Politikë
Ndahet nga jeta Rustem Peçi, kreu i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ

Mëngjesin e sotëm, është ndarë nga jeta kryetari i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, Rustem Peçi.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Kryesia e Komitetit Kombëtar dhe familjarët kanë njoftuar për humbjen e njeriut të tyre të dashur, Peçi.
Sipas, njoftimit të bërë mësohet se homazhet e nderimit për përcjelljen e tij do të bëhen sot, nga ora 14:00-15:00 tek Muzeu Historik Kombëtar.
Ndërsa, varrimi do të bëhet në orën 16:00 duke u nisur nga Muzeu.
Njofim i familjes Peçi dhe i Kryesisë së Komitetit Kombëtar: “Sot, datë 06.04.2021, në orët e para të mëngjesit, mbas një gjendjeje të rëndë shëndetësore, pushoi së rrahuri zemra e shokut Rustem Shefqet Peçi! Rustem Peçi ishte Kryetar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ – Nderi i Kombit! Shoku Rustem Peçi ishte ushtarak kariere, i kompletuar në arsimimin dhe kualifikimin e tij profesional. Gjatë jetës së tij aktive ai ka kryer me sukses e dinjitet detyra shumë të rēndësishme drejtuese në strukturat e ushtrisë!
Shoku Rustem gëzonte statusin e Veteranit të LANÇ. Ndarja e tij nga jeta la në pikëllim familjen e tij biologjike, por edhe miq e shokë, bashkëpunëtorë të panumërt në Organizatën Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, të cilën e drejtoi me perkushtim ideal e dinjitet!
KRYESIA E KOMITETIT KOMBËTAR”/CNA.al