Blog
Fundi tragjik i Al Kapones:A u përndoq ai nga fantazma e një gangsteri, që e kishte ekzekutuar dikur?

Al Kapone ishte një gangster amerikan famëkeq. Me trafiqet e tij të paligjshme prej miliona dollarësh në Çikago, si në zhvatje, prostitucion dhe kumar,ai e dominoi për gati një dekadë botën e krimit të organizuar.
Në kulmin e fuqisë së tij, ai punësoi mbi 1.000 njerëz të armatosur në shërbimin e tij dhe kishte deri në gjysmën e forcës policore të qytetit të Çikagos në listën e tij të pagave. Por në vitet e tij të fundit, ai nisi të vuante nga një frikë e madhe drithëruese. A vuajti Al Kapone nga sëmundjet mendore, apo u përndoq nga fantazma e njërit prej viktimave të tij.
Alfons Gabriel “Al” Capone (1899 – 1947) lindi në Bruklin të Nju Jorkut, si djali më i vogël i 2 emigrantëve italianë. Hyri në botën e krimit kur u transferua në Çikago, dhe u bë një mik dhe truprojë i mafiozit Xhoni Torrio, kreu i një grupimi kriminal që furnizonte ilegalisht me alkool baret gjatë epokës së Prohibicionit në SHBA.
Nuk kaloi shumë kohë dhe Al Kapone u bë një nga gangsterët më të rrezikshëm në vend. Në moshën 26 vjeçare ai ishte një bos i fuqishëm i krimit, që kishte mbrojtje të madhe politike. Ai përdorte ryshfetin dhe kërcënimet për të ndikuar në zgjedhje, ndërsa dhunën dhe vrasjet për të siguruar suksesin në aktivitetet e tij të paligjshëm.
Kapone mbeti i paprekur nga ligji deri në Masakrën brutale të Shën Valentinit ndaj bandës rivale, që i nxiti qytetarët më me ndikim të kërkonin ndërhyrjen e qeverisë. Në fillimin e vitit 1929, Kapone dominonte tregtinë e paligjshme të pijeve në Çikago. Por rivalët e tij, të njohur si North Side Gang, garonin për një pjesë të këtij biznesit shumë fitimprurës pë kohën. Dhe midis tyre ishte rivali i vjetër i Kapones“Bags” Moran. Kapone e cilësonte atë një kërcënim shumë të madh, ndaj urdhëroi eliminimin e tij.
Mëngjesin e 14 shkurtit 1929, njerëzit e Kapones, duke u paraqitur si policë, nisën një bastisje të rreme në bazën e North Side Gang. Ata i rreshtuan të 7 burrat para një muri dhe më pas i bënë shoshë me mitralozë. I paralajmëruar në kohë për pritën, Bags Moran i shpëtoi masakrës.
Fotot e viktimave të masakruara nga plumbat e tronditën shumë publikun, dhe e dëmtuan shumë reputacionin e Kapones midis aleatëve të tij politikë. Në këto kushte, u vendos të veprohej më në fund mbi paligjshmërinë e Kapones. Por pa pasur prova për ta lidhur atë me masakrën, Kapone duhej të nxirrej në gjyq me akuza të tjera.
Në majin e vitit 1929, Kapone u arrestua për armëmbajtje pa leje gjatë një udhëtimi në Filadelfia dhe u dënua me burg. Lidhjet e forta, bënë që atij t’i jepej trajtimi më i lartë në burg. Ndërsa të burgosurit e tjerë vuanin në qelitë e zhveshura dhe prej betoni,me një pllakë të thjeshtë si shtrat, qelia e Kapones ishte zbukuruar me mobilie, piktura vaji dhe një radio.
Por qelia e tij “luksoze”, nuk ia bëri komod qëndrimin aty Kapones. Nuk kaloi shumë dhe bosi i ashpër i krimit, ishte shndërruar në një njeri që tmerrohej çdo natë. Ai ulërinte gjatë natës, duke kërkuar që “Xhimi” ta linte të qetë.Shumë njerëz besojnë se “Xhimi” ishte fantazma e një prej viktimave të Al Kapone, që do
ta torturonte atë natë pas nate. Në fakt, një nga 7 viktimat nga Masakra e Shën Valentinit quhet Xhejms (Xhimi) Klark. I lindur si Albert Kashelek, Xhimi ishte kunati i Bags Moran, dhe vdiq në masakrën e 14 shkurtit.
Makthet e ndoqën Kapone edhe pasi u largua nga Filadelfia,duke e përndjekur edhe gjatë 11 viteve që kaloi në burgjet e Atlantës dhe Alkatrazit për evazion fiskal. Madje Kapone thirri një medium, të quajtur Elis Brit, që të përpiqej të gjente se çfarë donte Xhimi. Me sa duket, Brit nuk ia doli dhe Kapone vazhdoi të terrorizohej nga fantazma e Xhimit. Por të tjerët tregojnë për një shpjegim më shkencor për makthin e tij. Kur ishte rreth 20 vjeç, Kapone punoi si truprojë në një shtëpi publike ku edhe u sëmur me sifiliz. Ai nuk kërkoi kurrë trajtim në spital, dhe kjo bëri që sëmundja të përparonte në neurosifilis, duke çuar në demencë.
Pasi kreu 6 vite e gjysmë burg, Kapone u la i lirë në vitin 1939 dhe u dërgua në një spital psikiatrik në Baltimorë, ku qëndroi për 3 vjet.
Shëndeti i Al Kapones u përkeqësua, dhe deri në vitin 1946 mjeku i tij dhe një psikiatër nga Baltimora i bënë disa ekzaminime, dhe arritën në përfundimin se Kapone kishte aftësi mendore të një fëmije 12-vjeçar. Më 25 janar 1947, ai vdiq nga arresti kardiak, dhe u varros në Ilinois./Përshtatur nga CNA.al