LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vdekja e Princin Philip/ Britani shpallen planet e funeralit

10 Prill 2021, 21:15, Kosova & Bota CNA
Vdekja e Princin Philip/ Britani shpallen planet e funeralit

Ceremonitë e varrimit të Princit Philip, bashkëshorti i Mbretëreshës Elizabeth të Britanisë, do të mbahet më 17 prill, njoftoi të shtunën Pallati Buckingham, duke shtuar se në funeral do të marrë pjesë nipi i tyre, Princ Harry.

Ndërkohë, kudo në Britani ushtuan të shtënat e topave në shenjë nderimi për Princin Philip, i cili u nda nga jeta të premten në moshën 99-vjeçare. Planet e ceremonive, të hartuara prej kohësh, u desh të ndryshoheshin dhe të zvogëloheshin në përmasa, për shkak të kufizimeve për koronavirusin, por Pallati Mbretëror tha se ato përsëri përputhen mjaft me dëshirat e Princit Philip.

Për nder të tij do të organizohet një funeral mbretëror, jo shtetëror, pa procesione publike, që do të zhvillohet tërësisht brenda mjediseve të Kështjellës Windsor. Numri i të pranishmëve do të jetë jo më shumë se 30. Varrimi do të zhvillohet në Kishën e Shën Gjergjit brenda kështjellës dhe do të paraprihet nga një minutë heshtje në të gjithë vendin.

Hollësitë e sakta se kush do të marrë pjesë nuk janë bërë publike, por midis të pranishmëve do të jetë Princi Harry, intervista e pazakontë e të cilit dhe gruas së tij Meghan muajin e kaluar me personalitetin e njohur televiziv Oprah Winfrey, e zhyti familjen mbretërore në krizën e saj më të madhe në dekada.

Meghan, e cila është shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë, nuk do të marrë pjesë në bazë të këshillës së mjekut, tha Pallati Mbretëror.

Të shtëna topash për nder të Princit Philip

Edhe sot vazhduan homazhet për njeriun që mbretëresha Elizabetë e quante shtyllën e saj të forcës.

Shumë njerëz vendosën lule pranë rezidencave mbretërore për Princin Philip, i cili kaloi më shumë se shtatë dekada në krah të bashkëshortes së tij.

Në njoftimin e saj zyrtar në Twitter, familja mbretërore postoi fjalët e Mbretëreshës të thëna në 50 vjetorin e tyre të martesës në vitin 1997, ku ajo e cilësonte bashkëshortin e saj si një shtyllë force për të gjatë gjithë atyre viteve.

Anëtarët e familjes kanë vazhduar të vizitojnë Mbretëreshën për t?i shprehur homazhet e tyre në Kështjellën Windsor, ku Princi Philip u nda nga jeta.

Në shenjë nderimi, sot në mesditë, ushtuan të shtënat ceremoniale të topave nga forcat e armatosura në Londër, Edinburg, Cardiff, Belfast dhe Gjibraltar. Të shtëna topash pati edhe nga disa anije luftarake të marinës./VOA

Lajmet e fundit nga