LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Merkel kthen mbrapsht vendimin për mbyllje totale gjatë Pashkëve

24 Mars 2021, 12:44, Kosova & Bota CNA
Merkel kthen mbrapsht vendimin për mbyllje totale gjatë Pashkëve

Pas kritikave të ashpra që shkaktoi në Gjermani vendimi për lockdownin gjatë ditëve të pashkëve, kancelarja Merkel e tërhoqi atë. Ishte qëllim i mirë, por nuk u mendua mirë, tha ajo dhe u kërkoi gjermanëve të falur.

Me një deklaratë para mediave kancelarja Merkel tërhoqi të mërkurën vendimin që parashikonte një superlockdown në ditët e pashkëve. Vendimi për qetësinë e pashkëve ishte “gabim” dhe tërhiqet. “Gabimi është vetëm e tërësisht gabimi im”, tha Merkel dhe u kërkoi gjermanëve të falur. Ky vendim solli shumë pasiguri të tjera, tha Merkel.

Qëllimi ishte i mirë, tha ajo, por nuk u mendua mirë, sepse mbetën ende shumë pyetje të hapura. Merkel tha, se po bëjmë gjithçka që sistemi ynë shëndetësor të përballojë rëndesën e madhe për shkak të pandemisë. Merkel të mërkurën del para Bundestagut për t’i përgjigjur pyetjeve të deputetëve për vendimet e fundit kundër pandemisë.

Në fillim të javës në takimin e kryeministrave të landeve me kancelaren Merkel u vendos që për shkak të tendendës së rritjes së madhe të infektimeve, lehtësimet e bëra në dy javët e fundit të tërhiqen. Përveç kësaj gjatë ditëve të pashkëve u vendos e ashtuquajtura “qetësia e pashkëve”, një lloj superlockdowni.

Nga e enjtja e ardhshme (01.04) deri të hënën e pashkëve (05.04) do të mbyllej jeta publike, vetëm të shtunën e ardhshme do të hapeshin për pak orë supermarketet. Pas reagimeve të shumta të ashpra, Merkel thirri të mërkurën një konferencë të shpejtë me kryeministrat e landeve, ku tha se e merr përgjegjësinë, dhe e tërhoqi vendimin. Puna që investohet për këtë dhe ajo që përfitohet nuk janë në proporcion, tha ajo. Kryeministrat e landeve, sipas deklarimeve, shprehën respekt për kancelaren dhe theksuan përgjegjësinë e përbashkët.

Kryeministri bavarez, Markus Söder, tha “se kam respekt për deklaratën e Merkelit.” Kurse kryeministri i landit Renani-Veriore Vestfali. Armin Laschet (CDU) tha se është më mirë, kur gjërat problematike tërhiqen./DW

Lajmet e fundit nga