BundesLiga
“E gjithë bota po tallet me ne”, në Gjermani duan “kokën” e Lëv pas humbjes me Maqedoninë e Veriut

Joakim Lëv ka bërë të ditur se do të largohet nga drejtimi i Gjermanisë pas përfundimit të Europianit të këtij viti. Por tashmë në Gjermani kërkojnë largimin e menjëhershëm të tij pasi mendojnë se cikli ka përfunduar me humbjen historike përballë Maqedonisë së Veriut në shtëpi.
E përditshmja “BILD” shkruante me shkronja të mëdha sot: “Ka mbaruar gjithçka Jogi” në komentin e saj për ndeshjen. “Kjo është disfata e tretë historike për të cilën Lëv duhet të përgjigjet pas shumë vitesh si trajner i kombëtares. Eliminimi i parë historik në grupe gjatë Botërorit të Rusisë. Humbja më e thellë që nga vitit 1931 me atë rezultat 6-0 në Spanjë. Dhe tani kjo 1-2 ndaj Maqedonisë së Veriut, vendi i 65 në renditjen botërore.
Bota e futbollit tani po tallet me ne! Në një klub të Bundesligës, Lëv do ta kishte humbur vendin e punës dhe me të drejtë. Magjia e trajnerit Lëv si kampion bote për fat të keq ka avulluar. Shërbimi i tij ndaj futbollit gjerman është i padiskutueshëm, por koha e tij ka mbaruar. Është e trishtueshme, por është e vërtetë shkruante në komentin e saj e përditshmja që kishte hapur një sondazh nëse trajneri duhej shkarkuar para Europianit, me një rezultat që deri pasdite shihte me 86% votat “po”.