LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Reciton” dr. Pipero nga belaja

13 Prill 2021, 14:16, Opinione CNA
“Reciton” dr. Pipero nga belaja

Nga Erion Dasho

Dje me një grup analistësh të njohur, Dr. Pipero u përpoq të mbronte angazhimin e vet politik nëpërmjet spotit tashmë të njohur elektoral. Duke më bërë përshtypje shmangia e doktorit nga pyetjet e analistëve të cilat ishin kryesisht me karakter politik, i drejtova një pyetje teknike nëpërmjet moderatorit të emisionit, të cilës ai gjithashtu ju shmang.

Pavarësisht 30 minutave intensive të debatit, përsëri mbeti pa sqaruar pyetja: ?Përse u shndërrua në kartë politike një nga figurat e vlerësuara të shqiptarëve të fillimit të pandemisë?!?

Në fakt, Dr. Pipero nuk është vetëm personazhi i vlerësuar mediatik, ai është edhe mjeku klinicist dhe drejtuesi i një prej reparteve të spitalit COVID-1, profesori i fakultetit të mjeksisë dhe pronari i një klinike private në një nga zonat luksoze të Tiranës.

Në secilin prej këtyre angazhimeve mund të fshihen edhe arsyet e vërteta të cilat mund ta kenë detyruar Dr. Piperon të bëjë një kapërcim i cili për gjithëkënd duket i pakuptueshëm.

Në spitalin ku punon Dr. Pipero ka patur vazhdimisht ankesa për trajtim jo cilësor të pacientëve, mungesë transparence dhe vdekje të larta midis pacientëve. Në këtë klinikë u denoncua nga kreu i opozitës fshehja e vdekjeve nga COVID, fshehje të cilën e provoi më vonë edhe INSTAT. Së fundi, në këtë spital pati edhe akuza për mitmarrje, përfitim përqindjesh nga recetat e fryra dhe referimet për trajtim jashtë vendit.

Nga universiteti ku jep mësim Dr. Pipero pritej lidership në përpjekjet për kontrollin e epidemisë, priteshin protokolle të përditësuara, pritej të drejtonte trajnimin e gjithë kaskadës së bluzave të bardha, nga infermierët e fshatrave deri tek profesorët e fakultetit, pritej mendim shkencor për cështje madhore si testimi, gjurmimi dhe vaksinimi.

Nga klinika private e Dr. Piperos pritej shembulli se si një operator privat duhet të sillet në kushte fatkeqësie kombëtare. Pritej të tregonte se në ekonominë e tregut fitohet por nuk spekulohet. Pritej të tregonte se jo marzhet 2 mijë përqindëshe, por ato të logjikshme duhej të ishin fytyra profesionale dhe humane e përgjigjes ndaj pandemisë.

Faktikisht, nuk e pamë Dr. Piperon të qëndronte në mbrojtje të këtyre parimeve, sikundër do t’i shkonte për shtat një qytetari nderi si ai, një personaliteti të cilit i këndojnë këngë dhe një personazhi të dashur sipas emrit të të cilit u emërtuan edhe picat e fëmijëve.

Dalja publike e Dr. Piperos u dhemb qytetarëve, jo sepse ai mori një anë politike (sepse këtë ka të drejtë ta bëjë kushdo) apo sepse ai dizinformoi duke akuzuar pa të drejtë kundërshtarët politikë me një akuzë të sajuar (sepse qytetarët kanë parë e dëgjuar akuza të falsifikuara nga më monstruozet), por sepse gjatë një viti qytetari nuk e ndjeu më Dr. Piperon pranë tij, sikundër ndodhi gjatë javëve të para të pandemisë.

Në këto kushte, ne, miqve të tij, na lind e drejta ta shohim në sy dhe ta pyesim:

Ç’bela të detyroi të “recitoje” në atë spot, miku dhe kolegu ynë?!

Shënim: ky postim i dedikohet me emër një kolegu. Çdo koment me përmbajtje jo etike do të fshihet.

Lajmet e fundit nga