LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A po rrëshkasin në një luftë midis tyre Rusia dhe Ukraina?

8 Prill 2021, 07:14, Blog CNA
A po rrëshkasin në një luftë midis tyre Rusia dhe Ukraina?

Nga Maxim Samorukov ?The Moscow Times?

Pas 6 vitesh të një armëpushimi të vështirë dhe herë pas here të dhunshëm, në horizont po shfaqet i madh spektri i një lufte të re midis Rusisë dhe Ukrainës. Në shenjë hakmarrje për goditjen e fundit të Kievit ndaj mediave dhe politikanëve pro-rusë, Moska po kryen një vendosje në shkallë të gjerë të trupave të saj ushtarake përgjatë kufirit në Ukrainën.

Situata është veçanërisht e paqëndrueshme në Donbas, ku është prishur tashmë armëpushimi midis ushtrisë ukrainase, dhe territoreve të shkëputura dhe të sponsorizuara nga Moska.
Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për provokime, dhe po përleshen rregullisht me armë, teksa viktimat, si midis personelit ushtarak ashtu edhe civilëve, janë në rritje. Në mesin e këtij realiteti të zymtë, janë pretendimet e të dyja vendeve, se po bëjnë gjithçka që munden për të shmangur një luftë në shkallë të gjerë.

E megjithatë deklaratat e tyre, mund të mos jenë plotësisht të pavërteta. Ndonëse si Kievi ashtu edhe Moska, janë të etura të përfitojnë nga çdo përshkallëzim i papritur i situatës, një vlerësim më racional i rreziqeve të mundshme, duhet t?i nxisë ato që të parandalojnë një konfrontim ushtarak në shkallë të plotë.

Tensionet filluan të rriten që 2 muaj më parë, kur zhgënjimi në rritje i Kievit me sjelljen e Moskës gjatë bisedimeve mbi situatën në Donbas, iu mbivendos dobësimit të ndjeshëm të pozicionit të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski në Ukrainë. Duke mos pasur përvojë të mëparshme politike dhe diplomatike, Zelenski shpresoi në fillim se vullneti i mirë dhe çiltërsia e tij, do të mjaftonin për të zgjidhur konfliktin e përgjakshëm në Donbas. Fitorja e jashtëzakonshme në zgjedhjet e vitit 2019, u bazua në premtimin e tij të sinqertë për të sjellë paqe në Ukrainë.

Por në realitet, procesi i negociatave u pa të ishte shumë më i vështirë. Kremlini ra dakord ta takonte Zelenskin për çështje të caktuara, siç është ajo e vendosjes së një armëpushimi të qëndrueshëm në Donbas, dhe krijimin e një kanali të drejtpërdrejtë komunikimi midis nënkryetarëve të administratave presidenciale.

Por Moska refuzoi të ndryshojë Marrëveshjet e Minskut, që synojnë zgjidhjen e konfliktit, duke këmbëngulur në zbatimin e plotë të pikave të tyre politike. Për Zelenskin kjo qasje nuk çon gjëkundi:lëshimet kryesore ndaj Rusisë, që kërkohen nga Marrëveshjet e Minskut,është e sigurt se do të provokonin një reagim të fortë të opozitës nacionaliste ukrainase, gjë që mund t?i kushtonte atij presidencën.

Përparimi i dobët mbi situatën në Donbas, solli një zhgënjim të madh në shoqërinë ukrainase, i cili u thellua më tej nga problemet ekonomike të vendit. Presidenti u detyrua të rrisë tarifat e shërbimeve, për të përmbushur kërkesat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ndërsa pandemia i dërrmoi bizneset e vogla ukrainase.

Dhe pamundësia e autoriteteve ukrainase për të siguruar doza të mjaftueshme të vaksinave kundër koronavirusit, në mënyrë që të niste vaksinimi në masë i popullsisë, i dha një goditje të fundit popullaritetit të Zelenskit. Në fillim këtij vitit, ai renditej vetëm disa pikë përpara kundërshtarëve të tij kryesorë në sondazhe, ndërsa partia e tij, Shërbëtorja e Popullit, ra në vend të dytë. Zelenski ka ende rreth 3 vjet kohë para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, por kjo nuk është asgjë në botën fluide të politikës ukrainase.

Famëkeqe për oportunizmin e saj, klasa politike ukrainase është e gatshme të ndryshojë besnikërinë e saj sapo ndërron duar pushteti. Rënia e mbështetjes publike për Zelenskin, nxiti menjëherë nisjen e bisedimeve për zgjedhje të parakohshme, ndërsa udhëheqësit e partive të opozitës u futën në një garë se kush ofronte shërbimet e tyre si partnerë në koalicion.

Zelenski ishte në rrezik të mënjanohej dhe të harrohej vetëm 2 vjet pas zgjedhjes së tij si presidenti. Udhëheqësi ukrainas u kundërpërgjigj. Ai vendosi të forconte legjitimitetin e tij duke marrë mbështetje në Perëndim. Në shkurt mbylli disa media pro-ruse, dhe vendosi sanksionet ndaj oligarkut famëkeq Viktor Medvedçuk, që besohet se është një mik personal i presidentit rus Vladimir Putin.

Ky veprim i dha mundësi të anashkalonte opozitën nacionaliste në vend. Shumë shpejt pati hapa të tjerë të guximshëm. Presidenti u distancua nga oligarkët e Ukrainës, përmes arrestimeve të profilit të lartë dhe hetimeve të reja, duke e ripohuar vendosmërinë e tij për të kryer reforma pro-perëndimore.
Ai njoftoi formimin e ?Platformës së Krimesë?, që supozohet të ruajë vëmendjen ndërkombëtare mbi fatin e gadishullit. Gjithashtu, presidenti paraqiti strategjinë e re të sigurisë së vendit, e cila përsërit aspiratën për t?u anëtarësuar në NATO, dhe ka në fokusin kryesor luftën kundër agresionit rus.

Përveç kësaj, Ukraina e ka forcuar qëndrimin e saj në bisedimet mbi Donbasin, duke u përpjekur të nënvizojë se po zhvillon negociata me Rusinë, dhe jo me republikat separatiste në lindje të vendit.
Këto lëvizje kanë prodhuar rezultate të përziera. Zelenski ka rritur kredencialet e tij patriotike në shtëpi, por cilësohet ende si tepër i butë nga një pjesë e konsiderueshme e nacionalistëve ukrainas, të cilët po zhvillojnë protesta të ashpra në rrugë kundër tij.

Edhe kryqëzata e tij kundër oligarkëve, bazohet në baza të dyshimta ligjore, dhe rrezikon të minojë më tej sundimin e ligjit në vend. Radikalizmi i ri anti-rus, e ka rikthyer Ukrainën në vëmendjen e Perëndimit. Mbështetja e udhëheqësve perëndimorë për Ukrainën është e zëshme, por kryesisht retorike. Ka pak dyshime nëse Moska e parashikoi kalimin e Zelenskit nga paqe-ruajtja tek konfrontimi.

Ndërsa Moska po grumbullon trupat e saj në kufirin lindor të Ukrainës dhe në Krime, Kievi ka pak shanse të qëndrojë në këmbë, nëse konflikti degradon në një konfrontim ushtarak në shkallë të gjerë. Megjithatë ka arsye të besohet, se asnjëra palë nuk ka ndërmend të nisë një luftë të tillë.
Nga këndvështrimi i Ukrainës, një ofensivë në Donbas ka të ngjarë t?i jepte Rusisë një pretekst për të ndërhyrë në rajon. Zyrtarët rusë, kanë deklaruar vazhdimisht gatishmërinë e vendit për të mbrojtur republikat e vetëshpallura. Humbjet që do të shkaktoheshin, do të minonin mbështetjen publike tashmë të kufizuar të Zelenskit, ndërsa një ndihmë e shpejtë e Perëndimit për Ukrainën nuk është aspak e garantuar.

Edhe për Rusinë, përfitimet nga shkuarja në luftë me Ukrainën janë gjithashtu të dyshimta. Përkundër pritshmërive të Kremlinit, shteti ukrainas nuk u shemb edhe kur u përball me një situatë shumë më të tmerrshme në vitin 2014. Dhe ka edhe më pak të ngjarë ta bëjë
këtë tani.

Përveç kësaj, sondazhet tregojnë qartë se shoqëria ruse është lodhur nga aventurizmi në politikën e jashtme, dhe nuk do të mirëpresë një sulm të ri ushtarak ndaj Ukrainë në prag të zgjedhjeve parlamentare të shtatorit. Për më tepër, ideja e pushtimit të një ure toke për ta lidhur Krimenë me Rusinë kontinentale është plot të meta.

Që nga viti 2014, Moska ka investuar miliarda dollarë në projekte të ndryshme në infrastrukturë, duke filluar nga hekurudhat tek rrjetet e energjisë elektrike, për të përmbushur nevojat e gadishullit që nuk ka një lidhje tokësore. Krimea vuan ende nga mungesa e ujit, por ky ka qenë një problem për vite me radhë, dhe vështirë se kërkon një luftë për ta zgjidhur atë.

Krerët e republikave separatiste do të dëshironin të zgjeronin kufijtë e tyre. Por nuk ka të ngjarë që lidershipi rus të rrezikojë përfundimin e projektit të tij të madh, gazsjellësin ?Nord Stream 2?, për hir të një rritje të diskutueshme të popullaritetit në vend apo në republikat Donbass.
Prandaj, synimi i dislokimi aktual ushtarak në kufi është i kufizuar tek tregimi ndaj Kievit dhe Uashingtonit, se Rusia është e gatshme t?i përgjigjet me forcë çdo lloj përpjekje ushtarake për të ndryshuar statuskuonë në Donbas./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://www.themoscowtimes.com/2021/04/06/are-russia-and-ukraine-sliding-into-war-a73480

Lajmet e fundit nga