleme. “Ekzistojnë më pak ata që u qëndrojnë problemeve të jetës. Përpos kësaj, është vënë re një rritje e bashkëjetesës ose që quhet ndryshe martesa fakti e joligjore. Gjithashtu kemi pasur edhe fenomene të viteve të fundit me divorce fiktive, për arsye shmangie pagesash financiare, apo detyrime të tjera tatimore. Besoj që në një divorc ka më shumë se një arsye, nga të gjithë rastet që kemi pasur ndër vite”- shton avokatja.

Viti 2020, kur kulmoi pandemia pritet që të ketë ndikuar në shtimin e rasteve të divorceve. Është vënë re një tendencë në rritje, nënvizon avokatja, e cila shton se do të shohim shifrat më vonë. Mosfunksionimi i gjykatave ka pasur ndikim gjithashtu, sipas av. Kola, e cila shpjegon në detaj situatën.

“Nisja e procesit të vettingut vite më parë, ka ndikuar në një ulje të numrit të gjykatësve dhe në një shtrirje më të gjatë në kohë të procesit të divorcit. Ne kemi vënë re që, duke pasur më shumë çështje dhe më pak gjykatës, koha e përfundimit të një divorci ka kaluar nga 4 në më shumë se 6 muaj. Në raste kur çiftet kanë fëmijë, gjyqi zgjat edhe më tepër. Kjo mund të ketë ndikuar në një grumbullim të më shumë rasteve gjatë 2019-s, të mbartura nga viti paraardhës”, – thotë znj. Kola.

Sa i përket faturës ekonomike të një divorci, av. Kola shton se, për të hapur një gjyq duhen mesatarisht 60 mijë lekë, por për individët që s’kanë mundësi financiare, shteti ofron shërbim ligjor falas.

Pasojat e emigracionit

Në mungesë të punës, shumë meshkuj shkojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë që të sigurojnë të ardhura dhe vijnë rrallë këtu, gjë që sjell çekuilibrim të marrëdhënies bashkëshortore. Ky është një faktor që kemi evidentuar sidomos në pesë vitet e fundit, pasi ka pasur një largim masiv të shqiptarëve. Në këto kushte, vështirësohet raporti dhe nisin konfliktet.

 

E vërteta e hidhur

Divorci nuk mbart më damkën që jemi mësuar ta dëgjojmë. Ju me siguri njihni shumë njerëz që kanë pasur të paktën një divorc ose ju vetë mund të jeni një fëmijë me prindër të divorcuar. Është pothuajse mentaliteti “të gjithë e bëjnë atë”, gjë që e bën këtë “gjë popullore”. Mund ta shohim apo dëgjojmë çdo ditë dhe është e pranishme në shumicën e shfaqjeve televizive dhe filmave.
Arlinda Shella, psikologe ligjore në Gjykatën e Tiranës, rendit si shkaqe kryesore të zgjidhjes së martesës dhunën në familje, mungesën e komunikimit në çift, çështjet ekonomike, tradhtinë bashkëshortore, mungesën e barazisë në marrëdhënie etj.

“Këto renditen si shkaqe kryesore, sigurisht ka dhe arsye të tjera, të cilat vijnë nga mentalitete të ndryshme kulturore. Duhet theksuar fakti se rritja e ndjeshme e divorceve, sidomos në këtë periudhë, ka qenë një derivim i problemeve që solli dhe pandemia. Po të shohim shifrat vetëm në Gjykatën e Tiranës, ka një rritje të ndjeshme të urdhrave të mbrojtjes, duke treguar në këtë mënyrë se pandemia nxori në pah një sërë problemesh, sidomos në familje.

Duhet të theksoj se ata që preken më shumë nga këto probleme janë fëmijët, ata bëhen pjesë e një lufte, e cila nuk është e tyre dhe në këtë luftë emocionale, prindërit nuk arrijnë dot të mbrojnë interesin më të lartë të fëmijëve. Problemet familjare janë gjithnjë në rritje, familja është në krizë, divorci në rritje shihet si traumë në Shqipëri. Kjo në mënyrë të pashmangshme nuk i përjashton fëmijët nga trauma, ndonëse janë probleme që në Shqipëri krijojnë një rëndesë më të madhe, për shkak të një mungese të madhe instrumentesh për t’i rregulluar”, – thotë znj. Shella.

Nga ana tjetër, psikologia nënvizon problematikën e mungesës së mbrojtjes shtetërore, në kushtet e një kalvari të gjatë në dyert e Gjykatave dhe gjithashtu, problematika e caktimit të pensionit ushqimor, që në shumicën e rasteve është minimal.

 

Ndikimi i pandemisë në martesë

Të gjitha marrëdhëniet përfshijnë një shkallë konflikti dhe ekspertët e fushës psikologjike pohojnë se, është normale të debatosh më shumë gjatë periudhave stresuese. Nga shqetësimi për shëndetin tuaj dhe shëndetin e familjarëve, deri te përballja me rritjen e pasigurisë financiare, të gjithë “stresuesit klasikë” martesorë janë rritur nga ngjarjet e vitit 2020.

Për disa çifte, mosmarrëveshjet gjatë pandemisë kanë përfshirë edhe debate në lidhje me menaxhimin e shtëpisë ose llogarinë e kursimeve. Për të tjerët, bllokimi ka ekspozuar çështje që shkojnë më thellë dhe ofrojnë kohë për reflektim, duke vënë në dyshim marrëdhënien e tyre.

Ekspertët psikologë rendisin stresin financiar, mërzinë, mosmarrëveshjet në lidhje me prindërimin dhe grindjet për punët e shtëpisë si burimet më të zakonshme të problemeve në marrëdhënie. Më shumë çifte në shtëpi, me fëmijët që nuk shkojnë në shkollë dhe duke u përballur me rritje të pasigurisë financiare, kjo nuk sjell habi për faktin se pandemia krijoi një tendosje shtesë në marrëdhëniet që tashmë ishin në vështirësi.

“Pandemia ka qenë një faktor me ndikime të mëdha në jetën e familjes, funksionimin e shtëpisë si institucion i jetës private, por dhe mbi dialektikën e lidhjeve martesore dhe marrëdhënieve në çift. Në të vërtetë, sociologjikisht pritej që izolimi social dhe bunkerizimi shtëpiak, të ktheheshin në faktorë uniteti, stabiliteti familjar dhe me tregues të përmirësuar të kohezionit martesor dhe lidhjeve në çift.

Duke menduar se izolimi si faktor i jashtëm deprimues do të ishte gjenerator brendshëm për kapërcimin e konflikteve të mbartura, keqkuptimeve dhe dyshimeve martesore, në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Përkundrazi izolimi social, mbyllja në shtëpi për një kohë të gjatë, ngushtimi i hapësirave jetike brenda katër mureve të betonta të shtëpisë, u kthye në një faktor nxitës dhe thellim të destabilizimit të disa lidhjeve martesore apo lidhjeve në çift”, -thotë z. Tushi.

 

Efekti i karantinës në martesë

Izolimi social, mbyllja në shtëpi për një kohë të gjatë, ngushtimi i hapësirave jetike brenda katër mureve të betonta të shtëpisë, u kthye në një faktor nxitës dhe thellim të destabilizimit të disa lidhjeve martesore apo lidhjeve në çift

Fatura ekonomike e divorcit

Sociologët post-modernë thonë se niveli i mirëqenies në shoqëri mund të matet edhe me nivelin e divorceve dhe papunësinë e grave.

“Gjithnjë divorci është i lidhur me punësimin ose papunësinë e gruas. Dhe prandaj sociologët e martesës kanë të drejtë në këtë paradigmë të re. Sepse epidemia në zgjerim e divorceve dhe prishjes së martesave po sjell pasoja të thella në jetën e shoqërisë, duke shkatërruar familjen dhe për pasojë edhe shtimin e ‘viktimave sociale’, sikurse janë gratë, fëmijët dhe të moshuarit.

Sidomos për fëmijët, të cilët kthehen në ‘jetimë socialë’, të ndodhur në situata jo gjithnjë të lehta për rritjen dhe edukimin e tyre. Sidomos kalimi i menjëhershëm i gruas nga statusi i bashkëshortes në statusin e gruas së divorcuar, në shumicën e rasteve e kthen atë në kryefamiljare” – thotë sociologu Gëzim Tushi. Sipas tij, kjo është pozitë disfavorizuese për gratë e divorcuara, sidomos kur ato janë të papuna, pa nivelet e duhura të kualifikimit profesional.

“Kjo do të thotë rënie e menjëhershme në nivelet të caktuara të varfërisë absolute apo relative. Por kostot e divorcit janë polivalente dhe shumë të rënda, jo vetëm për gratë e divorcuara, që ndodhen para vështirësive të reja, por edhe për shtetin, institucionet e kujdesit social dhe shëndetësor të cilat, në shumë raste, duhet të vënë menjëherë skemat jokontributive të mbështetjes sociale, shëndetësore, të strehimit, pagesën e papunësisë dhe shumë ‘fatura’ të tjera që duhet të përballohen nga buxheti i shtetit dhe taksat e shqiptarëve” – thotë z. Tushi.

Ai nënvizon edhe një problematikë sociale tjetër, shoqëria shqiptare ka mangësi në kulturën e divorcit apo në kuptimin e drejtë dhe human që divorci është mekanizëm që prish martesën dhe bashkëshortësinë, por kurrë ato të prindërimit dhe përgjegjësisë prindërore, të cilat mbeten të pandryshuara për rritjen e fëmijëve apo kujdesin e të moshuarve.

“Te ne divorcet janë të ashpra, të dhunshme, tejet antagoniste dhe krejt shkatërrimtare për të gjithë komponentët strukturorë të familjes para divorcit. Janë ende të pakta rastet e kulturës së divorcit apo të bërjes konsensuale, me përgjegjësi reciproke, pa urrejtje dhe duke mbajtur kostot e përgjegjësisë reciproke.

Po jo vetëm kaq, fatura e divorcit bëhet më e madhe po të kemi parasysh se kur konflikti martesor bëhet ekzistencial, i pakthyeshëm, përfundimtar dhe çon në divorc, doemos që ai shoqërohet me dëme shtesë në strukturat e jetës shoqërore. Koha ka vërtetuar edhe në Shqipëri lidhjen midis qëndrueshmërisë së martesës dhe problemeve sociale që sjell divorci. Kjo sepse është sociologjikisht e njohur se “trajektorja e divorcit ‘kryqëzohet’ me shumë marrëdhënie të tjera materiale e jomateriale, sikurse janë marrëdhëniet me miqtë, fqinjët, kolegët, etj.” – përfundon z. Tushi.

Divorci dhe ulja e produktivitetit

Psikologët vlerësojnë se divorci është një proces, i cili ka një ndikim afatgjatë në jetën e ish-partnerëve, duke i cenuar ekonomikisht. Kjo shkakton rënie të standardit të jetesës së mëparshme dhe në rastin e individëve në karrierë, ndikim në produktivitet. Stresi është ndër pasojat e divorcit, që shpeshherë është i gjatë dhe financiarisht i vështirë.

Psikologët pranë Gjykatës së Tiranës tregojnë se dy nga pesë nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës dhe kjo është një arsye e rritjes së numrit të padive për caktimin ushqimor. Disa të tjera detyrohen të braktisin punën që kanë pasur më parë, në kushtet e kërkimit të një pune të përshtatshme edhe me oraret e fëmijëve (atëherë kur ekonomikisht nuk përballohet prania e një dadoje apo kopshti/shkolle private). Gjatë procesit të kërkimit të punës, shpesh hasin paragjykime apo vështirësi./Monitor

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Tatimet thirrje bizneseve: Filloni fiskalizimin që tani, ecuria e deritanishme

Publikuar

-

Nga

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në kuadër të zbatimit të reformës së Fiskalizimit, ka publikuar të dhënat e ecurisë së këtij procesi deri në këto momente.

Që prej 1 Janarit të këtij viti ka nisur faza e parë e zbatimit të kësaj reforme, që konsiston në transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike, ose ndryshe B2G, vetëm me faturë elektronike.

Ndërkohë që janë edhe dy fazat e tjera:

– Faza e dytë: Transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve, B2B, prej datës 1 Korrik 2021 dhe përkufizon monitorimin e pagesave të këtyre transaksioneve nëpërmjet sistemit bankar.

– Faza e tretë: Transaksionet me para në dorë, B2C, me para në dorë, prej datës 1 Shtator 2021.

+ Përsa i përket fazës së parë, reforma e Fiskalizimit ka pasur një ecuri pozitive me shifrat që janë rritur ndjeshëm muaj pas muaji.

Më poshtë gjeni edhe grafikun për 4 muajt e parë, që përmbledh numrin total të faturave të lëshuara, si faturat cash ashtu edhe ato elektronike si dhe numrin e tatimpaguesve.

✔ Pavarësisht detyrimit për t’u përfshirë në Fiskalizim sipas afateve të mësipërme, AT kërkon të sqarojë se të gjithë subjektet kanë mundësi të fiskalizojnë transaksionet e tyre përpara këtyre afateve./Monitor

LEXO TE PLOTE