Blog
Për sa kohë do të na mbrojnë vaksinat e koronavirusit? Ja çfarë thonë ekspertët

Nga Lindsey Bever “Washington Post”
Deri tani shumë njerëz janë vaksinuar në SHBA, dhe shumë të tjerë po vaksinohen në mbarë botën. Disa të tjerë mund të janë duke pritur radhën. Tek të gjithë endet një pyetje në mendje: Sa kohë do të na mbrojë vaksina me të vërtetë?
Ashtu si me shumicën e aspekteve të koronavirusit, përgjigjja nuk është plotësisht e qartë. Pse? Sepse ndonëse po përballemi me pandeminë prej më shumë se 1 viti, vaksinat janë autorizuar për përdorim emergjent kohët e fundit. Ndaj ekspertët nuk kanë pasur kohë që të vëzhgojnë efektivitetin e tyre afatgjatë.
Sa do të zgjasë imuniteti i vaksinës?
Autoritetet shëndetësore federale në SHBA, nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare për këtë pyetje. Por bazuar në provat klinike, ekspertët e dinë që mbrojtja e shkaktuar nga vaksinat duhet të zgjasë së paku rreth 3 muaj.
Kjo nuk do të thotë që imuniteti mbrojtës do të skadojë pas 90 ditësh. Kjo ishte thjesht periudha kohore që u studiuan pjesëmarrësit në testet fillestare të vaksinave tëPfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson. Ndërsa studiuesit po vazhdojnë të studiojnë vaksinat, afati i ruajtjes së imunitetit pritet të rritet.
Në botën reale, mbrojtja duhet të zgjasë pak më gjatë, edhe pse kohëzgjatja duhet ende të përcaktohet nga studimet e mëtejshme, thanë ekspertët. Ndërkohë, ekzistojnë gjithashtu faktorë të caktuar që mund të ndikojnë tek sasia e mbrojtjes dhe kohëzgjatja e saj.
Çunhuei Shi, drejtor i Qendrës për Shëndetin Global në Universitetin Shtetëror të Oregonit, SHBA, thotë se reagimet imunitare ndryshojnë nga personi në person. Njerëzit që kanë një përgjigje më të fortë imunitare ndaj një vaksine, do të prodhojnë më shumë antitrupa dhe qeliza të kujtesës, dhe për këtë arsye kanë imunitet më të fortë, shprehet ai.
Por aktualisht nuk ka prova që tregojnë se një përgjigje më e fortë imune do ta rritë kohëzgjatjen e imunitetit. Dhe sipas një sondazhi të fundit nga Sistemi Kombëtar Shëndetësor në Britani,kjo s’do të thotë që njerëzit me një përgjigje më të fortë imune, do të kenë efekte anësore më të rënda nga vaksina apo anasjelltas.
Gjithashtu imuniteti mund të varet nga ajo që ndodh me variantet e ardhshme. Për shembull, nëse një person do të ekspozohej ndaj një varianti të aftë të shmangë antitrupat e gjeneruara nga vaksina, një vaksinë mund të mos jetë aq efektive sa pritej në fillim, thotë Lana Dbeibo, eksperte e sëmundjeve infektive në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Indianas.
Ndonëse studiuesit nuk i kanë ende të gjitha përgjigjet, njohuritë e mëparshme mbi koronavirusët e tjerë, si dhe kërkimet e reja në lidhje me llojin aktual të koronavirusit, mund të japin ende disa të dhëna. Duke parë studimet mbi imunitetin natyror nga koronavirusi, ekspertët supozojnë se imuniteti mbrojtës nga vaksinat do të zgjasë të paktën 6-8 muaj.
Dhe nëse imuniteti nga SARS-CoV-2, përfundon të jetë i ngjashëm me koronavirusët e tjerë sezonalë, siç janë “e ftohura e zakonshme”, është e mundur që vaksinat të mund të sigurojnë mbrojtje deri në 1 ose 2 vjet përpara se të kërkojnë një përforcues, mendojnë ekspertët.
A mund të nxjerrim disa përfundime nga ato që dimë për imunitetin natyror?
Po. Në fakt, shumica e kësaj hipoteze vjen nga ekstrapolimi i të dhënave që ekzaminojnë përgjigjet imune në njerëzit që kanë pasur Covid-19 dhe sëmundje nga koronavirusët e tjerë, sesa tek njerëzit që janë vaksinuar, thekson Dbeibo, që është edhe drejtuese e nismës për zhvillimin e vaksinave në Universitetin e Indianas.
“Por përgjigjet e vaksinave nuk duhet të jenë më pak të besueshme sesa ato nga infeksioni natyror”- shton ajo. Studimet aktuale tregojnë se njerëzit që kanë qenë të infektuar me Covid-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, ruajtën një imunitet të fortë edhe pas 8 muajsh. Kjo u jep studiuesve një pikë reference në parashikimin se sa mund të zgjasë imuniteti pas vaksinimit, shpjegoi Dbeibo.
Por ndërkohë studimet tregojnë se njerëzit e prekur më forma të rënda të Covid-19, zhvilluan një reagim më të fortë imunitar sesa ata me forma më të lehta të sëmundjes. Dhe për shkak se imuniteti i shkaktuar nga vaksinat duket se është më i ngjashëm me imunitetin natyror që rrjedh nga infeksionet e rënda të Covid-19, studiuesit thonë se ata besojnë se njerëzit që marrin një vaksinë anti-koronavirusit, do të mbrohen më mirë sesa shumica e njerëzve me imunitet natyral, mendon Dejvid Topam, profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Universitetin e Roçesterit.
Thënë këto, me kalimin e kohës antitrupat do të zbehen. Dhe megjithëse është një proces gradual, pasi antitrupat bien në një nivel që caktuar që nuk është më mbrojtës, është i mundur ri-infektimi. Gjithsesi ekspertët mendojnë se infeksioni ka të ngjarë të jetë më i lehtë.
Topam, themelues i Institutit Imunologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Roçester, ka studiuar koronavirusin dhe rolin e qelizave B të kujtesës – qelizat imune që vazhdojnë të ekzistojnë gjatë gjithë jetës dhe prodhojnë antitrupa kur ri-ekspozohen ndaj një patogjeni ndaj të cilave ato janë të janë programuaraqë të luftojnë.
Sipas tij disa njerëz që ishin të shtruar në spital me infeksione të rënda të Covid-19, kishin ende frekuenca të larta të qelizave B të kujtesës, si dhe antitrupa, deri 9 muaj pas infektimit. Ai shtoi se qelizat B të kujtesës, mund të përshtaten shpejt me një variant të ri të koronavurisit, dhe se zakonisht kjo gjë ndodh brenda disa ditësh.
Ekspertët po spekulojnë gjithashtu se imuniteti ndaj SARS-CoV-2 do të jetë aq i qëndrueshëm sa me koronavirusët sezonalë, nga të cilët njerëzit preken vazhdimisht gjatë gjithë jetës së tyre. Ata vlerësojnë se imuniteti nga këto koronavirusë zgjat disa vjet, dhe disa prej tyre parashikojnë që me kalimin e kohës kjo gjë do të ndodhë edhe me virusin aktual që ka shkaktuar pandeminë.
“Unë mendoj se ky koronavirus, do të bëhet si koronavirusët e tjerë sezonalë. Pra ne ose do të vaksinohemi ose do të infektohemi kur jemi fëmijë, do të kemi një sëmundje të lehtë, dhe pastaj kur ta ndeshim virusin si të rritur, do të keni një imunitet. Ndërsa nuk do t’ju mbrojë nga infektimi, më e shumta që do të keni do të jetë një ftohje e keqe” – thotë Toham.
Sipas tij Covid-19 është aktualisht i rrezikshëm pasi “të rriturit po e ndeshin për herë të parë këtë virus, dhe nuk kanë një imunitet para-ekzistues”./Përshtatur nga CNA.al
Burimi: https://www.washingtonpost.com/lifestyle/2021/03/29/how-long-immunity-lasts-covid-vaccine/