Connect with Us

Mbetjet urbane/ Projektet ku u shpenzua më shumë në 2020 ishin inceneratorët

Aktualitet

Mbetjet urbane/ Projektet ku u shpenzua më shumë në 2020 ishin inceneratorët

Publikuar

-

Incinerators scandal now and as a criterion in tenders

Share on FacebookShare on LinkedInTweet about this on TwitterEmail to someonePrint this page
Pavarësisht situatës së pandemisë që ngadalësoi shumicën e projekteve në ekonomi në vitin 2020, tek menaxhimi i mbetjeve panorama shfaqet e ndryshme.

Inceneratorët kanë qenë ata që pavarësisht situatës kanë marrë pjesën më të madhe të parave ndërkohë që pjesa tjetër e projekteve shfaqin realizim të dobët me shpenzime që shkojnë deri në 9 për qind në raport me planin e fillimvitit e te tjere mbeten ende ne leter pasi presin nenshkrimin e marreveshjeve te financimit.

Në një përmbledhje të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë jepen edhe detajet për projektet.

Por cilët janë në fakt projektet e menaxhimit të mbetjeve urbane që u realizuan vitin e kaluar sipas programit të ministrisë. Së pari projekti “Impianti i prodhimit të energjisë nga mbetjet në Fier”. Në buxhetin e rishikuar janë planifikuar 755,500,000 lekë dhe realizimi financiar është 752,770,000 lekë ose 99,6% e realizuar.

Së dyti projekti “Impianti i prodhimit të energjisë nga mbetjet në Elbasan (Inceneratori i Elbasanit)”, janë parashikuar 586,770,000 lekë dhe realizimi financiar është 582,720,000 lekë ose 99,3% e realizuar.

I treti projekti “Administrimi i mbetjeve të ngurta në Juglindje të Shqipërisë, Faza e dytë”, plani është 55,000,000 lekë dhe realizimi financiar 35,911,000 lekë, ose 66 % e realizuar. Problematikë gjatë zbatimit të projektit ka qenë kundërshtimi i ndërtimit të stacionit të transferimit të mbetjeve në Pogradec, nga banorët e zonës. Bashkia Pogradec në bashkëpunim me donatorin (KfË) kanë vendosur që ky stacion, të mos ndërtohej dhe transporti i mbetjeve te bëhet drejtpërdrejtë në landfill. Projekti, ishte parashikuar të përfundonte brenda vitit 2018, por është shtyrë me marrëveshje të nënshkruar midis KfË-së dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë deri në fund të vitit 2020. Nga KfË dhe KRËM është kërkuar shtyrja e këtij projekti edhe për vitin 2021.

Së katërti projekti “Administrimi i mbetjeve të ngurta në juglindje të Shqipërisë, masa shoqëruese(Faza e II)”, plani është 80,000,000 lekë dhe realizimi financiar 6,773,379 lekë ose 9%.

“Projekti “Ndërtim venddepozitimi i Bushatit (faza II)”, është planifikuar 15,000,000 lekë dhe realizimi financiar është 15,000,000 lekë ose 100% e realizuar. Projekti zbatohet nga Bashkia Vau i Dejës dhe nuk është paraqitur ndonjë problematikë në MIE.

Projekti “Punime shtesë të impiantit të trajtimit të ujërave dhe shtresave të landfillit Bajkaj”, në vlerën 10,400,000 lekë. Projekti nuk ka pasur realizim financiar, pasi kontrata nga Qarku Vlorë është lidhur në datën 10.12.2020 me operatorin fitues dhe për këtë arsye nuk është bëre e mundur financimi i saj.

LEXO EDHE:  Kosovë, 10 mln euro në vit veç për zyrtarët e Qeverisë

Projekti “Sistemi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Qarkun e Beratit”, është planifikuar 140,000,000 lekë dhe realizimi financiar ne vlerën 35,426,000 lekë, ose 26% e realizuar. Për zbatimin e këtij projekti është nënshkruar një marrëveshje shtesë dhe pritet disbursimi i projektit.

Projekti “Sistemi i menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Qarkun e Vlorës”, plani 439,499,000 lekë dhe realizimi financiar 466,691,000 lekë, ose 107% e realizuar. Ky tejkalim plani, ka ardhur nga fondet e planifikuara per financimin e huaj, nga fondet e Kredise.

Projekti “Mbyllja dhe rehabilitimi i venddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta, EKOPark Durrës”, plani 843,400,000 lekë dhe realizimi financiar 835,328,000 lekë, ose 99% e realizuar. Projekti është duke u zbatuar nga AKUM dhe po realizohet sipas kontratës.

Projekti “Projekti në fushën e mbetjeve të ngurta financuar në kuadrin e Ekonomisë Cirkulare”, plani 11,000,000 lekë. Gjatë vitit 2020, nuk ka pasur realizim financiar, pasi projekti është në fazën e nënshkrimit të marrëveshjes së financimit me BE-në.

Projekti “Ndërtimi i stacioneve të transferimit të mbetjeve sipas parashikimeve të Masterplanit të Mbetjeve”, plani 10,000,000 leke. Gjatë vitit 2020, nuk ka patur realizim financiar, pasi projekti është në fazën e nënshkrimit të marrëveshjes së financimit me KFW-në.

Projekti “Projekte për mbështetjen e zbatimin të Masterplanit të Mbetjeve të Ngurta”, plani 5,202,000 leke dhe për vitin 2020, nuk ka pasur realizim financiar, pasi projekti është në fazën e nënshkrimit të marrëveshjes së financimit me KFW-në.

Projekti “Ndërtimi i landfillit rajonal Berat dhe masa shoqëruese”, plani 10,000,000 lekë dhe për vitin 2020, nuk ka pasur realizim financiar, pasi projekti është në fazën e nënshkrimit të marrëveshjes së financimit me KFË-në” thuhet në dokument./Monitor

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Politikë

Përplasjet mes socialistëve për korrupsion/ Petro Koçi “dush të ftohtë” Artan Lames

Publikuar

-

Nga

Deputeti Petro Koçi nuk ndalet nga denoncimet për Fierin. Edhe pas dëshmisë në SPAK, ai sërish është ndalur të Kadastra e Fierit, ndonëse me një ton më të zbutur.

“Politika, në emër të qytetarëve e ka për detyrë të reflektojë e të kërkojë performancë, sipas ligjit në çdo institucion.

Kadastra, si e kam thënë edhe në analizën paraprake të zgjedhjeve është një sektor që krijoi kosto politike dhe elektorale në Fier.

Pra, politika nuk ka pse i rri larg institucioneve.

Larg institucioneve duhet të qëndrojnë korrupsioni, shpërdorimi i detyrës, tallja me njerezit, kapadaillëku dhe niveli i ulët i shërbimit.

Këto s’kanë nevojë automatikisht për SPAK. Ka nevoje në radhë të parë për ndërhyrje dhe masa administrative.

Por, ka raste që dikush duhet çuar edhe në SPAK”, ka shkruar Koçi në rrjete sociale.

Këtë reagim deputeti socialist e ka bërë pas deklaratave të Drejtoritë të  Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, një ditë më parë nga Patosi.

Pasi Lame kërkoi që politika mos përfshihej me punët e Kadastrës, duke  thënë që me drejtimin e “anijes le të merret kapiteni”.

LEXO EDHE:  Emrat/ Timoni i Qeverisë në duart e ish-drejtorëve të Bashkisë

LEXO EDHE:  Siri, 71 persona u vranë nga bombardimi i trupave qeveritare

“Pa dashur të hyj në polemika, politika ti rrijë larg këtij procesit. Të merret me vizion dhe drejtimin. Kapiteni i anijes le të drejtojë anijen, ai që mban motorin (Kadastra) le të na lënë të bëjnë punën. Ndryshe po ngatërruam rolet anija ose nuk do ecë ose do të përplaset diku. Politika të rrijë larg këtyre proceseve.

Unë vetë si drejtor i përgjithshëm i kadastrës kam çuar dhe po çoj dosje për hetim të mëtejshëm, me një arsyetim shumë të thjeshtë. Ka dy kategori dosjesh me probleme, e para mitmarrja, gjoba, futja e dorës në xhepin e tjetrin. Dhe e dyta janë problematikat e trashëguara, shit-blerjet e dyshimta, regjistrime të dyshimta, troje  të dhëna këtu e të regjistruara në vend tjetër. Kjo kërkon kohë. Me të dy këto procese po ecim. Bujrum kush të dojë le të vijë Prokurori dhe SPAK të na ndihmojë në këtë proces”, tha Artan Lame një ditë më parë, i pyetur nga gazetarët në lidhje me akuzat e deputetit Petro Koçit./CNA.al

LEXO TE PLOTE

Kronika

Prokurorë, policë, një shef SHIK-u dhe një drejtor Hipoteke të përfshirë në trafikun e drogës/ Zbulohet skandali që fsheh SPAK

Publikuar

-

Nga

Nga Elton Qyno

Dalja në skenë e operacionit “SHPIRTI”, solli dhe një deklaratë pompoze në Tv, e cila gjeti mjaft përhapje në rrjet, se në dëshminë e bashkëpuntorit të Drejtëisë (Penditos), kishte dalë dhe një gazetar i Kronikës së Zezë.

Sipas lajmit dhe analizës së gazetarit në studio, gazetari i famshëm i kronikës së Zezë, kishte marë lek për të goditur grupin rival të Ilir Duçkollarin, me qëllim denoncimi i parcelave të drogës në media.

Deklarata u bë dhe lajmi mori dhenë. Një gazetar i famshëm ka rënë në takamin e SPAK-ut. Dhe me këtë situatë që është bërë tani, SPAK-u po të kapi, ta hapi.

Atë ditë s’më ka pushuar telefoni. “…Ore kush është ky gazetar…”-njëri, “…kush është një gazetar… tjetri…”-më pyeste dynjaja.

“…Ore ikni se po ha bukë, ikni se s’ka gazetar, e nëse ka, gazetari informacion mer ngado, bilbil fryrësa ka dhe nga krimi jo vetëm në administratë…mjafton që gazetari ta verifikojë vërtetësinë e informacionit dhe është në rregull”-ja ktheja unë.

“…Jo na thuaj gazetarin se ti duhet ta dish diçka, se ke punuar aty gjithë atë kohë tek media që e publikoi…”, më drejtoheshin telefonuesit. Pastaj bënin disi një pauzë 3 apo 4 sekondëshe dhe më pyesnin, “…ore se mos je ti që ke dalë në përgjime ose ndonjë Tan Hoxha…”? Ueee nuk mbaronte interesi.

“…edhe mundet, çfarë s’bën vaki, vjen dita dhe momenti dhe del në ndonjë vend. Mos prisni që të dal në ndonjë përgjim me Dua Lipën. Unë nuk mbuloj kulturën, Shoë Biz, por Kronikën e Zezë në Shqipëri…” .

“…rini pa merak se nuk ka gazetar…”- mo shoku. E nëse ka dalë në përgjim apo në ndonjë dëshmi pendito, s’besoj se ka ndonjë të keqe dhe përgjegjësi penale, gazetari. Edhe mua më doli emri tek dosja e “Shullazit”, se kisha takuar penditon, Ylvi Beqja, por ku ishte gabimi im këtu??? Unë punën bëra. Po të mos takoj njeri, do shkojë do e takojë dikush tjetër dhe do publikojë lajmin…”- i thashë.

Mirëpo lajmi se gazetari, i lidhur me krimin, doli dhe u lançua aq fort sa u përhap në gjithë kasabanë e mediave online, e s’kishte njeri këllqe ta kundërshtonte pastaj.

“…Mbajeni, e ka thënë i penduari, e ka thënë dhe televizori…”-thoshte dynjaja.

Lere pastaj të shikoje komentet në youtube e aplikacione sociale. Aty kishte plasur kuici se kush e gjente emrin e gazetarit, që kishte bashkëpunuar me grupet kriminale të Vlorës. “…Është Fevziu tullaci…”, thonte njëri. Mandej dikush shkruante “…është dyshja Qyno-Tan Hoxha…”. “…Klod Lala është e sigurt…”, ja kishte futur një tjetër. Komentet vijonin me selektimin e emrit të Andi Bushatit, deri tek Alfred Peza, që sot e kësaj dite nuk është më gazetar, por anëtar aktiv i Partisë Sociliste.

Kur s’ke çfarë bën dhe të marin dhe njerëz në telefon, filloi e më kapi një e qeshur. Qesha sepse rrëfimin e bashkëpuntorit të drejtësisë e kam prej disa kohësh dhe e lexova dy herë. Madje një pjesë të këtij rrëfimi e botova dhe tek televizioni “Ora Neës”. Por çuditërisht nuk gjeta asnjë fjali që të flitej për gazetar, dhe jo më për emra të përveçëm.

Po ku të ketë dalë, ky bimbash gazetar?-thashe me vete. Thjesht për ta ditur kush është, se nuk më interesonte të publikoja emrin për skup. E më kapi dalldia edhe mua, shiko andej e lexo këndej. Hap dosjen italiane me përgjime të operacionit “SHEFI”, ku u arrestuan për herë të parë klani i Ilir Duçkollarit në Bari, përfshirë dhe 4 penditot, por lesh s’dilte as aty gazetari.

E në fund thashë, “…varja nuk ja vlen…”. Është njësoj si ti thuash gazetarit Kolumbian, që gjeti një muaj pas arratisjes dhe intervistoi mbretin e kokainës Pablo Eskobar, se ti gazetar je i lidhur me kartelin e Medelinit. Ose karteli të ka paguar ty, për t’ja futur atyre të “Calit”, se Pablo s’kishte këllqe t’ia fuste vetë.

Ose është njësoj si ti thuash gazetarit Amerikan që intervistoi Bin Laden në perandorinë e tij të Al-Kaedës në Malet e Afganistanit, se je terrorist dhe bën lojën e terroristëve.

Tani vetëm nëse emrin e gazetarit, ta kenë përmendur tre bashkëpuntorët e tjerë të prokurorisë, të cilëve unë s’ja kam dëshminë, pasi kam mundur të siguroj vetëm të Mariglen Shushës ose siç njihet ndryshe në Vlorë me noflkën “Francezi”.

Unë kam dosjen e operacionit SHPIRTI, KULMI dhe SHEFI. Kam dhe një process-verbal të deklarimit të penditos Mariglen Shusha. Nuk kam tre process-verbalet e penditove të tjerë. Vetëm po ta kenë thënë ata gazetarin, por unë thëniet e tyre të plota nuk i kam.

Një deklarim i fundvitit 2019 i dhënë në Itali, ka sjellë finalizimin e operacionin “SHPIRTI”, duke treguar vazhdimin e operacioneve nga “SHEFI” tek “KULMI”, të kryer mes dy prokurorive të dy vendeve.

Në fakt “SHPIRTI”, i kryer në 2 Korrik 2021, kam përshtypjen se duhej të quhej “KULMI” i kryer në 2019, për shkak edhe të mënyrës se si është trajtuar rëfimi i bashkëpuntorit.

Prerja me gërshërë e deklarimit të tij dhe mënyrës së standardit të provës të sjellë në gjykim, çoi në arrestimin dhjetëra personave, mes tyre prokurorin e Vlorës, Maksim Sota, dhe disa zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, deri tek dy ish-shoqëruesit e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Mbi këtë histori jam vënë në dijeni qysh prej Marsit 2018, kur në mendian ku unë punoja më parë, kam publikuar dosjen italiane të Barit, që bënte fjalë për operacionin “SHEFI” dhe flitej për një “Dajo” nga Vlora.

Me këtë shkrim nuk dua t’i dal në mbrojtje asnjërit prej personave të proceduar në këtë çështje, por edhe tek dosja “SHPIRTI”, të cilët disa prej tyre i njoh, dhe nuk besoj se ata kanë nevojë për ndihmën time, në këtë proces gjyqësor që kanë nisur.

Sigurisht nga ana tjetër nuk dua që me këtë shkrim të sulmoj dhe paragjykoj askënd nga personat që përmend bashkëpuntori i drejtësisë, dhe që dy prokurorët e SPAK, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, si kanë përmendur farë në këtë procedim. Si ata që aktualisht janë proceduar dhe kanë dalë para gjykatës, qoftë dhe ata që janë në arrati por edhe ata që janë përmendur në dëshmi dhe nuk kanë dalë para gjykatës, unë i njoh të gjithë.

Mbase po nxitohem që po flas kaq herët, mbase po gaboj rëndë që po paragjykoj çështjen që sapo ka nisur, por me keqardhje e them se me këtë nivel provash dhe standard të ngritjes së akuzës, është e frikshme. Ma ha bukën e peshkut në mes të ditës.

Me këtë nivel manovrimi të sistemit të drejtimit që ka bërë prokuroria e posaçme SPAK, është e frikshme dhe tregon zig-zaket e saj, në këtë dosje penale. Teoria: “…ca të nënës dhe ca të njerkës…”, një teori që përdoret shpesh tek Vettingu, ka gjetur bazë dhe tek SPAK-u.

Por unë shpresoj se nuk duhet të gjejë zbatim në SPAK, në këtë organizëm që ndërkombëtarë mezi e ngritën dhe e sollën në këtë gjëndje që është tani.

Nëse goditja duhej bërë, le të bëhej për të gjithë me atë standard provash që është përdorur për ndalimet. Nëse s’duhej bërë, po kurrë të mos ishte finalizuar.

Për të gjitha ata prokurorë që nuk e dinë, përfshirë dhe Vladimir Marën dhe Dritan Prençin, u bej thirje të lexojnë procesverbalin e deklarimit të datës 4 dhjetor 2019.

Ky dokument tregon gjeneralitet e një personi të quajtur, Mariglen Shusha, që sipas të dhënave njihet në Vlorë me nofkën “Francezi”. Është njëri nga katër bashkëpuntorët e italianëve dhe shqiptarëve, në dosjet e trafikut të drogës nga bregdeti shqiptar në atë Italian.

“Francesi”, ka treguar emra të tjerë prokurorësh, policë, shef SHIK-u dhe një drejtor Hipoteke në Vlorë, si persona këta, që kanë ndihmuar, Ilirjan Zaimin alias Duçkollarin “Lani” ose “Daja” dhe anëtarët e organizatës së tij.

“Francesi”, nuk ka thënë asnjë emër gazetari. Vetëm nëse emrin e gazetarit e ka nxjerë në ditët kur është pyetur sërisht në itali, pas ndalimit të Sotës, Ilirjan Ballës dhe personave të tjerë. Për këtë s’kam dijeni. Por edhe nëse do jetë, për mua kjo puna e gazetarit është një pordhë me rigon. Vetëm kaq, asgjë më shumë.

Di të them vetëm kaq që është një proces-verbal deklarimi që mban datën 4 dhjetor 2019, ku Mariglen Shusha (Francezi), është pytur për herën e tretë në ambjentet e gjykatës së Barit.

Shusha, i cili konsiderohej si njeri i besuar i Ilirjanit Zaimit ose (Lanit), ka qënë personi që koordinonte veprimet e organizatës në zonën e Barit, duke u marë me pritjen e ngarkesave, magazinimin e tyre dhe më pas shpërndarjen e drogës, në disa rajone të Italisë.

Fillimisht Shusha, ka dhënë deklarime në datat 30 dhe 31 Maj 2019. Më pas në deklarimin e tretë, të datës 4 dhjetor 2019, ai ka bërë një rëfim “bombë” përpara tre prokurorëve Shqiptarë, Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Pranvera Pustina, që aktualisht është Drejtore e Kabinetit të Prokurorit të Përgjitshhëm, Olsi Çela.

I pranishëm në këtë rrëfim të datës 4 dhjetor 2019, ka qënë dhe magjistrati i Barit, Ettore Cardinali. Mariglen Shusha, në këtë rrëfim flet për prokurorin e Vlorës, Maksim Sota, njohjen e tij me shefin e organizatës, Ilirjan Duçkollarin, takimet me shokët tek kafe “Rey Caffe”, shtëpinë dhe ndihmën që i jepte Maksim Sota, Ilirjanit.

Shumë bukur “Francesi” i tregoi, dhe këta dy prokurorët në Tiranë, vepruan. I ranë dosjes në kokë. Futën në veprim operacionin “Shpirtushi”.

Prokurori i Vlorës, Maksim Sota, tashmë me këtë deklarim të datës 4 dhjetor, është ndaluar dhe çuar me masë sigurimi “arrest shtëpie”.

Ndërsa disa prokurorë të tjerë në SPAK, Fier dhe zyrtarë të tjerë në Vlorë, të përmendur në dëshminë e bashkëpuntorit, vijojnë të jenë ende në detyrë. A thua se nuk ka ndodhur asnjë gjë apo ata bëjnë sikur s’dinë gjë. Asnjëri s’ka dhënë dorëheqjen apo qoftë të shfaqë vullnetin, për tu verifikuar nga kolegët e tyre të SPAK-ut.

Ndërsa e njëjta dëshmi, ku janë përmendur këta tre prokurorët e tjerë, nuk vlen për prokurorët e çështjes, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, të cilët nuk kanë shtrirë fijen e “filispanjës” dhe tek personat e tjerë të përmendur në dëshminë e bashkëpuntorit të drejtësisë me nofkën “Francezi”.

LEXO EDHE:  Luan Bregasi kritika qeverisë/ “Nuk e përgatiti ekonominë për të përballuar situatën”

LEXO EDHE:  "Kotece 40 milionëshe nuk kemi parë"/ Këlliçi-Veliajt: Po shpenzon paratë e qytetarëve për propagandë

“Francesi”, foli dhe tha “…kemi dhënë 15 mijë euro tek Ilirjani për të nda siguruar mbrojtjen në tokë dhe 15 mijë euro tek Festimi për të na siguruar mbrojtjen në det…”.Dhe këta miqtë ikën u arrestuan. Por “Francesi”, ka folur dhe ka thënë se “…kemi dorovitur me 200 mijë euro dhe të tjerët, për të mbyllur çështjen e Myftarit…”, dhe SPAK-u, nuk ka vepruar.

Ose kjo gjë është bërë nga paaftësia e tyre, ose me qëllim, ose janë lënë disa emra pa u prekur, për një moment të dytë, kur të oganizohet një operacion i mëvonshëm. Por deri tani nuk ka një vendimarje për të vepruar, megjithëse emrat e zyrtarëve janë në dosje dhe penditoja ja ka rëfyer edhe përballë magjistratit Italian.

Deri në këto moment që flasim, e vlefshme kjo dëshmi e datës 4 dhjetor 2019, është vetëm për prokurorin Maksim Sota, shefin e trafiqeve në Policinë e Shtetit, Ilirjan Balla, ish-shefin e kufirit detar në Vlorë, Festim Lelaj, dy ish-shoqëruesit e ish-ministrit Saimir Tahiri dhe disa nga anëtarët e organizatës.

Ndërsa çuditërisht për disa emra të tjerë, dëshmia e Mariglen Shusha me pseudonimin “Franzesi”, nuk është e vlefshme dhe është “prerë me gërshërë” tek pjesët ku bashkëpuntori flet për ta.

Në fakt Mariglen Shusha, në dëshminë e tij të 4 dhjetorit 2019, flet për një ngarkesë prej 808 kg drogë, që organizatës që drejtohej nga “SHEFI”, Ilirjan Duçkollarit, ju u kap në Rradhimë. Afër hotel “Rexhinës”, në datën 10 nëntor 2015.

Shumë pranë drogës, u kap dhe një skaf me ngjyrë të bardhë, në emër të Robert Myftarit dhe një furgon me ngjyrë blu, i ngarkuar plot me drogë. Kjo gjë realisht ka ndodhur, pasi teksa kontrolloja në arkivën time, gjeta fotot e kapjes së drogës dhe skafit, pikërisht në periudhën kur i referohet penditoja.

Për këtë ngjarje Mariglen Shusha, tregon se policia shoqëronte furgonin me ngjyrë blu, të një mobilieri në Vlorë me emrin, Alban Kushi, pasi “Lani“ kishte marë garanci tek blutë e Vlorës.

Shoqërimi bëhej nga dy “Jeep-a” policie, thotë penditoja.

“Francezi”, ka treguar se duke qënë se skafi i bllokuar, i Ilir Duçkollarit, ishte rregjistruar në letra, në emër të Robert Myftarit, policia shpalli në kërkim Myftarin, i cili shkoi dhe u strehua në Kukës.

Ndërsa pronari i furgonit ngjyrë blu, ku u gjet sasia prej 808 kg drogë, Alban Koshi, është pyetur dhe ka deklaruar se: ”…furgoni që është gjetur në vendngjarje ja kishin vjedhur…” dhe është lënë i lirë menjëherë.

Çështja e kapjes së drogës, thotë dëshmitari përpara tre prokurorëve shqiptarë dhe një italiani, bëri shumë bujë në Shqipëri, dhe u fol dhe në parlament.

Për të shuar dyshimet për inkriminimin e policisë së Vlorës, në atë periudhë, Ilirian Balla, në datën 11 nëntor 2015, thëriti gazetarët e Vlorës dhe filmuan drogën në polici, pasi u organizua konferencë për shtyp.

Gjatë kësaj kohe Ilirjan Duçkollari, dyshonte se kapjen e sasisë së drogës ja kishte bërë Gjergji Kohila dhe Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeldi Çela.

Por këta të fundit dërguan njerës tek lokali i “Lanit”, se goditja e kësaj ngarkese nuk ishte bërë nga ata, por nga një oficer tjetër, me emrin Bashkim Imeraj.

Bashkëpuntori i drejtësisë në rëfimin e tij ka treguar se “Lani” dyshonte shumë për goditjen e drogës nga, Jaeld Çela, për shkak se vëllai i “Lanit”, Uran Duçkollari, kishte vrarë disa vite më parë një kushëririn e Jaeldit, në Romë të Italisë. Dhe përë këtë shkak marëdhënies mes tyre asnjëherë nuk ishin normalizuar asnjëherë.

Mirëpo gjatë kohës që u kap droga, “Lani” mbante konktakte dhe priste tek lokali i tij, dhe një punonjës tjetër policie në Vlorë me emrin, Henkeled Greku, i cili e informonte herë pas here.

Ndërsa çështja penale shkoi nga prokuroria e Vlorës në Tiranë, tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Shefi i dosjes, në Krimet e Rënda, thotë Mariglen Shusha, ishte prokurori aktual i SPAK-ut, Ened Nakuçi.

Në fakt dosja penale që bën fjalë për trafikimin e 808 kg drogë, mban numrin, e një burgu në Tiranë, Nr. 313. Kjo dosje është hetuar prej vitit 2015 nga prokurori i Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi.

Robert Myftari, që ishte në kërkim, thotë bashkëpuntori, vinte nga Kukësi në Vlorë dhe qëndronte në lokalin “Rei Caffe” në pronësi të Ilirian Duçkollarit dhe askush nga polcia e Vlorës, nuk e arrestonte.

Myftari, është vetëdorëzuar disa muaj më vonë dhe më pas është liruar.

Bashkëpuntori i drejtësisë me nofkën “Francezi”, u ka thënë tre prokurorëve shqiptarë, se ai së bashku me Ilirjanin, kanë shkuar nga Vlora në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe, kanë takuar një avokate, me qëllim për t’ju afruar, Ened Nakuçit.

Takimi në Tiranë me avokaten është bërë dhe sipas tij ajo i kishte pohuar se do fliste dhe më pas do i kthente një përgjigje. Pas këtij takimi, Ilirjani së bashku me Mariglen Shushën, janë larguar nga Tirana për në Fier, ku kanë takuar një prokuror tjetër të Fierit, Erind Rahovicën.

Sipas bashkëpuntorit të drejtësisë, ky prokuror ishte qeros, me disa shenja si puçra në fytyrë dhe ishte vëllai i një parlamentari nga Berati, që ka hotel “Tomorin” në Berat.

Në këtë takim, thotë bashkëpuntori, kam qënë vetë i pranishëm, ku “Lani” i ka prezantuar situatën që kishte me prokurorin, Ened Nakuçin. Pas bisedës me të (Lani) ka nxjerë nga çanta shumën prej 10 mijë euro, që t’ia jepte prokurorit të Fierit, por ai nuk ka pranuar t’ia marë. Sipas rëfimit të Mariglen Shusha, Erindi, i ka thënë se duhet të flisnin me një kushëririn e Enedit.

Mirëpo, në Fier, Shusha dhe Lani, kanë takuar dhe një prokuror tjetër, me emrin Miri apo Sajmir, i gjatë dhe i dobët, por mbiemrin nuk ja mban mend.

Bashkëpuntori, i drejtësisë i ka treguar tre prokurorëve shqiptarë se për të zgjidhur çështjen në Tiranë, “Lani”, kishte folur dhe me Maksim Sotën, Rezartin, Drejtorin e Hipotekës Vlorë dhe një avokat, Arian Isufaj nga Vlora, të cilin e kishte vënë për të mbrojtur interesat e Robert Myftarit.

Mariglen Shusha, ka treguar në prokurori se “Lani” interesohej ta zgjidhte çështjen pasi nuk donte ti hapeshin probleme, pasi gruaja dhe vëllai i Robert Myftarit, herë pas here vinin e takonin tek lokali, duke e pyetur se çfarë kishte bërë,deri ku kishte shkuar me negociatat, pasi Myftari edhe mund të fliste për çështjen e pronësisë së gomones dhe 808 kg hashash.

Ata i kërkonin “Lanit” që ta lironin Myftarin para Vitit të Ri. Të gjitha shpenzimet financiare, avokat, gjyqe e ushqime në burg, i kishin të hequra nga “Lani”.

“Lani”, sipas dëshmitarit impenjoi për zgjidhjen e çështjes disa persona mes të cilëve dhe Landin, një psikolog të gjykatës së Vlorës.

Bashkëpuntori, ka treguar se ai nuk ka qënë në të gjitha takimet që ka bërë “Lani”, për zgjidhjen e çështjes, pasi ishte larguar në Itali, për tu marë me punët e organizatës.

Por sipas tij, “Lani” i ka thënë se për të mbyllur dosjen, kishte dhënë një shifër që varion nga 150 deri në 200 mijë euro.

Në fakt më datën 25 nëntor 2016, nga ana e prokurorit të çështjes, Ened Nakuçi, është vendosur pushimi i hetimeve ndaj, Robert Myftarit, i cili është arrestuar për 808 kg lëndë narkotike, si i dyshuar për veprën penale të “Trafikimit të Narkotikëve” kryer në bashkëpunim. Kjo ka sjellë lirimin e Myftarit, përpara Vitit të Ri, ashtu siç kërkonin dhe ushtronin presion, familjarët e tij tek Ilirjan Duçkollari.

Ndërsa në 10 korrik 2017, prokurori Ened Nakuçi, ka vendosur të pezullojë veprimet hetimore të dosjes me Nr.313 të vitit 2015, që bënte fjalë për trafikimin e 808 kg drogë.

Kjo dosje është rihapur nga prokurorët, Mara dhe Prençi, më datë 9 dhjetor 2019. Rihapja e çështjes është bërë vetëm 5 ditë pas pyetjes së Mariglen Shushës në Bari të Italisë. Rifillimi i hetimeve për procedimin penal nr.313 të vitit 2015 (i pezulluar) është bashkuar me procedimin penal nr.238 vitit 2017, për hetime të mëtejshme, pasi të dyja çështjet kishin të njëjtin karakter.

Me kërkesë të dy prokurorëve të mësipërm, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur revokimin e vendimit të pezullimit të hetimeve të datës 25 nëntor 2016, ndaj, Robert Myftarit, dhe rifillimin e hetimeve për këtë person, ndaj të cilit tashmë është caktuar një masës sigurimij “arrest në burg”.

Në dëshminë e tij, bashkëpuntori i drejtësisë, Mariglen Shusha ose “Francezi”, thotë se Ilirjan Duçkollari, kishte njohje dhe me shefin e SHIK-ut në Vlorë, pasi “Lani” kishte ndërhyrë tek Rezarti, drejtori i hipotekës dhe i kishte futur gruan në punë pranë hipotekës së Vlorës.

Madje në një rast, bashkëpuntori tregon se kur Guardia Di Finanzia, ka kërkuar informacion mbi aktivitetin e “Lanit” në Vlorë, drejtori i SHIK-ut, është konsultuar me “Lanin” dhe i ka kthyer një raport negativ, duke mashtruar mbi të dhënat reale që kërkonin italianët.

Ndaj e thashë që në fillim të këtij shkrimi se operacioni “SHPIRTI”, i kryer në 2 Korrik 2021, kam përshtypjen se duhej të quhej operacioni “KULMI”. Pikërisht për shkak të kësaj ndasie, diferentizmi, standardi të shëmtuar provash, dhe selektim personash që duhet të procedoheshin.

“…Qëllove si kalama o Mane…”-është kjo një shprehje e famshme tek filmi shqiptar “Asgjë nuk harrohet”.

Dhe ja pra ku vimë sërisht pas shumë vitesh nga thënia e kësaj batute, ku SPAK-u në 2 korrik 2021, në atë konferencë të famshme për shtyp, ka qëlluar si Mania.

Ose këta njerës duhet të arrestoheshin të gjithë se vërtet kishte prova dhe se dëshmia e francezit vlente. Ose deklarimin e tij ta verifikonin dhe nëse nuk kishte prova, ta linin në sirtar dhe mos i hynin kësaj pune, se do ij binin tjegullave të çatisë së tyre me gurë.

Pas gjithë kësaj situate, pyetja që mua më lind është po sikur Mariglen Shusha të tërhiqet nga bashkëpunimi dhe tu thotë prokurorëve kam gënjyer, me çfarë prove tjetër do mbajnë në këmbë dosjen?/CNA.al

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Varfërohet Veriu/ “Pasurohet” Tirana dhe qendra

Publikuar

-

Nga

Rritja ekonomike e vendit në dekadën e fundit është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në rajonet e tij. Vit pas viti, qendra e vendit po fuqizohet ekonomikisht, kurse rajonet e Veriut dhe Jugut janë rritur nën mesataren kombëtare. Qarqet e Dibrës dhe Kukësit, që u vlerësuan si më të varfrat në vitin 2011, janë varfëruar më tej në dekadën e fundit. Politikat ekonomike dhe sociale nuk po sigurojnë kohezionin social dhe për shkak të kësaj dukurie, qarqet e vendit, sidomos Veriu, po shpopullohet me shpejtësi duke zgjedhur emigracionin kryesisht, edhe pse disponojnë burime natyrore të shumta.

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi ndryshimet në Prodhimin e Brendshëm të Bruto të Rajoneve në të cilin u rezultoi se në tre qarqe ekonomia ishte me rënie në vitin 2019, Dibra me 3%, Kukësi me 2.8% dhe Berati me 2%%. Në të kundërt, qarqet me rritjen ekonomike të lartë ishin Durrësi me 4.3%, Gjirokastra me 4%, Fieri me 3.25 dhe Tirana mbi 2.5%.

Në rang vendi, ekonomia u zgjerua me 2.1% në vitin 2009. E ndarë sipas rajoneve, qendra ku bën pjesë Tirana dhe Elbasani u rritën mbi mesataren kombëtare me 2.2%. Rajoni i Veriut me qarqet e Dibrës, Kukësit, Durrësit, Lezhës, Shkodrës u rrit me 2.1% thuajse në mesataren kombëtare, kryesisht prej zgjerimit të ekonomisë së Durrësit, i cili në 2019-n u ndikua nga zhvillime pozitive në turizëm. Rajoni i Jugut me qarqet e Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës u rrit 1.78% me ritme më të ulëta se mesatarja kombëtare, për shkak të ndikimeve negative në ekonominë e Beratit.

Gjatë 10 viteve të fundit, ekonomia e rajonit të Qendrës është rritur mesatarisht me 3.4% në vit, Rajoni Veriut u rrit mesatarisht me 2.4%, ndërsa i Jugut me 2.6. Merita Toska, nga Co-Plan, njohëse e financave vendore, tha se, pabarazitë në vend janë të dukshme dhe thellohen çdo ditë më shumë, në disa nivele. Ajo pohoi se diferenca në nivelin ekonomik po theksohen në nivel rajoni, qarku, në nivel bashkie dhe në terma urbanë dhe ruralë. Shpërndarja e burimeve të rritjes në territor, sipas saj, është përcaktuese për këto diferenca, gërshetuar dhe me faktorë të tjerë. Politikat rishpërndarëse janë të vakëta dhe nuk po arrijnë të japin rezultate për t’i zbutur këto pabarazi.

Edhe pse qeveritë tashmë kanë një hartë të rajonalizuar dhe të detajuar për varfërinë që në vitin 2011 nuk kanë mundur të shpërndajnë në mënyrë t’i drejtë burimet ekonomike. P.sh., rajoni më i varfër i vendit, Kukësi, në vitin 2019 kishte një ekonomi më të vogël se në vitin 2009.

Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave, ekspert për politikat rajonale, tha se arsyet kryesore të thellimit të varfërisë në qarqet e varfra janë mungesa e politikave efektive ekonomike dhe sociale. Politikat sociale në Shqipëri nuk garantojnë mbështetje reale për të varfrit, pasi ato ofrojnë një mbështetje simbolike financiare, e cila ka mbetur pothuajse e pandryshuar prej më shumë se 25 vitesh dhe indeksimi i saj është disproporcional krahasuar me rritjen e shumëfishtë të kostos së jetesës, tha Shehu.

10 vite ekonomia e Kukësit me rënie, qarku më i varfër, varfërohet më tej

Në vitin 2012, në një anketë të posaçme, INSTAT e mati nivelin e varfërisë në vend. Si kufi i varfërisë u përcaktua një konsum për frymë në 4891 lekë (39 euro) në muaj. Familjet dhe individët që konsumonin poshtë kësaj sasie u konsideruan të varfër, pasi me burimet e tyre të të ardhurave nuk mund të siguronin konsumin e 2200 kalorive në ditë.

Rezultatet e anketës treguan se qarqet Vlorë dhe Gjirokastër kishin shkallën më të ulët të varfërisë, ndërsa Qarku i Kukësit kishte shkallën më të lartë të varfërisë, pasi më shumë se 28% e popullsisë në këtë qark konsumonte poshtë kufirit 39 euro në muaj. Harta e varfërisë duhet t’u shërbente qeverive shqiptare më pas për të realizuar ndërhyrje me fokus pikërisht në zonat më të varfra. Por sot, mbas 10 vitesh prej këtyre rezultateve, ekonomia e qarkut më të varfër në vend është thelluar më tej.

Sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia e Kukësit nga viti 2009 deri në 2019 ka pësuar rënie me 0.3% çdo vit, ndërkohë që ekonomia në tërësi, në këto dhjetë vjet, është zgjeruar mesatarisht me 2.9% në vit. Gjatë dekadës 2009-2019, Qarku i Kukësit ishte vetmi me rënie në shkallë kombëtare, teksa qarqet e tjera, dikush më pak e dikush më shumë, kanë shkuar drejt rritjes.

Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Sheqfet Bruka, ekspert i çështjeve vendore, tha se politikat ekonomike dhe sistemi i rishpërndarjes së të ardhurave kanë qenë në disfavor të Kukësit. Sipas tij, Qarku i Kukësit është i pasur me burime natyrore pasi ka minierat, prodhon më shumë se cilido tjetër energji elektrike, ka pyje dhe kullota pafund, resurse turistike, etj. Z. Bruka u shpreh se duhet ndryshuar politika e shpërndarjes së të ardhurave dhe duhen rindërtuar politikat ekonomike. Ai shtoi se, duhet decentralizim dhe njerëzit duhet të jenë pjesëmarrës në ndërtimin e politikave zhvillimit.

Kukësit i duhen 20 vjet të arrijë nivelin kombëtar dhe 37 vjet, Tiranën

Në vitin 2008, Prodhimi i Brendshëm për Frymë në Kukës ishte sa 67% e mesatares kombëtare, ndërsa në vitin 2019, PBB-ja për frymë në këtë qark ishte sa 60% e mesatares kombëtare. Diferenca në nivelin e jetës është thelluar për më keq.

Sikur ekonomia kombëtare të qëndrojë në vendnumëro, dhe ekonomia e Kukësit të rritet me 2% në vit, do të duhen rreth 20 vjet të arrijë nivelin kombëtar, ndërsa për të arritur nivelin e Tiranës, do të duhen rreth 37 vite. PBB për frymë në Tiranë është 74% më e lartë, se ajo e Kukësit.

Eksperti i ekonomisë, Sherefedin Shehu, tha se, rënia ekonomike në Qarkun e Dibrës në vitin 2019 dhe rënia më e thellë ekonomike në Qarkun e Kukësit ku Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2019 ishte më i ulët se në vitin 2009, tregojnë më qartë se, shkaku i saj është mungesa e politikave efektive ekonomike dhe sociale. Ndonëse këto dy qarqe kanë burime natyrore më të shumta krahasuar me qarqe të tjera, ato kanë nivelin më të lartë të migrimit të brendshëm dhe të jashtëm, si rezultat i thellimit të varfërisë, tha ai.

LEXO EDHE:  Siri, 71 persona u vranë nga bombardimi i trupave qeveritare

LEXO EDHE:  Siri, 71 persona u vranë nga bombardimi i trupave qeveritare

Vitet e fundit, Kukësi u përball me emigracion të pazakontë, ku mijëra qytetarë emigruan duke kërkuar azil ekonomik kryesisht në Francë dhe Gjermani. Ndërsa në vitin 2019, hyri tërësisht në fuqi vjelja e taksës në Rrugën e Kombit, 100 lekë për çdo automjet të qarkut dhe 5 euro për automjetet e tjera.

Në të gjithë dekadën, ekonomia e Kukësit, në pesë vjet pësoi rënie dhe në pesë të tjera, rritje. Rënia më e fortë ishte në vitin 2014 me -14.5%, si pasojë e ikjes masive në emigracion të mijëra qytetarëve, ku lagje të tëra u zbrazën.

Rritet numri i qarqeve me rënie ekonomike më 2019, emigracioni shkaktar

Në vitin 2019, numri i qarqeve që përjetuan rënie të ekonomisë u rrit, në tre gjithsej (Dibra, Kukësi dhe Berati) në raport me vitin 2018, ku ishin me rënie vetëm Dibra dhe Berati. Ekonomia e qarkut të Beratit shënoi rënie me 2% më 2019. Ky ishte viti i dytë me rënie. Megjithëse qarku ka potenciale për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit, duket se shkak për rënien është bërë emigracioni i lartë që po sjell rënie të konsumit. Qarku i Dibrës pësoi rënie me 2.8% më 2019, pasi një rritje sistematike nga 2012 -2019.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se ka një lidhje të drejtë ndërmjet emigracionit dhe ecurisë ekonomike të rajoneve. P.sh., në vitin 2019, qarqet me rënien më të madhe të ekonomisë kishin edhe humbjet më të mëdha në popullsi.

Në raport me janarin 2020, në janar të këtij viti, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet Gjirokastër (- 2,3%) si pasojë e plakjes, Berat (- 2,1%) dhe Dibër (- 1,9%) si pasojë e emigracionit.

Popullsia në numër shënoi rënien më të madhe në Berat, me një pakësim prej 2500 personash, ndërsa Tirana kishte shtesë më të lartë, me rreth 6 mijë persona plus në vitin 2021. Popullsia e vendit në tërësi, në fillim të vitit 2021, ishte 0,6% më e ulët se më 1 janar 2020.

Zoti Shehu tha se, nëse Qarqeve të Dibrës dhe të Kukësit apo edhe qarqeve të tjera do t’u lihet një përqindje e caktuar e të ardhurave që sigurohen nga koncesionet e hidrocentraleve dhe minierave apo resortet e mëdha turistikë, ato do të shndërroheshin në rajonet më të pasura të vendit.

Ndryshimet e një dekade

Gjatë 2008-2019, të ardhurat për frymë në raport me mesataren kombëtare u rritën më së shumti në Dibër për shkak se ekonomia e këtij qarku pësoi rritje të fortë në vitin 2015, ku për shkak të zgjedhjeve lokale u investua, duke ndryshuar për herë të parë drejtimin politik nga demokratët te socialistët.

Në vitin 2008, Dibra i kishte PBB-në për frymë sa 55% e mesatares kombëtare, ndërsa në vitin 2019, rreth 73% me një rritje 17 pikë përqindje gjatë dekadës. Fieri dhe Gjirokastra përmirësuan të ardhurat për frymë gjatë dekadës në raport me mesataren kombëtare, duke e ngushtuar hendekun me 19 dhe 29 pikë përqindje secili. Në të kundërt, Tirana shënoi përkeqësim me mesataren kombëtare në PBB për frymë.

Në vitin 2008, PBB për frymë e Tiranës ishte sa 165% e mesatares kombëtare dhe në vitin 2019 ishte sa 135% e mesatares kombëtare. Ky ndryshim ka ardhur si pasojë e rritje së popullsisë së kryeqytetit me ritme më të shpejta se sa ekonomia e saj. Tirana e Durrësi janë dy qarqet të vetme në vend me rritje pozitive të popullsisë gjatë tre dekadave të fundit. Siç shihet, shtesa e popullsisë nuk ka qenë aq produktive sa të mbajë nivelet e PBB-së për frymë në ritmet e mesatares kombëtare si para dhjetë viteve.

Ekspertja nga Co Plan, zonja Toska, thotë se hapi i parë për të sheshuar pabarazitë mes rajoneve është një studim i thelluar i pabarazive në vend, shkaqeve dhe parashtrimi i alternativave për ndërhyrje. Më tej duhet të aplikohet një programim i qartë i investimeve të paktën në terma afatmesëm (plan investimesh i qartë dhe i publikuar), për të ankoruar pritshmëritë e biznesit dhe për të ulur nivelin e paqartësive të krijuara nga luhatshmëria e politikave publike. Me vlerë do të ishte ndërmarrja e politikave ekonomike rishpërndarëse (por gjithmonë duke pasur një vizion afatgjatë), shtoi ajo.

Struktura e PBB-së, në Jug rritet pesha e bujqësisë, në Veri, industria

Struktura e PBB-së së rajoneve gjatë 2014-2019 nuk ka pësuar ndryshime të dukshme. Në Veri është rritur pesha e industrisë, në Jug pesha e bujqësisë dhe në qendër, aktivitetet profesionale. Sipas të dhënave të INSTAT, në rajonin e Veriut, bujqësia ishte sektori me peshën më të madhe në PBB-në e rajonit me 25,3% të totalit në vitin 2019. Pesha e sektorit të bujqësisë në PBB ra me 5 pikë përqindje që nga viti 2014. Pesha e shërbimeve në Veri u rrit me gati 3 pikë përqindje, për shkak të zhvillimit të turizmit në zonën e Valbonës. Në rajonin e Veriut, sektorët që dominojnë ekonominë janë bujqësia, shërbimet dhe industria.

Në rajonin e qendrës, sektorët me peshën më të madhe janë shërbimet me 22% të totalit të PBB- më 2019 dhe aktivitetet e administratës publike, me 15.4% të totalit, për shkak të përqendrimit të institucioneve të qeverisë qendrore dhe aktivitetit me të lartë të administratës publike. Në rajonin e Qendrës, struktura e ekonomisë ka mbetur pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2015, me një ulje të lehtë të peshës së bujqësisë, rritje të lehtë të aktivitetit të administratës publike dhe industrisë.

Në rajonin e Jugut, sektori më i madh në vitin 2019 ishte bujqësia, e cila zuri 40% të ekonomisë së këtij rajoni, me një rritje të peshës me 4.3 pikë përqindje në raport me vitin 2014.

Sektori i shërbimeve ishte i dyti më i madh në Jug me 14.6% të totalit, më pas industria me 14% të totalit dhe aktivitetet e administratës publike me 10%. Nga viti 2014-2019, pesha e sektorit të industrisë në ekonominë e Jugut ra me 6 pikë përqindje. Në Rajonin e Jugut të vendit, edhe pse ka potencial të lartë për turizëm, bujqësia mbetet dominuese për shkak të përqendrimit të lartë të prodhimit bujqësor në Lushnjë, Fier dhe Berat./Monitor

LEXO TE PLOTE