LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse disa njerëz mund të jetojnë në aeroporte për muaj, madje edhe me vite

4 Mars 2021, 08:25, Blog CNA
Pse disa njerëz mund të jetojnë në aeroporte për muaj,

Nga Janet Bednarek ?The Conversation?

Në janar të këtij viti, autoritetet lokale arrestuan 36-vjeçarin Aditja Sing pasi ai kishte 3 muaj që jetonte në Aeroportin Ndërkombëtar O?Hare të Çikagos. Që nga tetori i vitit 2020, Sing qëndronte në pjesën e sigurt të aeroportit, duke u mbështetur tek mirësia e të huajve që i blinin ushqime.

Ndërkohë ai flinte në terminale dhe përdorte shumë banjo. Ai u zbulua vetëm kur një punonjës i aeroportit i kërkoi të shihte letërnjoftimin e tij. Por Sing nuk është i pari që jeton për një kohë të gjatë në një aeroport. Pas më shumë se dy dekadash duke studiuar historinë e aeroporteve, unë kam hasur në historinë e disa njerëzve që kanë arritur të jetojnë në terminale për javë, muaj, ndonjëherë edhe vite.

Aeroportet janë shpesh si ?mini qytete?, pasi ato përmbajnë faltore, një stacion policie, hotele, restorante, dyqane etj. Por pavarësisht kësaj,ata që i drejtojnë ato preferojnë që askush të mos qëndrojë atje. Gjithsesi në to është e mundur të jetohet pasi ofrojnë shumë nga lehtësitë bazike të nevojshme për mbijetesë:ushqim, ujë, banjo dhe strehim. Dhe ndërsa fluturimet nuk funksionojnë domosdoshmërisht 24 orë në 7 ditë të javës, terminalet e aeroportit hapen shpesh shumë herët në mëngjes dhe qëndrojnë të tilla deri natën vonë.

Shumë nga aeroportet janë aq të mëdha saqë ata që vendosin të qëndrojnë, si rasti i lartpërmendur, mund të gjejnë shumë mënyra për ta shmangur për një kohë të gjatë zbulimin e tyre. Dhe një nga mënyrat kryesore është thjesht përzierja me turmat. Para pandemisë, aeroportet amerikane menaxhonin 1.5-2.5 milion pasagjerë çdo ditë. Kur u shfaq pandemia, numri i udhëtarëve ra në mënyrë dramatike, nën 100.000 gjatë javëve të para të krizës në pranverën e vitit 2020. Sing mbërriti në Çikago në mesin e tetorit 2020 kur shifrat e udhëtarëve po rriteshin ndjeshëm.

Ai u zbulua dhe u kap vetëm në fund të janarit 2021, pikërisht kur numri i pasagjerëve ra ndjeshëm pasi përfunduan udhëtimet e pushimeve të Vitit të Ri, dhe pas një valë të re të madhe me koronavirus. Megjithatë, jo të gjithë ata e bëjnë këtë me dëshirën e tyre. Por ka edhe nga ata që e gjejnë padashur veten në një qëndrim të zgjatur dhe të pacaktuar në kohë. Ndoshta banori më i famshëm i aeroporteve ishte Mehran Naseri, historia e të cilit frymëzoi filmin ?The Terminal?, me protagonist aktorin amerikan Tom Henks. Naseri, një refugjat iranian,po shkonte në Angli përmes Belgjikës dhe Francës në vitin 1988 kur humbi dokumentet që vërtetonin statusin e tij të refugjatit. Pa letrat e tij, ai nuk mund t?i hipte avionit që do ta çonte në Angli. Ai nuk u lejua të linte as aeroportin e Parisit. Shumë shpejt çështja e tij u shndërrua në një ?patate të nxehtë?, që kaloi vazhdimisht nëpër duart e zyrtarëve në Angli, Francë dhe Belgjikë. Në një moment autoritetet franceze i dhanë mundësinë të banonte në Francë, por Naseri e refuzoi ofertën, pasi donte të shkonte në destinacionin e tij origjinal, Angli.

Kësisoj ai qëndroi për gati 18 vjet në aeroportin Sharl De Gol. Ai u largua prej andej vetëm në vitin 2006, kur pati probleme shëndetësore dhe u detyrua të shtrohej në spital. Banorë të tjerë afatgjatë në aeroporte përfshijnë Eduard Snouden, ish punonjësin e NSA-së amerikane, që jetoi më shumë se 1 muaj në një aeroport rus në vitin 2013, para se të fitonte të drejtën e azilantit politik. Dhe pastaj është saga e Sanjaj Shah. Ai udhëtoi drejt Anglisë në majin e vitit 2004. Por zyrtarët e emigracionit ia refuzuan hyrjen kur ishte e qartë se ai kishte ndërmend të emigronte në Angli, dhe jo të qëndronte atje vetëm disa muaj.
Pasi u dërgua në Kenia, Shah kishte frikë të largohej nga aeroporti, pasi ai kishte hequr tashmë dorë nga shtetësia e tij keniane. Më në fund, ai ishte në gjendje të largohej pas një qëndrimi prej 1 viti e ca në aeroport, kur zyrtarët britanikë i dhanë atij shtetësinë e plotë. Kohët e fundit, pandemia e koronavirusit ka krijuar banorë të rinj të pavullnetshëm afatgjatë në aeroporte. Për shembull, estonezi Roman Trofimov mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Manilës në Filipine me një avin nga Bangkoku në 20 mars 2020.

Kur ai mbërriti aty, autoritetet filipinase e kishin pezulluar lëshimin e vizave të hyrjes për të kufizuar përhapjen e Covid-19. Trofimov kaloi mbi 100 ditë në aeroportin e Manilës, derisa personeli i ambasadës estoneze ishte më në fund gjendje t?i gjente një vend në një fluturim drejt atdheut të tij.
Ndërsa shumica e banorëve të pavullnetshëm të aeroporteve, dëshirojnë që të largohen nga ?shtëpia? e tyre e përkohshme, ka disa që janë përpjekur vullnetarisht ta bëjnë aeroportin vendbanimin e tyre afatgjatë. Aeroportet kryesore në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë kanë funksionuar prej kohësh – edhe pse kryesisht në mënyrë joformale – si strehimore për të pastrehët.

Për shembull në vitin 1986, ?Chicago Tribune? shkroi për historinë e Fred Dilzner, një ish-llogaritar 44-vjeçar që kishte jetuar në O`Hare për 1 vit. Artikulli tregonte se të pastrehë kishin filluar të shfaqeshin për herë të parë në aeroport në vitin 1984, pas përfundimit të linjës hekurudhore që siguronte një banesë më të lehtë dhe më të lirë.

Gazeta raportoi se 30-50 njerëz po jetonin në aeroport, por zyrtarët prisnin që numri të Rritej deri në200 me fillimin e dimrit. Kjo dukuri ka vazhduar edhe këtë shekull. Mediat raportuan në vitin 2018 për një rritje të numrit të të pastrehëve në disa aeroporte të mëdha amerikane./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://theconversation.com/how-some-people-can-end-up-living-at-airports-for-months-even-years-at-a-time-154336

Lajmet e fundit nga