Connect with Us

Nga Andi Bushati/ Basha mund të bashkëpunojë me Ramën vetëm jashtë politikës

Opinione

Nga Andi Bushati/ Basha mund të bashkëpunojë me Ramën vetëm jashtë politikës

Publikuar

-

“Dorëheqja e Lleshajt krej normale”/ Bushati: Lajthitja e policit jo përgjegjësi e ministrit

Edi Rama e ka shqiptuar në vetë të parë atë që e thonë nëpër studio televizive njerëzit pranë tij, pra se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me Bashën pas 25 prillit.

Nuk ka dyshim se kjo ofertë që bëhet në emër të kurimit të dasive 30 vjeçare, është një taktikë e vogël mashtruese.

Me anë të saj kryeministri kërkon makiavelikisht të krijojë idenë se nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes tij dhe konkurentit kryesor politik. Në anën tjetër ai e përdor atë, ashtu si në zgjedhjet e katër viteve më parë, kur arriti të krijojë përshtypjen e një koalicioni të mundshëm mes dy partive të mëdha, gjë që i shtyu shumë votues të djathtë të bojkotonin procesin. Ndërsa pjesa më meskine e kësaj oferte është shantazhi fëmijënor për të përçarë opozitën, sipas një modeli ku Rama vendos se kush janë të mirët dhe kush të këqinjtë brenda saj.

Natyrisht cilido që e ka ndjekur trajektoren e Edi Ramës në politikë nuk e ka të vështirë të kuptojë se ai është i paaftë të ndajë pushtet. Që, në shekullin e kaluar, kur mori në dorë bashkinë, ai i përjashtoi socialistët nga vendimmarrja, për të kontrolluar lejet e ndërtimit vetëm me klanin e tij. Të njëjtën gjë bëri më pas me PS, nga e cila eleminoi gjithë figurat tradicionale dhe zhduku gjithë kritikët

Edhe pasi mori pushtetin me ndihmën e aleatëve, mezi priti katër vite për të kërkuar tepsinë i vetëm. Ai u tregua i gatshëm të bënte marrveshje me Avdylajt dhe çamët e Dibrës vetëm për të fituar pa koalicione.

Pra, çdo njeri me mend në kokë e ka të qartë se oferta dashamirëse e Edi Ramës për bashkëqeverisje është një spekullim.

Po le të ndalemi për një moment dhe ta marim këtë hipotezë seriozisht. Le të supozojmë për një çast se tekat zgjedhore nuk do ti lënë asnjë partie mundësinë e krijimit të qeverisë. Le të imagjinojmë se vendi do të gjendej përballë dilemës, ose një koalicion i madh, ose përsëri zgjedhje.

Sërish, në këtë rast oferta e Ramës do të qe e pamundur të realizohej. Edhe nëse numrat i impononin bashkëqeverisje, PD nuk mund të jepte kurrë votat e saj për të ribërë kryeministër dikë që shqiptarët nuk e kishin votuar si të tillë. Qëndrimi i PD mund të qe: pranimi i një koalicioni, po pa Edi Ramën kryeministër. Pra edhe nëse do të mund ta pranonte herezinë e bashkëpunimit me rilindjen, opozita do të ishte e dënuar për të kërkuar largimin nga froni të njeriut që e ka vizatuar si baronin e kimit, drogës dhe korrupsionit. Nëse nuk do donte të shkrihej apo të shkërmoqej, PD nuk mund të përkulej para pushtetit të Ramës.

Por, një formulë e tillë as që do i interesonte një njeriu që e do pushtetin vetëm për vete. Ai do e refuzonte atë. Kjo kuptohet, që tani, kur Rama flet për veten dhe jo për PS-në. Ai fton personalisht Bashën për bashkëpunim dhe jo përtinë që ai përfaqëson. Qëllimi i tij është një dhe i vetëm, të mbetet në zyrën me flutura.

Nga ana tjetër, nëse opozita e bashkuar nuk arrin ti fitojë zgjedhjet ndaj Ramës (e këtu përfshij edhe manipulimet monstruoze që po përgatiten), Lulzim Basha nuk do ta kishte fuqinë ta përfaqësonte i vetëm atë. Ai më shumë do të duhej të mendonte për dorëheqjen personale, sesa për krijimin e një qeverie koalicioni.

Prandaj, ftesa që bën Rama edhe sikur të qe e sinqertë, është praktikisht e pamundur. Edi dhe Luli mund të bashkëpunojnë një ditë, por vetëm pasi të kenë dalë nga politika. Askush nga të dy nuk e ka luksin të bëhet shtojcë e tjetrit pas 25 prillit.

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

“Masakra zgjedhore”?/ I mbani mend ç’thanë panelistët natën e 25 prillit pas exit polleve

Publikuar

-

Nga

“Masakra zgjedhore”? I mbani mend ç’thanë panelistët natën e 25 prillit pas exit polleve

Nga Ylli Pata

Le të kthehemi pak në natën e 25 prillit, sidomos kur dolën exit pollet që parashikonin një epërsi të PD-LSI apo mos arritjen e 71 mandateve nga Edi Rama.

Këto momente janë përjetësuar edhe në një kolazh filmik që u bë viral para ca ditësh në rrjete. Hullia e debatit ishte krejt ndryshe; njëri fliste për një fitore të opozitës si pasojë e Trupave të Mbrojtjes së Votës, që sipas tij arritën të sprapsin “regjimin e Edi Ramës”.

Dikush tjetër thoshte se triumfi i opozitës në Tiranë është sinjali i pastër i fitores, që tregon se pikërisht në qendrën e qytetaruar njerëzit dolën masivisht dhe votuan për ndryshimin.

Presidenti i Republikës tha se “procesi zgjedhor ka marrë 10 me yll”, ndërsa Lulzim Basha gjithashtu vlerësoi në mënyrë të “shkëlqyer”, daljen e njerëzve në mënyrë demokratike në votime dhe shprehjen e vullnetit të tyre.

Kështu thanë pak a shumë edhe panelistët pro opozitës, megjithëse ndonjëri si Bushati, nuk se i besoi aq shumë, por të tjerët ishin në eufori.

Sikur të nesërmen në mëngjes, trendi i numërimit të zgjedhjeve do të kishte përforcuar exit pollet, atëherë përshkallëzimi i euforisë së darkës do të bëhej me gazin në dërrasë, e me marshin e 6-të.

Blerja e votës do të ishte një frazë arkeologjike e përdorur vite më parë, që do të harrohej si koncept.

Mirëpo, gjithçka ndryshoi në mëngjes, kur exit pollet nuk u konfirmuan nga kutitë e votimit. Në fillim pati një heshtje të gjatë, madje edhe një inkurajim të fortë nga Lulzim Basha e Ilir Meta që të numëroheshin votat se aty ndodhej fitorja e opozitës. Madje deklaruan se në fillim po numërohen qendrat pro qeverisë dhe po lihen në fund ato të bastioneve të opozitës. Po flitej për Tiranën.

E kur u numëruan të gjitha votat e Tiranës: doli se opozita kishte fituar vetëm dy njësi administrative në të gjiithë qarkun: njësinë 8 me 400 vota plus dhe Kamzën. Të gjitha të tjerat PS fitoi me diferencë të madhe.

Pati 24 orë “refleksion” dhe nisi e ashtuquajtura fabul për “masakrën parazgjedhore”.

Dhe në fakt, në vend që të analizohen votat e hedhura në kutitë e 25 qershorit, që janë një objekt i pafundëm analizash dhe përfundimesh politike, diskutohet për hipoteza e për akuza ku nuk ka asnjë provë.

Madje Andi Bushati, nuk është i kënaqur me këtë situatë dhe i kërkon paneleve televizive të mos merren as me fatin e Lulzim Bashës si humbës, e as me rezultatin, por thjesht me “masakrën”.

Po kush e vendos që në Shqipëri procesi zgjedhor ka qenë një masakër? Zgjedhjet tek ne i administron PS dhe PD që kanë krijuar të gjitha komisionet zgjedhore, grupet e numërimit, e deri në KQZ.

Çdo veprim që merret në zgjedhje, votim, numërim, e tabulim nuk mund të merret nëse nuk ka një miratim si nga komisionerët e PS-së, ashtu edhe nga të PD-së.

Pas komisionerëve, që janë nëpunës të emëruara nga opozita, janë gjykata, por edhe arbitri ndërkombëtar, pra OSBE-ODIHR dhe kancelaritë kryesore të Fuqive të Mëdha.

Tani, i bie që të gjithë këta: komisionerë, KQZ, gjykata, OSBE-ODIHR, por edhe SHBA, Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe etj përkrahin “masakrën zgjedhore” e vetëm panelistët që ndryshuan mendjen janë për “zgjedhje të lira”.

Në zgjedhjet e vitit 2009, vëzhguesit e OSBE-ODIHR-it deklaruan se “procesi numërimit shkoi keq dhe shumë keq në pjesën dërmuese të KZAZ-ve”, një frazë që në mënyrë të qartë vinte dyshimin e legjitimitetit të zgjedhjeve. Por asnjëherë nuk u fol nga këta panelistë që janë pot ë njëjtit prej shumë vitesh se ka pasur “masakër zgjedhore”.

Për të parë sjelljen e tyre, mjafton t’i ktheheni mbrëmjes së 25 prillit, është edhe me video…

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Eduard Zaloshnja/ A u rritën PS e PD në kurriz të LSI-së?

Publikuar

-

Nga

Eduard Zaloshnja

Për të ditur se sa votues iu shtuan/pakësuan partive që arritën të fitojnë mandate parlamentare, duhet ditur së pari sa prej votuesve që i votuan këto parti para katër vjetësh janë aktualisht gjallë dhe fizikisht në Shqipëri.

Duke përdorur të dhënat mbi vdekjet vjetore dhe mbi emigracionin që raporton INSTAT-i, si dhe duke faktorizuar faktin që më 2017, në 20% të qendrave të votimit, u konstatua votim familjar për të afërm që ishin në emigracion (shihni raportin e ODHIR/OSBE), mund të ekstrapolohet se rreth 700 mijë nga ata që votuan PS-në para katër vjetësh janë aktualisht gjallë dhe fizikisht në Shqipëri (për PD-në, shifra është rreth 400 mijë dhe për LSI-në, rreth 200 mijë).

Por sa votuan më 25 prill për këto parti? Numri i votave të vlefshme nuk na jep një përgjigje të plotë për këtë pyetje, sepse mbi 83 mijë fletë votimi dolën të pavlefshme nga lloji i fletws sw votimit në formë fjalëkryqi. Po presupozojmë se shpërndarja e fletëve të pavlefshme ishte pak a shumë proporcionale për partitë e mëdha (ndonjë parti e vogël pa numërues në komisione mund të jetë penalizuar te fletët e pavlefshme, por kjo nuk ndikon shumë në shpërndarjen proporcionale për partitë e mëdha).

Bazuar në presupozimin e mësipërm, mund të ekstrapolohet se rreth 808 mijë votues votuan për PS-në, pavarsisht se disa mijra nuk e zgjidhën saktë fjalëkryqin e fletës së votimit… Në të njëjtën mënyrë mund të ekstrapolohet se rreth 655 mijë votues votuan për PD-në dhe rreth 115 mijë votuan për LSI-në.

Grafiku shoqërues ilustron qartë se rritja e madhe e numrit të votuesve të PS-së dhe PD-së (përkatësisht 108 mijë dhe 255 mijë) nuk shpjegohet vetëm me tkurrjen e LSI-së. Të dyja partitë e mëdha (e sidomos PD-ja) sollën në kutitë e votimit shumë më tepër votues se sa ishte deficiti i LSI-së (85 mijë).

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Andi Bushati/ Ramizmi si debilizim i shoqërisë

Publikuar

-

Nga

Ramizmi si debilizim i shoqërisë

Kasaphana elektorale që organizoi rilindja në 25 prill po fillon të prodhojë efekte shumë më shqetësuese sesa rrëmbimi i pushtetit për një mandat katër vjeçar. Justifikimi i suksesit të tretë të Ramës dhe domosdoshmëria e mbajtjes në këmbë të një pushteti të fituar përmes parave dhe bandave, po shpie deri në debilizimin e debatit publik në vend. Boll të kqyrësh emisionet e mbrëmjes në TV dhe nuk e ke të vështirë të kuptosh se publikut po i serviret një realitet alternativ.

Le të marrim një shembull.

Prej ditësh opozita, jo vetëm LSI apo PD, por edhe parti të tjera më të vogla, po flasin për një masakër elektorale të pa parë ndonjëherë. Dikush pretendon për pjesmarrje të krimit të organizuar në fushatë, dikush tjetër për blerje masive vote, dikush për fletë të prishura qëllimisht, për të plotësuar numrin rekord të 85 mijë votave të pavlefshme.

Pyetja që shtrohet është: A duhet të përbënte minimalisht kjo temë interesin e një debati serioz televiziv? Edhe në qoftëse këto pretendime nuk qenkeshin reale, edhe nëse ato kishin për qëllim justifikimin e humbjes nga Luli apo Monika, për të ruajtur karriget e tyre, a nuk duhej analizuar pretendimi i përfaqësuesve të më shumë se gjysmës së elektoratit shqiptar? A nuk duhej debatuar kjo temë qoftë edhe për ta zhbërë mitin e grabitjes së votës?

Deri më sot që flasim asnjë nga debatet “serioze” politike nuk ka pasur emision me titullin: “A u vodhën zgjedhjet”. Ato kanë preferuar tema si, a do shkakrohet Meta, a do dorëhiqet Luli, a do ketë koalicion të madh, a është demokratike PD.

Mjafton kjo frikë e përhapur se mos gërvishtet varaku i pushtetit, apo autoçensura që i thërret së brendëshmi aktorët e studiove: “ç’të duhet ty, ti do e rregullosh këtë vend”, – për të kuptuar gjendjen ku ka degraduar debati publik.

Por, ka edhe më keq sesa kaq. Pra, më keq sesa shtrëmbërimi i rezultatit në kuti, apo ushqimi i qytetarëve me debate “fake” që i mbivendosen qëllimisht atyre reale.

Mjafton për këtë të shohësh korin laraman të mbrojtësve të Ramës, të përbërë, ca nga përfitues tenderash e parash publike, ca nga servilë të të gjitha pushteteve dhe ca nga idiotë të dobishëm, që pretendojnë se po luftojnë ende traditën e berishizmit. Eshtë interesante të qëmtohen argumentat e tyre.

Ata thonë se opozita nuk duhej të ngrinte grupe të gatshme për mbrojtjen e votës, por harojnë që këto ishin vetëm rrjedhim i sekuestrimit të kartave të identitetit në këmbim të parave, që po bëhej ditën për diell në qendrat e qyteteve.

Ata thonë se opozita duhet të besojë tek institucionet dhe harojnë që SPAK dhe Drejtori i përgjithshëm i policisë, favorizuan bandat në krimin e Elbasanit.

Ata çirren dhe skandalizohen kur përmendin vetgjyqësinë, por nuk shqetësohen aspak për banditët që ikin në drejtim të paditur apo për krimet që mbeten pa ndëshkuar.

E njëjta fabul absurde përsëritet edhe për historinë e shkarkimit të presidentit. Të gjithë që vënë kujën për rëshkitjen e tij nga korniza kushtetuese, as nuk duan ti’a dinë për abuzimet e qeverisë me paratë e tërmetit, me punësimet sezonale, me bonusin e bebeve të shpërndarë në fushatë, me përdorimin e të dhënave personale, me kërcënimin e administratës në funksion të votës. Pra logjika është: qeveria ka të drejtë ta shkelë ligjin, kundërshtarët e saj duhet të jenë të përpiktë me të.

I njëjti nonsens përsëritet edhe kur në debate përdorët argumenti i Tom Doshit apo Aqif Rakipit, si anomali që nuk kanë asnjë logjikë politike. Analistët pro Rama, që situata e re i ka degraduar në kamikazë të Tomës dhe Qifes, të thonë se rezultati i tyre është real, pasi ata kanë rreth të gjërë, shokë dhe miq.

Edhe kur dikush i vë përballë një precedenti skandaloz, si ai i përdorimit të “komitetit të ekpertëve anti kovid” për të mbyllur kufirin me Greqinë, me qëllim pengimin e votës së emigrantve, përgjigjja është rrënqethëse: pse do lejonin Vangjel Tavon të mbushte autobuzë me rektutët e tij?

E pra, në këtë pikë kemi mbërritur pas 25 prillit.

Publikut po i imponohen debate fallco. Pushteti ka rekrutuar kamikazë, të gatshëm të heqin dorë nga dinjiteti dhe logjika minimale për të marë rolin e violinës së parë në to. E gjithë kjo bën që shoqëria të kyçet në një realitet imagjinar, shumë më të largët sesa shqetësimet e saj reale.

Dhe ky me sa duket do të jetë problemi relal i mandatit të tretë. Jo vota e vjedhur. As vazhdimi i abuzimit me dhjetë oligarkë dhe shpërndarja e parasë për ta. As shkatërrimi drejtësisë që po kthehet më keq se në kohën e plepave. Me to tashmë jemi mësuar.

Ekuacioni ka ndryshuar. Sepse një pushtet ilegjitim nuk mund të mbrohet asesi nga një fabul logjike. Ai ka nevojën e absurdit për tu mbajtur në këmbë. Atij i duhen partizanë që të linçojnë viktimat para agresorëve; Që ulërasin për pasojat, pa parë shkaqet; Që skandalizohen nga ai që kërkon të mbrohet kur nuk ka ligj dhe jo nga ai që e shkel atë.

Në fakt, nuk ka se si të jetë ndryshe. Aty ku pluralizmi politik kthehet në farsë edhe ai i ideve nuk mund të mos pësojë të njëjtin fat.

Një fabul të tillë, që e kemi ende të freskët nga historia jonë, po e shohim në forma të ndryshme edhe në Rusinë e Putinit apo në Turqinë e Erdoganit. Edhe Ramizmi është në të njëjtën rrugë. Ai sapo ka filluar debilizimin e debatit publik, duke e parë si të vetmin mjet për të sunduar një shoqëri të ligështuar dhe pesimiste që i ka ulur armët e rrezistencës.

LEXO TE PLOTE