Connect with Us

Biden: Personat nga18 vjeç e sipër mund të vaksinohen nga 19 prilli

Bota

Biden: Personat nga18 vjeç e sipër mund të vaksinohen nga 19 prilli

Publikuar

-

Presidenti Biden e ka shkurtuar me gati dy javë afatin kur çdo i rritur në SHBA do të kualifikohet për vaksinim kundër koronavirusit.

“S’do të ketë më rregulla konfuzuese, s’do të ketë më kufizime,” tha presidenti të martën në Shtëpinë e Bardhë duke njoftuar se që nga data 19 prill “çdo 18 vjeç e sipër përmbush kushtet për t’u vaksinuar”.

Njoftimi i presidentit vjen në një kohë kur vendi po përballet me valën e katërt të rritjes së infeksioneve, sidomos në radhët e të rinjve.

“Nuk jemi ende te vija e finishit,” tha presidenti. “Ende kemi shumë punë për të bërë. Jemi në garë për jetë a vdekje me virusin”.

Presidenti vizitoi të martën një objekt vaksinimesh rreth 12 km nga Shtëpia e Bardhë, ku ai foli për shpejtimin e ritmeve të imunizimit.

“Kur të ktheheni në shtëpi, tregojuni miqve që të vaksinohen sapo ta kenë mundësinë”, u tha zoti Biden atyre që prisnin për t’u vaksinuar në një kishë të vogël të Shkollës Teologjike të Virxhinias.
Gjatë javës së fundit, infektimet e reja kanë shënuar 7% rritje krahasuar me periudhën e mëparshme shtatë ditore. Shtrimet në spitale janë rritur 3%, ndërsa vdekjet nga COVID-19 kanë shënuar rënie të vogël duke arritur në rreth 800 viktima në ditë.

Shtimi i infektimeve shihet si pasojë e uljes së numrit të personave që vënë maskë, shtimi i pjesëmarrjes në aktivitete publike, intensifikimi i udhëtimeve dhe përhapja e varianteve të reja.

“Këto variante janë më ngjitëse,” tha presidenti. “Ato janë më të rrezikshme, por vaksinat japin efekt”.

Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarë të shëndetësisë po përpiqen t’i mëshojnë mesazhit për vigjilencë, pasi popullata ka shfaqur lodhje nga masat kufizuese pas 13 muaj pandemie.

“Njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë dy nocione: vaksinat janë të suksesshme dhe mbrojnë shumë njerëz, por përsëri duhet të vë maskë dhe të ruaj distancë fizike,” thotë Dr. William Schaffner, profesor i mjekësisë parandaluese në Universitetin Vanderbilt. “Duhet të vazhdojmë t’ua kërkojmë njerëzve këto gjëra edhe për pak muaj”.

Ashtu si shumë shtete të tjera, Virxhinia kishte njoftuar banorët se nga mesi i muajit prill të gjithë ata mbi 16 vjeç do të mund të vaksinoheshin. Por në pjesën veriore të shtetit, një zonë me të ardhura të larta ku ndodhen shumë institucione të qeverisë federale dhe jetojnë punonjës e kontraktorë të qeverisë, kërkesa e lartë e ka tejkaluar sasinë e disponueshme të vaksinave.

“Në mënyrë që të përmbushim synimin e guvernatorit, do të na duhen shumë më tepër doza për Virxhinian veriore,” tha shefi ekzekutiv i komunës Feirfaks të Virxhinias.

LEXO EDHE:  Silva Bino në spital me Covid-19/ Manastirliu: Të presim të na bashkohesh sa më parë

Ndërkaq, kategoritë e punonjësve të klasifikuar si me përparësi për vaksinim, ndër to punonjësit e shërbimeve sanitare, kamarierë, stilistë sallonesh dhe llogaritarë, përmbushin kushtet për vaksinim në zonat rurale të Virxhinias, por ende jo në pjesën veriore të shtetit.

Në rajonin e kryeqytetit, Uashington, shumë doza janë rezervuar për pacientë të rrezikuar, ndërsa shumë banorë që duan të vaksinohen nuk po arrijnë pasi nuk ka sasi të mjaftueshme.

Premtimi i presidentit se brenda dy javësh do të shtohet ndjeshëm numri i vaksinave në disponim do të jetë një arritje e konsiderueshme, por kjo nuk zgjidh problemin e rezistencës ndaj vaksinave.

“Secili prej nesh duhet të kontaktojë njerëz që shfaqin hezitim dhe t’ua shpjegojë që t’i bindë se vaksinat nuk janë të rrezikshme,” tha për Zërin e Amerikës Dr Schaffner.

Në Shtetet e Bashkuara janë bërë deri tani mbi 150 milionë doza vaksine, sipas Shtëpisë së Bardhë, e cila deklaron se “afro 1/3 e popullatës amerikane dhe rreth 40% e të rriturve kanë bërë të paktën një dozë, ndërsa afro 1/5 është e imunizuar plotësisht” me një nga tre vaksinat që kanë marrë miratim emergjent nga autoritetet federale amerikane.

Data e re e kualifikimit për vaksinë do t’u japë të gjithë të rriturve mundësinë të caktojnë orar për vaksinim në qendrat e tyre komunitare.

Shtetet e Bashkuara “mjaft shpejt” do të kenë doza të mjaftueshme për t’ua dhënë edhe vendeve të tjera, tha presidenti gjatë vizitës në qendrën e vaksinimit në Virxhinia.

“Ky problem kërkon zgjidhje në mbarë botën,” tha presidenti. “Nuk mund të ndërtojmë dot një mur apo gardh aq të madh sa që të mos lejojë futjen e virusit”.

Vende të tjera kanë kërkuar ndihmë nga Uashingtoni për t’u dërguar doza vaksine, por administrata e Presidentit Biden ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se dëshiron fillimisht të sigurohet se ka sasi të mjaftueshme për të imunizuar amerikanët./VOA

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

OBSH-ja tërheq vëmendjen se pandemia nuk ka mbaruar

Publikuar

-

Nga

OBSH-ja tërheq vëmendjen se pandemia nuk ka mbaruar

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të hënën se megjithëse infeksionet globale dhe nivelet e vdekjeve janë në rënie, pandemia e COVID-19-ës nuk ka mbaruar.

Në konferencën e shtypit të agjencisë të hënën në selinë e saj në Gjenevë, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se infeksionet dhe vdekjet kanë rënë në shkallë globale për të dytën javë radhazi.

Por ai tha gjithashtu se ndërsa vendet e pasura me nivelet më të larta të vaksinimit duket se mendojnë se pandemia ka marrë fund, situata në disa vende të tjera është ende shumë shqetësuese.

“Pandemia COVID-19 është larg fundit dhe nuk do të mbarojë nëse nuk merr fund gjithandej,” tha zoti Tedros.

Shefi i OBSH-së tha se variante të reja, sisteme të brishta shëndetësore, zbatimi i paplotë i masave të shëndetit publik dhe mungesa e furnizimit me ilaçe dhe vaksina po e komplikojnë situatën, veçanërisht në vendet me të ardhura më të ulëta.

Zoti Tedros tha se situata në ato vende ka kompromentuar furnizimin global me vaksina COVID-19 dhe ai i bëri jehonë deklaratës së lëshuar po të hënën nga UNICEF-i e cila paralajmëroi se mekanizmit të COVAX-it po i mbaronin rezervat e vaksinave.

Shefi i OBSH-së tha se COVAX-si parashikohet të ketë një mungesë prej 190 milion dozash deri në fund të qershorit. Ai tha se programi funksionon dhe ka shpërndarë 65 milion doza në 124 vende. Por ai shtoi se ai varet nga plotësimi i angazhimeve nga vendet donatore dhe prodhuesit.

LEXO EDHE:  Deputeti shqiptar infektohet me COVID-19/ I biri ka një mesazh

LEXO EDHE:  Silva Bino në spital me Covid-19/ Manastirliu: Të presim të na bashkohesh sa më parë

Tedros tha që prodhuesit e vaksinës AstraZeneca kanë rritur në mënyrë të vazhdueshme shpejtësinë dhe fluskin e sasive të dërguara, por se prodhuesit e tjerë duhet të ndjekin të njëjtin shembull. Pfizer është zotuar të sigurojë 40 milion doza vaksine përmes COVAX-it këtë vit, por shumica e tyre në gjysmën e dytë të vitit 2021.

“Na duhen doza menjëherë dhe u bëjmë thirrje që të sjellin furnizime sa më shpejt të jetë e mundur,” tha ai.

Zoti Tedros u bëri gjithashtu thirrje vendeve të pasura me rezerva tepër vaksinash që t’i ndajnë ato me vendet më të varfra që kanë nevojë për to.

“Duhet të vendosim kolektivisht qëllime ambicioze për të paktën vaksinimin e popullatës së rritur sa më shpejt të jetë e mundur. Askush nuk është i sigurt derisa të jemi të gjithë të sigurt”, tha ai./ VOA

LEXO TE PLOTE

Kosova & Rajoni

Sekuestrimi i drogës me vlerë 20 milionë euro/ Kryeprokurori i Kosovës: Grupet kriminale do të përballen me drejtësinë

Publikuar

-

Nga

Sekuestrimi i 400 kg kokainë/ Kryeprokurori i Kosovës: Droga, me vlerë 20 milionë euro, grupet kriminale do të përballen me drejtësinë

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, ka dalë  në një deklaratë pwr mediat pas konfiskimit të 400 kilogram kokainë në qytetin e Lipjanit.

Sipas tij, vlera e drogës kapte shifrat e 20 milionë eurove nëse do të dilte për shitje në treg.

Mes të tjerash ai tha se aksioni është bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Shqipërisë dhe shtetit të Italisë.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me policinë, autoritet italiane dhe auto amerikane. Janë konfiskuar 400 kg kokainë vlera e të cilave arrinë rreth 20 milionë euro. Po ashtu janë konfiskuar disa makina dhe mjete tjera. Gjatë hetimit janë përdorur masa të fshehta duke shikuar lëvizjen e të dyshuarve nga Italia deri në vendin tonë. Ju dërgojmë mesazh të qartë të gjitha grupeve kriminale se do të përballen me drejtësinë. Jemi të vetëdijshëm se nuk mund të luftohen nga një shtet i vetëm. Ashtu kemi bashkëpunuar me shtete tjera duke e ditur se krimi mund të na prek të gjithëve. kemi arritur të mposhtim krimin e organizuar. Më lini të falënderoj prokurorët e Shqipërisë, Prokurorët Italianë, policinë shqiptare dhe policinë e Italisë”, tha ai. /CNA.al

LEXO TE PLOTE

Bota

Kosova dhe Serbia përplasen rreth mosprekjes së kufijve në Ballkan

Publikuar

-

Nga

Kosova dhe Serbia përplasen rreth mosprekjes së kufijve në Ballkan

Presidentët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të Kroacisë dhe Sllovenisë, nuk arritën të merren vesh për një deklaratë të përbashkët rreth kufijve të vendeve të rajonit për shkak të qëndrimeve tërësisht të ndryshme të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo çështje ishte pjesë e diskutimeve në takimin e presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi Bërdo-Brioni, një nismë e Sllovenisë dhe të Kroacisë, si shtete anëtare të Bashkimit Evropian që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik midis rajonit të Ballkanit dhe bllokut 27 anëtarësh.

Gjatë muajit të kaluar, u ngritën shumë debate pas shkrimeve në mediet kroate e boshnjake për një dokument joformal (non paper) me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Sipas tyre një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, propozon ripërcaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon. Kryeministri Jansha e ka mohuar të jetë autor i një dokumenti të tillë.

Por, çështja nuk u përfshi në deklaratën e përbashkët pas takimit të sotëm për shkak të kërkesës së presidentit të Serbsië, Aleksandër Vuçiç, që në tekst të përfshihet angazhimi për “mosndryshimin e kufijve të njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”.

Një qëndrim i tillë është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, meqë një formulim i tillë do të nënkuptonte njohjen e Kosovës brenda kufijve të Serbisë.

“…Më lejoni ta them këtu me zë të lartë dhe të qartë: Republika e Kosovës si një shtet sovran dhe i pavarur është një projekt i përhershëm. Askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. Aventurat e rrezikshme mbi ndryshimet e kufijve duhet të refuzohen me vendosmëri nga të gjithë ne, nëse me të vërtetë dëshirojmë paqe dhe stabilitet në rajonin tone”, tha presidentja Osmani në fjalimin e saj.

Mikpritësi i takimit, presidenti slloven Borut Pahor, tha se pati diskutime me tone të larta dhe përplasje rreth kësaj cështjeje. Ndërsa, presidenti kroat, Zoran Milanoviç, tha se cështjet dypalëshe nuk zgjidhen në takime të tilla.

“Të themi agjenda e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ishte më ambicioze dhe për shkak të kundërshtimit të Serbisë disa pjesë u desh të lihen jashtë. Ky është një kompromis. Ne jemi këtu të ndihmojmë shtetet që janë në proceset integruese. Problemet dypalëshe nuk mund të zgjidhen në kuadër të procesit Bërdo Brioni”, tha ai.

LEXO EDHE:  Rritet numri i të infektuarve/ Të dhënat globale për të prekurit dhe viktimat e COVID 19

LEXO EDHE:  Pse antitrupat bien pas infektimit me Covid-19, dhe a do të ndodhë e njëjta gjë edhe pas vaksinimit?

Presidenti slloven vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian nga 1 korriku ritheksoi kundërshtimin e tij ndaj çdo ideje për prekje të kufijve.

Pahor: Jam kundër prekjes së kufijve në Ballkan

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura. Në një njoftim të zyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ajo citohet të ketë thënë se rajoni nuk mund të përparojë drejt integrimeve pa pranimin e së vërtetës.

“Krimet e kryera nga regjimi i (Slobodan) Millosheviçit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani.

Megjithatë presidentët miratuan një deklaratë që ka në thelb thirrjet për integrim të të shpejtë të Ballkanit në Bashkimin Evropian.

“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të t’i qaset Ballkanit Perëndimor si një tërësi, tha ai duke theksuar se blloku duhet të përshpejtojë procesin e zgjerimit, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtojnë reformat”, tha presidenti Pahor.

Gjatë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja, Mali i Zi dhe Serbia aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Aktualisht Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje të hapjes së kapitujve të rinj në negociata me Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të fillimit të negociatave. Por çështja ka ngecur në kundërshtimin e Bullgarisë për hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe kjo ka bërë që të pësojë edhe Shqipëria, e cila ka përparuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian së bashku me Shkupin.

Kosova është e fundit në proces. Ajo pritet të vazhdojë bisedimet me Serbinë në pjesën e dytë të muajit qershor. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, por të dyja palët janë të detyruara të kërkojnë një marrëveshje normalizimi si kusht për integrimet evropiane./voa

LEXO TE PLOTE