LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Projekt-raporti i OBSH-së/ Kafshët janë me gjasë burimi i COVID-19-s

29 Mars 2021, 17:22, Lifestyle CNA
Projekt-raporti i OBSH-së/ Kafshët janë me gjasë burimi i

Sipas një projektraporti mbi origjinën e COVID-19-s, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në bashkëpunim me autoritetet kineze, transmetimi i virusit nga lakuriqët e natës tek njerëzit, përmes një kafshe tjetër është skenari më i mundshëm. Në një kopje të projektraportit të siguruar nga agjencia e lajmeve “Associated Press” thuhet gjithashtu se rrjedhja e virusit nga laboratori është diçka “jashtëzakonisht e pamundur”.

Gjetjet ofrojnë pak dhëna të reja se si virusi u shfaq për herë të parë dhe ngrenë shumë pikëpyetje, megjithëse kjo ishte ajo çka pritej. Por raporti jep më shumë detaje mbi arsyetimin që është bërë për daljen në këto përfundimeve nga ana e studiuesve. Ekipi propozoi kërkime të mëtejshme në çdo fushë përveç hipotezës së virusi mund të ketë dalë nga një laborator.

Raporti, i cili pritet të bëhet publik të martën, po ndiqet me interes pasi zbulimi i origjinës së virusit mund të ndihmojë shkencëtarët të parandalojnë pandemitë në të ardhmen, por ai ka krijuar gjithashtu ndjeshmëri të lartë për shkak të sugjerimeve që e bënin Kinën fajtore lidhur me pandeminë aktuale. Vonesat e përsëritura në publikimin e raportit kanë ngritur pikëpyetje rreth asaj nëse pala kineze po përpiqej të shtrembëronte përfundimet e tij.

Një hetim i zhvilluar nga agjencia ?Associated Press? vitin e kaluar, zbuloi se qeveria kineze po kontrollonte në mënyrë rigoroze të gjitha kërkimet që po kryeshin lidhur me origjinën e virusit.

“Ne kemi shqetësime reale në lidhje me metodologjinë dhe procesin që është ndjekur për këtë raport, përfshirë faktin se qeveria në Pekin me sa duket ka ndihmuar për hartimin e tij”, tha gjatë një interviste të dhënë së fudmi për rrjetin televiziv CNN, sekretari amerikan Shtetit Antony Blinken. Të hënën Kina i hodhi poshtë akuzat.

“Shtetet e Bashkuara kanë folur hapur lidhur me raportin. Duke bërë këtë, a nuk po përpiqen SHBA të ushtrojnë presion politik mbi anëtarët e grupit të ekspertëve të OBSH-së?!”, pyeti zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian.

Raporti bazohet kryesisht tek vizita e ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë të OBSH-së në Wuhan, qyteti kinez ku u zbulua për herë të parë COVID-19. Misioni nuk kishte për qëllim të identifikonte burimin e saktë natyror të virusit, një përpjekje e cila zgjat me vite. Për shembull, edhe pas më shumë se 40 vitesh studim ende nuk është arritur të përcaktohen speciet e sakta të lakuriqëve të natës që mendohet të jenë rezervuari natyror i virusit të Ebolës.

Në kopjen e projektraportit të siguruar nga AP, studiuesit rendisin katër skenarë që mund të kenë ndikuar për përhapjen e koronavirusit të ri. Në krye të listës ishte transmetimi nga lakuriqët e natës përmes një kafshe tjetër, për të cilën ata thanë se kishte shumë të ngjarë. Studiuesit e vlerësojnë si të mundshme përhapjen e drejtpërdrejtë nga lakuriqët e natës tek njerëzit dhe thonë se përhapja e virusit tek njerëzit nga produktet ushqimore të ngrira të paketuara ishte e mundur, por nuk kishte gjasa të ndodhte.

Kjo e fundit ishte hedhur poshtë si mundësi edhe më parë nga OBSH-ja dhe Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, por studiuesit e këtij misioni e trajtuan sërisht, duke ngritur më tej pikëpyetje në lidhje me politizimin e studimit pasi Kina e ka nxitur prej kohësh këtë teori.

Lakuriqët e natës njihen si bartës të koronavirusit dhe në fakt, lloji më i afërt i virusit që shkakton COVID-19 është gjetur tek lakuriqët e natës. Sidoqoftë raporti thotë se “distanca e zhvillimit mes viruseve të lakuriqëve dhe COVID-19-s vlerësohet të jetë prej disa dekadash, duke sugjeruar se ka një mungese lidhjeje mes tyre”.

Ai tha se viruse shumë të ngjashme janë gjetur edhe tek pangolinat, një lloj tjetër gjitarësh, por shkencëtarët ende nuk kanë identifikuar të njëjtin koronavirus tek kafshët, që të ketë infektuar njerëzit.

?Asssociated Press? e siguroi kopjen e projektraportit të hënën nga një diplomat me bazë në Gjenevë që përfaqëson një vend anëtar të OBSH-së. Nuk ishte e qartë nëse raporti mund të ndryshohet përpara publikimit, megjithëse diplomati tha se ky do të ishte versioni përfundimtar i tij. Një tjetër diplomat konfirmoi se agjencia e lajmeve kishte siguruar një kopje të projektraportit. Të dy diplomatët refuzuan të identifikohen sepse nuk ishin të autorizuar ta lëshonin atë para botimit.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus pranoi se ai e kishte marrë raportin gjatë fundjavës dhe bëri të ditur se ai do të publikohej zyrtarisht të martën.

“Ne do ta lexojmë raportin dhe do ta diskutojmë, do ta shqyrtojmëpërmbajtjen e tij dhe hapat e ardhshëm do të jenë me vendet anëtare (të OBSH-së)”, tha zoti Tedros një konference shtypi në Gjenevë. “Por siç kam thënë, të gjitha hipotezat janë në tavolinë dhe përligjin studime të plota e të mëtejshme nga ato që kam parë deri më tani”.

Projektraporti nuk del në përfundimin nëse shpërthimi filloi në një treg të prodhimesh deti në Wuhan, aty ku u konstatuan disa nga rastet e hershme të infektimit në dhjetor 2019. Një hulumtim i botuar vitin e kaluar në revistën Lancet sugjeronte se tregu mund të ketë shërbyer thjesht për ta përhapur më tej sëmundjen sesa të ketë qenë burimi i saj.

Dyshimet e hershme u lidhën me tregun sepse në disa prej tezgave shiteshin një sërë kafshësh të pazakonta duke ngritur pikëpyetje nëse ato ishin bërë shkak për sjelljen e korovirusit të ri në Wuhan. Raporti vuri në dukje se produktet shtazore, përfshirë gjithçka, nga minjtë e bambuve tek dreri, shpesh të ngrirë, shiteshin në treg, ashtu sikurse krokodilët e gjallë.

Ndërsa virusi u përhap globalisht, Kina gjeti mostra të tij (virusit) në paketimet ushqimore të ngrira që kishin hyrë në vend dhe në disa raste, kishte gjurmuar shpërthime të lokalizuara tek ato, por asnjëherë nuk ka publikuar të dhëna bindëse për të provuar lidhjen. Ndërsa kërkimi për origjinën e virusit është politizuar shumë, Pekini ka nxitur që shkencëtarët të eksplorojnë më shumë këtë teori, sepse mund të nënkuptojë se virusi e ka origjinën nga jashtë Kinës.

Në raport thuhet se zinxhiri i produkteve të ngrira siç dihet, mund të jetë nxitës i përhapjes së virusit në distanca të gjata, megjithëse rreziku është më i ulët sesa përmes përhapjes nga njeriu në njeri. Shumica e ekspertëve pajtohen me këtë.

Ndërsa është e mundur që një kafshë e infektuar të ketë infektuar paketimin e të jetë sjellë më pas në Wuhan duke infektuar njerëzit, në raport thuhet se probabiliteti është shumë i ulët.

“Ndërsa ka disa prova për rifutjen e mundshme të COVID-19 përmes trajtimit të produkteve të ngrira të infektuara e të importuara në Kinë që nga vala fillestare e pandemisë, kjo do të kishte qenë diçka e jashtëzakonshme në 2019 ku virusi nuk po qarkullonte gjerësisht”, thuhet në raport.

Raporti citon disa arsye për të gjithë skenarët, por hedh poshtë mundësinë që virusi të ketë dalë nga një laborator në Wuhan, një teori spekulative që u sugjerua dhe u mbështet mes disa të tjerëve edhe nga ish-Presidenti Donald Trump.

Në raport thuhet se aksidente të tilla laboratorike janë të rralla dhe laboratorët në Wuhan që punojnë në koronavirusët dhe vaksinat menaxhohen mirë. Në të vihet gjithashtu në dukje se në asnjë laborator nuk ka të dhëna për viruse të lidhura ngushtë me koronavirusin përpara dhjetorit 2019 dhe se rreziku për krijimin aksidental të virusit ishte jashtëzakonisht i ulët.

Lajmet e fundit nga