Seria A
Pse nuk shkëlqeu Gabigol te Inter? Menaxheri: Zaneti dhe Ikardi ishin xhelozë për të

Gabriel Barbosa apo Gabigol siç njihet më së shumti, ishte një nga ata lojtarë me pritshmëri të larta në momentin kur mbërriti në Itali për të luajtur me Interin. Por, përveç disa shkëndijave, sulmuesi brazilian nuk la asnjë gjurmë tjetër në San Siro dhe u largua pa bujë.
Mirëpo, sipas menaxherit të lojtarit, Vagner Ribeiro, për përfaqësuesin e tij pati xhelozi nga ana e Zanetit dhe Ikardit, të cilët në këtë formë e penguan të zhvillohej.
“Po si mund të funksiononte Gabigol kur nuk luante? Shkoi te Inter dhe ata bënë një festë të madhe në teatër, të gjithë ishin me kravata të zeza. Një festë më e madhe edhe se ajo që u bë për Kaka.
Kjo shkaktoi xhelozi te Zaneti dhe te Ikardi që në atë kohë ishte kapiten i skuadrës. Të dy argjentinasit ishin xhelozë për të. Kështu u përcoll për në Portugali, madje pa u provuar dhe më pas u rikthye te Santos. Aty ku u shpall më pas edhe golashënuesi i kampionatit brazilian. Këtë performancë e përsëriti edhe te Flamengo”, u shpreh Ribeiro.